Të Fundit
Qëllimi i jetës

Qëllimi i jetës

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhërishëm, prej Tij kërkojmë falje dhe udhëzim. Kërkojmë mbrojtje nga e keqja e shpirtrave tanë dhe veprave tona të këqija. Kënd e udhëzon Allahu, askush nuk mund ta mashtrojë, ndërsa atë të cilin Ai e lë në mashtrim, askush nuk mund ta drejtojë në rrugë të drejtë. Dëshmoj dhe vërtetoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi (savs), është rob dhe i dërguari i Tij.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme titullohet: “Qëllimi i jetës”

Njëra nga begatitë më të mëdha që Allahu u ka dhënë njerëzve është arsyeja (mendja). Mirëpo, sa prej nesh kemi menduar ndonjëherë se cili është qëllimi i jetës sonë? A kemi menduar ndonjëherë se cili është qëllimi i ekzistencës sonë? Çfarë po bëjmë këtu, pse jemi këtu? A është e nevojshme ta dimë se cili është qëllimi i jetës sonë?

Do t’i përmendim disa shembuj, për ta paraqitur këtë me ilustrim.

Njëherë një njeri, gjatë udhëtimit të tij, kur erdhi në udhëkryq, e pyeti një kalimtar: “Ku çon kjo rrugë?

Kalimtari e pyeti: “Ku doni të shkoni?”

Njeriu tha: “Kudo qoftë.”

Kalimtari tha: “Atëherë shko në cilëndo rrugë, sepse nuk ka asnjë ndryshim.”

Ky udhëtar nuk kishte asnjë qëllim, çfarëdo hapi që të bënte nuk kishte asnjë ndryshim, sepse ai donte të shkonte kudo qoftë. Dhe shumë prej nesh bëjmë jetë në këtë mënyrë.

Imagjinoni një ndërtimtar i cili fillon të ndërtojë një ndërtesë dhe i hap themelet. Gërmon themele të mëdha për ndërtesën e tij dhe nëse ti e pyet: “Sa kate do të ketë ndërtesa juaj?”

Ai përgjigjet: “Unë nuk e di!”

“Sa metra katrorë do të ketë ndërtesa juaj?”

Ai përgjigjet: “Unë do të mendoj.”

Ky ndërtimtar fare nuk ka një qëllim të vetin.

Shumica prej nesh jetojmë si ai udhëtari dhe si ky ndërtimtari. Absolutisht pa qëllim. Secili prej nesh duhet t’ia shtrojë vetes këtë pyetje:

“Cili është qëllimi i jetës sonë, cili është qëllimi i ekzistencës sonë”?

E vetmja mënyrë për ta gjetur përgjigjen për këtë pyetje është kthimi në librin Allahut, ku Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më bëjnë ibadet.” (edh-Dhârijat, 56) Me fjalë të tjera, do të thotë, për t’i plotësuar urdhrat e Allahut, Krijuesit tonë.

Për shembull, nëse Allahu thotë se ti duhet t’i kryesh pesë shtyllat e Islamit, këtë do ta bësh nëse je plotësisht i vetëdijshëm për ekzistencën e Allahut të Madhërishëm.

Pejgamberi (savs), thotë se duhet të kujdesesh për fqinjin, kështu që nëse ti kujdesesh për fqinjin, ti i bën ibadet Allahut të Madhërishëm.

Nëse ti qëndron larg nga gjërat që Allahu i ka ndaluar, ti në këtë mënyrë i bën ibadet Allahut. Në qoftë se qëndron larg nga vjedhja dhe mashtrimi ti i bën ibadet Allahut.

Prandaj, çdo punë të cilën e bën mund të shndërrohet në ibadet ndaj Allahut, nëse i plotëson dy parime:

I pari – që vepra të jetë vetëm në emër të Allahut, pa asnjë formalizëm, pa interes dhe pa dëshire për famë.

I dyti – që vepra të kryhet sipas sunetit të Muhamedit (savs), të veprohet ashtu siç ka vepruar ai.

Kur e bleni ndonjë pajisje, me të e merrni edhe udhëzimin për përdorim.

Për shembull, le të supozojmë se trupi i njeriut është makinë, makina më e komplikuar! Atëherë, a mendoni se kjo makinë duhet të ketë udhëzim për përdorim? Udhëzimi i fundit dhe final për qenien njerëzore është Kurani fisnik. Udhëzimi i fundit i dërguar për mbarë njerëzimin nëpërmjet pejgamberit Muhamed (savs).

Shumë njerëz pyesin: “Pse Allahu dëshiron që ne t’i bëjmë iabdet, a ka nevojë Ai për ibadetin tonë, pse ai dëshiron që ta madhërojmë me fjalët Allahu ekber dhe el-hamdu lil-lah…?”

Përgjigjen për këtë na e jep vetë Allahu i Plotfuqishëm në Kuran: “O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd.” (Fatir, 15)

Arsyeja pse Allahu dëshiron që ne t’i bëjmë ibadet nuk është për përfitimin e Tij, por për të mirën tonë. Kur ne themi Allahu ekber, kjo nuk e bën Allahun më të madh. Edhe nëse themi ne apo jo, Ai është më i madhi, kjo nuk bën asnjë ndryshim tek Allahu. Por arsyeja përse Allahu dëshiron që ne ta lavdërojnë atë është se Ai e di psikologjinë e njeriut. Ne njerëzit kur e dimë se dikush është i lavdëruar, i vlerësuar, i admiruar dhe fisnik, atëherë ne synojmë që ta ndjekim këshillën e tij.

Për shembull, nëse ti je i sëmurë, a do ta merr këshillën e një mjeku specialist apo të profesorit të gjeografisë? Sigurisht se do ta merr këshillën e mjekut, sepse ai e di më së miri nga të gjithë njerëzit tjerë zgjidhjen për sëmundjen.

Pra, kështu edhe Allahu i Madhërishëm dëshiron që ne ta lavdërojmë dhe t’i bëjmë ibadet Atij, sepse Ai është më i Madhi, më i Urti, i sheh, i dëgjon dhe i di të gjitha. A nuk duhet t’i bindemi?

Sa (pak) prej nesh e falënderon Allahun për begatinë e shëndetit, të ushqimit, të ujit dhe të tjerat?

Çfarë do të ndodhë nëse nuk kemi ujë për disa ditë? Sigurisht, do të kishim vdekur. Allahu i Madhërishëm me siguri do të testojë me humbje të pasurisë, të jetës, të lashtave, me frikë dhe me uri. Këtë na tregon në Librin e Tij duke thënë:

“Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit. – Të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” (el-Bekare, 155-156)

O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

O Zot, na bëj prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

O Zot, na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!

O Zot, fali dhe mëshiroji prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët na e sollën dritën e Islamit! Kurse fëmijët dhe pasardhësit tonë bëji prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!

O Zot, na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë!

Përshtati: Miftar Ajdini