Me emrin e Allahut, Krijuesit të njeriut të lirë e të lartë. Me emrin e Allahut i cili e krijoi gjithësinë në mënyrë të përkryer dhe tokën e bëri të jetueshme dhe të përshtatshme që krijesa e Tij më e përsosur, njeriu, të ketë mundësinë e plotë për të realizuar misionin dhe qëllimin e ekzistencës së tij, dhe i mësoi këtij njeriu se ç’janë shenjtëritë, e i mësoi këtij njeriu se si lulëzohet toka, vend realizimi i qëllimit të ekzistencës së tij.
Paqa dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin e të gjithë njerëzisë, i cili na shërben përjetësisht si model dhe shembull se si jetohet në tokë, si lulëzohet ajo dhe se si mbrohet nga ligësia dhe shkatërrimi.
Nga buron atdhedashuria:
1 – Toka është vend reflektimi i madhështisë së Allahut dhe arena e përshfaqjes së atributeve të Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt.”[1]
2 – Toka është vendi i realizimit të misionit të njeriut si mëkëmbës i Allahut në tokë. Allahu i Madhëruar thotë: “(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!” Ata thanë: “A do të vësh në të atë që bën çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini!”[2]
3 – Toka është vendi ku njeriu realizon qëllimin e ekzistencës në tokë. Allahu i Madhëruar thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.”[3]
Për shkak të asaj që përmenda më sipër, them se Allahu na fton për atashim ( lidhje dashurie dhe bashkëveprimi harmonik) me tokën dhe vatanin. Allahu i Madhëruar thotë: “Prej saj (tokës) Ne u krijuam ju, e ju do t’ju kthejmë përsëri në të, e prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë.”[4]
Për arsye të asaj që përmenda më sipër, them se Allahu na ka urdhëruar që ta lulëzojmë tokën. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai së pari ju krijoi nga toka dhe ju kërkoi t’i jepni jetë asaj.”[5]
Profeti (a.s) ka thënë: “Kush mbjell një filiz ose bimë dhe prej saj hanë njerëzit, kafshët dhe shpendët prej çdo gjëje ai merr një sadaka.”
Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar që të ruajmë edhe ekuilibrat në tokë dhe për këtë thotë: “Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj.”[6]
Dhe për rrjedhojë vetëm në një tokë dhe vatan të lirë mund të adhurohet Allahu dhe të realizohet qëllimi i ekzistencës, prandaj Allahu e ka bërë obligimin dhe detyrën më të madhe xhihadin në rrugë të Allahut, gjë e cila duhet realizuar në momentin e parë që cënohet ose rrezikohet vatani nga armiku dashakeq dhe pushtues, sepse nëse të cënohet vatani, të cënohet liria, të cënohet feja, të cënohet nderi, të cënohet familja dhe çdo gjë e shenjtë.
Ue salallahu ala Muhamed ue ala alihi ue sahbihi exhmein.
Imam – hatib: Sabaudin Jashari
[1] – Sure Ali Imran: 190.
[2] – Sure Bekare: 30.
[3] – Sure Dharijat: 56.
[4] – Sure Taha: 54.
[5] – Sure Hud: 61.
[6] – Sure A’raf: 56.
………………………………………………………………………
Atdhedashuria e vërtetë…
Atdhedashuria është ndjesi e natyrshme që vetë Zoti e krijoi në zemrën e njeriut.
Atdhedashuria është ndjenjë që e përjetuan dhe e shfaqën edhe profetët e Zotit.
Atdhedashuria është ndjeshmëri që njeriu e trashëgon me pasion brez pas brezi.
Por…
Atdhedashuri e vërtetë do të thotë të falenderosh gjithmonë vendin tënd dhe njerëzit tuaj, sado larg që shkosh e sado lart që të mbërrish, e të mos i shikosh ata me mohim e të mos i përmendësh me nënvlerësim.
Atdhedashuri e vërtetë dmth të promovosh të mirat e popullit tënd dhe të jesh krenar për vlerat e tij, e jo të sajosh “gallata” e të tregosh “barcoleta” që ofendojnë e nëpërkëmbin vetë rracën dhe origjinën tënde.
Atdhedashuri e vërtetë dmth të jesh optimist për të ardhmen e vendit tënd e të punosh për atë të ardhme, e jo të mallkosh vendin ku linde e as njerëzit tuaj, edhe sikur ata të mos të ta dinë vlerën që ke merituar e të mos të ta kenë dhënë hakun që të ka takuar.
Atdhedashuri e vërtetë dmth që flamurin dhe plisin të cilat i mban me krenari në evenimentet kombëtare të mos i njollosësh asnjëherë me mashtrim, tradhëti e abuzim ndaj vendit dhe popullit tënd.
Atdhedashuri e vërtetë dmth që të punosh për vendin tënd edhe sikur në heshtje, dmth të tërheqësh si një “lokomotivë” hallet e popullit tënd, e jo të vraposh për të prerë pa merita shiritin e suksesit të të tjerëve e as të jesh thjesht një parazit që ka hipur mbi “lokomotivën” e patriotizmit.
Atdhedashuri e vërtetë dmth të mos e dëmtosh tokën ku je ushqyer, ujin që ke pirë, ajrin që ke thithur. Dmth të mos e ngushtosh rrugën ku kalon, të mos e bësh pis ambjentin ku jeton, të mos e presësh pemën që të ka bërë hije e as lulen që të ka falur aromë.
Atdhedashuri e vërtetë dmth të falësh njerëzit e gjakut tënd, të dhurosh dashuri e të kesh ndjeshmëri për vuajtjet e popullit tënd, e të mos jesh i dhunshëm ndaj tyre për problemin më të vogël, të mos shpërndash urrejtje e të mos jesh i verbër, egoist e i pashpirt për tjetrin në krah.
Atdhedashuri e vërtetë dmth të reagosh kur tjetrit i bëhet padrejtësi, ta ndihmosh atë kur kërkon ndihmë, t’i dalësh në krahë atëherë kur duhet, e jo të thuash “mjafton që unë jam mirë”, “mua të paktën s’më ndodhi gjë”, “unë shpëtova për veten time”…
Atdhedashuri e vërtetë nuk dmth rracizëm, egocentrizëm e fanatizëm…
Atdhedashuria është krenari për origjinën dhe përkatësinë, por gjithashtu është edhe bashkëpunim për të mirën universale dhe vlerësim për të gjithë njerëzit si krijesa të Zotit.
Hoxhë Ferid Piku