Të Fundit
CILA EVROPË, CILI ISLAM?

CILA EVROPË, CILI ISLAM?

Shkruan: Dr. Enes Karić

Marrëdhëniet ndërmjet Evropës dhe Islamit, domethënë ndërmjet Evropës dhe muslimanëve, nëse me Islamin i nënkuptojmë muslimanët, duhet të shihen përmes ndryshimeve që kanë ndodhur gjatë më shumë se një mijë vjetëve. Kjo do të thotë se duhet të largohemi nga qasjet johistorike, qoftë ndaj Islamit, qoftë ndaj Evropës. Pikëpamjet esencialiste, qoftë për Islamin, qoftë për Evropën, nuk na sjellin ndonjë dobi të madhe. Në të vërtetë, duke e parë historikisht, ekzistojnë disa lloje Evrope, ashtu siç, historikisht, ekzistojnë edhe disa forma të Islamit historik, përkatësisht disa forma të muslimanëve. Nëse e kemi parasysh këtë, studimi ynë i marrëdhënieve ndërmjet Evropës dhe Islamit do të çlirohet nga falsifikimet e ndryshme të historisë dhe nga keqpërdorimet e shpeshta të së kaluarës.

Nga shekulli VII deri në shekullin XII: luftërat, tregtia dhe shkëmbimi kulturor

Edhe pse sot e dimë se për takimin e Islamit dhe Evropës në Mesjetë ekziston një numër jashtëzakonisht i madh veprash në gjuhën angleze, gjermane dhe frënge, është fat që, megjithatë, ndër to dallohen edhe libra objektivë. Për shembull, Norman Danieli (vdiq më 1992) botoi librin Islami dhe Perëndimi (Islam and the West), [1] në të cilin i paraqiti periudhat e ndryshme gjatë të cilave, në aspektin kulturor dhe historik, u formësuan konceptet e ndryshme për Islamin, por edhe konceptet për vetë Evropën.

Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Evropën si nocion gjeografik, domethënë si kontinent, por edhe për Evropën si konstrukt kulturor dhe i qytetërimit, i cili vetë ka ndryshuar gjatë kohës. E njëjta gjë vlen edhe për Islamin, domethënë për muslimanët. Nuk ekziston një Evropë e vetme dhe as nuk ekziston një Islam i vetëm, si të ishin blloqe të pandryshueshme që në mënyrë të pashpresë i kundërvihen historisë.

Evropa e Mesjetës nuk ishte një bllok monolit, por brenda saj kishte dallime të shumta. Kjo Evropë u takua me Islamin, domethënë me muslimanët, në kohën e pushtimeve muslimane të pjesëve të Evropës që shtrihen në hapësirën e Mesdheut, si Spanja dhe Sicilia. Shumë shpejt pasoi një shkëmbim i fuqishëm kulturor. Evropa mesjetare, pas pushtimeve muslimane, u njoh fillimisht me Islamin përmes shkencave të zhvilluara nga muslimanët: mjekësisë, matematikës, filozofisë, alkimisë, astronomisë, kozmetikës…

Në këto fusha shkencore, Islami për periudha të gjata e ka mahnitur fuqishëm Evropën. Evropa mesjetare, ashtu si edhe Evropa e epokës së iluminizmit, shfaqi prirje ndaj shkencave natyrore që i zhvilluan muslimanët. Fakti se në atë kohë në Evropë përktheheshin tekste arabe nga mjekësia, astronomia, matematika, gjeometria, alkimia, kozmetika… është jashtëzakonisht i rëndësishëm për dialogun e sotëm ndërmjet Evropës dhe Perëndimit, nga njëra anë, dhe Islamit, nga ana tjetër.

Veçanërisht e rëndësishme është të përmendet libri i Paul Kunitzsch-it, Arabishe Sternamen in Europa [2] (Emrat arabë të yjeve në Evropë). Afro dyqind emra yjesh, planetësh dhe yjësish në gjuhët evropiane flasin mjaftueshëm për ndikimet shpirtërore të kulturës dhe shkencës islame te shumë evropianë, madje edhe në fushën e leximit dhe interpretimit të “qiellit me yje mbi ne”, siç do të shprehej Immanuel Kanti (1724–1804) në një kontekst tjetër.

Kur flasim për Islamin dhe Evropën, duhet të kujtojmë se kanë ekzistuar dy lëvizje madhështore përkthimore. E para ishte përkthimi i veprave greke në gjuhën arabe gjatë shekujve VIII dhe IX në Bagdadin kozmopolit. E dyta ishte përkthimi i veprave nga arabishtja në latinisht, nga shekulli IX deri në shekullin XV, në qendrat evropiane të dijes dhe universitetet. Këto dy lëvizje përkthimore u bënë pjesë e kulturës dhe qytetërimit të evropianëve, por edhe të muslimanëve. Pa to, historia intelektuale e mbarë botës do të dukej më e varfër.

Zhvillimi gradual i interesimit evropian për Islamin si fe

Nga ana tjetër, dihet me siguri se Evropa e Mesjetës së hershme nuk i kushtonte vëmendje të madhe Kuranit, e as teksteve të tjera fetare të Islamit. Prirja që Evropa mesjetare kishte ndaj shkencave natyrore të zhvilluara nga muslimanët nuk shoqërohej me prirje të tillë ndaj Kuranit apo teksteve të hadithit.

Mendoj se këtë fakt duhet ta shpjegojmë me një arsye të rëndësishme: në Islamin si fe, Evropa mesjetare shihte konkurrencë të fuqishme teologjike. Nga njëra anë, Evropës Islami i dukej si diçka e ngjashme me fenë që tashmë e besonte – krishterimin. Ka shumë diskutime evropiane të Mesjetës që e përshkruajnë shfaqjen e Islamit si një “sektë të devijuar të krishterimit”. Veprat ose traktatet e Gjon Damaskinit (675–749) [3] janë, në këtë aspekt, shumë të rëndësishme edhe sot për ne.

Megjithatë, Evropa e periudhës së pjekur të Mesjetës filloi të interesohej për Kuranin. Siç dihet, Roberti i Kettonit (1110–1160) e përktheu Kuranin në latinisht relativisht vonë, vetëm në vitin 1143, në Toledo. Që nga shfaqja e Islamit ishte dashur të kalonin pothuajse gjashtë shekuj që Evropa mesjetare të interesohej për përkthimin e teksteve themelore fetare të Islamit.

“Libri ynë më themelor i shenjtë, Kurani, këtyre patriarkëve, duke filluar nga Jakubi e më tej, nuk ua mohon përkatësinë e tyre popullit hebre. Po ashtu, nuk e mohon as pranimin dhe përvetësimin e këtyre heronjve të lashtë të monoteizmit nga të krishterët. Një rrjedhë e tillë e erërave të fuqishme të sintezës që buron nga Islami edhe sot përbën diçka të madhe për kulturën dhe qytetërimin e Bashkimit Evropian, por edhe për Lindjen e Afërt dhe Azinë.”

Megjithatë, nëse kemi parasysh marrëdhënien e Evropës mesjetare ndaj budizmit dhe hinduizmit, mund të themi se përkthimi i Kuranit në Evropë nuk erdhi edhe aq vonë. Në të vërtetë, nuk dihet që Evropa mesjetare të ketë përkthyer në gjuhët e veta ndonjë vepër nga budizmi ose hinduizmi deri në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX. Edhe këtu shfaqet njëfarë magjepsjeje evropiane ndaj Islamit.

Sot duhet ta kujtojmë veçanërisht atë fakt të rëndësishëm të qytetërimit: që nga fundi i shekullit IX, Evropa ka përkthyer në gjuhën latine një numër të madh veprash nga shumë fusha shkencore të zhvilluara nga muslimanët në bashkëpunim me të krishterët e Lindjes dhe hebrenjtë që jetonin në khalifatet muslimane. Gjuha latine, përmes trashëgimisë së shumëfishtë të Islamit, hyri në dialog me gjuhën arabe. Vetë kjo dëshmon se Evropa e asaj kohe, në mënyrën e saj, e ndjeu se në Islam kishte një fqinj. Dhe me atë fqinj duhej të merrej, në një mënyrë ose në një tjetër.

Shumë shpejt, kultura dhe qytetërimi islam u shfaqën si një kulturë motër e kulturës dhe qytetërimit evropian. Edhe sot duhet ta kemi parasysh këtë fakt dhe ta interpretojmë në kontekstet bashkëkohore. Ai tregon se ndërmjet Evropës dhe Islamit, ose ndërmjet Islamit dhe Evropës, nuk ka mbizotëruar gjendje e përhershme lufte. Shkëmbimi kulturor dhe qytetërimor ka qenë më i fuqishëm, më i qëndrueshëm dhe më jetëgjatë se lufta.

Edhe pse ka dijetarë, orientalistë dhe historianë evropianë e perëndimorë që një mijë vjetët e takimeve ndërmjet Islamit dhe Evropës i shohin si një alternim të pandërprerë të valëve të xhihadit, nga njëra anë, dhe valëve të kryqëzatave, nga ana tjetër, duhet thënë se sot ka gjithnjë e më pak historianë të tillë. Për fat të mirë, po rritet numri i historianëve që Islamit ia njohin universalitetin dhe karakterin botëror.

Ndër historianët që në librat dhe veprimtarinë e tyre akademike kanë qenë dukshëm të prirur kundër Islamit, dallohet Bernard Lewis (1916–2018). Teoritë e tyre për luftë të vazhdueshme ndërmjet Islamit dhe Evropës janë kundërshtuar nga vetë realiteti dhe nga vetë jeta.

Në të vërtetë, që nga lindja e Islamit në shekullin VII pas Isait, Mesihut (Jezu Krishtit), muslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë kanë jetuar së bashku. Në qytetet e mëdha të Mesdheut dhe të Levantit, bashkëjetesa ka qenë dukuri e vazhdueshme, pavarësisht sundimtarëve që ndërroheshin në pushtet.

Ne muslimanët mund të jemi krenarë për atë që, si të thuash, mund ta quajmë “Islam qytetar”, i cili ruajti filozofinë greke, teologjinë e krishterë dhe hebraike, si dhe të gjitha rrymat e rëndësishme të mistikës, tesavufit dhe kabalës. Në qytetet e mëdha të Mesdheut dhe të Levantit, periudhat e paqes kanë qenë shumë më të gjata sesa pogromet dhe shfarosja e “të tjerëve”.

Qytete si Kajroja, Bagdadi, Kordoba, Stambolli, Damasku, Isfahani… janë shembuj të bashkëjetesës së gjatë të miliona muslimanëve, të krishterëve dhe hebrenjve. Convivencia – bashkëjetesa e muslimanëve, të krishterëve dhe hebrenjve – në qytetet e përmendura ka zgjatur me shekuj. Mendoj se një lloj i tillë bashkëjetese mund të shërbejë si nxitje për të menduar mbi modelet e sotme të jetës së përbashkët të të krishterëve, hebrenjve, muslimanëve dhe pasuesve të feve e religjioneve të tjera në Evropë dhe në Bashkimin Evropian, nga njëra anë, si dhe në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, nga ana tjetër.

Këtu dëshiroj të theksoj fuqishëm se gjithëpërfshirja, e cila ka qenë kryesisht e pranishme në dekadat më të mira të Bashkimit Evropian dhe të cilën edhe vetë muslimanët e çmojnë dhe e respektojnë, i ka modelet e saj në konceptet e këtij “Islami qytetar”. Kjo nuk duhet harruar kurrë.

Në të njëjtën kohë, nuk duhet harruar se edhe vetë Bashkimi Evropian disa aspekte të lindjes së tij ua ka borxh trashëgimive koloniale, ndërsa frytet e prosperitetit të tij nganjëherë kanë qenë të lidhura me punën e ish-kolonive të tij muslimane mesdhetare, siç është rasti i Francës dhe Algjerisë.

Ka shumë historianë që e pranojnë universalitetin e qytetërimit islam. Ndër ta janë Marshall G. S. Hodgson (1922–1968), Philip K. Hitti (1886–1978), Annemarie Schimmel (1922–2003) dhe shumë të tjerë. Madje edhe Bernard Lewis-i, të cilin e përmendëm më sipër, për qytetërimin islam pranon sa vijon: [4]

“Qytetërimi islam (…) ishte i pari që mund të quhet universal, në kuptimin se përfshinte njerëz të shumë racave dhe kulturave të ndryshme, në tri kontinente të ndryshme. Ai ishte evropian, pasi për një kohë të gjatë lulëzoi në Spanjë dhe në Italinë jugore, në stepat ruse dhe në Gadishullin Ballkanik. Ishte, vetvetiu, aziatik dhe gjithashtu afrikan. Ai përfshinte njerëz të bardhë, të zinj, të murrmë dhe të verdhë. Për nga shtrirja territoriale, ai shtrihej nga Evropa jugore deri në zemër të Afrikës dhe në Azi, deri në kufijtë e Indisë dhe Kinës, madje përfundimisht edhe përtej tyre.”

Çfarë mund t’i ofrojë Islami sot botës: Mundësi të ndryshme për ta parë të ardhmen

Më lejoni që për këtë çështje t’ië paraqes këtu mendimet e mia në formën e disa shënimeve të shkurtra.

Së pari, me frikë dhe shqetësim shohim se bota sot po copëzohet. Në disa vende, këto copëzime janë shumë të rrezikshme. Në fund të fundit, derisa po zhvillohet ky simpozium yni në Sarajevë, në botë po zhvillohen katër ose pesë luftëra të mëdha. Është e nevojshme të shohim nëse fetë tona mund të na ndihmojnë që në Tokë të ketë më pak luftëra.

Duke qenë se Islami është një lloj sinteze, ai i ka pasuritë e veta të mëdha shpirtërore. Për ne muslimanët, as judaizmi dhe as krishterimi nuk janë fe të huaja në mënyrë të pashpresë. Siç e di auditori i nderuar, patriarkët e Dhiatës së Vjetër: Nuhu, Ibrahimi, Is’haku, Ismaili, Jakubi, Jusufi, Musai, Haruni… të gjithë, pa përjashtim, në faqet e Kuranit paraqiten si muslimanë. Kurani këtu është shumë pragmatik. Në të vërtetë, libri ynë më themelor i shenjtë, Kurani, këtyre patriarkëve, duke filluar nga Jakubi e më tej, nuk ua mohon përkatësinë e tyre popullit hebre. Po ashtu, nuk e mohon as pranimin dhe përvetësimin e këtyre heronjve të lashtë të monoteizmit nga të krishterët.

Një rrjedhë e tillë e erërave të fuqishme të sintezës që buron nga Islami edhe sot përbën diçka të madhe për kulturën dhe qytetërimin e Bashkimit Evropian, por edhe për Lindjen e Afërt dhe Azinë.

Së dyti, lidhur me atë që u tha, dëshiroj të theksoj edhe diçka tjetër që është shumë e rëndësishme për bisedat e sotme ndërmjet të krishterëve dhe muslimanëve. Në të vërtetë, deri në Koncilin e Dytë të Vatikanit (1962–1965), krishterimi, ose më saktë katolicizmi, hezitonte nëse duhej ta pranonte përkushtimin dhe respektimin që muslimanët kanë ndaj Ibrahimit, Merjemes dhe Isait, Mesihut, si diçka që është e vlefshme dhe me rëndësi jo vetëm për Islamin, por edhe për mbarë njerëzimin.

Siç e dini, vitin e kaluar u shënua gjashtëdhjetëvjetori i deklaratës Nostra Aetate, e cila u miratua në Koncilin e Dytë të Vatikanit. Nostra Aetate e pranoi faktin se edhe muslimanët kanë një rol të madh nën diellin e trashëgimisë së përbashkët të monoteizmit.

Mendoj se atmosfera menjëherë para dhe pas Koncilit të Dytë të Vatikanit e nxiti shfaqjen e studimeve të rëndësishme dhe serioze për Islamin në Evropë dhe në Perëndim. Për Islamin u shfaqën veprat e Annemarie Schimmel (1922–2003), Louis Massignonit (1883–1962), Katharine Mommsenit (e lindur më 1925), Eva de Vitray-Meyerovitchit (1909–1999), Reynold A. Nicholsonit (1868–1945), Arthur John Arberryt (1905–1969), Jack Goodyt (1919–2015) dhe shumë të tjerëve. Që nga gjysma e dytë e shekullit XX, në Evropë dhe në Perëndim Islami po bëhet gjithnjë e më i pranishëm si një fushë që meriton studime serioze dhe të respektueshme akademike e universitare.

Falë këtyre studiuesve të respektuar të Islamit, evropianëve për të cilët kemi folur me respekt, sot është e lehtë të dallohen në Perëndim veprat me vlerë për Islamin.

Së treti, nëse ndjekim gjurmët e Kuranit, në faqet e tij shohim një bashkësi të pasuesve të monoteizmit, të përbërë nga hebrenjtë, të krishterët dhe muslimanët. Pavarësisht se çfarë diskutimesh mund të ketë ndërmjet këtyre tri shfaqjeve të monoteizmit, ato megjithatë përbëjnë një bashkësi. Do të ishte mirë që muslimanët sot të nxisnin ringjalljen e kësaj bashkësie monoteiste, për hir të paqes, së mirës dhe përparimit në Tokë.

Së katërti, muslimanët në Evropën e sotme shfaqen si të ashtuquajtur evropianë autoktonë në Ballkan dhe në Evropën Lindore, si emigrantë ekonomikë që vijnë në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, dhe, së fundi, si emigrantë të rinj refugjatë që vijnë në Evropë nga luftërat të cilat, në kohët më të fundit, po e djegin Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Të gjitha këto aspekte duhet t’i kemi parasysh kur flasim sot për Evropën dhe Islamin dhe kur i trajtojmë çështjet e identitetit, bashkëpunimit dhe paqes.

Do të thosha, krejt në fund, se sot është jashtëzakonisht e nevojshme t’i përgatisim opinionet tona publike që të hapen ndaj bashkëpunimit ndërmjet feve dhe kulturave që mbështeten mbi këto fe. Fetë dhe kulturat duhet të interpretohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Bashkëpunimi ndërmjet feve kontribuon në paqe. Urrejtja ndërmjet feve është burim i luftërave dhe vuajtjeve. (…)

Fusnotat:

[1] Shih: Norman Daniel, Islam and the West, the Making of an Image, Oneworld Publications, Oxford, 1993.

[2] Shih: Paul Kunitzsch, Arabische Sternnamen in Europa, Otto Harrassowitz, Wiesbaden, 1959.

[3] Krahaso: Daniel J. Sahas, John of Damascus on Islam, The ‘Heresy of the Ishmaelites’, E. J. Brill, Leiden, 1972.

[4] Bernard Lewis, Cultures in Conflict, Oxford University Press, New York, 1995, f. 10.

Burimi: IIN Preporod.

https://preporod.info/zajednica/koja-evropa-koji-islam-75304

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)