Të Fundit
O baba, ti je fajtor!

O baba, ti je fajtor!

Falënderimi qoftë për Allahun e Plotfuqishëm, i Cili na ka dhënë dhe na jep begati të panumërta. Salavatet, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të dashurin e Allahut dhe të dërguarin e Tij të fundit Muhamedin (savs), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar me të vërtetën në zemrat e tyre.

Vëllezër besimtarë, në hutben e sotme do të flasim në temën: “O baba, ti je fajtor!”

Hutben e sotme do ta filloj me ajetin kuranor, ku Allahu i Plotfuqishëm thotë: “O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin melekë të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (et-Tahrim, 6)

Ibn Kethiri në Tefsirin e tij, për këtë ajet thotë: O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, do të thotë, urdhëroni veten tuaj, urdhëroni gratë tuaja, fëmijët tuaj, vëllezërit tuaj, të afërmit tuaj dhe shërbëtorët tuaj që të jenë të bindur ndaj Allahut, përkatësisht, ndaloni veten tuaj dhe të gjithë ata që kanë devijuar nga rruga e drejtë që mos të bëjnë mëkate dhe mos të jenë të pabindur ndaj Allahut të Plotfuqishëm. Mësoni ata dhe edukoni. Kujdesuni për ta në aspektin e dispozitave të Allahut dhe urdhëroni që t’i kryejnë ato dhe ndihmoni në këtë drejtim. Kur ta shihni se dikush po bën mëkat ndaj Allahut, qortojeni dhe largohuni prej tij. Detyrë e çdo muslimani është që ata që janë nën autoritetin e tij t’i njoftojë me atë që ka urdhëruar Allahu dhe me atë që ka ndaluar.

Nga Ibni Omeri (r.a.) transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (savs), duke thënë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe secili do të përgjigjet për tufën e tij. Imami (sunduesi) është bari (i popullit të vet) dhe do të jetë përgjegjës për tufën e tij. Burri është bari në familjen e vet dhe do të përgjigjet për tufën e tij. Gruaja është baresh në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo do të jetë përgjegjëse për tufën e saj. Shërbëtori është bari (rojtar) i pasurisë së zotërisë së vet dhe do të jetë përgjegjës për tufën e tij. Pra, të gjithë ju jeni barinj dhe secili do të përgjigjet për tufën e tij.”

Vëllezër të dashur!

A po i përmbushim ne detyrimet tona dhe a po i ruajmë ato për të cilat do të merremi në pyetje?

Udhëheqësit tanë, a po i përmbushin detyrimet e tyre, apo po kujdesen vetëm për të drejtat dhe privilegjet e tyre?

A po i ruajmë familjet tona, apo kujdesin për ruajtjen e tyre ia kemi dorëzuar rrugës dhe mediave?

Gratë tona, a po e ruajnë veten dhe fëmijët e tyre në shtëpitë tona, apo kujdesin ndaj fëmijëve të tyre e kanë zëvendësuar me kujdesin për seriale, filma, koncerte, frizura, fustana dhe për tubime të kota?

Eprorët, apo kujdesen që të mos t’i ngarkojnë vartësit më shumë se që ata mund të mbajnë, por edhe vartësit a po i përmbushin detyrimet e tyre?

Vëllezër të respektuar!

Pasha Allahun, nëse nuk i kryejmë obligimet tona do të pendohemi edhe në këtë botë edhe në botën tjetër.

Pasha Allahun, nëse nuk i kryejmë detyrimet tona do të fajësohemi në Ditën e Gjykimit nga ana e atyre për të cilët kemi qenë përgjegjës, por atëherë do të jetë tepër vonë.

***

TREGIM! Tregohet se një burrë e kishte pasur një vajzë, e cila i kishte vdekur shumë e re. Kështu që një natë, e kishte parë në ëndërr vajzën e tij, e cila po thoshte me këmbëngulje: „Hasbijallahu ve ni’mel vekil. Hasbijallahu ve ni’mel vekil.“ (Më mjafton mua Allahu dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm! Më mjafton mua Allahu dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!) andaj unë e pyeta: „Oj bija ime e dashur, kundër kujt të mjafton ty Allahu dhe prej kujt po kërkon mbrojtjen e Allahut? A të ka bërë dikush ndonjë të keqe, që t’i hakmerrem?“

Kurse ajo u përgjigj: „Kundër teje, o baba! Më mjafton mua Allahu dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm! Kundër teje, o baba!!!

Sepse ti më ke lënë pas dore mua dhe nuk më ke edukuar në Islam. Ti më ke parë mua duke shikuar filma deri natën vonë, dhe pastaj kam fjetur në kohën e namazit të sabahut, kurrë nuk më ke paralajmëruar as nuk më ke zgjuar! Ti më ke parë duke dalë vonë në mbrëmje, e veshur ‘kurrqysh’, por asnjëherë nuk më ke kthyer prapa. Prandaj, baba i dashur, kundër teje unë po kërkoj mbrojtje nga Allahu, sepse ti ke qenë i pakujdesshëm ndaj meje. Të gjitha ishin më të rëndësishme se unë, puna, televizori, kafeneja… për këtë shkak, baba i dashur, kundër teje po kërkoj mbrojtje nga Allahu.“

Pastaj e pyeta: „Po ku je ti tash oj bija ime?“

Në atë moment nga sytë e saj filloi të del flakë, kurse fytyra e saj u ndryshua dhe dukej tmerrësisht e shëmtuar.

Ajo më tha: “Unë jam në xhehenem, o baba, dhe jam duke vuajtur për shkak të neglizhencës tënde! Ti je fajtor që unë jam në xhehenem! Ti, ti, ti…“ Ajo filloi diçka që flet, kurse unë në atë moment shumë i shqetësuar, u zgjova.

Dhe pastaj ky njeri vazhdon tregimin e tij:

„Vajza ishte shkaku i pendimit tim. Dhe ajo më ka obliguar që gjithë jetën time të lutem për faljen e saj, sepse unë kam qenë fajtor për gjendjen e saj. O vëllezër muslimanë, merrni mësim nga jeta ime dhe mos e përsërisni gabimin tim!“

Vëllezër besimtarë!

Ky nuk është thjesht një tregim i zakonshëm, ky është realitet. Pasha Allahun, le ta dimë se edhe fëmijët tanë, do të na akuzojnë për neglizhencën tonë ndaj tyre. Nëse ndonjërin prej tyre e pyesim pse nuk po vjen në xhami për tu falë apo për të mësuar?

A e dini se çka do të thonë ata? Ose do të thonë babai nuk po më lejon, ose babai nuk më ka sjellë në xhami!

Vëllezër të dashur, pasha Allahun, duhet ta dimë se edhe fëmijët tanë na akuzojnë qysh në këtë botë për shkak të moskujdesit tonë ndaj tyre, ndërsa si do të jetë atje, vetëm mund ta imagjinojmë.

Prandaj, mos ta përsërisim gabimin e njeriut të përmendur më parë, mos ta përsërisim gabimin e babait dhe nënës, por ta marrim fëmijën tonë për dore dhe ta sjellim në xhami, edhe për mësim edhe për namaz. Nëse ia duam të mirën e fëmijës sonë, duhet ta zgjojmë edhe për sabah.

Një grua e kishte pyetur hoxhën: „O hoxhë, i kam fëmijët që e kanë gjumin e rëndë dhe të thellë, dhe unë nuk jam në gjendje t’i zgjoj për namazin e sabahut, më këshillo çfarë të bëj?“

Hoxha u përgjigj: „Nëse do ta kaplonte zjarri dhe flaka ndonjë pjesë të shtëpisë, dhe zjarri do të përhapje edhe në dhomën e tyre, çfarë do të kishe bërë?“

Ajo u përgjigj: „Do të përpiqem t’i zgjoj.“

Hoxha i tha: „Por si do t’i zgjosh, kur ata e kanë gjumin e rëndë?!“

Gruaja tha: „Pasha Allahun, do t’i zgjoja, madje edhe duke i zvarritur, nëse ka nevojë!“

Hoxha tha: „Pasi që këtë do ta kishte bërë për t’i mbrojtur ata nga zjarri e kësaj bote, atëherë bëje këtë që t’i shpëtosh edhe nga Zjarri i ahiretit!“

Pejgamberi savs ka thënë: „Zjarri i kësaj bote të cilin e përdorin bijtë e Ademit është vetëm një gradë prej 70 gradëve të zjarrit të xhehenemit.“

Të pranishmit i thanë: „Po edhe ky është i mjaftueshëm, o i Dërguari i Allahut.“

Kurse ai tha: „Zjarri i xhehenemit i ka edhe 69 gradë, ku secila prej tyre është më e ashpër se zjarri i kësaj bote.“

/O Allahu im, më dëshmo, se unë si imam i këtij xhemati, në të gjitha mënyrat po përpiqem ta përmbush obligimin tim. Më dëshmo se unë fëmijët e këtij xhemati i kam ftuar në xhami, por nuk kam pasur mbështetje të mjaftueshme nga prindërit e tyre./

Të lutemi, o Allah, na udhëzo neve, udhëzoji prindërit, e udhëzoji edhe fëmijët tanë në rrugën e drejtë. O Allah, mos lejo që ne t’i turpërojmë ata, e as që ata të na turpërojnë neve!

– O Allah, na i prano veprat tona të mira dhe na i fal mëkatet dhe gabimet!

– O Allah, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë! – Na bëj prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde! – Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!

– O Allah, fali prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur, të cilët te ne e përcjellën dritën e Islamit, kurse fëmijët tanë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!

O Allah! Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini/islampress/