Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve, i Cili na udhëzoi drejt rrugës së drejtë dhe na mundësoi ta presim këtë ditë të madhe, ditën e Kurban Bajramit.
Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin Muhamed, mbi familjen dhe shokët e tij, si dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Të dashur vëllezër e motra!
Sot, në këtë mëngjes të bekuar, jemi mbledhur për ta festuar Kurban Bajramin – një festë e cila nuk është vetëm gëzim, por është edhe kujtesë. Kujtesë për flijimin e Ibrahimit a.s., i cili pa hezitim ishte i gatshëm të sakrifikojë më të dashurin që kishte – birin e tij – për hir të Zotit.
Allahu nuk kishte nevojë për gjakun dhe mishin, por e deshi zemrën e pastër, që nuk ngurron të sakrifikojë për të vërtetën.
Allahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik thotë: “Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni All-llahun për udhëzimet që ua bëri. Bamirësve merru myzhde.” (El-Haxh, 37).
Po ashtu, edhe Pejgamberi a.s. na porosit:“Nuk ka bërë biri i Ademit ndonjë vepër më të dashur për Allahun, në ditët e Kurban Bajramit, sesa derdhja e gjakut (e kurbanit). Ai (kurban) do të vijë në Ditën e Kiametit me brirët, leshin dhe thundrat e tij. Dhe gjaku i tij bie në një vend të pranuar nga Allahu para se të bie në tokë. Andaj bëjeni atë me zemër të hapur.”(Transmeton Tirmidhiu).
Sot, kjo festë na pyet: Sa dhe çfarë jemi të gatshëm të sakrifikojmë ne?
Jetojmë në një kohë ku materializmi e ka pushtuar mendjen dhe zemrën e njeriut. Jetojmë në një botë ku njerëzit shkojnë pas komoditetit dhe përfitimit të shpejtë, ku çdo gjë matet me para dhe interes.
Por islami na mëson se pa sakrificë nuk ka sukses:
- Pa sakrificën e gjumit dhe të lodrave, nuk ka dituri për fëmijët tanë.
- Pa mund dhe studim, nuk ka diplomë, nuk ka zanat për të rinjtë.
- Pa durim dhe përgjegjësi, nuk ka familje të shëndoshë.
- Pa djersë dhe përkushtim, nuk ka sukses në punë për punëtorët.
- Pa ndihmë, bashkim dhe solidaritet, nuk ka xhami për xhematin.
- Dhe pa drejtësi dhe përgjegjësi, nuk ka shtet të qëndrueshëm për shoqërinë.
Kurban Bajrami na mëson se me vlerë është vetëm ajo që kërkon mund, kohë, dhe sakrificë. Edhe dashuria ndaj Allahut, edhe ndihma ndaj tjetrit, edhe edukimi i fëmijëve, edhe ndërtimi i së ardhmes kërkojnë flijim.
Besimtarë të pranishëm!
Siç e kanë thënë dijetarët dhe liderët në mbarë botën – pa flijim, pa sakrificë, nuk ka jetë me vlera. Sakrifica është çelësi i çdo suksesi: në fe, në familje, në komb, në ndërtimin e vetvetes, etj..
Do t’i ndaj me ju vetëm dy-tre citate nga njerëz të cilët kanë dëshmuar me jetët dhe pasuritë e tyre se vetëm me durim, flijim dhe sakrificë mund t’ia dilet në jetë.
I shumë vuajturi dhe luftëtari i lirisë, Nelson Madela, ka thënë: “Nuk ka ndonjë përmbushje më të madhe në jetë sesa kur e di që ke sakrifikuar diçka për një qëllim më të madh se vetja.”
Ndërsa presidenti i Turqisë së sotme, zt. Erdogan, thotë: “Asnjë popull nuk mund të ndërtojë të ardhmen, nëse nuk është i gatshëm të sakrifikojë për të.”
Prandaj, o besimtarë, le ta mbajmë gjallë shpirtin e sakrificës. Le të jemi si Ibrahimi a.s., që nuk e pyeti veten “çfarë do të fitoj?”, por “çfarë kërkon Zoti prej meje?”
Le të mos jemi robër të pasurisë, por shërbëtorë të vlerave. Është koha që, në vend të njeriut, të sakrifikojmë materien. E jo, assesi, ta sakrfikojmë njeriun për materien. Është e vërtetë, gjërat materiale janë të rëndësishme për ne, por vlerat shpirtërore janë ato që na bëjnë të lumtur.
Xhemat i nderuar!
Kthyer të kuptimi i festës së Kurban-Bajramit, themi se këto ditë festive janë një përkujtim i ngjarjes së madhe profetike, ku Ibrahimi (a.s.) provoi besnikërinë e tij ndaj Zotit, duke qenë i gatshëm të sakrifikojë të birin e tij, Ismailin (a.s.). Por Allahu i Madhëruar, me mëshirën e Tij, e ndaloi këtë flijim dhe e zëvendësoi me një kurban, duke e shpëtuar jetën e Ismailit. Ky veprim hyjnor është një mesazh i qartë për të gjithë njerëzimin: se jeta e njeriut është e shenjtë, dhe se Zoti dëshiron jetën, e jo derdhjen e gjakut të njeriut.
Në këtë frymë, kjo festë duhet të na shtyjë që të bëhemi zë për paqen dhe ndaljen e luftërave dhe konflikteve në çdo cep të globit. Sot, më shumë se kurrë, njerëzimi ka nevojë për mëshirë, drejtësi dhe mirëkuptim. Duhet të ndërtojmë ura, jo mure; të ndajmë dashuri, jo urrejtje; të shpëtojmë jetë, jo t’i shkatërrojmë ato.
Në ditët festive të Kurban Bajramit, ju uroj të kaloni mirë me familjarët dhe miqtë, të reflektojmë në kryerjen e veprave të mira dhe ruajtjen e lidhjeve farefisnore e shoqërore. Le të jetë kjo ditë feste e faljes dhe mëshirës, duke ndihmuar jetimët, skamnorët, të moshuarit dhe të sëmurët! Le t’ia zgjasim njëri-tjetrit dorën e pajtimit dhe le të shpresojmë në faljen e Zotit dhe mëshirën e Tij!
Lusim Zotin e Plotfuqishëm që të na dhurojë mirësi, paqe dhe dashuri! Amin.
Urime dhe me fat festa e Kurban-Bajramit!
Hfz. Mehas Alija
06.06.2025, e premte
St.Gallen