Të Fundit
“Dhurata e madhe erdhi…”

“Dhurata e madhe erdhi…”

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme e mban titullin: Dhurata e madhe erdhi mbrëmë!

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Rexhebi është muaji i Allahut, shabani është muaji i të Dërguarit të Allahut, kurse ramazani është muaji i Umetit.” (Xhamiu-Sagir) Pejgamberi (a.s.) është lutur: “Allahumme barik lena fi rexhebe ve sha’bane ve bel-ligna ramadane.“ „O Allah, na beko rexhebin dhe shabanin dhe na mundëso ta presim ramazanin.”

Fjala “rexheb” do të thotë madhështor. Ky muaj ka një vend të jashtëzakonshëm në mesin e muajve dhe është një nga katër muajt në të cilët lufta është e ndaluar. Komentuesit e Kuranit thonë: “Shpërblimi për një vepër të mirë të kryer në këtë muaj është dukshëm më i madh se në kohët e tjera, dhe kuptohet se, edhe dënimi për mëkatin e kryer në këtë muaj është më i rëndë.” Kur është pyetur Pejgamberi (a.s.): “Përse quhet rexhebi muaji i Allahut?” Pejgamberi (a.s.) është përgjigjur: “Kjo është për shkak se rexhebi është muaji në të cilin Allahu i Lartësuar fal shumë, dhe, në këtë muaj është e ndaluar vrasja.“

Në këtë muaj të bekuar, dita e parë e të cilit është sot (12.01.2024), ka dy net në të cilat ka mëshirë të veçantë. Këto janë: 1 – Lejletur-Regaibi, një natë që nënkupton begati dhe mirësi të madhe, dhe 2 – Lejletul-Mi’raxhi, nata e ngjitjes së Pejgamberit (a.s.) në qiell. Folja “regabe” do të thotë të duash diçka, të dëshirosh, të jesh i prirur drejt diçkaje. Ajo natë, përveç natës së dëshirave, në traditën tonë quhet edhe nata e ngjizjes. Në një transmetim thuhet se hazreti Eminja, në një gjysmë gjumi natën e Regaibit, pa një melek dhe pejgamberë të zgjedhur që erdhën për t’i thënë asaj se ajo do të jetë nëna e më të zgjedhit të njerëzimit.

Mbrëm ishte ajo nata e dhuratës së madhe. Nata e mbrëmshme ishte nata në të cilën i Plotfuqishmi ia dhuroi njerëzimit Pejgamberin e fundit dhe më të zgjedhur. Nëse njeriu e pranon dhuratën e madhe që i vjen njeriut në natën e Regaibit, atij i hapet mundësia për t’i përmbushur dëshirat e tij për jetë të lumtur të kësaj bote dhe shpëtim në botën tjetër. Nëse njeriu pranon ta ndjekë Pejgamberin, e ajo është dhurata bujare e natës së mbrëmshme, ai do të ketë mundësi që të jetë me Pejgamberin (a.s.) në ditën e provimit të madh, ai do të jetë me Pejgamberin (a.s.) në ditën kur njerëzit nuk do të dëshirojnë asgjë, përveç shpëtimit, shefatit të tij.

Kur të qëndrojmë përpara Allahut, të gjithë do të jemi të etur për shpëtim. Pejgamberi (a.s.) na thërret në atë rrugë të shpëtimit. Në atë rrugë ne falemi. Ne falemi, sepse ky urdhër i Allahut dhe, sepse kjo është mënyra më e mirë dhe më sublime për ta falënderuar Atë për begatitë e panumërta. Në atë rrugë ne falemi, sepse namazi është themeli i fesë, është shtylla kryesore e saj, dhe detyrë e tij është që të na mbrojë neve nga harami dhe të na largojë nga intrigat e shejtanit. Nuk përmbushet dëshira për të shpëtuar në Ditën e llogarisë përfundimtare nëse nuk ka namaz.

Në atë rrugë në të cilën thërret Pejgamberi (a.s.), e cila është dhurata e madhe e natës së Regaibit, njeriu jeton me përulësi dhe modesti. Arroganca, vetëlavdërimi dhe dashuria për veten janë në kundërshtim me atë që jetuan Pejgamberi (a.s.) dhe shokët e tij. Besimtari që dëshiron ta përmbushë dëshirën e tij dhe të jetë i sigurt nga dënimi në Ditën e Gjykimit, ai ecën në tokë me përulësi, i vetëdijshëm për rolin dhe detyrën e tij. Besimtari është i vetëdijshëm për varësinë e tij nga Allahu. Nuk ka shpëtim për atë që ecën me mendjemadhësi në Tokë, i cili i përmend veprat e tij të mira dhe mburret me to, dhe i cili gjithmonë e sheh dhe e përmend vetëm veten e tij, kurse bashkësinë dhe xhematin e lë pas dore.

Në atë rrugë në të cilën thërret Pejgamberi (a.s.), vëllai është i dashur dhe i ndihmuar. Në atë rrugë, muslimani nuk ia kthen shpinën muslimanit, nuk ia hulumton të metat e tij, nuk e përndjek dhe nuk bën asgjë që mund ta dëmtojë nderin dhe krenarinë e tij. Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Njeriu është vepër e Allahut dhe mallkuar qoftë ai që e shkatërron atë vepër.” Nuk ka shpëtim, muslimanët shkojnë drejt shkatërrimit kur vëllai kthehet kundër vëllait, kur largohet njëri nga tjetri, kur njëri-tjetrit ia mbyllin derën e së mirës. Sa mirë do të ishte që në këtë muaj të zgjedhur, në muajin e shenjtë, në të cilin lufta dhe vrasja janë të ndaluara, muslimanët t’i ngjeshin radhët dhe të bëhen kështjellë e padepërtueshme për armikun, në mënyrë që të jetojnë në paqe dhe, në të njëjtën kohë, duke u ndihmuar ndërmjet veti të ecin drejt hijes së ahiretit.

Në atë rrugë në të cilën thërret Pejgamberi (a.s.), koha nuk harxhohet kot. Në Ditën e llogarisë përfundimtare, do të shpëtojë ai që e ka shfrytëzuar jetën e kësaj bote, i cili kohën e kësaj bote e ka kaluar në bindje ndaj Krijuesit. Do të shpëtojë ai që nuk e ka shtyrë bërjen e të mirave për nesër me bindje nga shejtani. Do të shpëtojë ai që e di se namazi i falur në kohën e tij është vepra më e mirë, kjo do të thotë, se të gjithë jemi të obliguar ta falim sapo të na bëhet obligim. Do ta përmbushë dëshirën e tij dhe do të shpëtojë në Ditën e llogarisë përfundimtare, ai që është i vetëdijshëm për betimin e Allahut: “Pasha kohën, çdo njeri është në humbje, përveç besimtarëve dhe vepërmirëve…“

Nuk ka shpëtim, nëse kohën në këtë botë, e që është begati shumë e çmueshme, ne e shpenzojmë duke i lënë pas dore obligimet tona dhe nëse nuk përgatitemi për të kaluar në përjetësi.

Nata e dëshirave dhe ngjizjes ishte mbrëmë. Le të fillojë brenda nesh dëshira jonë e pamasë për ta shpëtuar veten në Ditën e llogarisë përfundimtare dhe le të rrënjoset thellë në zemrat tona vendosmëria për ta ndjekur rrugën e drejtë, atë rrugë të cilën e ka ndjekur Pejgamberi (a.s.) dhe sahabët e tij. Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić. – 12.01.2024

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)