Të Fundit
Në prag të Ramazanit: Mos hezito, pendohu!

Në prag të Ramazanit: Mos hezito, pendohu!

Jemi në prag të muajit të madhërishëm të Ramazanit. Në prag të muajit të mëshirës dhe faljës së Allahut xh.sh. por edhe përkundër kësaj shpesh gjejmë njerëz që hezitojnë të pendohen duke menduar se Allahu xh.sh ndoshta nuk do të ia pranojë pendimin për shkak të mëkateve të shumta dhe të mëdha që ka bërë.
Një hezitim i tillë vije si pasojë e mosnjohjës së mirëfilltë ndaj Allahut xh.sh dhe mosnjohjes së cilësive dhe emrave të Tij të bukur apo mund të jetë edhe si pasojë e dobësimit të bindjes në Allahun xh.sh dhe si rezultat i kësaj cytja e djallit është më e lehtë.

E ndërsa realiteti është tërësishtë ndryshe.

Mëshira e Allahut xh.sh është shumë më e madhe sesa mëkatet tona, gjerësia e saj është më e madhe se gjerësia e qiejve dhe tokës. E që realishtë të flasësh për mëshirën e Allahut xh.sh nuk do të mjaftonte edhe sikur toka të shëndrrohej në fletë, ujrat në ngjyrë dhe drunjët në lapsa me qindra e mija herë por do të mundohemi që sado pak të cekim nga kjo në mënyrë që të inkurajojmë dhe të nxisim sado pak njerëzit që të shfrytëzojnë këtë muaj dhe të pendohen me një pendim të sinqertë tek Allahu xh.sh

Allahu xh.sh është më i mëshirshëm për njerëzit se nëna për foshnjen e saj, e që një gjë të tillë shumë qartë na e sqaron vetë Profeti s.a.v.s, që ishtë më i njohuri ndaj Allahut xh.sh se mbarë njerëzia, andaj në një transmetim që e transmeton Omeri r.a tregohet se si derisa ata ishin një ditë duke ndenjur me Profetin s.a.v.s e panë një grua që po e përqafonte me dashuri birin e saj. E ndërsa Profeti s.a.v.s i pyeti shokët e tij nëse mund të imagjinohej se ajo grua do të mund ta hidhte birin e saj në zjarrë? Pa dyshim se përgjigja e tyre ishte e qartë. Nuk mund të imagjinohej se një nënë, pas tërë asaj dashurie, mund ta hidhte birin e saj në zjarrë. E ndërsa Profeti s.a.v.s u tha “Me të vërtetë Allahu xh.sh është më i mëshirshëm ndaj robërve të Tij sesa mëshira e kësaj nëne ndaj fëmijës së saj”[1]. Po ashtu në një transmetim tjetër tregohet se Allahu xh.sh e ka ndarë mëshirën e Tij në njëqind pjesë, një prej tyre e ka zbritur në tokë ndërsa nëntëdhjetë e nëntë i ka ndalur pranë Tij. Me atë pjesë që ka zbritur në tokë, edhe pse është vetëm një nga njëqind, shohim se si njerëzit kanë mirësjellje ndërmjet veti, kanë mëshirë ndërmjet veti, kanë mirësjellje ndaj kafshëve, e po ashtu shohim se si edhe kafshët e egra kanë mëshirë ndaj të vegjëlve të tyre. Ndërsa me pjesët tjera të mëshirës Allahut xh.sh do ti fal njerëzit në ditën e Gjykimit, do ti mëshirojë ata për ti përgatitur për xhenet [2].

E po ashtu kemi edhe shumë citate në Kuran që na e dëshmojnë mëshirën e Allahut xh.sh dhe gjerësinë e saj e që prej tyre do të mund të ceknim “Mëshira Ime ka përfshirë çdo gjë…”[3].

Por ja që besimtarët edhe përkundër tërë kësaj përsëri bien pre e kurthave dhe cytjeve të djallit dhe hezitojnë të pendohen edhe pse jemi në prag të një muaji prej muajve të mëshirës së Allahut xh.sh. E që realishtë të hezituarit dhe humbja e shpresës nga mëshira e Allahut xh.sh është një rrëzik mjaftë i madhë ngase një gjë të tillë na e përshkruan vetë Allahu xh.sh kur thotë “Me të vërtetë nuk e humb shpresën nga mëshira e Allahut vetëm se populli jobesimtarë”[4].

Ata që realishtë nuk kanë besim në vetën e tyre që të pendohen duke u munduar që këtë ta justifikojnë me mos pranimin e pendimit të tyre nga ana e Allahut xh.sh janë në dy grupe:

1- Njeriu që i sheh mëkatet e tyre më të mëdha sesa mëshira e Allahut xh.sh.

Pra, këta njerëz i shohin mëkatet e tyre më të mëdha dhe më të rrëzikshme për tu falur sesa vetë mëshira e Allahut xh.sh e që realishtë këta njerëz e kanë mbështetur këtë pretendim në mendjen e tyre të cekët dhe logjikën e tyre të vobekët duke mos u përpjekur që të e kuptojnë realitetin e gjerësisë së mëshirës së Allahut xh.sh.

2- Hasja në njerëz pesimsitë

Grupi i dytë i njerëzve është grupi i atyre që kanë hasur në njerëz pesimistë, por që fatkeqësishtë janë prej besimtarëve dhe ndoshta edhe prej thirrësve në Islam, që mendojnë se me veprat e tyre kanë arritur deri në atë masë sa të fitojnë të drejtën të gjykojnë mbi veprat e të tjerëve andaj këta bëhen shkaktarë që tek të tjerët të e humbin shpresën e faljes dhe mbështetjen në mëshirën e Allahut xh.sh duke e vështirësuar çështjen e pendimit.

Por njeriu duhet që të ketë të qartë se vetë ekzistenca e tij në këtë tokë, të ushqyerit e tij prej saj dhe të lehtësuarit e çdo gjëje që është rreth tij për ti shërbyer atij, edhe përkundër mëkateve të tij dhe veprimeve jo-korrekte të tij, janë argumente dhe fakte të gjalla për mëshirën e Allahut xh.sh ndaj tij. E a thua si do të jetë kjo mëshirë kur ai të jetë penduar dhe të i jetë kthyer me sinqeritet dhe besim të plotë Krijuesit e tij. Me siguri kjo ngason me gëzimin e udhëtarit që në mes të shkretëtirës e humb kafshën e tij me tërë ushqimin e tij dhe pasi që e humb shpresën për të mbijetuar ai papritmas gjenë kafshën e tij dhe tërë ushqimin e tij. E pa dyshim se Allahut xh.sh i takon shembulli më i lartë.
E ndërsa Allahu xh.sh në një citat thotë “Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime vetën tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut se Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është falësi dhe mëshiruesi”[5].

Allahu xh.sh na e mundësoftë që të e arrijmë këtë muaj të mëshirës dhe faljes nga ana e Allahut xh.sh me shëndet dhe mirësi të plotë, Allahu xh.sh na e mundësoftë që të ia japim hakun muajit të Ramazanit ashtu siç e meriton dhe na e mundësoftë që të pendohemi me një pendim të sinqertë dhe të kthehemi tek Allahu xh.sh me vëndosmeri dhe bindje të plotë.

Autor: Artan Musliu
_____________________________________________________

[1] Transmeton Imam Buhariu, 5653, dhe Imam Muslimi, 6912.

[2] Transmeton Imam Muslimi, nga Ebu Hurejre r.a, 6908.

[3] Kaptina El-Araf, 156.

[4] Kaptina Jusuf, 87.

[5] Kaptina Ez-Zumer, 53.