Të Fundit
Hutbe me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit – 23 Prillit

Hutbe me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit – 23 Prillit

Hamdi dhe falënderimi i takon Allahut xh.sh., i Cili njeriun e dalloi me mendje dhe dije, dhe e dalloi prej shumë krijesave të Tij. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhammedin a.s., mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Të nderuar vëllezër e motra!

Dje, më 23 prill, u shënua Dita Ndërkombëtare e Librit – një ditë që na kujton vlerën e dijes, leximit dhe edukimit. Për ne si muslimanë, kjo ditë ka një domethënie edhe më të madhe, sepse shpallja e librit tonë, Kur’anit fisnik, fillon me urdhrin hyjnor: “Ikre’ – Lexo!”. Kjo është thirrja e parë që iu drejtua njerëzimit përmes të Dërguarit a.s.: të lexojmë, të mendojmë, të kuptojmë dhe të kërkojmë dije.

Allahu xh.sh. thotë:
“Thauj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” (Ez-Zumer, 9).
Dhe gjithashtu: “O Zoti im, ma shto dijen!” (Taha, 114).

Këto ajete na tregojnë se dija është një dhuratë e madhe dhe një përgjegjësi e madhe. Njeriu mund të besojë edhe pa dije, por vetëm me dije e kupton përmasën dhe thellësinë e besimit, kupton namazin, agjërimin, zekatin, haxhin, jetën dhe kupton edhe sprovat e jetës.

Të dashur besimtarë!

Libri është për mendjen tonë si dritarja për shtëpinë. Ashtu si dritarja sjell dritë dhe ajër të freskët, libri sjell ndriçim për mendjen dhe hap horizonte të reja. Një shoqëri që lexon është shoqëri që përparon, ndërsa një shoqëri që largohet nga libri bie në padije dhe stagnim.

Është thënë se “për ta shkatërruar një kulturë, nuk ke nevojë t’i djegësh librat. Mjafton t’i bësh njerëzit të ndalojnë se lexuari.” (Ray Bradbury).

Shkrimtari me famë botërore, Umberto Eco, thotë: “Kush nuk lexon, në moshën 70-vjeçare ka jetuar vetëm një jetë; kurse kush lexon ka jetuar mijëra jetë.”

Dikush tjetër kishte shkuar aq larg sa që kishte menduar se edhe Xhenneti është një bibliotekë me libra!

Fatkeqësisht, sot shumë prej nesh e kanë lënë pas dore leximin. Shpesh themi “nuk kemi kohë”, por koha harxhohet në gjëra më pak të dobishme. Ndërkohë, kërkimi i dijes është obligim për çdo musliman dhe muslimane.

Pejgmaberi a.s. në hadith thotë: “Kërkimi i dijes është obligim për çdo musliman.” (Ibn Maxhe)

Sahabiu i njohur Muadh ibn Xhebel r.a. ka thënë se kërkimi i dijes është adhurim, ndërsa mësimi i saj është sadaka. Me dije Allahu i ngre njerëzit në shkallë të larta dhe i bën udhërrëfyes për të tjerët.

Të nderuar xhemat!

Le ta rikthejmë librin në jetën tonë dhe në familjet tona. Le të lexojmë çdo ditë, qoftë edhe pak. Le të lexojmë nga Kur’ani, nga hadihet e Pejgamberit a.s., nga aforizmat e Sami Frashërit dhe nga letërisia e bukur shqiptare. Le t’i edukojmë fëmijët tanë me dashurinë për librin duke qenë vetë shembull për ta. Shtëpitë tona të mos jenë vetëm vende pushimi, por vende ku lexohet, mësohet dhe përmendet Allahu.

Në përfundim, le ta kujtojmë se dija është dritë dhe fuqi, ndërsa padija është errësirë dhe dobësi. Le të jemi prej atyre që kërkojnë dije dhe e zbatojnë atë në jetën e tyre.

Lusim Allahun xh.sh. që të na shtojë dijen e dobishme, të na bëjë prej atyre që lexojnë, mësojnë dhe veprojnë sipas saj. Amin.

24.04.2026, e premte

(Hfz. Mehas Alija, Hutbe e mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St.Gallen)