Të Fundit
A FESTOHET PUNA APO MJEGULLOHET MUNDI?

A FESTOHET PUNA APO MJEGULLOHET MUNDI?

Sot, më 1 maj, në mbarë botën festohet dita e punës. Është interesante se Krijuesi vetëm njeriun e ka obliguar me punë dhe se pa punë ai nuk mund të mbijetojë. Njeriu duhet të punojë që të ushqehet, duhet të punojë që të vishet, duhet të punojë që të ketë shtëpi dhe strehë, duhet të punojë që të sigurohet për pleqërinë, duhet të punojë edhe që, kur të largohet nga kjo botë, të jetojë, e të mos shkojë atje ku nuk ka as vdekje e as jetë. Krijesat e tjera të Zotit shkojnë e gjejnë ushqimin e gatshëm, nuk kanë nevojë për veshje sepse Allahu i ka veshur, nuk ndërtojnë strehë – ose kryesisht nuk ndërtojnë por e gjejnë atë – nuk përgatiten për ditët e pleqërisë, atë moshë të tretë të jetës, dhe për amshimin nuk kanë asnjë mendim.

Përgjatë historisë, kushtet e punës kanë qenë të ndryshme, shpeshherë mizore, andaj kjo mizori, padrejtësi dhe ky mund i detyroi punëtorët që të luftojnë për më mirë, dhe nga ai mund dhe ajo luftë lindi kjo ditë e sotme me emrin “festa e punës”. Në luftën e tyre, ata as që mund ta paramendonin se kjo do të ishte vërtet një “festë” – një ditë e zbrazët nga çdo mendim për kushte më të mira pune, ditë e zbrazët nga çdo diskutim për kushte më të mira dhe punë më efikase, ditë e zbrazët nga biseda se puna, përveçse rrugë drejt ushqimit, veshjes dhe shtëpisë, është edhe vepër që na bën njerëz dhe obligim që e urdhëron Krijuesi.

Dita në të cilën ata e fituan betejën për t’u vlerësuar, që ata për të cilët punojnë ta dinë se edhe ata janë njerëz dhe kanë nevojë të njëjta si punëdhënësi, jashtë planit dhe dëshirës së tyre u shndërrua në një ditë në të cilën njeriu u dorëzohet instinkteve, dëshirave të veta dhe e redukton veten në radhën e atyre që nuk duhet të punojnë për ushqim, për veshje, për shtëpi. Ndërsa kjo ditë ekziston që ta ndërgjegjësojmë vetveten për rëndësinë e punës, dhe atë të punës së ndershme, rëndësinë e shpërblimit adekuat për punën, rëndësinë e kënaqësisë së dyanshme, si të punëdhënësit ashtu edhe të punëtorit. Në gjuhën kuranore, për fjalën punë përdoret termi amel. Nëse e lexoni Kuranin, do të shihni se kjo fjalë shpesh përkthehet si “vepër”, dhe njerëzit e vetëdijshëm, besimtarët, janë të prirur drejt veprave të mira. Kurani nuk ka lënë pa përmendur se ky amel mund të jetë edhe i keq, i shëmtuar, i atillë që çon drejt dështimit në të dyja botët.

Çfarë festohet në vendin tonë sot? Festohet pabarazia, mungesa e bashkëndjesisë, festohet mundi i punëtorit, agonia e pensionistit dhe të ardhurat enorm të larta të atyre që duhet të kujdeseshin që mundi të ishte më i vogël dhe që agonia e pensionistëve të shndërrohej në lumturi jete në moshën e tretë. Ata që duhet të kujdeseshin që mundi dhe agonia të mos ekzistonin, ata me kënaqësi shikojnë se si mundi i punëtorit dhe agonia e pensionistit mjegullohen nga tymi i skarës dhe i fërkojnë duart të kënaqur, të vetëdijshëm se, për kënaqësinë e tyre, asgjë nuk do të ndryshojë as për ta dhe as për punëtorët. Ndërsa ata që më 1 maj të vitit 1886 u vranë duke luftuar kundër mundit dhe përfunduan në trekëndëshat e varjes, me hidhërim, madje edhe me mëshirë, e vështrojnë të gjithë këtë nga diku dhe thonë: “Sot nuk i dorëzohet tymit të skarës dhe erës së mishit të pjekur, por bisedës se si të punojmë më mirë, se si të prodhojmë më shumë, se si shteti t’i shërbejë kësaj dhe, se si të mos ikin fëmijët tanë nga fabrikat tona në fabrikat e të huajve.”  Dhe që ju punëtorë ta pyesni veten: “Si u bë që nga këta tanët, përfaqësuesit tuaj në parlamente dhe ministra, askush nuk shkoi në vend të huaj që të jetë përfaqësues dhe ministër sepse në vendin e tij nuk e ka mirë?”

Këtë ditë, 1 majin, ne ua kemi lënë juve jo që në të ta mjegulloni mundin tuaj, por që të luftoni që të mirat të jenë të shpërndara drejtë dhe që edhe fëmijët tuaj, si fëmijët e atyre që nuk shkojnë në fabrika e kanë rroga të mëdha, të jetojnë njësoj të lumtur. 1 majin ta imagjinoni se si duhet të dukej dita e tij (dita e 1 majit):

“Sot të ulen deputetët e parlamenteve tona dhe sindikatat dhe të merren vesh se çfarë duhet bërë që të jetë më mirë për të gjithë dhe që të gjithë së bashku t’i shërbejmë të ardhmes sonë.

Të ulen punëdhënësit dhe punëtorët dhe të bisedojnë se çfarë duhet bërë që të avancohet prodhimi, të arrihet cilësi më e mirë, të jemi konkurrentë në tregjet botërore, në mënyrë që të gjithë së bashku t’i shërbejmë të ardhmes sonë.

Të ulen dhe bisedojnë punëdhënësit mes vete dhe kërkojnë zgjidhjet më të mira se si t’ua përmirësojnë punëtorëve kushtet e punës, që të gjithë së bashku t’i shërbejmë të ardhmes sonë.

Të ulen punëtorët dhe bisedojnë mes vete se si të punojnë në mënyrë më efikase dhe me më shumë përkushtim, duke avancuar kështu firmën e tyre dhe duke fituar më shumë edhe për vete edhe për punëdhënësin, e kështu të gjithë së bashku t’i shërbejmë të ardhmes sonë.”

Sot, megjithatë, punëtorët ulen pranë lumenjve, përrenjve, në vendpikniqe dhe me tymin e skarës e mjegullojnë mundin e tyre; punëdhënësit i shijojnë destinacionet e largëta turistike; ndërsa kryeministrat, ministrat dhe deputetët mbase diku ulen dhe bisedojnë se si t’ia sigurojnë vetes edhe një mandat mospune me rroga të larta, dhe kështu të gjithë punojnë kundër të ardhmes sonë.

Prandaj, gëzuar 1 Majin – ditën e asgjësë, me lutjen drejtuar Zotit që të na ndihmojë ta kuptojmë se jemi njerëz. Amin.

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)