Të Fundit
Përgatitjet për haxh: këshilla për haxhinjtë

Përgatitjet për haxh: këshilla për haxhinjtë

Në fund të këtij muaji dhe fillimit të shtatorit rrugës për në Meke do të nisen haxhinjtë tanë. Ky është udhëtimi më i dashur dhe më i rëndësishëm për çdo musliman. Për këtë udhëtim përgatiten dhe ëndërrojnë me vite. Disa kanë fat që disa herë ta vizitojnë Qabenë, ndërsa disa shkojnë në Botën tjetër me këtë dëshirë.

Me përvojën dhe modestinë time dëshiroj që haxhinjve tanë të dashur t’u jap disa këshilla. Veçanërisht dëshiroj të përmend disa mesazhe të fshehta të haxhit që na i mëson imami madh Ebu Hamid El-Gazali, Zoti e mëshiroftë, i cili ka thënë se asgjë nuk e përkujton vdekjen ashtu siç e përkujton udhëtimi i haxhit.

Është e ditur se haxhin e kanë obligim ata muslimanë që kanë mundësi materiale për këtë udhëtim të bekuar. Gjëja kryesore është që pasuria me të cilën udhëtohet për në haxh duhet të jetë pasuri e fituar hallall, në të kundërtën njeriu vë në pikëpyetje vlefshmërinë e haxhit të tij. Kur haxhiu me telbijen thërret Zotin e tij duke thënë LebejkAllahume – të përgjigjem ty o Zot”, dhe nëse njeriu në haxh ka shkuar me pasuri haram, mund të marr përgjigjen e Allahut: “Nuk je përgjigjur ti, robi Im!

Kur njeriu të paraqes udhëtimin e tij për në haxh, ndërsa njerëzit fillojnë ta vizitojnë për të marrë hallallëkun dhe të ndajnë gëzimin me të për këtë udhëtim të largët, haxhiu duhet të jetë i zënë me falënderime ndaj Allahut të Madhërishëm për begatinë e jetës, shëndetit dhe pasurisë që i është dhënë. Sepse ai është nga të rrallët që i është mundësuar vizita e Qabesë.
Kur të vijë koha të përshëndetet me familjen, fqinjët dhe miqtë, dhe kur ata të fillojnë të qajnë për ndarjen e tij gjatë këtij udhëtimi, le t’i shkoj mendja tek çasti kur të vdekurin e marrin nga shtëpia e tij dhe fillojnë të qajnë për të.

Kur të ulet në mjetin transportues, le t’i shkoj mendja tek mjeti i ahiretit – tabuti, me të cilën do të udhëtoj për në shtëpinë e ahiretit. Gjatë udhëtimit për në haxh duhet ta përmend shumë Allahun, të bëj dua, të lexoj Kuran dhe të dërgoj salavate ndaj Pejgamberit a.s. dhe le të largohet nga fjalët e kota. Gjithmonë duhet të jetë në ndihmë të bashkudhëtarëve të tij dhe të jetë i durueshëm për veprimet e tyre të pamatura. Haxhiu duhet të ruhet nga gjunahet dhe të jetë i devotshëm sepse ky është furnizimi më i mirë për haxh. Nëse vërtetë është nisur të jetë mysafir i Allahut, nuk i ngjanë të bëj gjunahe.

Kur të arrij në Mikat – vendi ku hiqen rrobat e dunjasë dhe vishen rrobat e haxhit – Ihramet, në vendin kur para se të vishen me ihrame, haxhinjtë pastrohen, le të mendoj kur të vdekurit i hiqen rrobat e dunjasë dhe e pastrojnë, pastaj i veshin rrobën e ahiretit. Kur t’i vesh ihramet që përbëhen nga dy çarçafë sikur janë edhe qefinët, duhet të rruhet edhe më shumë nga gjunahet, të thotë sa më shumë telbijen dhe tekbiret, kështu e falënderon dhe madhëron Allahun i Cili ia mundësoi këtë udhëtim.

Kur të hyjë në haremin e Qabesë, le të hyjë nga dera “Selam” duke lutur Allahun që ta fus në xhenet me selamin. Kur ta shoh Qabenë, shtëpinë e Allahut, le të mendoj momentin e shikimit të Allahut në Ditën e Gjykimit. Kur ta bëj tavafin rreth Qabesë t’i shkojë në mend se gjendet në vendin më të zgjedhur dhe më të dashur për Allahun. Gjithashtu të mendoj se në atë vend ku ai është dhe bën tavaf, janë përqendruar numri më i madh i evlijave të Allahut. Le të mendoj për atë se ai është nga ata fatlumë ku ec në vendet ku kanë ecur të Dërguarit e Allahut dhe mes tyre edhe i Dërguari ynë Muhamedi a.s.

Derisa bën tavafin rreth Qabesë së tokës, ta dijë se në ato momente 70 mijë melek që asnjëherë nuk vijnë përsëri në rend, bëjnë tavaf rreth Qabesë së qiellit – Bejtul Ma’mur.
Kur të afrohet Haxherul Esvedit – gurit të zi, le të turpërohet për gjunahet e tij dhe lë të kujtoj fjalët e Alejhiselamit i cili ka thënë se ai gurë ka ardhur nga xheneti dhe ka qenë i bardhë si qumështi, por me prekjen e duarve gjunahqare dhe puthjes nga buzët mëkatare është nxirë.

Kur ta bëj s’ajin – ecjen e shpejtë mes kodrave Saffa dhe Merva, le të kujtoj hazreti Haxheren dhe vështirësitë e saja si dhe vështirësitë me të cilat njerëzit do të përballen në Ditën e Gjykimit. Kur atë arrij në Arafat – kodrën e mëshirës së Allahut, gjuha e haxhiut duhet të jetë e zënë më dhikr dhe kërkim falje. Le të kërkoj falje për veten familjen, farefisin, miqtë dhe gjithë ummetin.

Qëndrimi në Arafat duhet t’ia përkujtoj qëndrimin në Ditën e Gjykimit, ndërsa afrimi në grupe i haxhinjve me imamët e tyre, le t’ia përkujtoj imamët me të cilët do të ringjallet dhe do të dalën para të Madhërishmit. Kur të vij në Muzdelife le ta falënderoj Allahun që e udhëzoi në Rrugën e Islamit dhe që ia mundësoi të kthehet në shtëpi i pastruar nga mëkatet ashtu siç e lindi nëna.

Ardhja në Mine dhe gjuajtja e shejtanit, le t’ia përkujtoj vendosmërinë e Ibrahimit dhe Ismailit në kryerjen e amanetit dhënë Zotit. Ashtu siç këto dy Pejgamber pamundësuan ndikimin e shejtanit, edhe haxhiu në atë vend të betohet se në të ardhmen do ta dëgjoj Allahun dhe do të injoroj shejtanin e mallkuar.

Lus Zotin të ndihmoj çdo haxhi që me zemër të sinqertë dëshiron të arrij mirësitë e haxhit dhe faljen e Allahut të Madhërishëm.

Burimi: Preporod.com

Përktheu: A. D. Islampress