Të Fundit
Emri i Zotit, Er-Rezzak  (Furnizuesi) 1

Emri i Zotit, Er-Rezzak (Furnizuesi) 1

Në këtë temë do të jetojmë me emrin e Zotit, Er-Rezzak. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”All-llahu është Furnizuesi me fuqi të madhe.” (Edh-Dharijat: 58)

Qëllimi ynë me këtë temë është të sigurohemi dhe të bindemi se rizku dhe furnizimi ynë është në dorën e All-llahut të Madhërishëm. Pasi të bindemi për këtë, do të biem dakord mbi tre pika:

  • Kurrë mos prano të marrësh pasuri haram.
  • Kurrë mos prano të përulesh dhe të shesësh dinjitetin tënd, për një kafshatë bukë.
  • Meqë rizkun e ke të garantuar nga Zoti, atëherë kërkoje atë.

Boshti rreth të cilit do të përqendrohet kjo temë, janë pesë pika:

  1. Kuptimi i emrit Er-Rezzak.
  2. Emri Er-Rezzak në Kur’an.
  3. Emri Er-Rezzak në gjithësi.
  4. Me furnizim nuk kuptojmë vetëm paratë.
  5. Çfarë pret prej teje Er-Rezzaku?


Kuptimi i emrit Er-Rezzak

Fjala “Rizzk” në arabisht do të thotë pjesë. Kështu Er-Rezzak është Ai që ka krijuar furnizimin e çdo gjallese, ua ka garantuar të gjithëve pjesën e secilit dhe ua dërgon atë ku të jenë. Që mirësitë e Tij përfshijnë çdo gjallesë mbi tokë, e tregon vetë emri Er-Rezzak, i cili është ndërtuar në bazë të një strukture që tregon gjithëpërfshirje.

Ibrahimi [alejhis-selam] i lutej Zotit të Madhërishëm që Meken ta furnizojë me fruta: ”O Zot! Bëje këtë vend të sigurtë dhe furnizoji me fruta ata që besojnë tek Ty.”

Kështu, sipas Ibrahimit [alejhis-selam], ata që e meritojnë rizkun e Zotit, janë vetëm ata që besojnë në Zot. Kurse Zoti e plotësoi lutjen e tij me fjalët: ”Dhe ata që mohojnë, Unë do t’u jap të mira në këtë botë, më pas do t’i ballafaqoj me ndëshkimin e zjarrit, sa vend i keq është ai.” (Ibrahim: 37)

Kur Ibrahimit [alejhis-selam] i erdhi një i moshuar dhe i panjohur, ai nxitoi ta ushqejë me ç’të mundë. Por vuri re se i moshuari ishte zjarrëputist (adhurues zjarri). I zemëruar nga kjo, Ibrahimi [alejhis-selam] e nxori jashtë, duke i thënë: “Ushqehesh me rizkun e Zotit dhe adhuron zjarrin?!” Por, pas disa çastesh, Zoti i Madhërishëm e frymëzoi, duke i thënë: ”O Ibrahim! Unë kam shtatëdhjetë vite që e duroj dhe e ushqej, ndërsa ti nuk e durove dot për një natë të vetme!”

Thotë Zoti i Madhërishëm në Kur’an: Nuk ka gjallesë mbi tokë, veçse Zoti e ka detyrë furnizimin e saj.” (Hud: 6)

Zoti i Madhërishëm, ashtu siç ia ka bërë detyrë vetes mëshirën, ashtu ia ka bërë detyrë vetes edhe furnizimin e gjallesave. Ajeti i mësipërm i jep shpresë milingonës në folenë e saj dhe balenës në mesin e oqeanit. O vëlla, po ty, a të jep shpresë? A beson se rizkun tënd e ka në dorë vetëm Krijuesi dhe Furnizuesi i çdo gjëje? Nëse po, përse duhet të ushqehesh me haram? O doktor, përse pranon që të sëmurët t’i çosh të bëjnë analiza të ndryshme, edhe pse nuk ka nevojë, thjesht për të fituar sa më shumë para? Përse e gjithë kjo frikë, kur rizkun e kemi të garantuar nga All-llahu i Madhërishëm?

Kjo temë është e rëndësishme edhe për vetë faktin se vendet tona janë të mbushura me njerëz të korruptuar që ushqehen me haram. Të shumtë janë ata njerëz që marrin pasuritë e të tjerëve pa të drejtë. Të shumtë janë ata njerëz që shesin nderin dhe dinjitetin e tyre për para. Të shumtë janë ata që zgjasin duart në rrugë, duke lypur.

 

Emri Er-Rezzak në Kur’an

Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: “Është Ai që në tokë vuri kodra të forta, ia shtoi të mirat asaj dhe brenda katër ditëve të plota caktoi të gjitha kushtet për të jetuar në të. Kjo është për ata që pyesin (për kohën e krijimit të saj). Më pas iu drejtua qiellit (krijimit të tij), i cili ishte tym (mjegullnajë), atij dhe tokës i tha: “Nënshtrojuni urdhërit Tim me dëshirë ose me dhunë!” Ata të dy thanë: “Po i nënshtrohemi me dëshirë!” (El-Fussilet: 10-11)

O vëlla, rizku yt është caktuar para se të lindësh. Gjithçka është caktuar para se të krijohemi; sa sasi shiu ka nevojë toka, sa dridhëra i duhen për të mbijetuar gjallesat, sa bagëti, sa vezë…

Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Njeriu qëndron në barkun e nënës së tij dyzet ditë në formën e spermës. Më pas kthehet në gjak të ngjizur, për dyzet ditë. Më pas merr formën e mishit të përtypur dhe qëndron në këtë formë dyzet ditë. Pastaj i vjen meleku që i jep shpirtin dhe urdhërohet me katër gjëra: I shkruan punët, afatin e vdekjes, rizkun dhe nëse do të jetojë i lumtur apo i vuajtur…”

O njeri, që para se të krijohesh, All-llahu i Madhërishëm ka caktuar sesa kafshë do të therren, sa farëra do të mbijnë, sa drurë do të priten, sa pika shiu do të bien…. Të gjitha këto, për të përgatitur kushtet e nevojshme të jetesës tënde.

Është e njëjta gjë me një prind që dërgon djalin e tij në Perëndim për të mësuar dhe para se të niset, i thotë: ”Do të shkosh në shkollë dhe patjetër që kërkon shpenzime. Atje nuk dua që t’ia shtrish dorën dikujt. Prandaj, më thuaj se çfarë të duhet, që të t’i plotësoj tani.” Zotit i takon shembulli më i lartë. Që para se të krijohemi dhe të vijmë në këtë botë, Ai na ka krijuar kushtet dhe na ka caktuar rizkun me të cilin do të jetojmë. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an:”Është Zoti Ai që ju krijoi dhe ju furnizoi.” Shohim se edhe krijimi edhe furnizimi janë në të shkuarën, d.m.th. është diçka e caktuar që më parë.

Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Me të vërtetë që Xhibrili më tha: Nuk do të vdesë askush pa plotësuar rizkun dhe jetën e caktuar.”

O vëlla dhe o motër, nuk do të vdesësh, derisa të harxhosh frymën e fundit që ta ka caktuar All-llahu i Madhërishëm. Nuk do të vdesësh, derisa të pish pikën e fundit të ujit. Nuk do të vdesësh, derisa të marrësh qindarkën e fundit…

O vëlla, nëse është kështu, përse duhet të shtrish dorën dhe të marrësh pasuri në rrugë të pandershme? Përse duhet ta ulësh veten para njerëzve?

Emri i Zotit Er-Rezzak na obligon që të këshillojmë veten dhe të tjerët, se nëse e gjithë bota ushqehet me haram, ti, o vëlla dhe o motër, mos prano të ushqehesh me diçka të tillë. Nëse të gjithë njerëzit janë besimtarë dhe muslimanë thjesht me gjuhë, ti, o vëlla dhe o motër, ji besimtar musliman me gjuhë, me zemër dhe me vepra. Mos e prano haramin! Nëse të gjithë njerëzit ndihen të lodhur dhe të stresuar mbi çështjen e rizkut, mos u mërzit, o vëlla, se rizkun e ka caktuar All-llahu i Madhërishëm dhe atë do e marrësh. Mos u nxito të marrësh pasuri në rrugë haram. Çdo gjë që merr është rizk nga All-llahu i Madhërishëm. Ai ta ka lënë ty në dorë, ta marrrësh në rrugë haram, apo në rrugë të ndershme. Nëse e merr në rrugë të ndershme, do të hysh në Xhennet dhe nëse e merr në rrugë haram, do të hysh në zjarr.  Për këtë, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] lutej: ”O Zot, më pasuro me hallallin Tënd dhe jo me haramin Tënd! Më jep nga mirësitë e Tua!”

O vëlla, që i lexon këto rreshta, nëse ti ke me dhjetëra vite që ushqehesh dhe fiton pasuri në rrugë haram, ke mundësi që t’i thuash jo haramit në këto çaste. Kurrë mos mendo se është vonë, bota tjetër është më e rëndësishme se kjo botë.

O të rinj dhe të reja, ju e keni më të lehtë ta mposhtëni veten ndaj haramit. Ju jeni akoma të pastër dhe e keni në dorë ta ndyshoni trupin dhe shpirtin tuaj me haram, ose ta mbani atë të pastër. Mos thuani se të gjithë njerëzit pasurohen dhe ushqehen me haram.

O shofer taksie, mos prano ta ulësh veten dhe të thurrësh dredhi dhe hile, me qëllim që të fitosh nga pasagjerët sa më shumë. All-llahu i Madhërishëm të premton se: ”Dhe në qiell është furnizimi juaj dhe ajo që u premtohet. Për Zotin e qiellit dhe të tokës, ajo është diçka e vërtetë, ashtu siç flisni.” (Edh-Dharijat: 22)

All-llahu i Madhërishëm betohet në Madhështinë e vetes së Tij, me qëllim që të sigurojë se rizkun e ke të garantuar.

Dy ajetet e mësipërme, i janë shpallur Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] të ndara. Fillimisht Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] iu shpall ajeti i parë: ”Dhe në qiell është furnizimi juaj dhe ajo që u premtohet…” Këtë e dëgjoi një beduin (banor shkretëtire) dhe tha: ”Të vërtetën ka thënë Zoti!” Pas disa muajsh, kur u kthye përsëri, Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i ishte shpallur ajeti tjetër: “Për Zotin e qiellit dhe të tokës, ajo është diçka e vërtetë, ashtu siç flisni.” Kur e dëgjoi, beduinit filluan t’i rrjedhin lotë dhe tha: ”Çfarë keni bërë që të betohet All-llahu i Madhërishëm?”

Kush është ai që ju ushqen, po qe se Ai ua ndërpret furnizimin e vet? Jo, askush, por ata vazhdojnë me arrogancë e kundërvënie. (El-Mulk: 21)

Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: ”Kur të kërkoni diçka, kërkojeni me krenari, pasi çdo gjë ndodh sipas caktimit.”

Të gjithë emrat që kemi trajtuar deri tani, forcojnë pikat e forcës dhe dobësojnë pikat e dobëta. Tema e kaluar na nxit të largohemi dhe të pendohemi nga gjynahet. Kurse kjo temë na nxit të mos pranojmë haramin dhe të jemi krenarë.

“Kush tjetër u furnizon nga qielli dhe toka?”(Junus: 31) Ashtu siç All-llahu i Madhërishëm nuk ka rivalë në sundim, Ai nuk ka rivalë edhe në furnizim. Kush tjetër veç All-llahut të Madhërishëm i furnizon krijesat në gjithësi?

 

Emri Er-Rezzak në gjithësi

Në temën e parë, thamë se rreth emrave të All-llahut të Madhërishëm kemi dy libra që na tregojnë: njëri është Kur’ani dhe tjetri është gjithësia. Emrin Er-Rezzak e pamë në Kur’an, tani do ta shohim të reflektuar në gjithësi.

Për këtë le të marrim një shembull, të cilin të gjithë ne e mësojmë në shkollë, por që kurrë nuk e lidhim me Furnizuesin Suprem. Në shkollë kemi mësuar mbi ciklin e ujit dhe të avullimit të tij, por e kemi mësuar të shkëputur nga Ai që e bën këtë. Me qëllim që të plotësojë nevojat e tokës me ujë, All-llahu i Madhërishëm ka bërë që uji i detrave të mbulojë 71 për qind të sipërfaqes së globit. Ujërat e detit i ka bërë të kripura, me qëllim që të ruajë pastërtinë për përdorim. Me qëllim që uji i detit të avullojë për t’u kthyer më pas në formë shiu, duhet që ai të ngrohet. Këtë rol e luan dielli, i cili ngroh në një sekondë 16 milion ton ujë. Sasia e ujit që avullon nga detrat është 505 trilion ton ujë çdo vit. Sasia e shirave që bien çdo vit, është e njëjta sasi që avullon.

Nëse ngrohja e detit do të lihej në dorën tonë, vallë sa para duhej për ta bërë? Për këtë, All-llahu i Madhërishëm në Kur’an e lidh diellin që ngroh me shiun që zbret: “Dhe kemi vënë ndriçuesin që flakëron. Dhe prej reve të shtrydhura kemi lëshuar shi të madh.” (En-Nebe: 13-14)

Teksa flet mbi furnizimin me ujë, ndien se ajo është një fabrikë madhështore që ka diellin, detra, erëra, re, gravitet dhe shi. O njeri, kjo fabrikë shërben, me qëllim që ti të furnizohesh me ujin e duhur.

Erërat transportojnë avujt nga sipërfaqet ujore në lartësi. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: A nuk e ke parë se si All-llahu i drejton retë, pastaj i bashkon, i bën grumbull ato edhe atëherë e sheh shiun se si rrjedh prej tyre.” (En-Nur: 43)Pas kësaj hyn në veprim ligji i gravitetit. Retë lëshojnë shiun në vendin e caktuar nga All-llahu i Madhërishëm: Ai është që i lëshon erërat si myzhde pranë mëshirës(shiut) së Tij. E kur ato (erërat) bartin re të mëdha, Ne i sjellim mbi një tokë të vdekur dhe lëshojmë në të ujin (shiun), dhe me të (me ujin) nxjerrim të gjithë frutat. (El-A’raf: 57)

Çdo pike uji që ndodhet në re, është caktuar se në gojën e kujt do të përfundojë. Cikli i ujit është një nga mrekullitë e All-llahut të Madhërishëm mbi tokë. Uji është sekreti i jetës dhe shkak i vazhdimësisë së saj. Çdo ushqim dhe furnizim tjetër varet nga uji. Ne shpeshherë zemërohemi me rënien e shiut, pasi pengon zhvillimin normal të filan ndeshje futbolli, kurse All-llahu i Madhërishëm me të na furnizon dhe na jep jetë: “A e shihni ujin që e pini. A ju e zbritët nga retë apo Ne? Nëse do të donim e bënim të kripur.” (El-Vakia: 69)

Sa herë që binte shi, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e ekspozonte veten në shi dhe lagej me të. Uji i shiut është një mrekulli, e cila duhet të na bëjë ta shohim gjithësinë me sy tjetër.

Ai që e njeh ciklin e ujit dhe e di  se ai është për t’i mundësuar jetesën të gjithë gjallesave, përse duhet të ketë frikë për rizkun e tij dhe të familjes? Përse duhet të lakmojë pasurinë haram dhe të ulë veten para njerëzve?

Kur Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] pinte ujë, thoshte: ”Falënderoj All-llahun që e bëri të ëmbël me mëshirën e Tij dhe nuk e bëri të kripur, për shkak të gjynaheve tona.”

Çdo pikë uji që pimë, dëshmon mbi Furnizuesin që na furnizon me të. Përse duhet të frikësohesh për rizkun, atëherë? Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Çdo pjesë mishi që rritet me haram, meriton zjarrin.”

Shekik el Behij tregon: ”Shkak i pendimit tim ishte një vit zie dhe thatësire. Një ditë pashë një skllav të ri që, teksa ishte duke ecur në treg, qeshte. I habitur, iu afrova dhe i thashë: ”Si ka mundësi që qesh duke qenë skllav dhe në këtë kohë zie?” Ai m’u përgjigj: ”Unë qesh, pasi padroni im ka një fshat të tërë me ushqime.” Unë me vete thashë: “Ky djalosh skllav qesh dhe nuk mërzitet, për shkak se padroni i tij ka ushqime të mjaftueshme. Padroni im (All-llahu i Madhërishëm) ka pasuritë e qiejve dhe të tokës dhe unë kam frikë për rizkun!”

“O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të humbur, veç atij që e kam drejtuar Unë. Prandaj më kërkoni që t’ju drejtoj! O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të uritur, përveç atij që e kam ushqyer Unë. Prandaj më kërkoni Mua që t’ju ushqej. O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të pa mbuluar, përveç atij që e kam mbuluar Unë. Prandaj më kërkoni Mua që t’ju mbuloj. O robërit e Mi! Sikur të gjithë njerëzit dhe xhindët të grumbulloheshin në një vend dhe të më kërkonin gjëra të ndryshme, dhe Unë secilit prej tyre t’ia jepja atë që ka kërkuar, kjo nuk do e pakësonte pasurinë Time, ashtu siç nuk e pakëson maja e gjilpërës detin kur futet në të.”

Vallë, sa ka shpenzuar All-llahu i Madhërishëm nga dita që krijoi tokën e deri më sot? A ke menduar ndonjëherë rreth një realteti të tillë? Vetëm Egjipti ka mbi shtatëdhjetë milionë banorë. Vallë, sa shpezë therren për të plotësuar nevojat e tyre? Sa mish therret për ta?

Besimtarët dhe jobesimtarët, të gjithë ata që kanë arsye, le të mendojnë rreth një fakti të tillë. Sa ka shpenzuar All-llahu i Madhërishëm për krijesat deri më sot? Sa dele janë therrur dhe therren çdo ditë? A të ka shkuar ndonjëherë mendja në mënyrën se si All-llahu i Madhërishëm i ka nënshtruar për ne gjallesat e tjera? A të ka shkuar mendja tek delja se si All-llahu i Madhërishëm e ka nënshtruar dhe nuk i ka dhënë natyrën e ujkut? Po sikur ajo të kishte pamjen e një hiene? All-llahu i Madhërishëm i ka dhënë asaj edhe pamje të përshtatshme që të tërheqë dhe të ushqehesh me të.

Në një hadith kudsij, All-llahu i Madhërishëm thotë: ”Unë i krijova qiejt dhe tokën, gjë që nuk më lodhi. A mund të më lodhë një copë bukë që ia çoj robit Tim? O robi Im! Të kam caktuar detyra dhe e kam detyrë të furnizoj. Nëse nuk i respekton detyrat ndaj Meje, Unë do të vazhdoj të furnizoj me rizkun Tim.”

Të gjithë krijesat e njohin Zotin si Furnizues, përveç teje, o njeri, o besimtar. O vëlla, si do të dalësh para Zotit në Ditën e Kijametit, nëse ke zgjatur dorën dhe ke marrë pasuri haram? Çfarë do t’i thuash kur të të pyesë: “A nuk e dije se Unë isha Furnizuesi i gjithçkaje?!”

Përse e ule veten para të tjerëve, thjesht për të fituar disa para? Përse u serviloseshe dhe i bëje lajka për disa qindarka? Mos përdor gjendjen tënde të varfër për të justifikuar marrjen dhe fitimin e pasurisë në rrugë haram.  

Asim ibn Xhebr ka qenë një njeri shumë i varfër. Në betejën e Hajberit, ai ndihej shumë i uritur. Teksa ecte, ai gjeti një lëkurë deleje me një copë dhjam. E mori dhe tha me vete: ”Për Zotin, nuk kam për t’i dhënë prej kësaj askujt!” Tregon vetë Asimi: ”Në atë çast u ktheva pas dhe pashë Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] që buzëqeshte i zemëruar, dhe më tha: ”O Asim, a do të hash vetëm?” Unë i thashë: ”O i Dërguari i All-llahut, kërkoji Zotit falje për mua!” Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] buzëqeshi dhe u largua.

O doktor dhe inxhinier, mos e shit dinjitetin tënd me justifikimin për të fituar sa më shumë. Nëse të gjithë njerëzit e shesin dinjitetin dhe nderin çdo ditë, ti mos e bëj një gjë të tillë. Thuaji gruas: “Mos më shty të fitoj pasuri haram si filani dhe filani! Unë dua të jetoj me ndershmëri, pasi besoj në një Zot që është Furnizues.”

Po të lexojmë historinë e jetës së secilit prej nesh, do të shohim ndikimin e fuqishëm të Er-Rezzakut. Shko dhe pyete babanë tënd se si ishte gjendja e tij financiare pasi përfundoi shkollën. Po ti vetë, në çfarë kushtesh ekonomike ndodheshe pasi përfundove shkollën? Si u martove? Si linde fëmijë? Si bleve shtëpi dhe makinë? Kush t’i dha të gjitha këto?

Një nga tregtarët më të fuqishëm në Egjipt, më parë punonte si një llogaritar i thjeshtë. Ai vetë tregon: ”Emigrova në Arabinë Saudite për të punuar atje. Gjatë Haxhit, po lexoja Kur’an dhe lexova ajetin: ”…Dhe le të jenë dëshmitarë të dobive të tij.” (El-Haxh: 28) – dhe thashë me vete: Ky Haxh, patjetër që do të më sjellë dobi. Gjatë Haxhit fillova të blej dhe të shes gjëra për të cilat kishin nevojë haxhillarët. Pas katër-pesë viteve, fillova të kem milionat e para.”

Një miku im më tregon: ”Kam kaluar kohë kur dikush me jepte një kuti me vezë, shkoja i gëzuar tek gruaja dhe i thoja: ”Është rizk që na e solli Zoti!” Vetëm pas disa vitesh, dhurova pajisjet e shtëpisë, pasi do të blija të reja.”

Selman el Farisi [radijall-llahu anhu] fillimisht u shit si skllav, por, pas pak vitesh me Islamin, ai udhëhiqte tokat perse. Enes ibn Maliku [radijall-llahu anhu] nga shërbëtor i Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], u bë një nga më të pasurit e Medines. Më parë, vetë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] lidhte gurë mbi bark nga uria e madhe, ndërsa pas betejës së Hajberit mori pjesën e plaçkës së luftës, e cila ishte një luginë me dele. Ai ia fali më pas, të gjitha këto dele, një të varfëri. Burri i varfër, i gëzuar, shkoi tek populli i tij dhe u tha: ”Po vij nga njeriu më i mirë. O popull, pranoni fenë Islame, pasi Muhammedi të jep pasuri me të cilat nuk e ke frikë varfërinë!”

 

Me furnizim nuk kuptojmë vetëm paratë

Rizk dhe furnizim janë edhe rezet e diellit. Rizk është edhe një komshi i mirë. Rizk është edhe fëmija i mirë. Rizk është edhe një vajzë, të cilën All-llahu i Madhërishëm ta dhuron pas disa djemve. Përse duhet ta kufizojmë rizkun dhe furnizmin e Zotit, vetëm me paratë dhe gjërat materiale? Përse mos ta konsiderojmë rizk edhe anën shpirtërore tonën? Përse t’i japim rëndësi vetëm ushqimit të trupit dhe të anashkalojmë shpirtin? Përse nuk e konsiderojmë rizk namazin që falim, lutjet që bëjmë, Kur’anin që lexojmë? Lotët që të rrjedhin si përkushtim ndaj Zotit, janë rizk. O vëlla, ti kë ke më të dashur, rizkun e trupit apo atë të shpirtit? Kë ke më të dashur, milionat apo namazin që fal për hir të Zotit?

Kur zemërohet Zoti me dikë, i pakëson rizkun. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Dikujt mund t’i pakësohet rizku, për shkak të një gjynahu që vepron.”

Përveç rizkut material, ka pakësim edhe të rizkut shpirtëror. Dikush veproi gjynahe dhe ndieu se nuk është ndëshkuar. Për këtë, ai tha: ”O Zot, unë veprova një gjynah dhe nuk më ndëshkove!” Teksa ecte, sikur dëgjoi dikë t’i thotë: ”Sigurisht që të kemi ndëshkuar! A e ndien më ëmbëlsinë që ndieje më parë, teksa më luteshe dhe më adhuroje?! Ky është pakësimi i rizkut dhe ndëshkimi Ynë.” Më parë çoheshe natën, falje namaz nate dhe e ndieje ëmbëlsinë e tij, kurse tani nuk e ndien më.

 

Çfarë pret prej teje Er-Rezzaku?

Ai kërkon prej nesh tre gjëra:

1-) Të mos ushqehesh me haram. Asnjë lutje nuk të pranohet, nëse ushqehesh me pasuri të fituara

në rrugë të pandershme. Këtë e përmend Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në një hadith, ku flet për një burrë me flokë dhe rroba të pluhurosura, që ngrinte duart drejt qiellit dhe lutej: ”O Zot, o Zot…”, por si mund t’i pranohet lutja, kur ushqimin, pijen dhe veshjen i ka fituar në haram?!”

2-) Të jesh krenar dhe të mos e ulësh veten për para, përpara më të pasurve. Në historinë islame, përmendet një histori e bukur mes një gjykatësi dhe një të dituri. Gjykatësi donte që ta kompromentojë të diturin dhe i vajti në xhami. Me t’u takuar, i tha: ”A ke nevojë për ndonjë gjë?” I dituri ia ktheu: ”Mua më vjen zor që duke qenë në shtëpinë e Zotit, t’i kërkoj dikujt tjetër, veç Tij, të më zgjidhë hallet.” Me të dalë të dy nga xhamia, gjykatësi e pyeti përsëri: ”Ke ndonjë nevojë?” I dituri iu përgjigj: ”Çfarë nevoje, nga ato të kësaj bote apo të botës tjetër?” Gjykatësi i tha: ”Unë nuk kam në dorë gjëra të botës tjetër, por më kërko diçka nga kjo botë!” I dituri i tha: ”Unë nuk po i kërkoj Atij që i ka në dorë, si të kërkoj ty që nuk ke asgjë në dorë?!”

Ali ibn Ebi Talibi [radijall-llahu anhu] thotë: ”Të hap dy puse me dy gjilpëra dhe të fshij shkretëtirën me dy pupla, e kam më të lehtë se të qëndroj tek dera e dikujt për t’i kërkuar diçka, në një kohë që Er-Rezzaku është i pranishëm.”

3-) Të punosh dhe të derdhësh djersë për të fituar rizkun. Ai zemërohet me ty, nëse pret që gjithçka të vijë e gatshme. Ai nënshtroi gjithçka në gjithësi për ty dhe kërkon që t’i shfrytëzosh aftësitë që të ka dhënë. Haxhillarët që venë në Qabe, kryejnë një nga ritet më të rëndësishëm të Haxhit, Sajin. All-llahu i Madhërishëm e ka bërë të përjetshëm mundin e Haxheres për të kërkuar ujë dhe furnizim për djalin e saj, Ismailin [alejhis-selam]. Lodhja e saj për të kërkuar ushqim, është kthyer në adhurim për muslimanët që vizitojnë Qabenë. O vëlla, a e kupton tani rëndësinë e punës? Ajo ndodhej në mes të shkretëtirës, pa shpresa se mund të gjejë dikë ta ndihmojë. Megjithatë, ajo nuk qëndroi ulur me duart në faqe, siç rrinë shumë të rinj të papunë nëpër kafene sot. Ajo e kërkoi rizkun, derisa All-llahu i Madhërishëm ia dha me anë të një meleku. Xhibrili [alejhis-selam] e goditi tokën tek këmbët e Ismailit [alejhis-selam], nga ku doli ujë që furnizon gjithë njerëzit që vizitojnë Qabenë deri Ditën e Kijametit.

“Nuk ka kafshë që ecën mbi tokë as zog që fluturon në qiell, veçse janë popuj siç jeni ju.” (El-En’am: 38)

Me këtë, All-llahu i Madhërishëm na këshillon të studiojmë jetën e gjallesave të tjera dhe të mësojmë prej tyre. Bleta që të prodhojë një kilogram mjalt, i duhet të udhëtojë 400 mijë kilometër (km). Është njëlloj sikur ta përshkojë tokën shtatë herë. Madje, bleta nuk pret që nektarin ta përpunojë kur të arrijë në fole, por e përpunon duke udhëtuar për në fole. Japonezët filluan të prodhojnë produkte të ndryshme, në mjetet e transportit në bregdet. Këtë – thonë – e mësuam nga bleta.

Në historinë islame, tregohet se një tregtar që më parë ishte marrë me kërkimin e dijes, teksa udhëtonte, pa një zog me krah të thyer në shkretëtirë. Atij i erdhi keq nga gjendja e tij dhe tha me vete: ”Sa keq! Kush do e ushqejë në mes të shkretëtirës!” Teksa po mendonte kështu, pa një zog tjetër që u ul në tokë dhe filloi të ushqejë zogun e sëmurë. Ishte kjo ndodhi shkak që ai vajti tek miku i tij i ditur dhe i tha: ”Vetëm tani jam bindur se All-llahu i Madhërishëm do të na furnizojë edhe pa punuar, dhe i tregoi atë që pa.” I dituri, pasi e dëgjoi, i tha: ”Përse kërkon të jesh si zogu me krah të thyer dhe nuk kërkon të bëhesh si ai që e ushqeu?”

Këtë temë do e mbyllim me disa fjalë drejtuar njerëzve të pasur: Pasuritë që keni, nuk janë tuajat. Ato janë amanet që ua ka dhënë All-llahu i Madhërishëm: Besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij dhe jepni nga ajo që Ai u bëri trashëgues në të, se ata që besuan prej jush dhe dhanë për hir të Zotit, ata kanë shpërblim të madh. (El-Hadid: 7)

Kur All-llahu i Madhërishëm i ndau të mirat materiale, u dha juve më shumë, me qëllim që ju të ndihmoni të varfërit. Për këtë qëllim, All-llahu i Madhërishëm obligoi zekatin dhe lëmoshën. Thotë Zoti në Kur’an: ”Në pasuritë e tyre ka pasur pjesë për lypësit dhe nevojtarët.” (Edh-Dharijat: 19)

Nëse të gjithë të pasurit do të jepnin zekatin e pasurive të tyre, nuk do t’i shihnim njerëzit në këtë nivel varfërie. Sot shohim se miliona të holla harxhohen në një natë të vetme në kazinotë e Parisit dhe të Londrës. Këto pasuri që harxhohen, do të mbanin me ushqim shtete të tëra.

Sot shohim njerëz të varfër, tek të cilët është lëkundur besimi në Zot, pasi thonë: ”Ku është Ai që na furnizon?” Dhe përgjegjës për këtë je ti, o vëlla, që i mban milionat në bankë ku nuk përfiton askush.

Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: ”O Zot! Më ruaj nga mosbesimi dhe nga fukarallëku!” Kjo, pasi fukarallëku i çon njerëzit në mosbesim.

O vëlla dhe o motër, çdo ditë që ushqen një të varfër rrjedhimisht përmirëson moralin dhe shton besimin dhe sigurinë tënde dhe të atij që ndihmon tek Er-Rrezzaku.

Që sot, jep pasuri dhe ndihmoji të varfërit, me qëllim që t’u shtosh besimin tek Furnizuesi. Bëje me qëllim që kur të dalësh Ditën e Kijametit para Zotit, t’i thuash: ”O Zot! Unë dhashë nga pasuria ime, me qëllim që emri Yt, Er-Rezzak, të jetë në zemrat e njerëzve.”

Amer Halid