Të Fundit
Le t’i shfrytëzojmë mirësitë e ramazanit

Le t’i shfrytëzojmë mirësitë e ramazanit

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.

Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq. Dhe dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin gjithmonë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë agjëruesit.

Të dashur vëllezër besimtarë!

A nuk e dini se ka një stinë e vitit që është më pjellore se të tjerat; se ka një kohë kur lulëzojnë gjethet e pemëve dhe lulet; se ka një kohë kur toka është më e përshtatshme për kultivim, kur farërat mbijnë më lehtë dhe japin fruta të dyfishta apo të shumëfishta? Ajo është pranvera të cilët bujqit e presin me padurim për të mbjellë atë që duan. Kështu është edhe me ramazanin, ai është pranverë për shpirtrat tanë.

Çdo vepër e mirë që njeriu bën në këtë muaj zhvillohet më mirë. Namazi, agjërimi, mukabelja, iftari, dhikri, bamirësia… Ramazani është mundësi unike kur një person nga zeroja shpirtërore mund të arrijë të bëhet evlija, sepse Pejgamberi (savs), ka thënë: “Kur të vijë nata e parë e muajit ramazan prangosen shejtanët dhe xhinët rebelë, mbyllen portat e Xhehenemit dhe nuk hapet asnjëra nga to, hapen portat e Xhenetit dhe nuk mbyllet asnjëra nga to, pastaj thërret një thirrës: O ti që e do të mirën nxito, o ti që e do të keqen ndalo! Allahu liron njerëz nga zjarri, madje për çdo natë (të ramazanit).”

Në këtë muaj, mosbindjen e qëllimshme ndaj Allahut të Madhërishëm e shprehin vetëm ata që janë lajthitur aq shumë nga shejtani i mallkuar, saqë vazhdojnë të rrotullohen edhe pasi ai pushon së vepruari. Në këtë muaj, mosbindjen e qëllimshme ndaj Allahut e shprehin vetëm ata që me dëshirë zgjodhën të keqen ndaj të mirës.

Muaji ramazan ka ardhur për t’i hequr papastërtitë nga zemrat e atyre që ndiejnë keqardhje në zemrat e tyre. Muaji ramazan ka ardhur për të ofruar mundësi për pendim dhe shpëtim edhe për mëkatarët më të mëdhenj ndër ne, nëse kanë nevojë për pendim në zemrat e tyre.

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (ez-Zumer, 53)

Në këtë muaj të ramazanit, le ta fillojmë aksionin e pastrimit të shpirtrave dhe zemrave tona, duke u penduar sinqerisht tek Allahu. Pasi t’i pastrojmë zemrat tona nga mosbindja ndaj Allahut; pasi t’i pastrojmë zemrat tona nga sëmundja e mendjemadhësisë, zilisë, koprracisë, gënjeshtrës, përtacisë… atëherë le t’i mbushim ato me dhikër, me istigfar, me namaz, me lexim të Kuranit, me dhembshuri për të tjerët, me punë, me përpjekje…

Të dashur vëllezër!

Le ta ruajmë namazin tonë. Sepse namazi është shtylla e besimit. Nuk ka musliman pa namaz. Gjëja e parë për të cilën do të pyetet njeriu në Ditën e Gjykimit është namazi, kështu që, nëse ai është i saktë do të jenë të sakta edhe veprimet e tjera të tij, e nëse namazi nuk është i saktë, nuk do të jenë të sakta as veprat e tjera. Sidomos le ta ruajmë namazin me xhemat, sepse është 27 herë më i vlefshëm sesa namazi i individit. Ejani në teravi, ejani edhe në sabah, sepse Pejgamberi (savs), ka thënë se, ai që fal jacinë dhe sabahun me xhemat, është sikur të jetë falur gjithë natën. Gjithashtu, Pejgamberi (savs) ka thënë se, ai që e fal namazin e teravive dhe qëndron me imamin deri në fund, është sikur të jetë falur gjithë natën. Prandaj, le të përfitojmë nga kjo mundësi e ramazanit që të mbjellim sa më shumë të mira, të cilat – dashtë Allahu – do t’i korrim kur të kemi më së shumti nevojë.

Vëllezër të dashur – le të agjërojmë, sepse agjërimi është ilaç edhe për trupin edhe për shpirtin. Sipas hulumtimeve mjekësore, agjërimi në shumë aspekte është i dobishëm për trupin tonë, kurse sipas haditheve të Pejgamberit (savs), agjërimi na sjell të mira edhe në këtë botë edhe në botën tjetër, sepse Allahu i Plotfuqishëm premton shpërblim të veçantë për agjëruesit.

Vëllezër të dashur – të gëzohesh për ramazanin, ndërsa të mos shoqërohesh me Kuranin, që është një nga karakteristikat kryesore të ramazanit, është absurde. Le ta marrim Kuranin tonë nga vitrinat, le t’ia heqim pluhurin dhe t’i mbushim shpirtrat tanë me urtësinë dhe bukurinë që na sjell. Ata që nuk dinë arabisht le ta lexojnë përkthimin, por Kurani duhet të jetë në gjuhët tona dhe në duart tona, sepse ai do të dëshmojë në Ditën e Gjykimit ose për ne ose kundër nesh, andaj i lumi ai në anën e të cilit është Kurani.

Vëllezër të dashur – le ta dimë se musliman i mirë nuk mund të jetë ai që kënaqet që vetëm ai të jetë mirë. Musliman i vërtetë është aktiv në shoqëri. Muslimani i vërtetë kujdeset, se fqinji i tij a ka diçka për të ngrënë, dhe vëllai i tij musliman a ka diçka për të bërë iftar. Muslimani i vërtetë nuk kufizohet vetëm në xhami, por ai ecën dhe shikon nëse ndonjëri nga vëllezërit dhe fqinjët e tij muslimanë ka nevojë për ndonjë gjë, kështu që kur e sheh ndonjë nevojë, ai i vjen në ndihmë. Muslimani i vërtetë, muslimani më i mirë, siç thotë Pejgamberi ynë, është ai që është i dobishëm për komunitetin e tij, të ngushtë dhe të gjerë. (…)

Vëllezër të dashur – thërrisni iftare, por jo darka. Iftari është për agjëruesin, kurse darka për atë që nuk agjëron. Pejgamberi (savs) premton shpërblim të madh për atë që e ushqen agjëruesin.

Vëllezër të dashur – në gjithë këtë, le të mos i harrojmë ata mbi të cilët mbetët bota, pra fëmijët tanë. Le t’u ndihmojmë që edhe ata ta ndiejnë ramazanin sa më mirë dhe ta duan ramazanin.

Vëllezër të dashur – siç po shihni, ramazani është këtu; rahmeti (mëshira) është këtu; magfireti (falja) është këtu; çdo gjë e mirë është këtu. Prandaj, le të përfitojmë nga kjo mundësi unike e cila po na ofrohet. Ai që mund të më garantojë se do ta presë përsëri këtë mundësi, mund të lërë diçka nga të numëruarat edhe për vitin e ardhshëm. Por, ai që ka mend, nuk do ta shesë të tashmen për të ardhmen, bindjen e vërtetë për dyshimin.

Allahu i Plotfuqishëm thotë: Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe,  – që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë! Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse, deri në ditën kur do të ringjallen.” (el-Mu’minûn, 99-100)

O Allah, na i prano syfyrit tanë, iftaret tona, namazet tona, ibadetet tona, lutjet tona, bamirësitë tona – me mëshirën Tënde o Më i Mëshirshmi! Amin!!!

Përshtati: Miftar Ajdini