Pas publikimit të artikullit “Shtatë shenja që tregojnë dobësinë e nënave në edukim”, vura re një reagim të madh ndaj ideve të përmendura. Më erdhën shumë komente që kërkonin të shkruaja për shenjat që tregojnë dobësinë e baballarëve në edukim. Kështu, shkrova për shtatë shenja që karakterizojnë dobësinë edukative te baballarët:
1 – Dorëzimi nga roli edukativ: Kjo ndodh në tre raste: kur babai është shumë i zënë me punën, kur komunikimi i tij me fëmijët është i paktë, ose kur mendon se edukimi është përgjegjësi vetëm e nënës. Zgjidhja është që babai të organizojë kohën e tij për të kaluar momente me fëmijët dhe të kuptojë se edukimi është një përgjegjësi e përbashkët. Pjesëmarrja e babait ndikon ndjeshëm në zhvillimin social dhe emocional të fëmijëve.
2 – Toleranca e tepruar: Kjo shfaqet kur babai nuk i këshillon apo ndalon fëmijët kur bëjnë gabime. Shpesh, baballarët që mungojnë shumë në shtëpi përdorin tolerancën për të kompensuar mungesën e tyre, por kjo dëmton sistemin e vlerave të fëmijëve. Në rastet e prindërve të divorcuar, baballarët që takojnë fëmijët rrallë priren të jenë më tolerues, duke krijuar pasoja negative. Edukimi duhet të balancohet mes dashurisë dhe vendosmërisë.
3 – Mungesa e pranishmërisë emocionale: Nuk është fjala vetëm për praninë fizike, por për mungesën e angazhimit emocional. Babai mund të jetë i pranishëm fizikisht, por të mos i dëgjojë fëmijët, të mos shprehë dashuri apo të nënvlerësojë ndjenjat e tyre. Fëmijët ndihen të lënduar kur babai i qorton pa i dëgjuar ose kur nuk i mbështet emocionalisht.
4 – Dorëzimi ndaj vendimeve të fëmijëve: Kjo ndodh kur babai i lejon fëmijët të marrin drejtimin në edukim, duke iu përshtatur çdo kërkese të tyre. Shkaku kryesor është mungesa e aftësive edukative ose frika nga zemërimi i fëmijëve. Kjo qasje përmbys procesin edukativ dhe dobëson autoritetin e babait.
5 – Shmangia e përballjes me problemet: Babai mund të shmangë trajtimin e problemeve edukative për shkak të frikës nga dështimi, mungesës së kohës ose mendimit se problemet zgjidhen vetë me kohën. Një nga gabimet më të mëdha është përdorimi i heshtjes si metodë mbrojtëse, që në fakt ndikon negativisht te fëmijët.
6 – Kundërshtimi mes sjelljeve dhe vlerave: Ky kundërshtim eliminon konceptin e shembullit të mirë, i cili është thelbësor në edukim. Nëse babai, për shembull, tregohet nervoz ndërsa i paralajmëron fëmijët për nervozizmin, fëmijët nuk do ta marrin seriozisht. Fëmijët ndjekin më shumë shembullin sesa fjalët.
7 – Mungesa e përkushtimit ndaj fesë: Fesë i takon roli i referencës për vlerat dhe moralin, veçanërisht kur ka konflikte mes prindërve dhe fëmijëve. Nëse babai nuk e përdor fenë si udhëzues për edukimin, fëmijët mund ta sfidojnë me argumente që ndryshojnë ose refuzojnë vlerat.
Nëse babai shmang këto shenja dhe përpiqet të përmirësojë qasjen e tij, ai mund të bëhet një figurë e fortë dhe pozitive në edukimin e fëmijëve.
Autor: Xhasim Mutaua
Përktheu: Elton Harxhi/mesazhi/