Të Fundit
Me rastin e Ditëlindjes së Pejgamberit alejhis-selam

Me rastin e Ditëlindjes së Pejgamberit alejhis-selam

Dita e Mevludit, 12 Rebiu-l-evveli, është një prej ngjarjeve më të lumtura dhe frymëzuese për të gjithë muslimanët. Lindja e Pejgamberit, paqja qoftë mbi të, është fillimi i një epoke të re, një periudhe plot dritë, urtësi, dhe mësim.

Kjo ditëlindje përfaqëson fillimin e plotësimit të pjekurisë shpirtërore për të gjithë njerëzimin.Jetëshkrimi i Pejgamberit a.s. është burimi më i madh i frymëzimit për besimtarët. Jeta e tij është një udhëzim për të arritur më të mirën dhe për të jetuar në harmoni me vullnetin e Allahut xh.sh. Përmes shembullit të tij, ne mësojmë se si të jetojmë me dashuri, respekt, dhe drejtësi ndaj të tjerëve. Ai është një udhëheqës i pashembullt që na mëson vlerat themelore të humanizmit dhe paqes. Na mëson parimin universal se të bësh mirë, së pari duhet të jesh i mirë vetë, se ta zotërosh botën, së pari duhet ta zotërosh veten, etj.

Në këtë ditë të veçantë, le të kujtojmë me respekt dhe admirim rolin e jashtëzakonshëm të Pejgamberit a.s. dhe të ndjekim mësimet e tij me përkushtim. Le të bashkohemi për të shpërndarë dashurinë dhe të ndjekim Usven – shembullin e bukur të tij në rrugën e jetës.

Ditëlindja e Muhammedit a.s. është një rast për të festuar, për të përmirësuar veten tonë dhe për të përhapur një mesazh të përbashkët të paqes dhe të dashurisë në të gjithë botën.

Për hajr dita e Mevludit!

Hfz. Mehas Alija

(Islampress)