Të Fundit
“Ulu, ti nuk e njeh atë” – shkolla e hz. Omerit për njohjen e njerëzve

“Ulu, ti nuk e njeh atë” – shkolla e hz. Omerit për njohjen e njerëzve

Transmetohet se në kohën e hilafetit të hazreti Omerit, radijallahu anhu, shpërtheu një mosmarrëveshje ndërmjet dy njerëzve, të cilët vendosën ta paraqisnin çështjen para prijësit të besimtarëve. Njëri prej tyre solli një njeri që duhej të dëshmonte në favor të tij. Kur dëshmitari qëndroi para Omerit, radijallahu anhu, ai i tha:

“Unë nuk të njoh. Dhe nuk është aspak mangësi që nuk të njoh. Sill dikë që të njeh.”

Atëherë u ngrit njëri prej të pranishmëve dhe tha:

“Unë e njoh atë, o prijës i besimtarëve.”

Omeri, radijallahu anhu, e pyeti:

“Si e njeh?”

Burri u përgjigj:

“E njoh si njeri të drejtë dhe të ndershëm.”

Hazreti Omeri atëherë e pyeti:

“A është fqinj i afërt i yti, në mënyrë që ta njohësh jetën dhe sjelljen e tij?”

Burri u përgjigj:

“Jo, o prijës i besimtarëve.”

Omeri pastaj e pyeti:

“A ke bërë ndonjëherë tregti me të, në mënyrë që përmes kësaj të mund ta njihje devotshmërinë e tij, ndershmërinë dhe qëndrimin e tij ndaj pasurisë së huaj?”

Burri u përgjigj:

“Jo.”

Pastaj hazreti Omeri e pyeti:

“A ke udhëtuar me të? Sepse gjatë udhëtimit zbulohen më së miri karakteri, morali dhe natyra e vërtetë e njeriut.”

Burri u përgjigj:

“Jo.”

Atëherë hazreti Omeri i tha:

“Ndoshta vetëm e ke parë në xhami duke u falur?”

Burri u përgjigj:

“Po.”

Omeri, radijallahu anhu, atëherë i tha:

“Ulu, sepse në të vërtetë ti nuk e njeh atë.”

Pastaj iu drejtua njeriut që e kishte sjellë dëshmitarin dhe i tha:

“Sill dikë që të njeh vërtet.”

Këto fjalë të Omerit nuk ishin vetëm gjykim në një mosmarrëveshje. Ato janë mësim për brezat se si vlerësohen njerëzit dhe si dallohet vlera e vërtetë nga ajo e dukshme.

Hazreti Omeri e dinte se ndër njerëz kishte, se ka dhe se gjithmonë do të ketë të tillë që vijnë në xhami, falin namazin, por namazin e tyre e lënë në prag të xhamisë sapo dalin prej saj. Pastaj dalin mes njerëzve dhe përvetësojnë padrejtësisht pasurinë e huaj, cenojnë nderin e të tjerëve dhe i fyejnë ata.

Ku janë atëherë kuptimet e namazit dhe ndikimi i tij në sjelljen e njeriut, kur Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar…” (El-Ankebut, 45).

Namazi që nuk e ndryshon sjelljen e njeriut është vetëm lëvizje e jashtme. Besimi që nuk e përmirëson marrëdhënien me njerëzit mbetet pa mesazhin e tij më të thellë.

Omeri, radijallahu anhu, i njihte mirë njerëzit. Atë nuk mund ta mashtronte dhe as ta mahniste fakti që dikush, kur vinte koha e namazit, nxirrte misvakun nga xhepi dhe pastronte dhëmbët me të, duke krijuar përshtypjen se po e ndiqte Sunetin e të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem.

Sepse ai e dinte se po ky njeri, pas namazit dhe pasi të dilte nga xhamia, pikërisht me ata dhëmbë dhe me atë gjuhë do ta “hante” mishin e vëllait të vet, duke ia cenuar nderin përmes përgojimit, fyerjes dhe shpifjes.

Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtetë, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urreni këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” (El-Huxhurat, 12).

Hazreti Omeri e dinte se do të vinte koha kur disa njerëz do ta matnin devotshmërinë e tyre me gjurmët në ballë nga sexhdet e shumta, ndërsa do të harronin se vlera e vërtetë e besimtarit shihet në marrëdhënien e tij me prindërit, farefisin, fqinjët dhe njerëzit përreth tij.

Njeriu mund ta ketë gjurmën e sexhdes në ballë, ndërsa zemrën mund ta ketë të ashpër dhe të ngurtë si guri, madje edhe më të fortë se guri. Mund të qëndrojë gjatë në namaz, ndërsa të jetë i rëndë për ata që i ka më të afërt. Mund ta lexojë Kuranin, ndërsa t’i ndërpresë lidhjet farefisnore.

I njëjti parim vlen edhe për marrëdhënien me fqinjin. Njeriu mund të agjërojë, të falet, ta kryejë haxhillëkun dhe umren, por nëse fqinji i tij nuk është i sigurt nga gjuha, dora dhe veprimet e tij, atëherë diçka serioze mungon në kuptimin e fesë.

I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Pasha Allahun, nuk është besimtar! Pasha Allahun, nuk është besimtar! Pasha Allahun, nuk është besimtar!”

Sahabët e pyetën: “Kush, o i Dërguari i Allahut?”

I Dërguari i Allahut tha: “Ai, nga e keqja e të cilit nuk është i sigurt fqinji i tij.”

Besimtari i vërtetë nuk është ai prej të cilit njerëzit largohen, por ai pranë të cilit njerëzit ndihen të sigurt.

Omeri e dinte se do të vinte koha kur disa njerëz do ta lexonin Kuranin, do të shkonin në xhami dhe do të flisnin për fenë, ndërsa megjithatë do ta merrnin padrejtësisht pasurinë e jetimëve, do t’ua mohonin punëtorëve të drejtat e tyre, do ta zvarritnin pagesën dhe do ta keqpërdornin pasurinë shtetërore sikur ta kishin trashëguar nga baballarët e tyre.

Sepse devotshmëria e njeriut nuk matet vetëm me atë që bën në xhami, por edhe me atë që bën në rrugë, në punë, në familje dhe në shoqëri.

Ky ishte hazreti Omeri, radijallahu anhu, i cili e dinte se do të vinte koha kur muslimanët do të faleshin, do të agjëronin, do ta kryenin haxhillëkun dhe umren; madje, disa prej tyre mund të ishin edhe hatibë, dijetarë, thirrës ose myftinj, bartës të titujve më të lartë akademikë në shkencat e Sheriatit.

Megjithatë, dituria e tyre nuk do të ishte dritë që e udhëzon njeriun drejt së vërtetës dhe drejtësisë, por mjet për ta arsyetuar padrejtësinë dhe për t’u shërbyer pushtetarëve.

Ata do të mbështesnin vrasjen e të pafajshmëve, do t’u brohorisnin kriminelëve dhe do të duartrokitnin xhelatët që vrasin popullin e tyre, e dëbojnë nga vatrat e tij, e burgosin dhe ia cenojnë nderin dhe dinjitetin.

Vërtetësinë e paralajmërimit të Omerit, radijallahu anhu, e kemi njohur me dhimbje edhe gjatë agresionit cionist në Gaza. Ndërsa mijëra civilë të pafajshëm, gra dhe fëmijë, vriteshin nën bombardimet shkatërruese dhe lagje të tëra shndërroheshin në rrënoja, shumë dijetarë të oborreve pothuajse çdo ditë dënonin forcat palestineze të rezistencës, duke u përpjekur t’i paraqisnin ato si fajtorët kryesorë për tragjedinë.

Ndërkohë, prej tyre nuk mund të dëgjohej asnjë fjalë e qartë dhe e vendosur dënimi ndaj agresionit cionist, krimeve masive, shkatërrimit dhe urisë së popullsisë së Gazës.

Me këtë, edhe një herë dëshmuan se dijetari që e nënshtron diturinë e tij ndaj interesave të pushtetarëve mund të shndërrohet në zëdhënës të padrejtësisë, në vend që të jetë dëshmitar i së vërtetës dhe mbrojtës i të shtypurve.

Ky ishte Omeri i urtë, njeri me mprehtësi të jashtëzakonshme, i cili me moralin, drejtësinë dhe largpamësinë e tij formësoi breza të personaliteteve të vërteta njerëzore.

E si mund ta mashtronin Omerin përshtypjet e jashtme, kur pikërisht ai kishte thënë: “Unë nuk përdor dredhi dhe mashtrim, por nuk jam as njeri që mashtruesit mund ta mashtrojnë.”

Me këtë ai donte të thoshte: nuk jam as intrigant e as i korruptuar, por intrigat dhe prishja e të tjerëve nuk do të më mashtrojnë.

Duke e komentuar këtë thënie të Omerit, Ibnul-Kajjim el-Xheuzijje ka thënë: “Omeri ishte tepër i matur që dikush të mund ta mashtronte dhe tepër i devotshëm që ai t’i mashtronte të tjerët.”

Omeri, radijallahu anhu, e dinte se kohët do të ndryshonin, se kriteret do të çrregulloheshin tërësisht, jo vetëm në sjelljen e njerëzve, por edhe në vlerat dhe pozitat e tyre.

E si të mos e dinte këtë, kur ai ishte njëri prej njerëzve më të afërt me të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, i cili ka thënë:

“Para Kiametit do të vijnë vite mashtrimi dhe hileje, kur gënjeshtari do të konsiderohet i sinqertë, ndërsa i sinqerti do të konsiderohet gënjeshtar; kur mashtruesve do t’u besohet, ndërsa njerëzve të besueshëm nuk do t’u besohet; dhe kur do të flasin ruvejbidet.”

E pyetën: “O i Dërguari i Allahut, kush është ruvejbidi?”

Ai u përgjigj: “Është i marri (njeri i përçmuar) që do të flasë dhe do të veprojë në emër të interesave të përgjithshme të popullit.” (Hadithin e transmetojnë Hakimi, Ahmedi dhe Ibni Maxhe.)

Ky është njëri prej çrregullimeve më të rënda që mund ta godasë një popull: kur ata që duhet të heshtin bëhen më të zëshmit, ndërsa ata, zëri i të cilëve duhet të jetë udhërrëfyes, heshtin; kur përvoja zëvendësohet me padijen, urtësia me sipërfaqësinë, ndërsa ndjenja e përgjegjësisë ia lë vendin etjes për pozitë dhe ndikim.

Rreziku më i madh për një shoqëri lind atëherë kur kriteret çrregullohen, kur dituria matet me tituj, ndërsa vlera e njerëzve me afërsinë e tyre me pushtetarët.

Nëse Omeri e dinte se do të vinte koha kur njerëzit e pavlerë dhe të paaftë do të bëheshin ata që vendosin për fatin e popujve dhe i marrin vendimet më të rëndësishme, si dhe se besimi do të humbiste atëherë kur përgjegjësitë do t’u besoheshin atyre që nuk janë të denjë për to, atëherë është e kuptueshme përse i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:

“Kur të humbet amaneti, prite Kiametin.”

Ata pyetën: “E si do të humbet amaneti, o i Dërguari i Allahut?”

Ai u përgjigj: “Kur çështjet t’u besohen atyre që nuk janë të aftë për to, atëherë prite Kiametin.” (Hadithin e transmeton imam Buhariu).

Pikërisht për këtë, fjalët e Omerit:

“Ulu, sepse ti nuk e njeh atë”, kanë mbetur si një kriter dhe rregull i përhershëm në vlerësimin e njerëzve. Ato na mësojnë se kriteret e vlerës së njeriut duhet të jenë të qarta dhe të sakta, në mënyrë që të mos na mashtrojnë as pamja e jashtme, as elokuenca, as titujt akademikë dhe, më së paku, dukja e devotshmërisë dhe frikës ndaj Allahut.

Duke e shpjeguar thellësinë e këtyre fjalëve, hazreti Omeri ia tregoi atij njeriu dallimin thelbësor ndërmjet asaj që shihet dhe asaj që njeriu është në të vërtetë, duke i thënë:

“Ndoshta vetëm e ke parë në xhami duke u falur?”

Me fjalë të tjera, ndoshta e ke parë vetëm pamjen e jashtme të devotshmërisë së tij, një skenë që lë përshtypjen e përulësisë dhe frikës ndaj Allahut, ndërsa realiteti i jetës dhe sjelljes së tij është krejtësisht ndryshe.

Abdusamed Nasuf Bušatlić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)