Të Fundit
Vlerat e leximit të Kuranit

Vlerat e leximit të Kuranit

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Salavati dhe selami qofshin mbi pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe të gjithë pasuesit e tij.

Vëllezër të respektuar!

Edhe pse netët e gjata të dimrit kanë kaluar dhe tash dita është zgjatur, ne akoma kemi mundësi të shoqërohemi me Kuranin. Sidomos tash, kur jemi në këtë gjendje të izolimit, këtë kohë mund ta shfrytëzojmë edhe për përfitim shpirtëror.

Natyrisht, shejtanit të mallkuar kjo nuk i pëlqen, prandaj ai gjithmonë na vendos detyra të reja, kështu që në vend të Kuranit, në dorë na vendos gjëra të tjera, si televizorin, në të cilin ka me mijëra kanale të ndryshme, ose telefonin, në të cilin ka me mijëra faqe të ndryshme, dhe kryesisht informacione të panevojshme. Prandaj, ne duhet të mbledhim forcë që ta fikim televizorin, ta vendosim mënjanë telefonin tonë, dhe pastaj, ta heqim pluhurin nga mushafi dhe ta hapim.

Që të arrij ta bëjë këtë, njeriu modern, i cili është mësuar vetëm me kënaqësi dhe përfitim, ai së pari duhet ta kuptojë se pse duhet të lexohet Kurani, dhe të mësojë se çfarë kënaqësie dhe përfitimi ka prej tij. Zakonisht, njeriu në fillim heq dorë (dorëzohet) – pse duhet ta lexojë Kuranin kur ai nuk e kupton atë? Ose pse ta lexojë përkthimin e Kuranit, nëse atë sevap nuk mund t’ua dhurojë të vdekurve të tij? Dhe gjëra të ngjashme.

Prandaj, xhemat të dashur, detyra ime sot është që ta kujtojmë rëndësinë dhe vlerën e leximit të Kuranit, me qëllim që të njihemi me Kuranin, në mënyrë që ai një ditë, dhe sa më shpejt aq më mirë, të bëhet mik i ynë i vërtetë.

Për ta dashur Kuranin dhe për tu miqësuar me të, çështja e parë e rëndësishme të cilën duhet ta kuptojmë është se, Kurani është fjalim i Allahut, i cili ka rrjedhë nga Goja e Tij fisnike, të cilin shumë kohë më parë, e ka regjistruar Pena e Tij Fisnike në Pllakën e Ruajtur (Levhi Mahfudh), ku më pas përmes melekut fisnik Xhibrilit, në pjesë, i është shpallë pejgamberit fisnik Muhamedit (savs), kurse pastaj, përmes gojës së tij fisnike dhe regjistruesve dhe hafëzëve fisnikë, na është sjellë neve në pëllëmbë të dorës, si dhuratë nga Zoti, edhe në formë verbale edhe të shkruar.

Çështja e dytë e rëndësishme, të cilën duhet ta kuptojmë, është se Kurani është mik me atë që shoqërohet me të, dhe atë MIK I VËRTETË, pra, ai që kurrë nuk e tradhton, dhe i vjen në ndihmë atëherë kur të jetë e nevojshme. Nuk ka dyshim, se leximi i Kuranit sjell bereqet në shtëpinë tonë, me çka automatikisht e rrit pagën tonë; sjell dritë në zemrat dhe shtëpitë tona, me çka i zmbraps shejtanët dhe sjell paqe në atmosferën familjare; sjell pranverë në trupin tonë, me çka e qetëson dhe shëron shpirtin dhe trupin tonë; dhe sjell udhëzime në jetën tonë, e cila dita-ditës po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe më komplekse.

Mirëpo, vlera e tij do të shihet dhe ndjehet veçanërisht në Ditën e Gjykimit. “Në Ditën kur njeriu ikën nga vëllai i tij – dhe nga nëna e babai i tij – dhe nga bashkëshortja e fëmijët e tij.” (Abese, 34-36)

Kur njeriu do të dalë para Allahut të dashur, dhe pas tij do të shkojnë dëshmitarët: melekët, të cilët i kanë shkruar veprat e tij, shejtani i tij, i cili do të justifikohet se nuk është fajtor për mëkatet e njeriut, si dhe Kurani në formën e njeriut, nëse njeriu e lexon në dynja, i cili do të bëjë shefat dhe do t’i lutet Allahut për faljen e mëkateve të njeriut, derisa të përfundojë gjyqi për veprat e tij.

Çështja e tretë e rëndësishme, të cilën duhet ta kuptojmë është se, edhepse kërkohet shumë përpjekje fillestare, mësimi i leximit të Kuranit nuk është aspak i vështirë. Krejt ajo që kërkohet, është që të shoqërohemi rregullisht, çdo ditë me Kuranin. Natyrisht, është e rëndësishme të lexohet edhe përkthimi i Kuranit, sepse mesazhet e tij janë më të rëndësishme për ne se çdo gjë tjetër, por edhe vetë leximi i tij llogaritet në vepra të mira, por, gjithsesi është shumë e rëndësishme që ta lexojmë Kuranin në origjinal në gjuhën arabe, pasiqë në këtë mënyrë do t’i fitojmë nga 10 sevape për secilin harf (shkronjë) të lexuar. Për shembull, vetëm për Bismilahin e lexuar, i cili ka 19 harfe, do të fitojmë 190 sevape.

Dhe derisa të mësojmë ta lexojmë Kuranin në origjinal, ne mund t’i lexojmë, të paktën, suret e shkurtra të cilat i kemi mësuar përmendsh, pavarësisht që ato i kemi mësuar me shkronja shqipe. Shumica e shkronjave arabe janë të njëjta ose të ngjashme me shkronjat tona, dhe nuk ka asnjë dyshim se, për leximin e tyre do të marrim shpërblim nga Allahu i Plotfuqishëm. Veçanërisht duhet tu kushtohet vëmendje sureve vijuese: Surja ez-Zilzal, e cila ka vlerë sa gjysma e Kuranit, pastaj suret el-Kafirun dhe en-Nasr, të cilat kanë vlerë sa çereku i Kuranit, si dhe surja el-Ihlas, e cila ka vlerë sa një e treta e Kuranit.

Vëllezër të dashur! Le ta bashkojmë të këndshmen me të dobishmen!

I lutemi Allahut të Gjithëmëshirshëm, që të na e bëjë Kuranin shoqërues në këtë botë, bashkëbisedues në varr, shefatxhi në Ditën e Gjykimit, mburojë kundër zjarrit të xhehenemit dhe shok në xhenet. Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)