Të Fundit
Bixhozi modern, Bastoret

Bixhozi modern, Bastoret

Pyetje: A bën të luajmë në Bastore sportive, dhe çka parasheh Islami në lidhje me Bixhozin, lojrat e fatit, etj.

Përgjigje:Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve kurse salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut Muhamedin, vulën e Pejgamberëve, zotërinë e gjithë të Dërguarve mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij në përgjithësi.
Duke marrë shkas nga “epidemia e bastoreve” që po mbizotëron në trojet tona dhe nga pasojat e rënda që janë përhapur nga ky krim i organizuar në shoqërinë tonë e pamë të rrugës që ta informojmë shoqërinë tone mbi këtë dukuri shkatërruese se çfarë dispozite fetare ka ajo.
Definicioni i bixhozit:
Nuk vihet në diskutim se luajtja e basteve në çfarë do lloj forme të saj hyn në bixhozin e ndaluar fetarisht prandaj sa i përket definimit të bixhozit ai përshkruhet në këtë mënyrë:
Bixhoz është çdo lloj loje që bëhet me pasuri mes dy palëve, ku fituesi merr pasuri nga humbësi.

1 – Dispozita mbi bixhozin:
Thotë Allahu në Kuran: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar”. (Maide:90)
Si vepra të dëmshme dhe të ndaluara nga Allahu përveç alkoolit dhe hedhjes së shigjetës për falle është e ndaluar dhe bixhozi. Bixhozi është ndër veprat më të dëmshme dhe shumë të rrezikshme të cilën islami rreptësishtë e ndalon.

2 – Paralajmërim për ata që e përhapin këtë “biznes”
Bixhozi është njëra nga zullumet më të mëdha dhe padrejtësi shumë e madhe. Ngrënia e pasurisë së huaj në këtë mënyrë është një e vepër shumë e shëmtuar e cila është e gjykuar për shkatërrim. Prandaj atyre që janë promotorët e kësaj të keqeje i paralajmërojmë me këtë ajet: “Dhe mos e hani pasurin e njëri tjetrit në mënyrë të pandershme” (Bekare:188)
Nëpërmjet bixhozit ai që fiton i bën zullum padrejtësi atij që humbë, e hanë pasurin e tij në mënyrë të padrejtë.

3 – Paralajmërim për viktimat e këtij mëkati të përhapur
Kurse viktimat e bastoreve, përfundimin e tyre dhe pasojat e kësaj dukurie, ua qartësojmë me këto fjalë të Allahut: “Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?” (Maide:91)
1 – Transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: ”Kush nga ju betohet në Latin dhe Uzanë e thotë pasha Latin e Uzanë, le të thotë La ilahe il-lAllah. Kush i thotë shokut të vet eja të luajmë bixhoz, le të japë lëmoshë.”(Mutefekun alejhi) Imam Neveviu thotë: “Dijetarët kanë thënë: Ka urdhëruar për dhënien e lëmoshës si shpagim për mëkatin që ka shprehur gjatë të folurit të tij.
2 – Transmetohet nga Sulejman ibën Burejde nga babai i tij, se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: ”Kush luan me zar është si të fusë dorën e tij në mishin e derrit dhe në gjakun e tij.”(Transmeton Muslimi)
3 – Transmetohet nga Ebu Musa el Esh’ariu radijallahu anhu të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: ”Kush luan lojën me zar, vetëm se e ka kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” (Transmeton Ibn Maxhe) Dijetarët kanë rënë në ujdi se bixhozi me të gjitha llojet e tij është i ndaluar për shkak të rrezikut të tij.

4 – Dëmet e bixhozit
Dëmet e bixhozit mund t’i ndajmë në dëme individuale dhe dëme shoqërore.
A – Disa nga dëmet e bixhozit ndaj individit janë:
a) Dëmet e bixhozit në mendjen dhe jetën e kumarxhiut
Islami është kujdesur për shëndetin dhe trupin e njeriut me një kujdes të veçantë dhe nga ky aspekt vjen edhe ndalimi i bixhozit, pasi ai është nga shkaqet e shkatërrimit të njeriut dhe humbjes së mendjes. Studimet e mëvonshme dhe më të përsosura që janë realizuar mbi kumarxhi tregojnë se tek ata që e ushtrojnë bixhozin në mënyrë të vazhdueshme, ai ndikon në bilancin kimik në tru. Këtë e ka vërtetuar Piter Kaltun, profesor i psikiatrisë në Universitetin e Nju Xhersit në Amerikë, i cili bëri prova në shumë prej atyre që luanin bixhozin në vazhdimësi.
b) Ndikimi i bixhozit në fenë e kumarxhiut
Pamë se bixhozi ndikon negativisht në mendjen dhe jetën e njeriut, duke qenë njëkohësisht edhe një mjet për shkatërrimin e fesë së njeriut. Allahu në Kur’an ka përmendur nga të këqijat e bixhozit se ai njeriun e largon nga përmendja e Allahut dhe nga namazi, sepse kumarxhiu është i zënë me bixhozin dhe zemra e tij nuk është e lirë që të përmend Allahun.
c) Ndikimi i bixhozit në pasurinë e kumarxhiut
Ruajtja e pasurisë është nga gjërat e domosdoshme dhe kjo është arsyeja përse sheriati islam nxit në ruajtjen e saj dhe njëkohësisht e ka renditur armiqësinë ndaj saj së bashku me armiqësinë ndaj fesë, shpirtit dhe nderit. I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në hutben e lamtumirës ka thënë: ”Me te vërtetë pasuria juaj, gjaku juaj dhe nderi juaj është i ndaluar siç është e ndaluar kjo ditë në këtë muaj, në këtë vend.” (Mutefekun alejhi)
Duke qenë se Islami e ka krahasuar pasurinë me gjakun dhe nderin, atëherë nuk lejohet në asnjë mënyrë marrja e saj nga pronari, përveçse me mënyrë të ligjshme apo me vetë dëshirë, ndërsa marrja e saj përmes bixhozit konsiderohet ngrënie e pasurisë së tjetrit pa të drejtë dhe është e ndaluar me Kur’an, siç thotë Allahu: “O besimtarë, mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm.”(Nisa:29)
d) Rreziku i bixhozit në humbjen e kohës
Koha ka një rëndësi të veçantë në jetën e bashkësive njerëzore dhe në veçanti në jetën e muslimanit, sepse koha është vetë jeta e njeriut. Sheriati islam e vërteton rëndësinë e kohës dhe tregon përgjegjësinë që do të ketë njeriu për të në Ditën e Gjykimit. Islami urdhëron për shfrytëzimin e kohës në vepra të dobishme dhe ndalon nga humbja e saj në punë të kota dhe të padobishme. Kumarxhinjtë humbin kohën dhe jetën e tyre në vendet e bixhozit duke qëndruar me orë të tëra mbi tavolinën e bixhozit duke lënë kështu pas dore obligimet fetare ndaj Zotit të tyre dhe të drejtat e familjes dhe të fëmijëve të tyre.

B – Dëmet shoqërore të bixhozit mund të themi se janë këto:
a) Futja e armiqësisë dhe urrejtjes mes atyre që luajnë dhe kalimi i kësaj armiqësie në shoqëri Allahu në Kur’an e ka theksuar këtë çështje shumë qartë. Allahu thotë: ”Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje…”
b) Përhapja e krimeve të ndryshme në shoqëri
Nëse krimi i bixhozit përhapet në shoqëri, patjetër do të përhapen edhe krime të tjera për një arsye shumë të thjeshtë: kur kumarxhiu humb pasurinë e vet, atij i shtohet dëshira për ta rikthyer pasurinë e tij në dorë. Por kur e humb tërë pasurinë që ka, atëherë ai sheh si rrugë pasurimi krimet e tjera si vjedhja, vrasja, kamata, terrorizimi i njerëzve, prostitucioni etj. Kjo është arsyeja që vendet e Evropës ankohen shumë nga krimet e kumarxhinjve.
c) Shkatërrimi i edukimit dhe lindja e përtacisë
Bixhozi i bën njerëzit të mos punojnë, por të presin risk nga bixhozi, duke lënë kështu anash metodat dhe rrugët e përfitimit të pasurisë me ndershmëri dhe djersë.
d) Shkatërrimi i shtëpive plot gjallëri
Kjo ndodh kur kujdestari i familjes luan bixhoz dhe humb pasurinë. Sa familje që kanë jetuar në rehati e bollëk brenda një nate janë shndërruar në familje të mjera dhe të varura për shkak të kumarit?!

5 – Hadithi i pesë dënimeve…
Kurse në fund do të mjaftohemi me hadithin e Ibn Omeri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në të cilin tregohen pasojat e mëkateve motra të kumarit, prej të cilave kumari nuk është aspak larg, që do të thotë se secili dënim mund të vlej pa dyshim se edhe për kumarin…
Transmeton Ibn Maxhe se I Dërguari i Allahut- paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të ka thënë: ’’O muhaxhir! Bëni kujdes nga pesë gjëra: Nëse sprovoheni me to ose gjenden në mesin e tuaj, i kërkoj Allahut të mos i arrini:
– Nëse imoraliteti përhapet në një shoqëri dhe nuk ekziston ndjenja e turpit për përhapjen e tij dhe përmendjen e tij (njerëzit flasin rreth tij sikur asgjë e keqe të mos kishte ndodhur) mes tyre do të shfaqen sëmundje që nuk kanë ekzistuar tek paraardhësit e tyre.
– Nëse masin mangët ata do t’i përfshijë varfëria, rezervat do t’u pakësohen dhe udhëheqësi i tyre do të jetë një zullumqar.
– Nëse nuk e paguajnë zekatin e detyruar mbi pronën e tyre, do t’u ndalohen reshjet nga qielli dhe po të mos ishin shtazët nuk do të binte shi.
– Nëse ata deklarojnë shkëputjen e lidhjeve të tyre me Allahun dhe të Dërguarin e Tij, do të udhëhiqen nga një armik që do të jetë i huaj për ta dhe do t’u marrë një pjesë të pasurisë së tyre.
– Nëse udhëheqësi i tyre nuk udhëheqë sipas ligjeve të librit të Allahut, ata njerëz do të përfshihen nga lufta civile’’. (Hadith hasen, Sahih Ibn Maxhe nr. 4019)

Përgatiti: Sejfullah Sejfuli