Të Fundit
Vlerat dhe mirësitë e muajit të Ramazanit!

Vlerat dhe mirësitë e muajit të Ramazanit!

Muaji i Ramazanit ka vlera dhe mirësi të mëdha, ndër të cilat janë:

1 – Në muajin e Ramazanit është shpallur Kurani Famëlartë.
Allahu i Madhëruar në Suren El Bekare ajeti 185 thotë: ‘’Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin u shpall Kurani, i cili është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).’’
Allahu i Madhëruar e ka dalluar muajin e Ramazanit në mesin e të gjithë muajve të tjerë, duke e përzgjedhur për të shpallur në të Kuranin e Madhërueshëm. Shpallja e tij nisi në natën e Kadrit e cila gjendet në dhjetë netëshin e fundit të Ramazanit. Në suren El Kadr thuhet: ‘’Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit.’’ (El Kadr: 1)

2 – Edhe librat e mëparshëm hyjnor janë shpallur pikërisht në këtë muaj.
Sipas një transmetimi tjetër (mbi saktësinë e të cilit ka diskutim) edhe librat e mëparshëm hyjnor janë shpallur pikërisht në këtë muaj; ‘’Broshurat e Ibrahimit (Paqja e Zotit qoftë mbi të) u shpallën në natën e parë të Ramazanit, Teurati u shpall në natën e gjashtë të Ramazanit, Ungjilli u shpall në natën e trembëdhjetë të Ramazanit, ndërsa Kurani u shpall në natën e njëzetë e katërt të Ramazanit.” (Musnedi i Imam Ahmedit: 16984. Albani e ka konsideruar të mirë ndërsa Shuajbi të dobët.)

3 – Në Ramazan hapen dyert e Xhenetit.

4 – Mbyllen dyert e Xhehenemit.

5 – Lidhen rebelët e xhindëve.

6 – Një engjëll thërret: O kërkues i së mirës, përkushtohu! O kërkues i së keqes, frenohu!

7 – Në ç’do natë të tijën Allahu liron njerëz nga zjarri.
Këto janë të përmendura në hadithin e Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të) ku Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: Kur hyn nata e parë e Ramazanit shejtanët dhe xhindët rebelë lidhen. Ndërkaq, dyert e Xhehenemit mbyllen dhe asnjë prej tyre nuk hapet, dyert e Xhenetit hapen dhe asnjë prej tyre nuk mbyllet. Një thirrës thërret: O kërkues i së mirës, përkushtohu! O kërkues i së keqes, frenohu! Në ç’do natë të tijën Allahu liron njerëz nga zjarri. (Tirmidhiu: 682)

8 –Në të gjendet një natë e cila është më e mirë se një mijë muaj.
Bëhet fjalë për natën e Kadrit e cila siç cilësohet në suren El Kadr ajeti i tretë, është më e mirë se një mijë muaj.
Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: Në të gjendet një natë e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai njeri i cili privohet nga mirësia e kësaj nate është privuar nga të gjitha mirësitë. (Ibën Maxheh: 1644)

9 – Muaji Ramazanit është muaji në të cilin pranohen lutjet.
Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: Padyshim, Allahu liron nga zjarri çdo ditë e çdo natë, dhe çdonjëri prej tyre ka një lutje që i pranohet. (Musnedi i Imam Ahmedit: 7450)

10 – Muaji i Ramazanit është muaji i kalitjes së durimit.
Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: Agjërimi i muajit të durimit (Ramazanit) dhe tri ditë në çdo muaj largojnë mllefin e kraharorit. ( Musnedi i Imam Ahmedit: 3070, dhe Bezari: 1057)

11 – Muaji i faljes së mëkateve:
Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: Pesë namazet, xhumaja deri te xhumaja tjetër, si dhe Ramazani deri te Ramazani tjetër shlyejnë mëkatet e kryera ndërmjet tyre nëse janë evituar mëkatet e mëdha. (Muslimi: 233)
Gjithashtu, Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe me shpresë, i falen mëkatet e kaluara. (Buhariu: 38)..

Nga Halil Avdulli/mesazhi/