Të Fundit
Namazi i Teravisë

Namazi i Teravisë

( Dispozita – nijeti – numri i rekateve – mënyra e faljes etj. )

Namazi i teravisë, është namaz që falet gjatë muajit të madhërishëm të ramazanit.

Falet pas namazit të jacisë dhe para vitrit. I takon grupit të namazeve nafile, por ky është synnet i fortë – muekede- si për meshkujt ashtu edhe për femrat.

Koha e namazit të teravive është pas namazit të jacisë dhe para namazit të vitrit deri para namazit të sabahut.

Transmetohet nga Arxhefe të ketë thënë: Aliu r.a.urdhëronte në namaz të teravisë, dhe bënte për meshkuj një imam dhe për femra një imam, e unë isha imam i femrave.

Këtë namaz e ka falur Pejgamberi Muhamedi a.s. dhe ka shtytë njerëzit që ta falin. Pastaj këtë e kanë falur sahabet dhe pas tyre tabiinët dhe deri në ditët e sotme.

Namazi i teravive është veçori e muajit të ramazanit, është i madhëruar në shpirtat e muslimanëve, kurse shumë i vlerësuar nga Allahu i madhëruar.

Transmeton Buhariu dhe Muslimi, se Muhamedi a.s. ka thënë: “ Kush e gjallëron natën e ramazanit me bindje dhe besim të thellë, dhe me qëllim që të arrijë vetëm shpërblimin e Allahut, atij do ti falen mëkatet e kaluara”

Domethënë se kush i gjallëron netët e ramazanit me namaz, lexim të Kur’anit, përmendje të Zotit, lutje etj, atij do ti falen mëkatet e kaluara nëse nuk ka të mëdha, sepse mëkatet e mëdha i falë vetëm pendimi i siqertë.

// DISPOZITA E NAMAZIT TË TERAVISË //

Namazi i teravisë është synet i fortë –muekede- si për meshkujt ashtu edhe për femrat, kështu transmetohet nga Ebu Hanifja, por edhe të tjerët.

Përmendet në librin ‘el ihtijar li taëlil elmuhtar’ se Ebu Jusufi e ka pyetur ebu Hanifen për namazin e teravisë dhe veprimin e Omerit r.a. e ai iu ka përgjigjur:

‘Teravitë janë synet i forte –muekede-, dhe këtë nuk e nxjorri Omeri prej vetes së tij, ai nuk ka shpikur risi këtu, dhe nuk do ti kishte urdhëruar njerëzit pa ndonjë bazë dhe premtim nga i dërguari i Allahut’.

Se është synet i fortë, këtë e dëshmon veprimi i hulefai rashidinëve, i të gjithë sahabeve dhe i të gjithë atyre që i pasuan ata deri në ditët e sotme pa ndonjë kundërshtim, pastaj edhe Ixhmai

– konsensusi i dijetarëve-.

E si të mos jetë kështu kur vetë Muhamedi a.s. ka thënë: “ Ju duhet të pasoni synetin tim dhe synetin e hulefai rreshidinëve të udhëzuarë pas meje, të cilët e kapën me dhëmballë”. (transmeton, ebu davudi, tirmidhiu, ibn maxheh, tabarani, etj.) (redul muhtar )

// FALJA E NAMAZIT TË TERAVISË ME XHEMAT //

Falja e namazit të teravisë është sunet për çdo musliman, nëse e len pa arsye është mekruh, kurse falja e tij me xhemat është suneti kifaje, që nëse e lënë të gjithë, nuk kanë bërë mirë, e nëse dikush e falë vetëm në shtëpi, e ka lënë shpërblimin e xhematit, e nëse e falin një grupë në shtëpi me xhematë e kanë humbur sevapin e xhamisë. ( reddul muhtar )

// NIJETI I NAMAZIT TË TERAVISË //

Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme rreth bërjes së nijetit në namazet nafile. Se a duhet të përcaktohet lloji i namazit me nijet, apo mjafton nijet i përgjithshëm vetëm për namaz.

Shumica janë të mendimit se mjafton nijeti i përgjithshëm, por kanë shprehur se më e preferuar do të ishte përcaktimi i namazit përmes nijetit. Pra për secilin namaz nafile nijetin e atj namazi.

Nijeti bëhet me mendje dhe me fjalë. Është e mjaftueshme nëse nijeti bëhet me mendje, por pëlqehet nijeti me shprehje të fjalëve, në veçanti për xhematin tonë që i mungojnë njohuritë rreth llojeve të namazeve, e kështu përmes shqiptimit arrin të kupton për namazin që e falë, dhe e mëson ate.

A duhet në namazin e teravisë të bëhet nijeti vetëm në fillim, apo pas çdo selami ?

Në librin ‘El hanijeh’ thuhet se e sakta e kësaj është se mjafton nijeti në fillim të teravive, sepse të tërë rekatet llogariten si një namaz.

// KUR U LIGJËSUA NAMAZI I TERAVISË? //

Transmetohet nga Aisheja r.a. se Pejgamberi a.s. një natë prej netëve të Ramazanit (pas namazit të jacisë) doli në xhami dhe u fal, pastaj edhe njerëzit tjerë u falën bashkë me të (Pejgamberin s.a.v.s.. Natën e dytë dhe të tretë u shtuan xhemati, kurse natën e katërt pasi u grumbulluan shumë njerëz (për tu falur me Pejgamberin a.s.) ai nuk u doli në xhami. Në mëngjes pas namazit të Sabahit, Pejgamberi a.s. iu drejtua njerëzve me një fjalim të shkurtë dhe mes tjerave u tha: “Unë nuk dola (mbrëmë në xhami) sepse u frikova se po u bëhet obligim (farz) ky namaz, e me të, rëndoheni ju” ( Buhariu dhe muslimi )

Duke u mbështetur në këtë hadith dhe disa të dhëna tjera, disa nga dijetarët islamë janë të mendimit se namazi i teravisë është ligjësuar në vitin e fundit të jetës së Muhamedit a.s., respektivisht Ramazanin e fundit të Pejgamberit a.s. sepse nuk kemi ndonjë transmetim tjetër i cili vërteton se Pejgamberi a.s. pas kësaj ngjarjeje ka falur namazin e teravisë në xhami, apo të ishte pyetur Pejgamberi a.s. për këtë lloj të namazit.

// NUMRI I REKATEVE TË NAMAZIT TË TERAVISË//

Shumica absolute e dijetarëve gjatë gjithë historisë islame janë, se namazi i teravisë është 20 rekate me pesë pushime. Mund të falet me 10 selame në çdo dy rekat, por mundet edhe me 5 selame në çdo 4 rekat . Është vërtetuar nga Pejgamberi a.s. se ky namaz është synet dhe falet me xhemat.

Transmeton Buhariu dhe Muslimi: “ Pejgamberi a.s. doli në mesnatë në një nga netët e ramazanit, e ishin netë të ndara; nata e 23, 25 dhe 27 e ramazanit. Dhe njerëzit u falen bashkë me namazin e tij. E i dërguari a.s.i fali me ta 8 rekate, dhe që ti plotësojnë të tjerat në shtëpitë e tyre, dhe ndëgjohej prej tyre zhurma si ajo e bletës.”

Nga kjo kuptohet qartë se i dërguari i Allahut a.s. ua bëri synet atyre namazin e teravive, dhe që ta falin me xhematë.

Ai, nuk i fali me ta 20 rekate sikur që vepruan sahabet në kohën e Omerit, e edhe pas tyre deri në kohën e sodit. Ai nuk doli më që të falet me ta, nga frika që të mos iu obligohet atyre.

Nga kjo kuptohet se ky namaz nuk u kufizua në 8 rekate sikur që i fali me ta i dërguari a.s., duke argumentuar se ata e plotësonin në shtëpitë e tyre.

Zyrtarizimi i namazit të teravisë në 20 rekate u bë në kohën e Omerit r.a. i cili i bashkoi Sahabet në këtë namaz me xhemat në 20 rekate.

Transmetohet nga Abdurrahman b. Abdulkarië i cili ka thënë: Një natë gjatë Ramazanit dola me Omerin r.a. në Xhami e atje i pamë njerëzit duke u falur të shpërndarë, dikush falej veçmas, e disa faleshin në grupe etj. Omeri kur i pa tha: Unë mendoj që ti bashkojë këta njerëz që të falin namazin me një imam. Pastaj i thirri të gjithë sahabët dhe i bashkoi në një xhematë, kurse për imam të tyre caktoi Ubej b. Ka’bin. E kur doli natën tjetër dhe i pa njerëzit duke u falur me xhematë pas një imami tha: Sa risi (bidat) e mirë është kjo.

Këtë veprim të Omerit r.a.e pëlqyen të gjithë sahabët, dhe nuk pati asnjë kundërshtim as nga sahabët e as nga hulefai rrashidinët pas tij.

E Pejgamberi Muhamedi a.s.për këtë ka thënë. “ “ Ju duhet të pasoni synetin tim dhe synetin e hulefai rreshidinëve të udhëzuarë pas meje, të cilët e kapën me dhëmballë”. (trensmeton, ebu davud, tirmidhiu, ibn maxheh, tabarani, etj.) (redul muhtar ).

Pastaj ebu Hanife kur u pyet për namazin e teravisë dhe veprimin e Omerit me 20 rekate tha:

Ai nuk ka shpikur risi këtu, dhe nuk do ti kishte urdhëruar njerëzit pa ndonjë bazë dhe premtim nga i dërguari i Allahut’.

Në sahihun e Imam Buhariut dhe Muslimit, gjejmë hadithin e transmetuar nga Aisheja r.a. e cila, në rastin kur është pyetur për namazin e Pejgamberit s.a.v.s ajo ka thënë: Pejgamberi a.s. as në Ramazan e as jashtë Ramazanit nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate. I falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë e tyre e as për zgjatjen e tyre, pastaj sërish i falte katër rekate e mos pyet për bukurinë dhe zgjatjen e tyre, e pastaj i falte tre rekate. Unë i thash: O i Dërguari i Allahut, a po flen para se me falë vitrin? Tha: Oj Aishe, vërtetë sytë e mi flenë, por zemra ime nuk flenë.” (Transmeton Buhariu dhe muslimi)

Edhe pse duke u bazuar në aspektin sipërfaqësor dikush mendoi se me këtë hadith vërtetohet se numri i rekateve të teravisë është tetë rekate. Ky argumentim nuk qëndron për disa shkaqe.

Hadithi i transmetuar nga Aisheja r.a. nuk është argument bindës se namazi i teravisë është tetë rekate, për arsye se hadithi në fjalë ka të bëjë me namazin e vitrit, ose namazin e natës në tërësi e jo me namazin e teravisë. Argumenti se ky hadith ka të bëjë me namazin e vitrit ose të natës e jo me namazin e teravisë, është vetë teksti i hadithit ku thotë: “as në Ramazan e as jashtë Ramazanit” sepse namazi i teravisë është specifikë e muajit të Ramazanit dhe nuk falet jashtë Ramazanit.

Në anën tjetër, nëse ky hadith ka të bëjë me përcaktimin e numrit të rekatëve të namazit të teravisë, atëherë vetvetiu lind pyetja: Pse Aisheja me vite të tëra ka heshtur? Pse nuk ka reaguar kur ka parë se as’habët kanë falur njëzet rek’atë teravi? Pse nuk i ka përmirësuar ata? A thua Aisheja, nëna e besimtarëve, do t’i linte në lajthitje ata dhe të gjithë pas tyre? Sigurisht se Jo.

Por kjo është argument shtesë se hadithi i Aishes r.a. nuk ka të bëjë me namazin e teravisë, porse me namazin e vitrit ose tehexhudit.

(Sami Xheko, Numri i rek’ateve të namazit të teravisë, http://www.xn--zriislam-t1a.com/)

// IXHMAI ( konsensusi i dijetarëve ) ARGUMENT PËR NAMAZIN E TERAVISË 20 REKATE //

Nga kjo analizë, konstatohet se përveç ixhmait të sahabëve në kohën e Omer b. Hatabit, për namazin e teravisë, kanë formuar ixhma edhe fukahat islam nga të gjitha shkollat juridike islame (medhhebet) dhe namazi i teravisë gati në tërë globin falet 20 rekatë. Një praktikë e tillë është e dëshmuar edhe në vetë Qaben e shenjtë ku namazi i teravisë rregullisht falet 20 rekate, gjithashtu edhe në xhaminë e Pejgamberit a.s.në Medine namazi i teravisë falet 20 rekate. Këtë çështje nuk e kundërshtoi askush nga dijetarët islamë,

Mendimi se namazi i teravisë falet 8 rekate, jo që nuk ka bazë e as mbështetje shkencore islame, por nuk ka as logjikë të veprimit, sepse do të ishte absurd që dikush të bindet se mbi 14 shekuj muslimanët në të gjitha këndet e botës të kenë falur gabimisht namazin e teravisë,

Për në fund po theksojmë faktin se nëse dikush ka filluar të falë me imam namazin e teravisë. Ai duhet ndjekur imamin deri në fund të namazit, sepse në transmetimin e Ebu Dherrit, thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Nëse njeriu falet me imamin derisa iami të përfundojë namazin, atij i regjistrohet sikur të jetë falur tërë natën. Pra, ky është argument i qartë kundër atyre që pretendojnë se namazi i teravisë falet tetë rekate, andaj i falin tetë rekate dhe largohen nga xhamia, respektivisht nga xhemati dhe atë në emër të sunnetit, siç po ndodhë disa herë në xhematet tona, e realisht ata veprojnë në kundërshtim me sunetin e Pejgamberit s.a.v.s.

Akademia për fetva e Egjiptit në librin e botuar’ Libri mbi agjërimin’, Thekson se emri teravih, nuk përkon me 8 rekate sepse teravih nënkupton mbi dy pushime, e kjo nuk i përgjigjet 8 rekatëve sepse në 8 rekate ka vetëm dy pushime.

// SI FALET NAMAZI I TERAVISË ? //

Namazi i teravisë falet sikur syneti i kindisë dhe syneti i pare i jacisë.

Pas nijetit merret tekbiri fillestarë dhe lexohet Elfatiha dhe një sure. Kështu veprohet edhe në rekatine dytë dhe shkohet ne Uljen e parë, ku lexohet Ettehijetu dhe Salavatet.

Ngrihemi në rekatin e tretë, dhe në fillim e lexojnë Subhanen, Eudhubilahin dhe Bismilahin, pastaj lexojmë Elfatihan dhe një sure. Kështu veprojmë edhe në rekatin e katërt dhe shkojmë në Uljen e fundit ku lexojmë: Ettehijatin, salavatet, duatë dhe japim selam.

( Mundet të falet edhe nga dy rekate, por praktika te ne, dhe në disa vende të botës

falet nga katër rekat e pastaj jepet selam ).

Mr. RAGMI DESTANI

………………………………………………………………………….

Literatura: Reddul muhtar, hashijetu ibnu Abedin- Darul kutub elilmije – Bejrut, Liban- 2003/ II

Kitabul fikh alal medhahib elarbaah – Abdurrah,an Elxheziri – Darul irshad

El fikhul vadih –Dr. Muhamed Bekr Ismail – Darul menar Kairo – 1990

Fikhu essuneh – Essejid Sabik – Darul fet’h liliëalm elarabi – Bejrut, Liban- 2000

El-lubab fi sherhil kitab – Abdulgani Elganimi – Darul hadith – Hims – Bejrut

Kitab essijam – Dr. Shevki Al-lam – qendra për fetva egjipt – 1434 h.

Namazi i teravisë, mësimet rregullat dhe dispozitat – Jusuf Zimeri- 2012 Shkup

/islampress/