Të Fundit
Faleminderit Sulejmanit (a.s.

Faleminderit Sulejmanit (a.s.

– Faleminderit Sulejmanit (a.s.)! Nga tregimi tij kam mësuar që të mos bëhem kryeneç e të mburrem me arritjet e mia si të isha unë krijuesi i tyre, por çdo begati dhe mirësi t’ia atribuoj Allahut të Plotfuqishëm, ashtu siç bëri Sulejmani (a.s.), kur tha:  “O njerëz, na është mësuar neve të folurit e shpendëve (kuptimi i zërave të tyre).” (en-Neml, 16).

Sulejmani (a.s.) këtë begati dhe cilësi nuk ia atribuoi vetes dhe mendjes vet, as atij që ia solli fronin e mbretëreshës Belkise sa çel e mbyll sytë, por ai tha: “Kjo është nga dhuntitë e Zotit tim, për të më provuar mua se – a jam mirënjohës apo mohues (i dhuntisë).” (en-Neml, 40)

– Faleminderit Sulejmanit (a.s.)! Nga tregimi tij mësova se duhet të jem i përulur dhe për asnjë moment nuk duhet ta harroj se jam nga dheu dhe përsëri do të kthehem në dhe. Edhe pse Suleimani (a.s.), posedonte toka dhe pushtet nga mashriku deri në magrib, ai ishte i përulur, andaj dhe e ndaloi ushtrinë e tij të madhe për t’i dëgjuar fjalët e milingonës së vogël.

– Faleminderit Sulejmanit (a.s.)! Nga tregimi tij mësova se duhet t’i kërkoj arsyetimet e njerëzve, sepse çdokush mund të gabojë, por jo të gjithë që kanë gabuar dhe më kanë lënduar këtë edhe e kanë synuar. Sulejmani (a.s.), u ndal me ushtrinë e tij për t’i dëgjuar fjalët e bubrrecit dhe prej tij ta mësojë leksionin e kërkimit të arsyetimit të njerëzve në rast të gabimeve të tyre ndaj nesh. Sa të urta dhe udhëzuese janë fjalët e bubrrecit të vogël, të cilat ua drejtoi bubrrecave të tjerë: “O ju buburreca, hyni në vendet tuaja që të mos u shkeli Sulejmani dhe ushtria e tij duke mos ju vërejtur”. (En- Neml, 18 )

– Faleminderit Sulejmanit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se përgjegjësia (funksioni me përgjegjësi) është obligim, dhe jo nder, dhe se njeriu fisnik është i vetëdijshëm se, sa herë që i rritet përgjegjësia apo funksioni, i rriten edhe obligimet e tij. Sulejmani (a.s.), bëri rivistën e ushtrisë së tij, e cila përbëhej nga: xhinët, njerëzit dhe kafshët. Përkundër kësaj, ai arriti ta vërejë se në detin e gjithë asaj ushtrie po i mungonte pupëza (zogu), dhe pyeti: “Pse nuk e shoh pupëzën këtu, a nuk është e pranishme ajo?”

– Faleminderit Sulejmanit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se unë nuk duhet ta përplas derën para atij që mungon, sepse mund të ketë justifikim. Sulejmani (a.s.), e la mundësinë e justifikimit dhe arsyetimit të pupëzës (hud’hudi), kur tha: “Nëse nuk më sjell arsyetim të bindshëm, do ta dënoj atë me dënim të rëndë ose do ta pres!”, por kur pupëza u kthye, erdhi me arsyetimin në formën e lajmit të besueshëm, të cilin Sulejmani (a.s.) e pranoi.

– Faleminderit Sulejmanit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se jam njeri, pavarësisht shkallës së njohurive të tij dhe misionit pejgamberik, ai e dinte vetëm atë që ia mësoi Allahu. Përkundër pushtetit të madh, fuqisë dhe diturisë, Sulejmani (a.s.), nuk e dinte atë që e dinte zogu Hud’hud. Prandaj, besimtarët duhet të jenë të përulur, sepse ndoshta ajo që ne nuk dimë është shumë më tepër se ajo që dimë.

– Faleminderit Sulejmanit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se nuk duhet të bëhem naiv e të bie në emocione, si dhe besoj se çdo gjë që dëgjoj deri sa ta verifikoj vërtetësinë e informacionit që kam dëgjuar. Kur zogu hud’hud (pupëza) solli lajmin për mbretëreshën e Sabes, Sulejmani (a.s.) tha: “Do të shohim nëse e thua të vërtetën apo jo!” Njeriu i mençur i verifikon faktet dhe nuk tërheq lëvizje pa prova, si dhe pikëpamjet e tij nuk i bazon në dyshime dhe supozime.

– Faleminderit Sulejmanit (a.s.)! Nga historia e tij e mësova parimin dhe kulturën e këshillimit. Sundimtar i drejt është ai që e dëgjon zërin e popullit të tij, kurse shtypës është ai që e dëgjon vetëm zërin e vet dhe punon vetëm me mendimin e vet. Sa i mrekullueshëm është veprimi i mbretëreshës Belkisa, e cila, pasi mori një letër nga Sulejmani (a.s.), i mblodhi parinë dhe njerëzit e shquar të popullit të saj, me mijëra vjet para ardhjes së demokracisë, dhe u tha atyre: “O pari, më këshilloni se çka duhet të bëjë në këtë çështje time! Unë nuk do të vendos asgjë pa ju!” (en-Neml, 32)

– Faleminderit Sulejmanit (a.s.)! Nga historia e tij e mësova se një njeriu parimor nuk mund të blihet ose të korruptohet, pa marrë parasysh se a është i pasur apo i varfër. Sulejmani (a.s.), me neveri e mohoi përpjekjen e korruptimit me dhurata të mbretëreshës, duke thënë: “A mos doni ju të më ndihmoni me pasuri? Atë që ma ka dhënë Allahu mua, është më e mirë nga ajo që u ka dhënë juve. Por, ju, gëzoheni me dhuratën tuaj.” (en-Neml, 36)          

Edhem Sherkavi; saff.ba

Përkthim: Miftar Ajdini