Të Fundit
Rëndësia e Israsë dhe Miraxhit në kohën tonë

Rëndësia e Israsë dhe Miraxhit në kohën tonë

Të dashur vëllezër xhemat!

Nata në të cilën Allahu i Madhërishëm robin e Tij në një pjesë të natës, e barti nga Mesxhidi –Harami deri në Mesxhidi Aksa, e pastaj nga Mesxhidi Aksaja u ngrit duke kaluar nëpër sferat e qiellit, deri sa erdhi në Sidretul-munteha, në pikën e fundit, dhe pastaj të njëjtën natë u kthye përsëri në shtratin e tij. Nata për të cilën do të flasim, është nata e njohur me emrin Lejletul-Miraxh dhe ka ndodhur në natën e 27 të muajit Rexheb. Allahu i Madhërishëm për këtë natë thotë:

سُبْحَانَ الَّذِي أَسْرَىٰ بِعَبْدِهِ لَيْلًا مِّنَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ إِلَى الْمَسْجِدِ الْأَقْصَى الَّذِي بَارَكْنَا حَوْلَهُ
لِنُرِيَهُ مِنْ آيَاتِنَا إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ .

“Pa të meta është Lartëmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhamedit), pamësi (i punëve të Muhamedit).” (el-Isra, 1)

Pasiqë Pejgamberi (savs), u nderua me Isra dhe Miraxh, atë mëngjes, siç e kishte zakon erdhi në Qabe, për t’i informuar kurejshitët e tubuar rreth ngjarjes së tij të jashtëzakonshme. U përgatit t’i informonte kurejshitët për ngjarjen e cila në atë kohë ishte e barabartë me fantazinë shkencore, ngjarje e cila n’atë kohë nga ana njerëzore ishte e pa realizueshme. Ai u tha kurejshitëve të tubuar se, vetëm në një pjesë të natës ishte transferuar deri në Jerusalem, dhe po atë natë ishte kthyer përseri. Kurejshitët me dyshim dhe habi e shikuan Muhamedin (savs), duke menduar se atë e kishte lënë mendja. Disa buzëqeshen në vetvete dhe fërkonin duart me kënaqësi, sepse shumë gjëra kishin dëgjuar nga Pejgamberi (savs), por kjo ishte në kufi me çmendurinë. Pastaj kur Pejgamberi (savs), u tha i tyre se Allahu i Madhërishëm e kishte ngritur tek Vetvetja, se kishte kaluar nëpër shtatë sfera qiellore, se kishte arritur tek Allahu dhe kishte folur me Të. Kurejshitët menduan se me këtë i erdhi fundi Islamit, sepse të ndodhë diçka e këtillë kanë e konsideruar të pamundur.

Pikërisht kjo ngjarje ka qenë dhe mbetët një sfidë për të gjithë muslimanët. Në Miraxh duhet të besojmë siç besojmë edhe në gjëra të tjera që janë gajb. Idhujtarët menjëherë shkuan tek Ebu Bekri (r.a.) për ta njoftuar për këtë. Kur arritën, ata së pari e pyetën se a kishte qenë në Jerusalem, ai tha po. Dhe sa kohë duhet që njeriu të shkojë dhe të kthehet? Më së paku një muaj, tha Ebu Bekri (r.a.). Këta u qeshen të kënaqur dhe thanë: Ja shoku yt po qëndron te Qabeja dhe po rrëfen se si në një pjesë të natës ka shkuar në Jerusalem dhe është kthyer. A i beson ti atij? Ebu Bekri (r.a.) u tha atyre: A është duke e thënë ai këtë me të vërtetë? Po, i thanë ata. Tha: Nëse ai e thotë këtë unë i besoj. Për shkak të këtyre fjalëve, Ebu Bekri u quajt es-Siddik (i sinqerti).

Ky është një mësim për të gjithë neve, dhe ai është se kur Allahu dhe i Dërguari i Tij thonë diçka, atë duhet besuar pa asnjë pyetje. Mund të kërkohen sqarime shtesë, por pa ekzagjerim.

Idhujtarët i kishin varur veshët, por nuk donin të hiqnin dorë, ata donin të argumentonin se Pejgamberi (a.s.) po gënjen. Erdhën dhe i thanë: Në qoftë se e ke parë me të vërtetë Mesxhidi Aksanë atëherë na e përshkruaj atë, sepse në mesin tonë ka të cilët e kanë parë atë.

Në atë moment, Allahu i Madhërishëm i urdhëroi melekët që t’ia tregojnë Mesxhidi Aksanë njëjtë si në ekranin e madh, dhe Pejgamberi (a.s.) filloi ta përshkruajë në mënyrë të detajuar sa që nuk mbeti as dyshimi më i vogël se Pejgamberi (savs), me të vërtetë e kishte parë. Pastaj Pejgamberi (savs), u tha atyre se e kishte parë edhe karvanin i cili për disa ditë do të arrinte në Mekë, gjë që edhe me të vërtetë ashtu ndodhi.

Miraxhi i cili ka ndodhur para më shumë se 1.400 vjetve, edhe sot e ka rëndësinë e vet. Miraxhi para së gjithash i ndau besimtarët e dobët dhe besimtarët e fortë, siç bën edhe sot.

Në Miraxh, dmth. në qiell, Allahu i Madhërishëm ka urdhëruar kryerjen e pesë namazeve ditore në intervale të caktuara kohore. Më vonë, Allahu i Madhërishëm e dërgon melekun Xhibril (a.s.) për t’i mësuar Pejgamberit (savs), kohët e namazit si dhe mënyrën e faljes së namazeve. Prej atëherë namazi u bë farz i fortë, i cili nuk guxon të lëshohet, sepse ai është letërnjoftimi ynë i cili dëshmon për imanin dhe Islamin tonë, sepse ai është lidhja më e fortë e cila na lidh me Allahun e Madhërishëm, sepse ai është çështja e parë për të cilën do të pyetemi në Ditën e gjykimit.

Miraxhi e tregoi fuqinë e Allahut i Cili bën çka të dojë. Sot është e mundur që në një pjesë të natës të shkoni nga Meka në Jerusalem dhe të ktheheni përsëri, por edhe deri në ditën e sotme nuk është e mundur të depërtohet nëpër sferat qiellore dhe të arrihet deri te vendi ku ka arritur Pejgamberi (savs).

Miraxhi gjithashtu na ka treguar se çka na pret në botën tjetër (ahiret), sepse Pejgamberi (savs), i ka parë skenat e botës tjetër, ka parë njerëz të cilët kënaqen në kopshtet e xhenetit, të lumtur, të qeshur, përjetësisht të ri, por gjithashtu, i ka parë edhe ata të cilët e kanë merituar xhehenemin, të cilët digjen në zjarr, të cilëve u prehen buzët e tyre, u hapet barku, prej të cilit përhapet aromë e keqe, të cilët bërtasin dhe kërkojnë ndihmë…

Të gjitha këto Pejgamberi (savs), neve na i ka përcjellë që të dimë se çka na pret, dhe se si të përgatitemi për botën tjetër.

Prandaj, mësimet dhe mesazhet që nxirren nga Israja dhe Miraxhi kurrë nuk vjetrohen, andaj gjithmonë duhet t’i përkujtojmë.

E lusim Allahun e Madhërishëm, që në zemrat tona të mbjellë iman të fortë dhe të paluhatshëm, që përkujtimi i Israsë dhe Miraxhit të jetë shkas i vendimit tonë për përqafim edhe më të fortë të ligjeve islame dhe për përgatitje për Ditën e dhënies së llogarisë.

I lutemi Allahut që ta bëjë jetën tonë në shenjë të veprave të mira dhe bindjes ndaj Tij!

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë apo mposhtin pabesimtarët.

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini