Të Fundit
Llojet e ujit

Llojet e ujit

Uji është 3 llojesh:

1 – Ujë i përgjithshëm/zakonshëm

2 – Ujë i përdorur

3 – Uji i ndotur

Uji i përgjithshëm/zakonshëm:

Uji i përgjithshëm është i pastër dhe pastrues. Allahu i Lartësuar thotë: “… dhe Ne lëshuam prej qiellit ujë të pastër”. [Furkan: 48]. Këtu bëjnë pjesë:

1 – Uji i detit: Ebu Hurejra (r.a) tregon, se një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Ne udhëtojmë në det dhe marrim me vete vetëm pak ujë sa për të pirë, por nëse marrim abdes me të, nuk na mjafton për të pirë. A të marrim abdes me ujin e detit”? I Dërguari i Allahut (a.s ) tha: “Uji i tij është i pastër dhe ngordhësira e tij është e lejuar të hahet”

2 – Uji i shiut: Allahu i Lartësuar thotë: “…dhe Ne lëshuam prej qiellit ujë të pastër”. [Furkan: 48].

3 – Breshëri dhe bora: Ebu Hurejra (r.a) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) falej, heshtte pak. Unë i thashë: “T’u bëfshin kurban nëna dhe babai im o i Dërguar i Allahut, çfarë thua mes tekbirit dhe leximit”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Unë them: “…o Zot më pastro nga mëkatet me ujë, breshër dhe borë”

4 – Uji i lumit: Ibn Abasi (r.a) thotë: “Dy lloje ujërash nuk të dëmtojnë, nëse merr abdes me to: uji i detit dhe uji i lumit”.

5 – Uji i puseve, burimeve, gurrave etj: Ebu Said Khuderi (r.a) tregon: “Kalova pranë të Dërguarit të Allahut (a.s ) dhe ai po merrte abdes me ujin e pusit Buda’ah. I thashë: “O i Dërguar i Allahut! A po merr abdes nga uji i këtij pusi, kur në të hidhen qentë e ngordhur, gjaku menstrual i grave dhe papastërtitë e njerëzve”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Uji është i pastër, asgjë nuk e ndot atë”

6 – Uji i ngrohur: Uji nuk i ndryshon cilësitë e tij edhe nëse zihet. Umeri (r.a) e ngrohte ujin në një kusi dhe pastaj lahej me të.

7 – Uji i mbetur në enë pas larjes së mashkullit apo gruas (xhunub): Ibn Abasi (r.a) tregon: “Një nga gratë e të Dërguarit të Allahut (a.s ) mori gusul. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) përdori ujin e mbetur nga ena, për të marrë abdes. Ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë isha e papastër (xhunub)”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Uji nuk ndotet nga xhunubllëku”

8 – Uji në të cilin ngordh një gjallesë që nuk ka gjak: Ibrahim Nekhaiu (tabiin) thotë: “Nuk lejohet të merret abdes me atë ujë, në të cilin ngordh çdo gjallesë që ka gjak. Mirëpo Allahu e ka lehtësuar këtë dispozitë për gjallesat që nuk kanë gjak. Prandaj nëse buburreci, akrepi, karkaleci e të ngjashëm me ta bien në ujë, kjo gjë nuk e ndot ujin”I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse miza bie në ushqim, zhyteni komplet në ushqim dhe më pas nxirreni, Vërtet ajo mban në njërën anë helmin dhe në anën tjetër shërimin”. Sot shkenca vërteton, se miza mbart në njërën anë helmin dhe në anën tjetër ilaçin.

9 – Uji që përdorin jomuslimanët: Zejd Ibn Eslem tregon, se babai i tij ka thënë: “Kur isha në Sham (Siri, Palestinë Liban), i solla ujë Umer Ibn Hattabit (r.a) dhe ai mori abdes me të. Pastaj ai pyeti: “Ku e keni marrë këtë ujë? Nuk kam parë ujë më të mirë dhe më të ëmbël sesa ky”. I thashë: “E mora tek shtëpia e një gruaje të krishterë”. Atëherë ai shkoi tek shtëpia e saj dhe pa se ajo ishte plakë dhe koka i ishte zbardhur plotësisht. Umeri (r.a) tha: “O ti grua! Pranoje Islamin se do të shpëtosh, sepse Allahu e ka dërguar Muhamedin (a. s) me fenë e vërtetë”. Ajo tha: “Unë jam një plakë dhe po vdes”. Umeri (r.a) tha: “O Zot, dëshmo se e përcolla mesazhin tënd”.

10 – Uji që është përzier me diçka: Uji ka tre veçori: shijen, ngjyrën dhe erën. Lejohet pastrimi me ujin që ka ndryshuar një nga veçoritë e tij. Lejohet të merret abdes me ujin që ndryshon ngjyrën dhe erën. Mirëpo nëse ujit i ndryshohen të tre veçoritë, atëherë ai nuk vlen për abdes. Kur i Dërguari i Allahut (a. s) po bënte Haxhin, një nga sahabët u rrëzua nga deveja dhe vdiq. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Lajeni me ujë, duke e përzier ujin me sidr (bimë aromatike) dhe varroseni me rrobën që ka veshur…” Umu Hani (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) dhe Mejmunja (gruaja e të Dërguarit të Allahut) janë larë në një enë, në të cilën shikoheshin gjurmët e brumit.

11 – Uji në calik (në lëkurat e regjura): Një burrë e pyeti Ibn Abasin (r.a), nëse lejohet të pihet uji që është në calik. Ibn Abasi (r.a) tha: “E kemi pyetur të Dërguarin e Allahut (a. s) për këtë dhe na ka thënë: “Kur lëkura regjet, ajo pastrohet”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kur lëkura regjet, ajo pastrohet”. Prandaj lejohet të falesh mbi lëkurën e regjur.

12 – Uji i zemzemit: Xhabir ibn Abdullahu (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s ) ka thënë: “Uji i Zemzemit vlen për atë qëllim që pihet”. Uji që pihet, vlen edhe për të marrë abdes me të.

Uji i përdorur:

Uji i përdorur është ai ujë, i cili ka larë një gjymtyrë dhe ka rënë në enë, pra bëhet fjalë për atë ujë, që është përdorur për të kryer një adhurim apo pastrim. Rrubejia bint Muauidh (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a. s) ka fshirë kokën me ujin që kishte mbetur pas larjes së krahëve.(99) Disa dijetarë mendojnë se ky ujë vlen vetëm për pastrim dhe jo për abdes, mirëpo mendimi më i drejtë është se ky ujë vlen edhe për abdes, kur nuk ka ujë tjetër.

Uji i ndotur, me të cilin nuk lejohet të pastrohesh:

1 – Uji i pakët në të cilin ka papastërti: I Dërguari i Allahut (a. s) ka thënë: “Mos urinoni në ujin që nuk ecën dhe mos u lani në atë ujë, kur jeni xhunub”.

Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s ) ka thënë: “Ai që është xhunub, nuk duhet të lahet në ujin që nuk ecën (në vaskë)”. Dikush e pyeti Ebu Hurejran (r.a): “E si të lahet”? Ebu Hurejra (r.a) tha: “E merr ujin me grushta”.

2 – Uji që e ka mbuluar papastërtia apo ka marrë ngjyrën e papastërtisë: Ebu Umame (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a. s) ka thënë: “Ujin nuk e ndot asgjë tjetër përveç gjërave që i ndryshojnë ngjyrën dhe shijen”.

3 – Uji që ndryshon tre cilësitë e tij: Ebu Umame (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a. s) ka thënë: “Ujin nuk e ndot asgjë. Këtu bën përjashtim rasti, kur ujit i ndryshon era, shija dhe ngjyra, për shkak të një papastërtie që bie në të”.

Nuk lejohet pastrimi me lëngje të pastërta, por që nuk janë pastruese, si: qumështi, parfumi, vaji etj.

Autor: Rushit Musallari/mesazhi/