Sa i rëndësishëm është mektebi, mjafton të shikoni përreth vetes. Pa asnjë supozim negativ, mendoni sa njerëz në mesin tuaj, flasin për rëndësinë e besimit, devotshmerise dhe besimit në Zotin, sa e sa herë ju kujtojnë Zotin? Çështja e edukatës së fëmijëve është një çështje themelore e prindërve, familjes, xhamisë dhe shoqërisë në tërësi. Brezat e rritur në parime të shëndosha nga të gjitha këto kategori sigurojnë një të ardhme stabile dhe të begatë.
Komuniteti islam, nga pozita e tij, e sheh çështjen e edukatës fetare si një dallim themelor mes një të ardhmeje cilësore dhe humane dhe një të ardhmeje të mbushur me pasiguri, sepse njerëzit që nuk janë të vetëdijshëm për Zotin janë më të paparashikueshëm, me tendencën për t’u kujdesur vetëm për veten dhe prosperitetin e tyre material. Allahu, xh.sh., thotë në Kur’an: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!.” (El-Hashr, 18)
Shembulli kur’anor i Lukmanit është një paradigmë se si duhet të jetë një baba ndaj fëmijës së tij. Kështu ai i jep këshilla djalit të tij: “Kur Lukman i tha djalit të tij, duke e këshilluar: –“O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”.” (Lukman, 13) “O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë.” (Lukman, 16) “O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve!.” (Lukman, 17) “Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!.” (Lukman, 18) “Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit!” (Lukman, 19)
Pejgamberi s.a.v.s., në shumë hadithe flet për këtë temë. Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Edukoni fëmijët tuaj me tri vlera: të duan Pejgamberin, të duan familjen e tij dhe të mësojnë Kur’anin.” (Ed-Dejlemi). “Edukimi i mirë është trashëgimia më e çmuar që një prind mund t’i lërë fëmijës së tij.” (Hakim)
Enes b. Malik transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush edukon dy vajza deri në moshën e pjekurisë, në Ditën e Kiametit do të jem pranë tij si këta dy gishta.” (Muslim)
Argumentet për mekteb
Le t’ju themi që nga fillimi, nuk kemi dëshirë t’ju bindim ose t’ju flasim për metodat tuaja prindërore, kjo është thjesht një mundësi që ju të kuptoni se sa i rëndësishëm është mektebi për të ardhmen e fëmijëve tuaj.
- Mektebi është shkolla e vetme edukative, jetësore, ku theksi është kryesisht tek shpirtërorja dhe dimensioni i njeriut, i cili sot është në një krizë të thellë. Shkolla, shoqëria, shokët, mësuesit, përveç mësuesve të fesë, nuk flasin për shpirtin, por për gjërat materiale. Njeriu nuk është vetëm një qenie e materies, ai është shumë më tepër, ai është një qenie shpirtërore, por ky dimension shpirtëror sot shpesh neglizhohet. Dëshmitë për këtë krizë janë mëse të dukshme: kriza e thellë morale, përhapja e alkoolit, bixhozit, ateizmit…
- Arsyeja pse vazhdimisht insistojmë dhe lutemi që t’i dërgoni fëmijët tuaj në mekteb është sepse fëmijët tuaj janë jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të dashur për ne, jo për të mbushur klasat, por për të kontribuar në ndërtimin e njerëzve të mirë dhe të ndershëm të së ardhmes.
- Kur’an thotë: “O besimtarë, ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri i ndezur…” Kur përmendet ky ajet, njerëzit menjëherë imagjinojnë zjarrin e xhehenemit. Megjithatë, ekziston edhe një zjarr i kësaj bote, kur fëmijët bien në zjarrin e veseve, alkoolit, drogës, bixhozit, imoralitetit… Sot, më shumë se kurrë, jemi dëshmitarë që prindërit i lënë fëmijët e tyre në rrugë dhe kafe, nën justifikimin se “të jetojnë jetën.” Po aq shumë fëmijë nuk kanë mbaruar medresetë, apo nuk kanë shkuar në mekteb dhe xhami, sepse sipas këtij mendimi, ato janë vende ku fëmijët do të bëhen “të mbyllur”, “të paditur”, “të humbur”, ndërkohë që mjafton të kalosh përpara kafenesë për të parë si duket “jetesa” në të cilën i çojnë fëmijët e tyre. Jeta e vërtetë është jeta e ndershmërisë dhe pastrimit të shpirtit.
- Prindër të dashur, kuptoni që mektebi është në interesin më të mirë të fëmijës tuaj, dhe se ne nuk jemi armiqtë tuaj, por njerëz që duam të mirën tuaj dhe të fëmijëve tuaj, po aq sa duam për vetveten.
/islampress/