Të Fundit
DOKTRINA IDEOLOGJIKE SUNNITE SHOQËRORE REFORMUESE NË TEFSIR, E PERSONIFIKUAR NË MENDIMET E HOXHËS DHE MENDIMTARIT HAFIZ ALI KORÇA

DOKTRINA IDEOLOGJIKE SUNNITE SHOQËRORE REFORMUESE NË TEFSIR, E PERSONIFIKUAR NË MENDIMET E HOXHËS DHE MENDIMTARIT HAFIZ ALI KORÇA

DOKTRINA IDEOLOGJIKE SUNNITE SHOQËRORE REFORMUESE NË TEFSIR, E PERSONIFIKUAR NË MENDIMET E HOXHËS DHE MENDIMTARIT HAFIZ ALI KORÇA

AUTORI: PROF. DR. HFZ. HAJREDIN HOXHA

HAFIZ ALI KORÇA
Hyrje në mendimin fetar reformist te shqiptarët

Doktrina ideologjike reformiste tek intelektualët shqiptarë ka qenë fenomen origjinal dhe i përhapur. Kjo doktrinë fetare reformiste që ishte formuar gjatë kohës së pushtetit osman, kishte depërtuar edhe në tokat shqiptare e boshnjake dhe në tërë Ballkanin, gjë që vërehet qartë në tefsirët, shkrimet dhe përkthimet e librave dhe artikujve që shqyrtonin çështje të kohës, dhe ide të mendimtarëve të njohur që kryesonin shkollën reformiste intelektuale, si p.sh., Shejh Mustafa Meragi, shkrimtari i njohur Muhamed Ferid Vexhdi, Shejh Xhemaludin Afgani, Shejh Reshid Rida, etj.
Arsyeja e përhapjes së këtij fenomeni intelektual fetar te shqiptarët qëndron në faktin se një numër bukur i madh i tyre kishte studiuar fenë në Al Az’har dhe në Indi, duke filluar që nga gjysma e dytë e shek. XIX e deri më sot. Një numër bukur i madh shqiptarësh dhe boshnjakësh kanë diplomuar në ato vende të lartëpermendura, dhe kontakti këtyre studentëve me profesorët e tyre, ka ndikuar që të bien nën ndikimin e mendimeve dhe ideve të tyre, dhe një gjë e tillë është plotësisht normale, ngase siç dihet, studentët janë nën ndikimin e profesorëve të vet, ashtu siç janë fëmijët nën ndikimin e prindërve.
Ndikimi i shqiptarëve nga metoda e shkollës reformiste intelektuale ishte shumë i madh, saqë nëse i hedh një vështrim të shpejtë natyrës së hulumtimeve dhe artikujve të shkruar e të botuar nëpër revistat shqiptare islame që botoheshin edhe nga Këshilli i Lartë i Çështjeve Islame në Shqipëri në fillim të shek. XX, do të vëresh se ata shqyrtonin probleme dhe çështje fetare e të rëndësishme që ishin aktuale në kohën e tyre, si p.sh.: Çështja e ekzistimit të Zotit të Madhërishëm, çështja e nevojës për fe dhe devotshmëri, çështja e qytetërimit dhe civilizimit islamik, çështja e ballafaqimit me sfidat evropiane, çështja e emancipimit të gruas dhe aktivizimi i saj në punë e funksione, çështja e të drejtave të njeriut në shoqëri, çështja e laicizmit dhe ndarjes së fesë nga shteti, çështja e tolerancës fetare dhe solidaritetit në mes ithtarëve të feve dhe popujve të ndryshëm, çështja e ateizmit, komunizmit, kapitalizmit, socializmit, etj.
E tërë kjo na bën që të bindemi se lëvizja fetare reformiste kishte depërtuar në trurin dhe në zemrat e dijetarëve shqiptarë në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Në këtë studim nuk mund të flasim për aktivitetet dhe mendimet e të gjithë dijetarëve shqiptarë, por do të mjaftohemi që në këtë kapitull të studiojmë vetëm një shembull konkret, i cili konsiderohet prijës i njohur shqiptar i shkollës reformiste, e që ka ide të qarta të shkollës racionale reformiste, qoftë në ligjërata, në shkrime fetare apo në tefsirin e tij. Tefsiri i tij në tërësi është zhdukur dhe ka mbetur vetëm një pjesë prej tij, ndërsa disa punime të tij mjerisht janë djegur.
Falënderoj Zotin e Madhërishëm që pata mundësi të gjej një pjesë të tefsirit të këtij dijetari të shquar shqiptar dhe ta studioj në këtë disertacion. Prijësi i kësaj doktrine është, siç thash edhe më parë, dijetari dhe hoxha i njohur Hafiz Ali Korça (Zoti e mëshiroftë!).
Hoxhë Hafiz Ali Korça konsiderohet personalitet i njohur shkencor me njohuri të mëdha kulturore, poet, letrar, shkencëtar, komentues i Kur’anit, trim dhe një ndër dijetarët e mëdhenj shqiptar që jetuan në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe në gjysmën e parë të shek. XX. Ai kishte harmonizuar aktivitetet politike e fetare pa bërë ndonjë dallim në mes fesë, politikës dhe interesit shtetëror.
I: NJOHURI MBI HOXHËN, VENDLINDJA, ARSIMI,
FAMILJA DHE KOHA NË TË CILËN JETOI
1. EMRI DHE VENDLINDJA E TIJ:

Hoxhë Hafiz Ali Iljaz Kadiu, i njohur si Hafiz Ali Korça, mbiemër të cilin e mori sipas qytetit të Korçës, u lind në vitin 1873, diku thuhet në vitin 1870, në Korçë, në Jug të Shqipërisë. Ai rrjedh nga një familje fetare e intelektuale që i donte dijetarët dhe shkencën, dhe për këtë edhe vetë vazhdoi rrugën e prindërve dhe gjyshërve të tij në shkencë dhe dituri.
Qyteti i Korçës ka luajtur rol të madh në shek. XIX në sferën ekonomike, edukative e letrare në mbarë Shqipërinë, ngase ka pozitë mjaft të rëndësishme gjeostrategjike në jug-perëndim të vendit, që e lidhë Shqipërinë me Greqinë dhe Ballkanin në përgjithësi. Në këtë qytet u hap edhe shkolla e parë shqipe që punonte me alfabetin latin dhe ishte qendër e aktivistëve politikë shqiptarë, që punonin në Rumani, Bullgari e vendet tjera fqinjë.
Shteti grek i krishterë, Korçën e konsideronte si qendër të saj për përhapjen e misionarizmit dhe kolonializmit helmues kundër kulturës islame shqiptare, në këtë qytet p.sh. Greqia kishte 126 shkolla misionare krishtere, ashtu siç kishte edhe në qytetin tjetër shqiptar të Beratit. Zoti i Madhërishëm deshi që ky dijetar u lind në këtë qytet që t’iu kundërvihet dhe t’i mjerojë jobesimtarët.
Sa i përket kohës në të cilën jetoi, disa burime konfirmojnë se hoxhë Hafiz Ali Korça, ka jetuar në kohën e lëvizjes dhe zgjimit kombëtar shqiptar. Lëvizja letrare islame shqiptare ishte në kulmin e vet, por e margjinalizuar nga elita intelektuale komuniste, të cilët nuk i jepnin fare rëndësi pasurisë së tillë shkencore.
Nga personalitetet që krijuan studime letrare të ndryshme në gjuhën shqipe, perse, turke e arabe në mërgim ishte hoxhë Hafiz Ali Korça. Biografia intelektuale e hoxhë Hafiz Ali Korçës ishte e pasur me ngjarje të rëndësishme. Ai, tërë jetën ia kishte kushtuar rrugës së Zotit dhe rrugës së çlirimit të vatanit nga kolonializmi. Ai thërriste me zë të lartë dhe ftonte në rëndësinë e formimit të vetëdijes fetare islame dhe kombëtare, në rikthimin e të drejtave të vjedhura e të humbura dhe në lirinë fetare krahas lirisë atdhetare dhe pavarësisë nga dora e kolonizatorit. Kërkesa për liri fetare dhe liri të shtetit ishte pjesë e aktiviteteve të të gjithë hoxhallarëve shqiptarë në kohën e re deri më sot, dhe kjo vërehet qartë në shkrimet, ligjëratat dhe artikujt, si në të kaluarën ashtu edhe sot.
2. ARSIMIMI:

Në mesin e valëve të tilla politike e fetare, u lind, u zhvillua, u arsimua dhe u formua personaliteti i hoxhë Hafiz Ali Korçës (Zoti e mëshiroftë!). Kur’anin Fisnik përmendësh e mësoi në moshën dymbëdhjetë vjeçare. Burimet historike nuk përmendin emrin e atij që ia mësoi hifzin e Kur’anit Fisnik. Me mësimin e hifzit të Kur’anit filloi hapat e parë në drejtim të Islamit. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa studimet universitare i vazhdoi në Universitetin e Stambollit, ku edhe i mësoi shkencat islame, gjuhët orientale, gjegjësisht gjuhën arabe, perse, turke dhe frënge. Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll, mësoi nga literatura themelore arabe, perse e turke dhe u mahnit nga mendimet e filosofëve dhe letrarëve të mëdhenj, siç ishin p.sh.: Ibn Rushdi, Ibni Sinâ, Ibn Rumi, Omer Hajami dhe letrari persian Saa’di Shirazi, etj. Ai i studionte veprat e tilla dhe furnizohej me të dhëna intelektuale e trashëgimore kulturore.
Hoxhë Hafiz Ali Korça gjatë qëndrimit të tij në Universitetin e Stambollit, kishte rënë nën ndikimin e njerëzve të tillë të mëdhenj nga atmosfera e re shkencore që mbizotëronte aty, e cila dukshëm ndikoi në formimin e personalitetit të tij edhe në ngritjen e nivelit të tij.
3. FAMILJA DHE FËMIJËT:

Familja e hoxhë Hafiz Ali Korçës ka jetuar në qytetin e Shijakut, Shqipëri. Ai ka pasur pesë djem dhe dy vajza. Djali më i madh që quhej Mexhdudin dhe i dyti Bahrudini vdiqën që në moshën e rinisë në një aksident, ndërsa djali i tretë Iljazi, i cili kishte kryer shkollën fetare në Tiranë, ishte dënuar me 25 vjet burg në kohën e diktatorit komunist shqiptar, Enver Hoxha, por pas kalimit 15 vjet në burg lirohet në vitin 1968 dhe vdes pas disa vitesh, përkatësisht në vitin 1975. I biri i tij Iljazi ishte trashëgimtar i vërtetë i diturisë së hoxhës Hafiz Ali Korça, por deshi Zoti që të mos jetojë gjatë. Djali i tij i katërt, Salahudini kishte kryer Akademinë Ushtarake në Itali dhe kishte punuar si mësues në Oborrin Mbretëror Shqiptar, përkatësisht si instruktor i oficerëve të rinj.
Pas luftës së Dytë Botërore, kishte dhënë dorëheqje nga kjo punë dhe në vitin 1944 u dënua me vdekje, ndërsa pas vdekjes, ish presidenti i Shqipërisë e dekoroi pas me titullin “ Dëshmor i demokracisë ”. Salahudini kishte një fëmijë që quhej Mexhdudin, i cili aktualisht jeton në ShBA. Djali i tij i pestë, Alaudini, po ashtu kishte diplomuar në Akademinë Ushtarake në Romë dhe ishte kthyer në Shqipëri me ftesë të babait, për t’i shërbyer vendit dhe t’ua mësojë bashkëvendësve të vet parimet ushtarake, por pas një kohe edhe ky u kap nga pushteti komunist dhe u dënua me katër vite burgim, dhe pas daljes nga burgu vdiq në vitin 1982. Njëra vajzë e hoxhës jetoi në Tiranë, ndërsa tjetra në Durrës.
4. POZITAT SHKENCORE DHE FETARE TË
HOXHË HAFIZ ALI KORÇËS:

1. I është ofruar ftesë zyrtare për pritjen e Princ Vidit, kur erdhi nga Austria në vitin 1914 për t’u bërë Mbret i Shqipërisë. Hoxhë Hafiz Ali Korça lexoi fjalën përshëndetëse në frëngjisht me rastin e ardhjes dhe caktimit të Mbretit të ri.
2. Në vitin 1916 u caktua Drejtor i Arsimit për disa qytete të mëdha në Shqipëri.
3. Nga viti 1918 deri në vitin 1924 ka qenë Kryetar i Këshillit Suprem Islamik në Shqipëri.
4. Nga viti 1924 deri në vitin 1949 punoi arsimtar në shkollën e madhe fetare të Tiranës (Medresenë), ku ligjëroi lëndët: gjuhë arabe, tefsir, logjikë, dhe disa lëndë tjera.
5. Nga viti 1924 deri në vitin 1938 punoi vetëm në tefsirin e Kur’anit Fisnik për revistën islame shqiptare “Zani i Naltë”, dhe konsiderohej komentues i vetëm në atë kohë.
6. Nga viti 1949 deri në vitin 1959 qëndroi në internim dhe punoi fshehurazi arsimtar në qytetin e Kavajës.
7. Punoi këshilltar i Ministrit të Arsimit në Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë.

5. PASOJAT NGA AKTIVITETET PATRIOTIKE
E POLITIKE:

Hoxhë Hafiz Ali Korça rrëfen disa ngjarje nga jeta tij dhe thotë se shumë herë ka përjetuar maltretime. Këtu do të rrëfejmë vetëm një ngjarje, për shkak të natyrës së kufizuar të këtij punimi.
Ditën e hënë, më 18. 02. 1910, në orët e paraditës, ishin tubuar një grup i madh njerëzish (sipas një verzioni afro 12.000) dhe kanë filluar ta gjuajnë shtëpinë e tij me gurë, për shkak të disa qëndrimeve të tij kombëtare, që nuk përputheshin me xhonturqit, të cilët përpiqeshin ta ringjallin doktrinën nacionaliste turko-osmane dhe të cilët mendonin se çdo banor i shtetit konsiderohet osmanli, dhe në këtë kontekst të gjithë konsideroheshin osmanlinj. Kjo lëvizje e nxitur dhe përkrahur nga hebrenjtë cionistë, synim të vetëm kishte rrëzimin e shtetit osman. S’ka dyshim se ky qëndrim krijoi reaksion nga elita intelektuale shqiptare dhe nga elita fetare.
Hoxhë Hafiz Ali Korça rrëfen se kishte njerëz që e kritikonin atë, por në të njëjtën kohë kishte edhe njerëz që e përkrahnin dhe që e ndihmonin, saqë një ditë ithtarët dhe simpatizuesit e tij e kanë hipur mbi kalë dhe kanë filluar të bërtasin:
”Rroftë gjuha shqipe dhe rroftë i ati i gjuhës shqipe!”
Pas një kohe të shkurtër disa intelektualë mbajnë fjalime, e pastaj i vjen radha që të mbajë fjalim edhe hoxhës, Hafiz Ali Korça, dhe ky, pasi e përfundoi fjalimin, i lutet Zotit të Madhërishëm në tri gjuhë: Në arabisht, turqisht dhe shqip, pastaj i falënderohet Zotit për të mirat që ia ka dhënë dhe për krijimin e popujve të ndryshëm, që flasin gjuhë e dialekte të ndryshme, dhe më tej vazhdon duke thënë se kjo nuk nënkupton që ne ta urrejmë arabishten, ngase në gjuhën arabe mësojmë Kur’anin, por pasi që me ligjin e ri të Turqisë të shpallur në vitin 1908, lejohet një gjë e tillë, atëherë edhe ne me padurim dhe me gëzim të madh do ta mësojnë gjuhën tonë amtare dhe alfabetin, dhe nuk ka asnjë forcë që mund të na pengojë në këtë çështje.
Pas kësaj pushteti osman fillon ta akuzojë Hafiz Aliun si latinxhi, përkatësisht si hoxhë perëndimor, apo me mendime vesterniane, në kuptimin e sotshëm, ngase në raport me alfabetin arab sipas tyre, Hafizi preferonte alfabetin latin, të cilin e përdorim edhe sot. Për këto qëndrime të tij, ai kërcënohej me vrasje dhe internim, por ai shumë herë, nuk hezitonte t’ua sqaroj faktin se çdo gjuhë ka karakteristikat dhe rregullat e veta, dhe meqë gjuha shqipe është gjuhë indoevropiane, atëherë edhe ajo duhet t’i ketë edhe karakteristikat e veta dhe kjo gjë, nuk ka të bëj fare me rrëzimin e halifatit ose me distancimin nga ai. Shkronjat e gjuhës janë instrumente shkrimi, nuk janë as besimtarë e as jobesimtarë, ashtu sikur nuk mund të trajtohen as si muslimanë e as si jomuslimanë.
Çështja e alfabetit latin shqiptar ka pasur dimensione politike, fetare e edukative për të gjithë shqiptarët e të gjitha feve. Unifikimi i gjuhës shqipe, kishte rëndësi të madhe si për hoxhallarët, ashtu edhe për disa shqiptarë muslimanë dhe të krishterë, që jetonin në egzil, përkatësisht në vende të ndryshme të botës, si në Rumani, Bullgari, Greqi, Turqi, ShBA, etj. Zgjimi shqiptar në atë periudhë kishte për qëllim bashkimin e shqiptarëve të ndarë nëpër botë dhe i ftonte që të rikthehen në vendlindje për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi dhe ndarja nga shtetet fqinje. Situata dhe rrethanat politike në të cilat jetonin shqiptarët, nuk premtonin shpresa të mira për shkak të ambicieve gllabëruese të shteteve të fuqishme.
Ky ishte edhe shkaku dhe arsyeja më kryesore sipas historianëve të njohur shqiptarë, që i shtyu hoxhallarët të pranojnë alfabetin latin, ngase, në të kundërtën ata edhe më tej do ta kishin përdorur alfabetin arab në shkrimin e gjuhës shqipe pa kurrfarë problemi, kjo gjë vërtetohet me faktin se letërsia shqipe islame sufiste dhe sunite gjatë shekujve XVIII dhe XIX është shkruar me alfabetin arab, ngase njerëzit e njihnin dhe shkruanin në këtë alfabet në mënyrë krejtësisht të rëndomtë. Kolonializmi perëndimor evropian dhe sllav ishte ai që i nxiti intelektualët të ringjallin idenë e alfabetit latin si hap i parë për shkatërrimin e Islamit dhe devijimin e Kur’anit, duke u përqëndruar në përdorimin e dialekteve në vend të gjuhës letrare, dhe një gjë e tillë vërehet mjaft qartë, në shkrimet e hershme dhe të vonshme të disa orientalistëve bashkëkohorë.
Qëndrimi i studiuesit dallon nga ata që vendosën të pranojnë alfabetin latin në vend të alfabetit arab i cili njëherit ishte alfabeti i Kur’anit Fisnik dhe Hadithit të Pejgamberit a.s.(Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) Përveç kësaj, me plot të drejtë shtrohet pyetja: Çfarë e dëmtoi Japoninë, Kinën, Tajvanin, Korenë dhe shtetet e tjera në rrugën e tyre drejt progresit dhe zhvillimit industrial e teknologjik, kur dihet se këto shtete akoma sot e kësaj dite vazhdojnë të përdorin alfabet interesant që ka simbole të posaçme dhe një intonacion që i ngjanë alfabetit arab?!
Sipas mendimit tim, pa marrë parasysh se çfarë forme ka alfabeti, ai, nuk mund ta pengojë kursesi progresin, por në fakt ekzistojnë faktorë tjerë konkretë dhe abstraktë që çojnë popujt kah progresi e përparimi ose kah prapambetja dhe regresi.

REAGIMI NDAJ AKUZËS PËR NDARJE NGA HALIFATI OSMAN:

Hoxhë Hafiz Ali Korça është akuzuar për aktivitetet e tij kombëtare patriotike dhe për pranimin e alfabetit latin, dhe kinse ai është përpjekur të ndahet nga halifati osman. Mirëpo, akuza e tillë ndaj hoxhës nuk është e vërtetë për disa arsye:
1. Shejh Hafiz Ali Korça kategorikisht refuzonte këtë akuzë, sidomos ndarjen nga kalifati osman, madje kjo vërehet qartë edhe në reagimin e tij kundër guvernatorit, Talat Pasha, i cili kishte mendim të ngjashëm me të akuzuesit. Në këtë kontekst, Hafizi i thotë: “Shqipëria ka ofruar dhe flijuar shumë burra dhe trima për shtetin osman dhe asnjëherë nuk dëshiron të ndahet”.
2. “Populli shqiptar është i zhytur në injorancë dhe analfabetizëm dhe për të dalë nga kjo injorancë e të mësojë, duhet ta pranojmë këtë alfabet”. Në këto fjalë guvernatori, Talat Pasha, reagon duke i thënë: “Shqiptarët e njohin gjuhën turke dhe s’kanë nevojë për gjuhën shqipe”; në çka hoxhë Hafiz Ali Korça reagon: “Si mund të përparojë e të lulëzojë një popull që s’ka gjuhë, dituri, industri, e pasuri? Turqia s’ka dobi prej një populli që jeton jetë mizore e të egër në xhunglat e Afrikës. Nëpërmes këtyre shkronjave, mësimit të gjuhës dhe shkencës populli mund të përparojë e ta shpëtojë veten dhe të tjerët”.
Ekziston edhe një arsye tjetër që hoxhën e ka shtyrë të pranojë një gjë të tillë, dhe kjo qartë vërehet në veprat e tij. Sipas tij, Shqipëria është vend me disa fê dhe kombe, dhe për të mbizotëruar toleranca fetare dhe paqja në mes njerëzve, për t’i mënjanuar faktorët që krijojnë urrejtje e përçarje në mes feve të ndryshme, përkatësisht në mes të krishterëve ortodoksë e katolikë dhe muslimanëve, si dhe për t’u larguar nga nxitjet e tilla fetare në mesin e të gjithë banorëve, ai preferoi që në Shqipëri të ketë një alfabet që i bashkon të gjithë.
Qëndrimi i tillë i Hafiz Ali Korçës vërehet qartë edhe në dialogun e tij me Ministrin osman për Arsim në Shqipëri, guvernatorin, Emrulla Beu. Burimet historike theksojnë se Ministri i ka thënë atij: “Ju, nëpërmes kësaj kërkese dëshironi ta braktisni Kur’anin Fisnik e të largoheni nga gjuha turke dhe kështu do t’i lini fëmijët tuaj pa fe (ateistë)”. Në këto fjalë Hafiz Aliu ka replikuar:
“Asnjëherë, ne kurrë nuk do të largohemi nga Kur’ani, e as nga gjuha turke, e nëse dëshironi ta fusni këtë ligj në kodeksin e ri ligjor të Kushtetutës e shtetit, futeni. Nëse hapen shkolla shqiptare në Shqipëri, ju do të mund t’i kontrolloni shkollat, mund të dërgoni inspektorë, e nëse zbulohet se në ndonjë shkollë nuk mësohet as Kur’ani e as gjuha turke, mbylleni atë menjëherë”.
Pastaj hoxhë Hafiz Ali Korça vazhdon e thotë se i ka dërguar një letër Shejhul-Islamit, me të cilën e ka informuar për dialogun në mes tij dhe ministrit të arsimit, dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar prej Shejhul-Islamit që t’i bindë dy guvernatorët Talat Pashën dhe Enver Pashën për një gjë të tillë. Dhe vërtetë, Shejhul-Islami kishte biseduar me Talat Pashën dhe e kishte bindur, ndërsa Enver Pasha kurrë nuk ishte bindur për një gjë të tillë. Shejhul-Islami i kishte dhënë përkrahje të plotë Hafiz Ali Korçës, dhe e kishte nxitur që të shkruajë artikuj e t’i botojë në gazetat turke, ngase ai ishte habitur me stilin e bukur të shkrimeve të tij për lexuesit…
Qëndrimi i tij ndaj kësaj çështjeje të ndjeshme vërehet qartë dhe dukshëm në vargjet poetike:
“Shkronjat ngjyrë feje s’kanë, vegla për të shkruar janë;
Gjuha me çdo shkronja shkruhet, kjo hallall kjo haram s’thuhet
Kot e bëni vegël fenë, na turbulloni atdhenë…”
Mendoj se kjo që u tha deri më tash mjafton për të argumentuar se qëllimi i hoxhë Hafiz Ali Korçës nuk ishte të ndahej nga pushteti osman, as të demonstrojë kundër këtij shteti dhe e as të braktisë mësimin e Kur’anit Fisnik. Qellimi i tij reformist ishte pranimi i alfabetit latin për shqiptarët.
6. VDEKJA:
Shejh Hafiz Ali Korça jetoi në internim në qytetin e Kavajës, Shqipëri, ku edhe u sëmur nga ethet të shoqëruara me dhimbje të forta, derisa vdiq më 31.12. 1956. (Zoti e mëshiroftë!) Xhenazen e tij e ka larë dhe ia ka falë në prezencën e shumë besimtarëve muslimanë, nxënësi i tij, ish Kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, hoxha i nderuar Haxhi Hafiz Sabri Koçi (Zoti e mëshiroftë ).

KAPITULLI I DYTË

VEPRIMTARIA DHE AKTIVITETET E HOXHË HAFËZ ALI KORÇËS NË SFERËN E REFORMAVE ARSIMORE
1. VEPRAT ME NGJYRIME POLITIKE:
1. “Bolshevizma a Ç’katërimi i Njerëzimit”
2. “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”

Veprat e tij të pabotuara janë:
1. “Filosofi e vjetër”;
2. “Filosofi mbi besimet myslimane”; dhe:
3. “Logjika”.
2. ARTIKUJ POLITIK DHE FILOSOFIKË TË BOTUAR NËPËR
GAZETA BOTËRORE DHE KORRESPONDENCAT ME
MBRETËRIT E SHTETEVE ISLAME DHE SHTETEVE TJERA
Gazetat botërore, në të cilat botoheshin artikujt e Shejh Hafiz Ali Korçës ishin:
- Es-Sabah; الصباح
- Aksham; أقشام
- Siratu Mustekim;صراط مستقيم
- Bejanul-Hakki; بيان الحق
- Aksu Sada-Anatol seneleri; عكس صدا – أناضول سنلري
- Gazeta “El Hal-laxh” الحلاجnë Iran i botonte artikujt e hoxhë Hafiz Ali Korçës që ishin të shkruara në gjuhën perse.
- Gazeta “Es-Sijasetu” السياسةnë Egjipt i botonte artikujt e tij të shkruara në gjuhën arabe.
Kemi të dhëna se artikujt e hoxhë Hafiz Ali Korçës kishin përfituar simpatinë e Shejhul-Islamit të shtetit osman dhe e kishte përkrahjen e tij të plotë për vazhdimin e shkrimeve.
Hoxhë Hafiz Ali Korça po ashtu mbante korrespondencë edhe me rektorin e Universitetit të Az’harit, Shejh Mustafa Meragi. Në vitin 1939, Rektori i Az’harit i kishte shkruar: “I respektuari dhe i nderuari profesor Ali, Es-selamu alejkum ve rahmetull-llah! Pas këtyre përshëndetjeve të sinqerta ju them se e lexova letrën tënde të fundit dhe s’ka dyshim se ajo është shkruar nga zemra e një njeriu besimtar…”
Hoxha po ashtu ka pasur korrespondencë edhe me Mbretin Faruk të Egjiptit dhe me Mbretin e Hajdarabadit, Osman Nizami, të cilëve u kishte thënë: “Shqiptarët kanë mbetur si jetimë, pa ndihma dhe pa krahë prej askujt, toka më e mirë dhe më pjellore e tyre u është dhuruar shteteve fqinje (u është marrë me dhunë) Greqisë dhe Jugosllavisë, ndërsa për shqiptarët e varfër kanë mbetur vetëm kodrat dhe shkëmbinjtë jopjellorë”.
3. VEPRAT METODOLOGJIKE DHE LITERATURA E
SHKOLLAVE FILLORE DHE TË MESME

1. Abetare;
2. Alfabeti arabisht;
3. Gramatika-Sintaksa Shqip-Arabisht;
4. Ilmi Bejan-Retorika;
5. Myslimanija;
6. Mevludi a jetë e pastër e Pejgamberit;
7. Treqind e tri fjalët e Imam Aliut;
8. Gjylistani-Trendafilishta e Saadiut;
9. Rubaijati-Katrorët e Umer Hajjamit;
10. Jusufi me Zelihanë-a Ahsenul-Kasas; dhe:
11. Historia e shenjtë dhe të katër Halifetë.
4. STUDIM I SHKURTËR I LIBRIT ENCIKLOPEDIK KU
VËREHET QARTË DHE HAPTAZI IDEJA REFORMISTE
E HOXHËS

Libri “Historia e shenjtë islame dhe katër Hulefai-Rashidinët”, konsiderohet ndër librat më voluminozë të hoxhë Hafiz Ali Korçës pas tefsirit të tij të madh, dhe në të njëjtën kohë është edhe burim i ideve dhe mendimeve të tij shkencore e fetare. Ai në këtë libër ka shqyrtuar çështje të mëdha për të cilat do të flas në detaje, me qëllim që edhe njëherë të konfirmojmë mendimin reformist të tij në një formë sa më të mirë, më të bukur dhe më të përshtatshme.

I. ARSYET E PËRPILIMIT TË LIBRIT

Hoxha i nderuar ka theksuar se kishte menduar tridhjetë vjet për përpilimin e historisë së shenjtë islame si tekst shkollor për nxënësit e tij, në formë poetike, që të jetë më i lehtë për mësim dhe lexim, ashtu sikur kishin vepruar dijetarët e fushave tjera, si p.sh., në shkencën e leximeve, hadithit, feraidit, dhe gramatikës.
Në kohën e tij shqiptarët kishin përvojë të madhe në poezi. Pasi që hoxha ishte edhe vet poet, vendosi që ta tregojë këtë aftësi edhe në këtë libër. Ai sqaron në hyrjen e këtij libri se poezinë e ka thurur në bazë të rregullave dhe parimeve poetike, me këtë u konkurronte bashkëkohësve të tij që krenoheshin me ndjenja kombëtare dhe i kritikonte se nuk mund të thurin poezi, ngase nuk e njihnin mirë gjuhën shqipe dhe nuk mund të ruanin rimën poetike të fjalëve. Pastaj ai thoshte se poezia nuk thuret lehtë dhe se çdokush nuk mund të thurë poezi, ndërsa për vete thoshte se poezia e tij buron nga zemra dhe shpirti.
Ai nuk shprehej rëndë në poezi, por i dilnin fjalët bukur dhe rrjedhshëm si xhevahirë, dhe punonte ditë e natë në këtë aspekt. Nga ajo që thotë hoxha në këtë libër të ri, është edhe deklarata e tij që në këtë libër nuk ka trillime dhe se ky libër ka rëndësi të madhe për historinë dhe se lexuesi gjatë leximit të tij ndjen se lexon tefsir të Kur’anit. Në këtë vepër autori ka pastruar biografitë e pejgamberëve nga shumë legjenda që ishin marrë nga Teurati i devijuar. Autori po ashtu i përmend edhe burimet e literaturës që i kanë ndihmuar për përpilimin e këtij libri, si p.sh., tefsiri “El-Menar ” ( تفسير المنار) i Shejh Reshid Ridasë; “Historia”i imam Taberiut,( تاريخ الأمم و الملوك للإمام الطبري ) pastaj përmend edhe shumë libra të tjerë pa theksuar emrat e autorëve, por kjo mënyrë, nuk u përket normave metodologjike, si p.sh: “Tarihu Raudatil-Ahbab”( تاريخ روضة الأحباب ), “Tarihu Raudatis-Safa”;( تاريخ روضة الصفاء ), “Tarihul-Islam”; ( تاريخ الإسلام ), “Muradul-Iber”; (مراد العبر), “Tarihul-Enbija”; (تاريخ الأنبياء) , “Tarihud-Dinil-Islamij”;
(تاريخ الدين الإسلامي), “Kisasul-Enbija”; ( قصص الأنبياء), “Tarihu Asris-Se’adeti”; (تاريخ عصر السعادة) etj.
Pastaj hoxhë Hafiz Ali Korça vazhdon dhe shqyrton çështjen e monoteizmit të Zotit të Madhërishëm, nëpërmes metodës deduktive dhe ekzistencës rreth nesh që konfirmon ekzistimin e Zotit të Madhërishëm. Hoxhë Hafiz Ali Korça ishte nën ndikimin e tefsirit shkencor, dhe mendonte se ekzistojnë gjallesa edhe në planetët e tjera, qofshin njerëz apo kafshë, dhe këtë e argumentonte me ajetin kur’anor të sures El Shura.
“Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve dhe i Tokës dhe shpërndarja e gjallesave në të dyja dhe Ai me fuqinë e Tij mund t’i bashkojë kurdo që të dëshirojë”. (Shura, 29.) Me përparimin dhe progresin e shkencës dhe me satelitët precizë, kjo mrekulli kur’anore do të zbulohet. Ai argumenton se përemri “në të dyja”- ( فيهما )nënkupton ekzistimin e krijesave dhe gjallesave në tokë dhe në qiell, dhe se këto krijesa në tokë e në qiell cilësohen si “gjallesa” ( دوآبّ )që ecin në këmbë ose rrëshqasin. Pastaj hoxha lexuesve që dëshirojnë më shumë dituri e shkencë u preferon ta lexojnë tefsirin e Fahrudin Raziut (Zoti e mëshiroftë!), ngase në të ka detaje dhe mjaft të dhëna fetare e shkencore.
Hoxha po ashtu shqyrton edhe një çështje tjetër që ka të bëjë me Krijuesin e vërtetë të kësaj gjithësie-Zotin e Madhërishëm. Fjalët e perëndimorëve, filosofëve që mohojnë cilësinë e krijimit janë të pavërteta dhe gënjeshtra. Hoxha i hedhë poshtë fjalët e tyre, duke u mbështetur në argumente shkencore dhe duke thënë se materia nuk është krijuar nga vetvetja ose nga rasti, por edhe atë e ka krijuar Zoti i Madhërishëm. Këtë e vërteton edhe gjeologjia. Zoti i Madhërishëm ka krijuar kohën dhe vendin, por Ai nuk ka as fillim e as mbarim dhe çdo gjë do të zhduket përveç Zotit të Madhërishëm.
Hoxha po ashtu hodhi poshtë teorinë e Darvinit mbi evolucionin, duke thënë se mendja e shëndoshë nuk pranon sukcesivitetin e gjërave e as rotacionin dhe se të dy hipotezat janë të pabaza. E vërteta në këtë çështje është se Zoti i Madhërishëm është Lëvizës i materies dhe se Zoti i Madhërishëm i ka dhënë formën specifike çdo krijese dhe pastaj e ka udhëzuar. Në bazë të asaj që kuptoj unë, hoxhë Hafiz Ali Korça, në këtë kontekst aludon në ajetin kur’anor:
قَالَ رَبُّنَا ٱلَّذِيٓ أَعۡطَىٰ كُلَّ شَيۡءٍ خَلۡقَهُۥ ثُمَّ هَدَىٰ ٥٠ [طه: 50] “Zoti ynë ia ka dhënë formën çdo pjese që e ka krijuar pastaj e ka udhëzuar (orientuar)”, (Taha, 50.) dhe në ajetin tjetër:
 سَبِّحِ ٱسۡمَ رَبِّكَ ٱلۡأَعۡلَى ١ ٱلَّذِي خَلَقَ فَسَوَّىٰ ٢وَٱلَّذِي قَدَّرَ فَهَدَىٰ ٣
[ الأعلى: 1- 3] “Madhëroje larg të metave Zotin tënd, më të Lartësuarin, i Cili krijoi dhe përsosi dhe i Cili përcaktoi e orientoi”. (El A’ëla, 1-3.)
Hoxha (Zoti e mëshiroftë!) i zbërthente edhe idetë e natyralistëve që thoshin se njeriu e ka origjinën nga majmuni dhe për ta vërejtur këtë ndryshim kemi nevojë për miliona vite. Hafizi i shqyrtoi edhe katër parimet e natyralistëve: Trashëgiminë, dallimin, grindjen për mbijetesë dhe selekcionimin, dhe në këtë kontekst ai thotë se këto janë teori e hipoteza të paqëndrueshme dhe, për këtë shkak, s’mund kursesi të mbështetemi në to. Në këtë enciklopedi të madhe shkencore, hoxha shqyrton edhe çështjen e imanit në Zotin e Madhërishëm, duke mbrojtur mendimin se imani (besimi) nuk shtohet e as pakësohet, por përforcohet dhe dobësohet.
Në traktatin e tij “Myslimanija” thotë: “Besimi në Islam: Zoti e mbron fenë nga dyshimet, Ai përsosë dritën e Tij, edhe pse e urrejnë atë jobesimtarët dhe ateistët, mrekullia e Kur’anit realizohet me ekzistimin dhe përhapjen e kësaj feje, ngase Islami ka ardhur për t’i shpëtuar njerëzit. Ky Pejgamber i Zotit nuk dëshironte as pushtet e as pozitë, por kishte ardhur për të shpëtuar njerëzit nga idhujtaria dhe triniteti, për t’i nxjerrë nga errësira në dritë, që të besojnë në Zotin Një dhe të Gjithëfuqishëm”. Po ashtu ekzistojnë edhe çështje tjera të cilat i ka theksuar hoxhë Hafiz Ali Korça, si p.sh.: Madhështia e Pejgamberit, katër biblat, idetë dhe hulumtimet e dijetarëve perëndimorë dhe orientalistë, si dhe qëndrimi i tyre ndaj mesazhit islamik. Ai (Zoti e mëshiroftë!) shpesh herë theksonte në fusnota se ka transmetuar nga tefsiri “El-Menar”.
Pas kësaj ekspozeje të shkurtër të këtij tefsiri historik dhe fetar, mund të themi se ky libër na rrëfen disa dimensione nga metoda e hoxhës së nderuar Hafiz Ali Korça, përcakton doktrinën fetare të cilës i përkiste ai, ku vërehet qartë sa ngjashmëri e madhe ekziston në mes metodës së tij të shqyrtimit të çështjeve fetare dhe metodës së udhëheqësve të shkollës së re reformiste.

STUDIM I SHKURTËR I TEFSIRIT TË HAFIZ ALI KORÇËS “KUR’ANI I MADHNUESHËM E THELBI I TIJ”
1. KARAKTERISTIKAT E PËRGJITHSHME TË TEFSIRIT TË HOXHË HAFIZ ALI KORÇËS

Gjatë leximit dhe shqyrtimit tim që ua bëra mendimeve të hoxhë Hafiz Ali Korçës në përgjithësi dhe tefsirit të tij në veçanti, vërejta se Hafiz Ali Korça, (Zoti e mëshiroftë!) gjatë tefsirit të ajeteve dhe sureve në shqyrtimin dhe zbërthimin e çështjeve të rëndësishme:
• I luftonte format e amoralitetit dhe ua tërhiqte vëmendjen nga shpirti që urdhëron në të keqe si dhe i ftonte njerëzit të mbështeten në vlera morale;
• Përqëndrohej në rrezikun që hebrenjtë paraqisnin për botën, në qëllimet e këqija të tyre dhe përpjekjet e tyre të fëlliqta dhe jo etike në politikë, ekonomi e moral, me qëllim për ta sunduar botën;
• Shqyrtonte vlerat e Islamit dhe karakteristikat që e dallonin atë nga fetë tjera dhe argumentonte se ardhja e mesazhit të Islamit i shpëtoi arabët dhe tërë njerëzit nga errësira e injorancës dhe kolonializmit romak e persian;
• Përqëndrohej në vlerat e kulturës së Kur’anit në krahasim me kulturat e tjera të importuara perëndimore;
• Ai ua sqaronte njerëzve cilësitë dhe sjelljen e mirë të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) me njerëzit, posaçërisht me jetimët dhe bindshëm argumentonte se Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) përfaqësonte pikën më kulmore të mundshme të humanizmit dhe demokracisë, pastaj sqaronte se halifët pas tij (Hulefai-Rashidinët) vërtetë kanë qenë demokratë (por jo sipas konceptit bashkëkohorë të demokracisë), dhe se Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në asnjë mënyrë nuk ka qenë njeri parazit i cili jetonte nga të tjerët, ashtu siç ndodh me udhëheqësit e sotshëm, dhe se të gjithë njerëzit, qofshin princër apo robër, në sytë e tij ishin të barabartë;
• Konfirmonte bindshëm faktin se Islami është përhapur me paqe e jo me dhunë, ndërsa krishterimi, në bazë të të dhënave historike, është përhapur me shpatë dhe me forcë. Sikur të mos ekzistonte toleranca fetare në Islam në raport me të tjerët gjatë përhapjes së tij, sot nuk do të gjeje asnjë të krishterë në botë, dhe sikur të ekzistonte dhuna, atëherë të gjithë do të duhej të bëheshin muslimanë nga frika prej tyre, por muslimanët nuk kanë detyruar askënd të pranojë Islamin dhe si argument i gjallë janë hebrenjtë dhe të krishterët, të cilët akoma ekzistojnë dhe jetojnë të pa konvertuar;
• Përforconte idenë e universalizmit dhe ndërkombëtarizmit të mesazhit të Islamit dhe vazhdimësinë e tij në këtë botë-dynja;
• Potenconte fuqinë racionale dhe shpirtërore të Islamit për t’i përballuar sfidat;
• Sqaronte se në Islam nuk ka persona të shenjtë (as mbretër shpirtëror) dhe se shenjtëria i takon vetëm Zotit të Madhërishëm, se askush nuk e bartë barrën e tjetërkujt dhe se çdo shpirt do të përgjigjet për atë që e ka bërë;
• Thërriste në reformimin e metodave edukative fetare, veçanërisht përqëndrohej në ringjalljen e trashëgimisë së vjetër shkencore intelektuale, në ngritjen e nivelit të gjuhës arabe, studimit të literaturës së gjuhës dhe stilistikës, nga autorët e njohur, siç janë p.sh.: Stilistika e Zemahsheriut, Ibn Haxhibit dhe të tjerëve, me qëllim që të bëhen të mëdhenj si Fahrudin Raziu, Ibni Sinâ, Xhelaludin Sujutiu, Imam Gazaliu etj. Ai nuk dëshironte që reformat shkollore të bëhen në bazë të imitimit të metodave perëndimore, por dëshironte që shkollat dhe metodat edukativo-arsimore të reformohen e të bëhen si shkollat fetare e shkencore të periudhës abaside në Bagdad dhe të periudhës emevite në Andaluzi, si dhe të armatosen me armët e diturisë në bazë të kërkesave aktuale të kohës;
• Argumentonte mrekullinë e Kur’anit, të pejgamberisë së Muhammedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe bënte kozmopolitizmin e mesazhit të tij për të gjithë njerëzit;
• Apelonte për përhapjen e shkollave fetare, ngase mendonte se ata luajnë rol shumë të rëndësishëm edukativ në jetën e mbarë Ummetit;
• Luftonte kundër idhujtarisë (shirkut) dhe kundër ndërmjetësimit në lutje përveç Allahut të Madhërishëm e jo të putave, qofshin ata të gjallë apo të vdekur;
• Luftonte kundër traditave, adeteve, bestytnive dhe risive të shoqërisë shqiptare dhe bënte apel për t’u mbështetur vetëm në Kur’anin Fisnik dhe në Sunnetin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)

2. METODA E HOXHË HAFIZ ALI KORÇËS NË TEFSIR

Hoxhë Hafiz Ali Korça ka theksuar në hyrjen e tefsirit të tij të shkurtër që e kam në bibliotekën time, se ka shkruar shumë në komentimin e Librit të Zotit të Madhërishëm, duke u mbështetur në shumë vepra të njohura tefsiresh, por për fat të keq, rrethanat ekonomike kanë ndikuar që të mos botohet ky tefsir voluminoz, ngase botimi i tij kushtonte shumë shtrenjtë, dhe për këto arsye financiare, ai e ka shtyrë botimin e tefsirit, derisa t’i përmirësohen rrethanat ekonomike.
Përkundër gjendjes së vështirë financiare, ai megjithatë, kishte vendosur ta botojë përmbledhjen e tefsirit voluminoz, me qëllim që të jetë sa më i kapshëm për mbarë njerëzit, dhe një kopje të këtij tefsiri e kam edhe unë, por për fat të keq, shumë faqe të tij janë zhdukur… Shumë studiues thonë se tefsiri voluminoz dhe i humbur i hoxhë Hafiz Ali Korçës i ka pasur afër 2000 faqe. Kjo përmbledhje e tefsirit jo të plotë fillon nga sureja “El-Fatiha” dhe përfundon deri në ajetin e tridhjetë e tetë të sures “El-Bekare”, dhe për shkak të faqeve të kufizuara të tefsirit dhe ajeteve të komentuara në veprat dhe artikujt e hoxhës, të botuara në revista të ndryshme, harxhova energji të madhe në një hapësirë të tillë të gjerë, gjersa kuptova më saktë të vërtetën e ideve dhe mendimeve të tij në tefsir, dhe mund të them se me sukses tubova një pasuri të madhe të komentimeve të përbërë nga idetë e Hafiz Ali Korçës, derisa e kuptova përcaktimin e tij doktrinar në tefsir.
Para se të flas për metodën dhe mënyrën e tij në tefsir, vlen t’i numëroj burimet në të cilat është mbështetur Hafiz Ali Korça gjatë tefsirit të tij dhe punimeve tjera fetare.
1. Gjatë leximit dhe studimit të veprave të hoxhë Hafiz Ali Korçës, tefsirit të tij të shkurtër dhe tefsirit të ajeteve të ndryshme të botuara nëpër revista islame, kuptova se ai është mbështetur në një numër të madh të literaturës dhe veprave të ndryshme, falë njohjes së tij të gjuhëve orientale dhe perëndimore, nga të cilat ka përfituar kulturë të gjerë fetare, letrare e politike.
Në vijim do t’i përmendim titujt e literaturës që ka përdorur hoxhë Hafiz Ali Korça në punimet dhe artikujt e tij:
• Literatura e Sunnetit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), literatura e biografisë së Pejgamberit dhe sahabëve të tij, pastaj literatura e llojllojshme e tefsirit në krye me tefsirin e Fahrudin Raziut, tefsiri “El-Menar” i Shejh Reshid Ridasë, literatura e historisë islame dhe jo islame, posaçërisht historia e Taberiut, literatura e gjuhës arabe, gjegjësisht literatura gramatikore e stilistike arabe, literatura filosofike islame dhe perëndimore, literatura e përgjithshme kulturore në gjuhë të ndryshme, literatura e letërsisë arabe, perse, turke e shqipe, literatura moderne në gjeografi, astronomi e biologji, literatura e fikhut dhe usuli- fikhut, literatura e shkencave kur’anore, literatura e tregimeve kur’anore, literatura apologjetike, literatura politike botërore, literatura orientaliste perëndimore dhe literatura të tjera shkencore, që konfirmojnë kulturën briliante dhe diapazonin jashtëzakonisht të gjerë të hoxhë Hafiz Ali Korçës (Zoti e mëshiroftë!)
2. Nga e tërë ajo që kam lexuar prej tefsirit dhe hulumtimeve të tij në këtë lëmë, kuptova se në të kuptuarit e Librit të Zotit të Madhërishë, ka përdorur metodën vijuese:
• Thekson nocionet “ajete mekase dhe medinase” të sureve dhe numrin e ajeteve;
• Zbërthen termet e sureve dhe fjalëve të huaja;
• Thekson emrat e sureve dhe zbërthen qëllimin e emërtimit të tyre me emrat përkatës;
• Mbështetet në analiza gramatikore, si p.sh., vlera e nyjës shquese “El” në ajetin:
 ٱلۡحَمۡدُ لِلَّهِ رَبِّ ٱلۡعَٰلَمِينَ ٢﴾ [ الفاتحة:2 ] “El-Hamdulil-lahi Rab-bil-Alemin”;
• Nga ndonjëherë i thekson llojet e leximeve (kiraetet e Kur’anit) në formë të thuktë;
• Thekson mendimet e dijetarëve dhe komentuesve të Kur’anit rreth shkronjave simbolike në fillim të sureve, por në një formë shumë të reduktuar;
• Në tefsirin e tij, i thekson shoqëritë që ekzistonin në Gadishullin Arabik, si p.sh.: Hebrenjtë, të krishterët, idhujtarët e totemëve, idhujtarët e yjeve dhe disa eternalistë;
• Thekson arsyen e zbritjes së ajetit nëse ka ndonjë shkas dhe sipas tij, mund të ketë disa arsye të zbritjes së ajeteve për një çështje;
• Mbështetet në biografinë e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe të sahabëve të tij për të sqaruar kuptimin e ajetit;
• Anon nga komentimi shkencor i ajeteve dhe një gjë të tillë, qartë e vërejmë në komentin që i bën sures “Ez Zelzele”, ku i shqyrton disa ligje të ndryshme fizike që kanë të bëjnë me shkatërrimin e tokës para Ditës së Kijametit, vullkanet, rënien e yjeve, qiejve dhe gjëra tjera që do të ndodhin. Sipas mendimit tim, tefsiri shkencor dhe mbështetja e tij në Tefsirin e Fahrudin Raziut në të shumtën e rasteve kanë ndikuar aq shumë në të, saqë mendonte se ekzistojnë krijesa tjera kafshësh dhe njerëzish në planetët e tjera, dhe këtë mendim e vërteton me ajetin kur’anor:
 وَمِنۡ ءَايَٰتِهِۦ خَلۡقُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِ وَمَا بَثَّ فِيهِمَا مِن دَآبَّةٖۚ وَهُوَ عَلَىٰ جَمۡعِهِمۡ إِذَا يَشَآءُ قَدِيرٞ ٢٩ [ الشورى:29 ] “Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe shpërndarja e gjallesave në të dyja dhe Ai me fuqinë e Tij, mund t’i bashkojë kurdo që të dëshirojë”. (Esh Shura, 29.) Pastaj vazhdon hoxha dhe transmeton fjalët e Fahrudin Raziut pa theksuar numrin e faqes dhe vëllimin;
• Ndonjëherë thekson disa nocione dhe terme që kanë ngjyrime sufiste, si p.sh., në tefsirin e sures “Ed-Duha” thekson se kur Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) sheh Shpalljen (Vahjin-Xhibrilin a.s.) për herë të parë, është habitur dhe është zhytur në Detin e Dritës së Zotit të Madhërishëm si dhe është lodhur në valët e këtij Deti jo të rëndomtë, nga Drita e Zotit të Madhërishëm!;
• Ndonjëherë gjatë tefsirit largohet nga tema, pastaj sërish kthehet në temë;
• Ndonjëherë gjatë tefsirit argumenton me poezi origjinale të tij;
• Kur flet për vlerat e Islamit që ua ka sjellë arabëve, atë e argumenton me historinë arabe paraislame.
• Hoxhë Hafiz Ali Korça shkruante fjalë të bukura poetike gjatë tefsirit, ngase aftësia e tij poetike kishte shpërthyer qysh nga fëmijëria e tij e hershme. Ai thurte poezi në të gjitha disiplinat islame, përdorte fjalë me kuptim të lartë dhe synonte qëllime sublime dhe të pastra.
• Në tefsirin e tij ai theksonte fjalët e të urtëve, filosofëve dhe historianëve të ndryshëm nga Perëndimi si dhe tregonte përshtypjet e tyre pozitive që i kishin përfituar nga madhështia e mesazhit të Islamit dhe nga personaliteti gjenial i Muhammedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), meqë ai ka qenë njeri me personalitet të lartë, i cili pandërprerë përpiqej për realizimin e qëllimeve njerëzore dhe madhore hyjnore: Hafiz Ali Korça reagonte ndaj dyshimeve dhe trillimeve të armiqve, qofshin orientalistë ose misionarë dhe në të njëjtën kohë tregon edhe për tentativat e tyre për krishterimin e muslimanëve në Afrikë, Kinë e Indi;
• E kishte zakon që të shkruante një hyrje të shkurtër para fillimit të tefsirit të ajeteve, si p.sh., në tefsirin e sureve “El-Kadru” dhe “Et-Tekathur” dhe të sureve e ajeteve tjera, pastaj vazhdon e zgjerohet në tefsir dhe sqarime;
• Sipas mendimit të hoxhë Hafiz Ali Korçës, theksimi i numrave si p.sh. ( 1000 muaj ) në suren e “Kadrit” dhe në suret e tjera kur’anore nuk nënkupton numra konkret, por ato përdoren për të treguar sasi të madhe, ashtu siç është zakon në gjuhën arabe;
• Ai transmeton nga komentues tjerë, posaçërisht nga Imam Fahrudin Raziu, “Tefsirul-Menari” i Reshid Rida-së dhe të tjerë pa i përmendur emrat e tyre;
• Ai thekson këshillat dhe leksionet që dalin nga ajetet kur’anore si dhe i kritikon ashpër pasanikët që preferojnë jetën e luksit dhe që krenohen me pasuri e fëmijë dhe nuk japin ndonjë kontribut social apo fetar për vendasit e tyre, si p.sh., nuk ndërtojnë shkolla, nuk u ndihmojnë të varfërve të martohen etj. Dhe shpeshherë thërriste në investim të mirë të begative të tyre;
• Ndonjëherë vazhdon tefsirin e ajetit dhe në fund përfundon me një përmbledhje, si dhe ndonjëherë argumenton tefsirin e ajeteve me hadithin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!);
• - Ai tërësisht i refuzonte israilijatet dhe më duhet të theksoj se gjatë tefsirit të tij nuk kam hasur diçka të tillë, dhe siç duket, kjo karakteristikë i dallon ithtarët e shkollës reformiste racionale që kishin ndikuar thellë tek ai.
• - Mbështetej në zbulimet shkencore të kohës së tij dhe kur fliste për dëmet nga vera, alkooli e duhani dhe për dobitë shëndetësore nga agjërimi, argumentonte me raporte mjekësore;
• - Nuk ripërsëriste fjalët dhe kur sqaronte kuptimin e ajetit dhe fshehtësitë që përmbante ai, theksonte mënyrat retorike të Kur’anit, me qëllim të dallimit të fjalëve që ishin të posaçme vetëm për Pejgamberin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe për muslimanët në përgjithësi;
• - Mbështetej në ekspresivizmin stilistik të ajeteve, duke thënë: “Është afruar dielli i fesë së vërtetë të shndritë…”, ose “Nga thellësia (deti) i dashurisë hyjnore”; etj.
• - Ndonjëherë shqyrtonte çështjet që kishin të bënin me kaderin (determinizmin), shpesh herë i luftonte adetet, traditat dhe bestytnitë e shqiptarëve dhe i korrigjonte pikëpamjet e gabuara të tyre;
• - Me bindje të plotë mbronte Ehli-Sunnetin dhe xhematin, thërriste në mbështetjen e plotë në Kur’anin Fisnik dhe Sunnetin, si dhe ftonte në përkthimin e teksteve të Kur’anit dhe hadithet e pejgamberit a.s. (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) për shoqërinë shqiptare.
Në bazë të asaj që pata mundësi të tuboj nga punimet, veprat dhe artikujt e tij të ndryshëm, këto ishin disa nga karakteristikat e metodës së hoxhë Hafiz Ali Korçës në tefsirin e Librit të Zotit të Madhërishëm.

Të nderuar lexues!
Besoj se me ndihmën e Zotit të Madhërishëm, ia kam dalë mbanë dhe deri diku pata sukses t’ju ofroj disa parime racionale dhe metodologjike të këtij dijetari dhe komentuesi shqiptar që i takon shkollës reformiste të kohës së re, edhe pse thënë realisht, ishte mjaft vështirë të gjej gjurmë të tij të botuara.

3. NDIKIMI I SHKOLLËS REFORMISTE RACIONALE NË MENDIMET E HOXHËS DHE MOHIMI I HADITHIT SAHIH

Ajo që na bën të bindemi se hoxhë Hafiz Ali Korça i përkiste drejtimit reformist është qëndrimi i tij ndaj ngjarjes kur Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i është bërë sihr dhe që përmendet në hadithe “sahih”.
Nuk dua që të them të pavërteta mbi hoxhë Hafiz Ali Korçën (Zoti e mëshiroftë!), ndaj dhe për këtë shkak në vijim tekstin e tij, do ta transmetoj fjalë për fjalë, me qëllim që këtë çështje ta kuptojmë sa më mirë. Në tefsirin që i bën sures “El-Felek”, hoxhë Hafiz Ali Korça thotë:
“Ajo që thuhet nga Lebijd ibn El-A’ësami, çifuti nga Medina, se i ka bërë sihër Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në pus dhe se Pejgamberit i janë parafytyruar gjërat dhe se i është dukur kinse bën diçka e në realitet nuk bënte gjë, kinse flet diçka e në realitet nuk fliste gjë, derisa Zoti i Madhërishëm i ka treguar dhe informuar për vendin e sihrit…etj… dhe fjalë të tjera. Them se këto të dhëna nuk janë të vërteta në asnjë mënyrë, ngase pejgamberët nuk i kap sihri, ndaj si mund t’i bëhet sihër Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)? Ai që e ka thënë këtë fjalë vërteton fjalën e idhujtarëve që thonë:
 … إِن تَتَّبِعُونَ إِلَّا رَجُلٗا مَّسۡحُورًا ٤٧ [ الإسراء: 47 ] “Ju nuk i shkoni pas përpos një njeriut të magjepsur..” në suren Isra, ajeti 47, dhe
 …وَقَالَ ٱلظَّٰلِمُونَ إِن تَتَّبِعُونَ إِلَّا رَجُلٗا مَّسۡحُورًا ٨  [ الفرقان: 8 ] “Të padrejtët thonë: Ju ndiqni vetëm një njeri të magjepsur ! “ ElFurkan, ajeti 8.
Me termin “I magjepsur” ( مسحوراً ) nënkuptohet njeriu që i janë përzier gjërat dhe që ka iluzione, gjoja se bën diçka, e në realitet ai nuk bën asgjë ose beson se i është shpallur apo inspiruar diçka, kurse në realitet nuk i është shpallur e as inspiruar asgjë. Ata që thonë këtë nuk e njohin realitetin e pejgamberisë dhe rëndësinë e saj, dhe pa kurrfarë turpi ia ngjisin këto akuza dhe këto gjëra qesharake Pejgamberit të Zotit dhe mendojnë se çifuti Lebijd ibn El-A’sami i ka bërë sihër. Ata harruan se Kur’ani Fisnik është i vërtetë dhe se është vërtetuar që Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është i mbrojtur dhe i ruajtur nga gabimi. Ne obligohemi të besojmë atë që duhet të besojmë dhe të refuzojmë atë që duhet ta refuzojmë.
Kur u përhap lajmi mbi sihrin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), ai vetë e mohoi lajmin e tillë duke thënë: “Unë nuk magjepsem”. Sidoqoftë, nëse ka ndonjë lajm të tillë nga Pejgamberi i Zotit, atëherë ai është transmetim individual (Ahad) ( طريق الآحاد ) që s’ka rëndësi në vlerën e tij. Prej nesh kërkohet që të besojmë se Alejhisselami është i mbrojtur, i pastër dhe i dëlirë nga çdo gjë që është thënë apo thuhet për të. Le të flasin sa të duan, ngase ne jemi të obliguar me atë që na urdhëron Kur’ani. Sikur të ishin të vërteta trillimet e tilla nga mendjeboshët se Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është magjepsur, atëherë do ta informonte Ummetin e vet për diçka që nuk e ka urdhëruar Zoti i Madhërishëm dhe nuk e ka inspiruar. Po, sihri mund të ekzistojë, por megjithatë ai nuk mund të ndikojë në asnjë mënyrë në atë që e ruan Zoti i Madhërishëm, ngase Zoti e mbron dhe kujdeset për të (nënkupton Muhammedin a.s.-Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) Ne muslimanët, besojmë në atë që na ka urdhëruar vetëm Kur’ani dhe nuk obligohemi të besojmë në atë që besojnë idhujtarët. E vërtetë është se fjala “sihër” ekziston, por nuk duhet ta komentojmë ashtu siç e komentonin ata të devijuarit. Domethënia e “sihrit” është largim i gjësë nga e vërteta, dhe njerëzit e përdorin për të mashtruar nëpërmes fjalëve dhe lëvizjeve, duke t’u parafytyruar se është e vërtetë. Në Kur’anin Fisnik thuhet:
 قَالَ بَلۡ أَلۡقُواْۖ فَإِذَا حِبَالُهُمۡ وَعِصِيُّهُمۡ يُخَيَّلُ إِلَيۡهِ مِن سِحۡرِهِمۡ أَنَّهَا تَسۡعَىٰ ٦٦[ طه:66 ] “Kur, ja, atij iu duk se nga ajo magji e tyre litarët dhe shkopinjtë lëviznin (si gjarpërinj)”. (Taha, 66.) dhe nuk thotë: “Iu duk se litarët dhe shkopinjtë lëviznin nga magjia e tyre”, dhe siç themi ne shqiptarët ndonjëherë: “Filani ma ka marrë trurin dhe më ka gjuajtur dhê apo zall në sy”- për të treguar se diçka është hile dhe intrigë. Pejgamberi thotë: ( و إن من البيان لسحراً ) “Edhe në fjalë ka magji”. Në politikën e sotshme, diplomatët përdorin këtë lloj magjie në çështjet e mëdha të hapura, nëpërmjet konferencave të shumta dhe fjalive e teksteve të mëdha me kuptime të zbrazëta e boshe dhe premtime të shumta e të parealizuara. Kështu i përdorin fjalët e tilla kur dështojë në zgjedhjet e tyre, madje edhe në raste lufte.
Argumenti i dytë se ky lajm nuk është i vërtetë vërehet edhe në suren “El-Felek” e cila ka zbritur në Mekë, ndërsa Lebijd ibn El-A’sami ka qenë në Medinë, pra si mund të pranohet një gjë e tillë?!
Sidoqoftë, ky është një trillim i pakuptimtë që nuk pranohet nga njerëzit me mendje të shëndoshë e të mirë dhe nuk i besojmë një gjëje të tillë”.
Ky është një qëndrim i qartë dhe transparent i hoxhë Hafiz Ali Korçës ndaj kësaj ngjarjeje apo këtij tregimi. Ai analizoi logjikisht dhe fetarisht shkaqet se një gjë e tillë nuk mund t’i ndodhë Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) Ky ishte mendimi i tij dhe kjo ishte metoda e tij, por në këtë çështje ekziston edhe një mendim tjetër. Para se ta kritikoj mendimin e tij, vlen të përmendi fjalët e prof. dr. Muhammed Husejn Edh-dhehebiut, ( Allahu e mëshiroftë ) i cili në këtë kontekst thotë: “Këtë hadith që e refuzon Imami,( Shejh Muhamed Abduhu) e ka transmetuar Buhariu dhe autorët e tjerë të veprave autentike, dhe asgjë nuk ndikon në autenticitetin e pejgamberisë. Sihri që e kishte kapluar Pejgamberin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) kishte të bëjë me sëmurjet e trupit pa ndikuar në mendjen e tij, dhe thuhet se sihrin që Lebijd ibn El-A’sami ia ka bërë Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) mund të jetë diçka që u takon fryrjeve të grave e që quhet “lidhje”, dhe i dukej se i shkonte njërës prej grave të tij dhe kur i është ofruar s’ka mundur të bëjë gjë, ndërsa “sihrin” që e ka mohuar Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)ka të bëjë me personin e marrë dhe s’ka dyshim se njeriu i tillë s’mund të jetë pejgamber. Në këtë mënyrë edhe i janë drejtuar duke i thënë:
وَقَالُواْ يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِي نُزِّلَ عَلَيۡهِ ٱلذِّكۡرُ إِنَّكَ لَمَجۡنُونٞ ٦[ الحجر:6 ] “O ti që të ka zbritur (Kur’ani) vërtetë je i marrë”. (El-Hixhr, 6.)

Në hadithin që e ka transmetuar Buhariu dhe të tjerët në veprat autentike, edhe pse Imami-(Shejh Muhamed Abduhu) dhe bashkëmendimtarët e tij nuk bëjnë dallim në mes transmetimit të Buhariut dhe të tjerëve, nuk ekziston ndonjë mëkat, nëse nuk pranon ndonjë transmetim nga Buhariu, si dhe, sipas tyre, mund të jetë transmetim individësh që s’mund të pranohet në formë të sigurt, e sipas mendimit tim, ky mendim shkatërron një pjesë bukur të madhe të Sunnetit që në krahasim me Kur’anin është sqarim e udhërrëfyes”.
Sipas kësaj që e përmend dr. Muhammed Husejn Dhehebiu, themi se sunneti autentik nuk kundërshton Kur’anin, por “Sunneti sqaron Kur’anin ose e përforcon atë”. “Nuk ekziston asnjë hadith i vërtetë që kundërshton Kur’anin, e nëse ndodh diçka e tillë, atëherë hadithi është i vërtetë, por i paqartë, ose është i qartë por jo autentik, dhe hadithi jo autentik nuk pranohet, e nëse nuk është i qartë, atëherë duhet të shpjegohet konform Kur’anit, ngase Kur’ani është primar, kurse sekondarja nuk mund të kundërshtojë primaren”.
Ekziston edhe një çështje tjetër e rëndësishme këtu, gjegjësisht fakti se refuzimi i haditheve autentike i ngjanë pranimit të haditheve të trilluara dhe kjo i jep një autoritet negativ Ummetit, dijetarëve dhe imamëve që janë më të mirët e gjeneratave të tyre. Refuzimi i haditheve autentike të nxjerr nga feja…
Vazhdojmë e themi se Imam Shatibiu (Zoti e mashiroftë!), në kapitullin mbi sunnetin në librin e tij:
الموافقات في الشريعة الإسلامية – حول السنة و أصولها في القرآن الكريم و أهمية اتباعها و ذم تركها ))
“El-Muvafekat… ” Haules-Sunneti ve Usuliha fil Kur’anil-Kerim ve ehemmijjeti ittiba’iha ve dhemmu terkiha”, thotë: “Sunneti, në kuptimin e vet mbështetet në Kur’an, sqaron kuptimin e tij, zbërthen problematikat e tij dhe lehtëson domethënien e tij”.
Siç shihet, në asnjë mënyrë nuk refuzohet sunneti autentik dhe i qartë, i cili assesi nuk mund të kundërshtojë ndonjë themel të besimit ose burim të Sheriatit. Hoxhë Hafëz Ali Korça, (Allahu e mëshiroftë ) është dashur të jetë më i kujdesshëm dhe të mos gjykojë se këto rrëfime janë të pasakta ose të transmetuara nga individë.
Zhvlerësimi i dy “Sahihëve” ose i njërit prej tyre është traditë e muslimanëve properëndimorë, e orientalistëve dhe kundërshtarëve të fesë islame si në të shkuarën, ashtu edhe në ditët e sotshme. Tejkalimi i kufijve të komentimit të teksteve, posaçërisht të teksteve profetike te prijësit e shkollës reformiste racionale dhe ideja mu’tezilite në këto çështje është një ndër aspektet më negative dhe ndër gabimet më të mëdha të tyre ndaj burimit të dytë nga burimet e Sheriatit Islam, gjegjësisht Sunnetit të pastër profetik. Kjo formë e komentimit të tyre duhet të zhduket e të anulohet dhe të zëvendësohet me ndonjë formë më të mirë, përkatsësisht t’i rikthehen metodës së selefus-salihit dhe dijetarëve muslimanë, si në vepra ashtu edhe në fjalë e besim, nëse vërtet dëshirojmë sukses dhe lumturi.
Askush nuk guxon të prekë autoritetin e dy “Sahihëve” të Imam Buhariut dhe Muslimit, ngase tërë Ummeti janë unanim në autenticitetin e tyre, ose në të kundërtën, do të turpërohen me etiketën mu’tezilite tërë jetën, si dhe do të jenë përgjegjës edhe për ata që do t’i pasojnë pas tyre deri në Ditën e Gjykimit.

4. HOXHË HAFIZ ALI KORÇA DHE TEFSIRI
SIMBOLIK( التفسير الإشاري )

Nga reflektimet dhe gjurmët e doktrinës reformiste në mendimet e hoxhë Hafiz Ali Korçës ishte tefsiri i disa ajeteve në mënyrë simbolike. Ç’është e vërteta, kjo mënyrë e tefsirit simbolik është një lloj tefsiri i lejuar sufist, dhe ka bazë në Sheriatin tonë, e që njihet në shkencën e tefsirit si
( التوفيق بين المعنى الظاهر و المعنى الباطن )“harmonizim i kuptimit ekzoterik (dhahir ) me atë ezoterik(batin) të ajetit”, apo siç deklarojnë disa dijetarë se “ çdo ajet ka kuptim të brendshëm dhe të jashtëm”.
Këtë çështje të tefsirit e kanë studiuar shumë dijetarë, si në të kaluarën, ashtu edhe në ditët e sotshme, gjegjësisht në të kaluarën e kanë studiuar Imam Gazaliu, Imam Ebu Is’hak Esh-Shatibiu, etj., ndërsa në ditët e sotshme janë marrë Shejh prof.Dr. Muhammed Husejn Dhehebi, Shejh prof.Dr. Muhamed Abduladhim Zurkani, Shejh prof.Dr. Fehd ibn Abdurahman Er-Rumi dhe Shejh prof.Dr. Jusuf El-Kardavi, etj.
Ithtarët e kësaj doktrine ekzistimin e këtij lloji të tefsirit e argumentojnë me hadithin e transmetuar nga Imam Buhariu, ku thuhet: Transmetohet nga Ibn Abasi r.a. se ka thënë: “Omeri më trajtonte si më të afërm të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)”; ndaj dhe për këtë, Abdurahman ibn Aufi i thotë Omerit: “A e trajton ashtu kur edhe ne kemi fëmijë si ai?” Omeri i përgjigjet: “Ai trajtohet në bazë të diturisë”, dhe më pas më pyeti për këtë ajet:
إِذَا جَآءَ نَصۡرُ ٱللَّهِ وَٱلۡفَتۡحُ ١ [ النصر: 1 ] “Kur erdhi ndihma e Allahut dhe çlirimi (ngadhënjimi)”.; e unë iu përgjigja me atë çfarë më kishte mësuar Pejgamberi i Zotit, dhe kur e lexova suren deri në fund, Omeri tha: “Betohem në Zotin se unë nuk di më tepër se ajo që ti e di…”.
Gjithashtu edhe Taberiu dhe komentuesit e tjerë theksojnë se kur ka zbritur ajeti:
 .. ٱلۡيَوۡمَ أَكۡمَلۡتُ لَكُمۡ دِينَكُمۡ..  [ المائدة: 3] “Sot e plotësova fenë tuaj”, në Haxhin e Madh Lamtumirës, Omer ibn Hatâbi ka qarë, dhe kur e ka pyetur Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) se për çfarë po qanë, ai i është përgjigjur: “Më bëri të qaj (fakti) se deri tash plotësohej feja jonë, dhe pasi u plotësua, atëherë patjetër diçka të mungojë”; dhe në këtë Pejgamberi a.s. i ka thënë: “Ke të drejtë!”
Ekzistojnë ajete dhe hadithe tjera që i theksojnë dijetarët e që konfirmojnë kuptimin ezoterik apo këtë ngjyrë simbolike në tefsir. Ana e dukshme e Kur’anit është ajo që Zoti i Madhërishëm u drejtohet robërve të vet në gjuhën e pastër arabe, e që ka rregulla e parime që na mundësojnë të kuptojmë në mënyrë të shëndoshë. Kuptimi ezoterik (i fshehur dhe i brendshëm) ka të bëjë me dëshirën e Zotit të Madhërishëm dhe me qëllimin për të cilin e ka zbritur Kur’anin, dhe këtë e kuptojmë nëpërmes të kuptuarit të parimeve dhe rregullave të tilla gjuhësore krahas dhuntisë hyjnore, e cila, sipas Imam Sujutiut, konsiderohet kusht i rëndësishëm i komentuesit të Kur’anit, e që nënkupton Dritën e Zotit të Madhërishëm që e ndez në zemrën e dijetarit dhe njohësit të Zotit të Gjithëfuqishëm, e që ka zemër, mendim dhe sjellje të shëndoshë.
Disa dijetarë caktojnë kushte për kuptimin ezoterik, gjegjësisht për të kuptuar aspektin ezoterik të gjuhës arabe; ai kuptim ezoterik duhet të përputhet me kuptimin ekzoterik dhe me qëllimet e gjuhës arabe, dhe të ketë fakt tekstual i cili e argumenton një kuptim të tillë. Pra, kuptimi ezoterik ndërlidhet ngushtë me kuptimin e shëndoshë ekzoterik të tekstit, sepse në të kundërtën do të ndeshemi me thëniet dhe komentimet e çuditshme dhe të habitshme të disa sufistëve dhe ithtarëve të tyre.
Tani le të shohim një shembull nga përmbledhja e tefsirit të hoxhë Hafiz Ali Korçës. Në tefsirin e ajetit kur’anor:
 أَوۡ كَصَيِّبٖ مِّنَ ٱلسَّمَآءِ فِيهِ ظُلُمَٰتٞ وَرَعۡدٞ وَبَرۡقٞ يَجۡعَلُونَ أَصَٰبِعَهُمۡ فِيٓ ءَاذَانِهِم مِّنَ ٱلصَّوَٰعِقِ حَذَرَ ٱلۡمَوۡتِۚ وَٱللَّهُ مُحِيطُۢ بِٱلۡكَٰفِرِينَ ١٩ [ البقرة: 19 ] “Ose shembulli i tyre është si ndonjë shi i rreptë prej së larti në errësirë, me bubullimë e me vetëtimë, e prej frikës së vdekjes, nga rrufeja, ata vejnë gishtat në veshët e tyre. Po Allahu është rrethues i mosbesimtarëve (Atij nuk mund t’i shpëtojë askush)”. Hoxhë Hafiz Ali Korça thotë: “Shiu i rreptë dhe retë nënkuptojnë imanin dhe Kur’anin, errësira dhe bubullima nënkuptojnë veprat e rënda, si p.sh., namazi, agjërimi, xhihadi kundër jobesimtarëve, largimi nga fetë e vjetra dhe nga pozitat e kësaj bote, gjë që është shumë vështirë për ta. Kur dëgjonin çështje të tilla të ahiretit që i ngjanin rrufesë dhe bubullimës, jobesimtarët i vënin gishtat në veshët e tyre që të mos i dëgjojnë”.
5. QËNDRIMI I HOXHË HAFIZ ALI KORÇËS NDAJ ISRAILIATEVE

Ndër çështjet që kanë rëndësi të madhe për temën time dhe për doktrinën fetare reformiste të hoxhë Hafiz Ali Korçës, padyshim është edhe çështja e rrëfimeve të hebrenjve dhe të krishterëve, që në Sheriatin Islamik në përgjithësi dhe në tefsir në veçanti, njihen dhe quhen dhe me emrin: “israiliate”. Siç dihet, ndër parimet racionale ose nga disiplinat e nevojshme të tefsirit të Kur’anit Fisnik, sipas ithtarëve të shkollës reformiste racionale është çështja e refuzimit kategorik të israiliateve dhe mbështetja vetëm në atë që thuhet në Kur’an dhe Sunnet autentik.
Hoxhë Hafiz Ali Korça kur shqyrton dhe kritikon mendimin ateist dhe komunist të elitës intelektuale të shqiptarëve laikë, tërheq vëmendjen e lexuesve të devotshëm muslimanë, duke thekuar se ekzistojnë hoxhallarë, ligjërues e hatibë që nuk e kuptonin fare se çfarë ishin duke iu thënë njerëzve gjatë ligjëratave dhe vazeve të tyre. Madje, Shejh Hafiz Ali Korça rrëfen një ngjarje me një hatib, i cili ka hypur në minber dhe ka filluar të bërtasë me zë të lartë në dersin e tij, para të pranishmëve, duke përmendur tregime e bestytni israiliatesh rreth krijimit të Ademit, rreth mënyrës së formimit të lumenjve në Xhennet dhe rrëfimeve tjera që aspak s’kanë lidhje me fenë tonë.
S’do mend që Hoxhë Hafiz Ali Korça është prekur nga sjellja e tillë naive, ndaj dhe në enciklopedinë e tij ( Historia e shenjte dhe të katër halifetë ) thekson se për një hoxhë sikur ky që e përmend, mjafton për të Kur’ani Fisnik dhe njohuritë më elementare gjeologjike mbi shtresat e tokës dhe mënyrën e krijimit të lumenjve, dhe nuk kishte arsye për të rrëfyer tregime të tilla të kota në dersin e tij. Në këtë libër hoxha bën apel që të largohemi nga rrëfimet e tilla hebraiko-krishtere, ngase ata kanë shkatërruar fenë e muslimanëve.

6. IXHTIHADI DHE MENDIMI REFORMIST I HOXHË
HAFIZ ALI KORÇËS

Ixhtihadi dhe përpjekja e Hafiz Ali Korçës (Zoti e mëshiroftë!) në përgatitjen e këtij traktati metodologjik mbi besimin e muslimanëve ka ndikuar që pesë kushteve të njohura të Islamit që janë: Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është Pejgamber i Zotit; Falja e namazit; Dhënia e zeqatit; Agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e haxhit sipas mundësisë-ashtu siç është transmetuar nga Abdullah ibn Omeri r.a. në hadithin e gjatë të Xhibrilit me Pejgamberin a.s. … t’ua shtojë edhe kushtin e gjashtë. Dhe ky kushti i gjashtë, sipas hoxhë Hafiz Ali Korçës, është xhihadi në rrugë të Zotit.
Më duket se gjatë studimit të rrethanave politike, shoqërore e fetare të Hoxhës dhe duke u mbështetur në realitetin e hidhur të kohës së tij, vërehet se ai ka punuar që të mbjell në zemrat e bashkëvendasve të tij dashurinë për vatanin, sakrifikimin dhe mbrojtjen nga intrigat e armiqve. S’ka dyshim se kjo çështje është e ndjeshme dhe ka nevojë për një elaborim.
Ideja se pesë shtyllat e Islamit kanë nevojë edhe për xhihadin si shtyllë e gjashtë e tij; është çështje diskutabile që ka nevojë për një studim më të gjerë. E vërteta është se s’duhet të shtohet diçka në atë që kanë vendosur muslimanët unanimisht, por siç dihet, dijetarët duhet të bëjnë ixhtihad në çdo kohë dhe çdo vend. Dijetarët po ashtu duhet të përcjellin lëvizjen e jetës shoqërore e fetare dhe se obligohen të gjejnë alternativa ose ilaç nga farmacia islame për shërimin e sëmurjeve të Ummetit islam dhe ballafaqimin me sfidat e kohës. Dera e ixhtihadit është e hapur deri në Ditën e Kijametit.
Unë mendoj se rrethanat e atëhershme kishin ndikuar në shpirtin dhe mendjen e hoxhës dhe kur vërente se njerëzit ishin lodhur e rraskapitur dhe ishin larguar nga ky obligim, ai bënte apel për rikthimin e këtij obligimi dhe për bashkëngjitjen e tij në pesë shtyllat e njohura të Islamit. Mirpo ato rrethana nuk e arsyetojnë mendimin dhe ixhtihadin e Hafiz Ali Korçes, sepse hoxha ka bërë dicka që Muhamedi a.s. nuk e ka bërë e as shokët e tij, përkundër vuajtjeve dhe persekutimeve dhe rrethanave të vështira fetare, politike dhe ekonomike. Ixhtihadin dhe mendimin e Hafiz Ali Korçes duhet kuptuar dhe komentuar me xhihadin e lapsit dhe të diturisë, me xhihadin e epshit dhe të pasurisë, e jo xhihadin dhe luftën e përgjakshme, dhe s’do mend se ky mendim bazohet në parimet islame, burime Kur’anore dhe ato profetike. Të shtohet diçka mbi pesë shtyllat e Islamit nuk është e lejuar, ngase në këtë mënyrë pasardhësit do të anulojnë ose shtojnë parime të besimit apo Sheriatit në bazë të nevojave dhe sfidave të kohës. Xhihadi është temë speciale që Kur’ani dhe Syneti e kanë shqyrtuar detalisht sipas konditave dhe rrethanave specifike, në çdo vend dhe në çdo kohë. Këtu nuk mundemi të zgjerohemi më tepër, dhe Allahu e di me mirë për qëllimin dhe nijetin e Hafiz Ali Korçes.

IV: KUSHTET E MUFESIRIT NË PERSONALITETIN HOXHË HAFIZ ALI KORÇËS DHE ASPEKTET E PËRBASHKËTA NË MES MENDIMEVE TË TIJ DHE TË SHKOLLËS REFORMISTE

1. KUSHTET E MUFESIRIT NË PERSONALITETIN HOXHË HAFIZ ALI KORÇËS

Dhe në fund, pas këtij rrugëtimi shkencor që e kalova me hoxhën e nderuar Hafiz Ali Korça dhe, para se të gjykoj për suksesin apo dështimin e tij, dëshiroj që t’i përgjigjem një pyetjeje shumë të rëndësishme: “A i posedonte ky mendimtar shqiptar kushtet dhe kualifikimet e mufessirit, komentuesit të Librit të Zotit të Madhërishëm, dhe nëse i posedonte, atëherë cili ishte niveli i tyre?” Pa kurrfarë hiperbolizimi të gjërave përgjigjja është:
Siç duket, pas studimit të mendimeve të këtij thirrësi në fe dhe metodës së tij, ai posedonte pasuri të madhe dhe të mjaftueshme të shkencave islame (falënderimi i qoftë Zotit!) për të pasur kapacitete dhe mundësi që ta komentojë Librin e Zotit të Madhërishëm, dhe kjo pasuri shkencore e tij karakterizohet me këto dimensione:
• Hifzi, leximi dhe texhvidi i Librit të Zotit të Madhërishëm, dhe ky fenomen siç thamë edhe më parë, ishte shumë i përhapur në mesin e dijetarëve shqiptarë në të kaluarën, ndërsa sot, ka një ekzistencë relative;
• Njohja e tij e gjuhës arabe në mënyrë të gjerë dhe të thellë, përkatësisht njohja e thellë e gramatikës, retorikës, stilistikës e veçanërisht e prozodisë, ngase ai ishte edhe profesor i letërsisë;
• Njohja e tij e Synnetit, dhe njohja e haditheve të vërteta nga të pavërtetat;
• Njohja dhe diapazoni i gjerë në shkencat e Kur’anit, si p.sh.: Njohja e ajeteve mekase, medinase, shkaqet e zbritjes së Kur’anit, nasih, mensuh, mutlak, mukajjed, am, has, stilet retorike të Kur’anit, zbritja e parë dhe zbritja e fundit, muhkem, muteshabih, etj.;
• Morali i lartë i tij islam dhe edukata e shëndoshë islame që posedonte, bënin që ai të mos ketë gjuhë triviale e as të fëlliqur, përpos kur i kritikonte ashpër hebrenjtë dhe të krishterët dhe pa kurrfarë ngurrimi referonte për intrigat e tyre gjatë historisë njerëzore e deri në ditët e sotshme.
Të gjitha këto njohuri të ndryshme shkencore që i posedonte ky mendimtar i shquar islam dhe që i mundësuan të merret me komentimin e Kur’anit Fisnik, i kanë ndihmuar që në mënyrë precize të kuptojë Librin e Zotit të Madhërishëm, dhe besoj se me sukses e ka kryer këtë mision sublim.
Këtë dhunti Zoti ia jep kujt të dojë dhe vetëm Atij i takojnë Vlerat dhe Virtytet e Larta dhe të Përkryera!

2. ASPEKTET E PËRBASHKËTA NË MES MENDIMEVE TË HOXHË HAFIZ ALI KORÇËS DHE PARIMEVE TË
SHKOLLËS REFORMISTE

Në këtë pikë dëshiroj të theksoj në mënyrë shumë përmbledhëse disa mendime të hoxhë Hafiz Ali Korçës me parimet dhe elementet e shkollës reformiste:
• Thirrja e tij në korrektimin dhe reformimin e metodave edukativo-arsimore në përgjithësi dhe atyre fetare në veçanti, që në të vërtetë ishin të njëjtat parime për të cilat thërrisnin edhe prijësit e shkollës reformiste, gjegjësisht reformat në metodat e Universitetit të Az’harit;
• Mësimi i lëndëve shkencore krahas lëndëve fetare në mënyrë precize dhe hapja e fakulteteve të posaçme për qëllime të tilla;
• Korrektimi i metodave të mësimit të gjuhës arabe, dhe në këtë kontekst, hoxhë Hafiz Ali Korça preferonte metodën franceze në mësimin e gjuhës;
• I ftonte hoxhallarët që të pajiseshin me njohuri shkencore, ashtu siç kishin vepruar ithtarët e reformizmit fetar arab klasik dhe modern, si p.sh.: Imam Gazaliu, Xhunejdi, Ibni Sinâ, Muhamed Abduhu, Xhemaludin Afgani, etj.;
• Refuzimi kategorik i israiliateve dhe mospranimi i tyre në mënyrë të prerë, si dhe kërkesa e tij e vazhdueshme që të jemi të kujdesshëm në këtë çështje;
• Refuzim kategorik i imitimit të verbër;
• Qëndrimi i tij ndaj ngjarjes së sihrit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe mospranimi i hadithit të vërtetë (sahih);
• Përqëndrimi i tij në çështje kombëtare dhe politike botërore;
• Përcjellja e ngjarjeve që ndodhnin në Indi dhe masakrimi, vrasja e maltretimi i muslimanëve në kohën e sundimit të tiranit Mahatma Gandi, dhe përqëndrimi i tij në aktivitetet e Ahmed Ebu Kelamit (i njohur me nofkën Sir. Ahmed Han);
• Mos brengosja e tij e madhe nga rënia e shtetit osman dhe mos hulumtimi i tij për ta shpëtuar nga shkatërrimi. Ky qëndrim ekzistonte edhe në mesin e prijësve të shkollës reformiste në Az’har, madje disa prej tyre deklaronin prioritetin e hilafetin kombëtar arab dhe përparësinë e tij!!!
I mbështetemi Zotit të Madhërishëm të na mbrojë nga kjo ide, e cila nuk ka fare dyshim se kishte gjurmë negative, e që ishin rezultat i fanatizmit racor e nacionalist.

3. SHEMBULL NGA HORIZONTI FETAR REFORMIST KOMBËTAR NË MENDIMIN E HOXHË HAFIZ ALI KORÇËS

Kjo e vërtetë vërehet në kujdesin e tij të posaçëm për mbrojtjen e parimeve të Islamit në Shqipëri, dhe në kujdesin për t’u mbrojtur nga intrigat e kundërshtarëve. Ky kujdes i tij specifik vërehet në letrën e tij të gjatë e të hapur drejtuar vëllezërve të tij dijetarë e hoxhallarë të Shqipërisë. Ne këtu do t’ju ofrojmë një ilustrim të shkurtë nëpërmes disa citateve nga letra e tij:
“Zotërinj, dijetarë e hoxhallarë, nëse dëshironi të përfitoni respektin e popullit ashtu si paraardhësit tuaj, atëherë duhet t’i përgatitni fëmijët tuaj me të njëjtën armë me të cilën ishin të armatosur paraardhësit tuaj, gjegjësisht me armën e diturisë dhe shkencës, ngase kjo është trashëgimia jonë dhe këtë trashëgimi duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë… Populli nuk mund të dëgjojë më trillime, israiliate dhe fjalë boshe. Turp për ne është që të krenohemi me paraardhësit tanë kur ne jemi lakuriqë dhe nuk posedojmë asgjë. Çfarë dobie do të ketë shteti nga ata të cilët edukohen jashtë vendit tonë?! (Ka për qëllim intelektualët që studionin në Perëndim, H. Hoxha.)
Vëllezër e zotërinj, dijetarë e hoxhallarë!
Nëse keni dashuri dhe ashk ndaj Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) mos rrini në gjumë dhe patjetër të mendoni për gjeneratat e ardhshme si dhe medoemos të koncentroheni dhe të keni kujdes ndaj këtyre gjërave:
1. Mos dorëzohen të rinjtë dhe të rejat në duart e misionarëve dhe të atyre që i bëjnë të krishterë;
2. Leximi dhe mësimi përmendësh i Kur’anit të jetë për çdo fëmijë, qoftë djalë apo vajzë;
3. Obligohemi që të dërgojmë në shkollën fetare çdo fëmijë që ka mbushur trembëdhjetë vjet;
4. Çdo thirrës në fê patjetër të ketë më së paku një fëmijë në shkollën fetare që të bëhet trashëgimtar i tij;
5. Çdo musliman dhe çdo muslimane duhet të sakrifikojë çdo gjë që e posedon në përmirësimin dhe zhvillimin e shkollës fetare që të ketë nivelin e merituar;
6. Dijetarët dhe hoxhallarët duhet të udhëtojnë nëpër fshatra e qytete për ta nxitur popullin që të ofrojë ndihmë dhe ta përkrahë këtë projekt;
7. Të pasurohet buxheti i shkollës, të sigurojmë profesorë dhe hoxhallarë specialistë për çdo lëndë; dhe:
8. Nëse nuk ndodhë kështu, interesi i dijetarëve dhe hoxhallarëve për gjendjen e Ummetit, do të humbë dhe kjo do të ishte arsyeja kryesore e rrënimit dhe shkatërrimit të Islamit. Këto janë sëmurjet tona dhe kjo është mënyra e shërimit në këtë situatë mjekësore. Në kohën e abasidëve, dijetarët dinin gjashtë ose shtatë gjuhë, ndërsa ne sa gjuhë njohim?
Këto janë burimet për të cilat folëm. Dërgoni fëmijët tuaj trembëdhjetë vjeçar për të mësuar te ne dhe unë ju siguroj, me lejen e Zotit, se pas tre vjetëve ata do të kenë mundësi të flasin arabisht, persisht dhe frëngjisht, si dhe do të mësojnë disa lëndë shkencore e artistike. Ne do të përpiqemi që të mos turpërohemi para Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në Ditën e Gjykimit dhe nëse nuk na ndihmoni në atë që thamë më lartë, do të përgjigjemi para Zotit në Ditën e Kijametit.
Si t’i armatosim dhe përgatisim fëmijët tanë?
Krahas gjuhës amtare dhe gjuhës arabe, secili obligohet të mësojë një gjuhë të njohur botërore dhe të armatoset me armën e diturisë në bazë të nevojave të kohës dhe ardhmërisë, ngase në të kundërtën do të jemi të vdekur në çdo aspekt…”
Zoti e mëshiroftë Hafiz Ali Korçën!
Sa e madhe është nevoja e Ummetit islam për këto këshilla këtyre ditëve…
S’ka fuqi më të Madhe se Fuqia e Zotit të Madhërishëm!

Shih më shum: Prof. Dr. Hfz. Hajredin Hoxha, “TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE (SHEK 19-20)” Tetovë, 2008, f.150-190.