Të Fundit
Lamtumirë Ramazanit – 2021

Lamtumirë Ramazanit – 2021

Kur ramazani e paralajmëron shkuarjen e tij, ne jemi në gjendje vetëm të themi, Sub­hanallah! Sa shpejt po shkon kjo jetë! Sa shpejt po kalojnë ditët dhe netët! Sikur të ishin gjethe vjeshtake, të cilat i valëviti era e fatit! A thua nuk është e tërë jeta asgjë tjetër përveç disa çaste! Po, jeta është vërtet vetëm ëndërr, ndërsa amshimi dhe për­hershmëria i takojnë Atij që është i amshue­shëm:

“Çdo gjë që gjendet në të është e kalueshme, dhe mbetet vetëm Zoti yt, i Madhërishmi dhe i Nderuari!” (err-Rrahman: 26-27).

Ku po shkon muaji ramazan?!

A nuk ishte vetëm para disa orëve me ne?

A nuk na i ka mbushur veshët dhe sytë tanë?

A nuk ishte ai të folurit e minbereve, stoli e minareve, mall i tregjeve, temë e bisedave, shoqëri e natës në ibadetet tona, jeta e xhamive tona?

E ku është tani?!

Ja atje tej, po e këput perin e fundit që do ta nxjerrë nga horizonti ynë, ja atje tej po lufton me frymën e fundit dhe dëshiron ta lëshojë para nesh…

Pra, devotshmëria jonë e jashtëzakon­shme kaloi, u heshtën zërat e bilbilave nëpër degë…! Allahut çdo gjë i kthehet.

O ramazan…!

Sa i madh është ndryshimi ndërmjet dy ditëve tua, ditës së ardhjes dhe ditës së shkuarjes.

Të kemi pritur me sy dhe zemër të hapur, të kemi pritur me gëzim, hare dhe shpresë. Kemi dëshiruar të na vjen pastërtia jote në të cilën do të këndellen shpirtrat tanë, pasi kanë qenë të ndryshkur e të tharë. I jemi gëzuar çastit të ardhjes tënde, sepse ajo do të thotë pajtim me Krijuesin tonë, nga i Cili një kohë të gjatë kemi qenë të kthyer. Sa kemi dashur të jemi besnikë, sa kemi shpresuar të jemi të fortë në mirëbërësinë tënde.

E sot kur po përshëndetemi me ty, shpirt­rat na janë plot frikë e turp, plot keqardhje e pikëllim. Nuk e dimë sa kemi qenë besnik me ty, nuk e dimë sa e kemi realizuar shpresën tënde. Sikur ta dimë si na gjete! Nuk e dimë se ç’ke marrë me vete nga kujtimet me ne!

A e ke pranuar arsyetimin e atyre të cilët kanë kërkuar falje!

A je i kënaqur me agjërimin e agjëruesve?

A të ka pëlqyer na­mazi i falësve?

Sa i madh është numri i atyre të cilët të janë arsyetuar me punët dhe obligimet e tyre!

Sa i madh është numri i atyre të cilët janë ar­syetuar me dobësitë dhe sëmundjet e tyre!

Por, për Zotin, as trupin s’e kanë pasur të sëmurë, as mundësitë të dobëta. Në pyetje është sëmundja e zemrës, poshtërsia e shpir­tit dhe mungesa e vullnetit. I ka tradhtuar kon­sekuenca e tyre, prandaj as që kanë tentuar ta tejkalojnë pengesën, por kanë ikur nga fushëbeteja para epopesë lavdiplote dhe vet­veten apriori e kanë gjykuar me shkatërrim.

Lërini tani le ta ndiejnë pikëllimin e dhemb­jes dhe le ta gëlltisin zemërimin e pendi­mit, kur të shohin se shokët që janë ballafaquar me sprovimin, nga i njëjti kanë dalë si ngadhënjimtarë dhe asgjë nuk ju ka munguar, në të vërtetë vetëm ua ka përforcuar fenë, fu­qinë dhe ju ka treguar se frika e tyre ka qenë vetëm iluzion i thjeshtë dhe mashtrim i djallit.

O ramazan…!

Thuaju atyre të cilët u mashtruan kësaj here, që mos të lejojnë të mashtrohen edhe herën e dytë! Në lamtumirën tënde thuaju: “Ai i cili e ka lëshuar rastin në ditët e mia, le ta kompensojë në të tjerat!”

Thuaju atyre se dyert e pendimit janë të hapura: “Ai, i cili bën ndonjë të keqe ose bën mëkat ndaj vetes e pastaj lut Allahun që t’ia falë, do të bindet se Allahu fal dhe është i mëshirshëm.” (en-Nisa, 10).

O muaj i agjërimit, friksohem se mos shumë namazfalësve dhe agjëruesve në librin tënd ju ke shënuar gjëra më të rënda se që ju ke shënuar shumicës të cilët nuk kanë agjëruar e as nuk janë falë, sepse është thënë: “Shumë mëkate të cilat sjellin përçmim dhe pendim janë më të mira se respekti i cili shpie në mendjemadhësi dhe krenari.”

Për këtë arsye, nëse joagjëruesit e pranojnë mëkatin e tyre dhe vendosin të jenë më të vendosur, kanë të drejtë që me pendim t’i drejtohen Allahut të Madhëruar. E sa ju përket atyre mendjemëdhenjve, të cilët konsiderojnë se me largim nga ushqimi dhe pijet i kanë plotësuar të gjitha obligimet dhe detyrat e tyre ndaj Allahut, por gjatë kohës së agjërimit nuk e kanë lënë përgojimin, me të vërtetë janë mëkatarë. Pendimi është larg tyre, sepse ata bile as që konsiderojnë se kanë bërë mëkat.

A nuk e dinë ata se Allahu i Plotfuqishëm, kur fëmijëve ua ka ndaluar që prindërve të tyre t’u drejtojnë çfarëdo fjalë shqetësuese dhe bezdisjeje, me këtë ka dashur që t’i largojë edhe nga llojet tjera të ofendimit dhe dhunës të cilat vijnë pas tyre, dhe se, gjithashtu, kur agjëruesve ua ka nda­luar pijet dhe ushqimet e lejuara, ka dëshiruar që kjo të jetë shkalla kulmore e pastërtisë dhe ngritjes nga të ndaluarit dhe mëkatet të cilat para kësaj i ka ndaluar si mëkate?

A është korrekte që agjëruesit t’i ndalohet të përgjigjet në ofendimet dhe shqetësimet, e t’i lejohet që ai të fillojë të ofendojë dhe shqetësojë dikë?

A nuk është agjërimi, siç kemi dëgjuar, pastërtia kulmore?

E si do t’i sendërtojë syni­met kulmore të asaj pastërtie, ai i cili nuk i ka sendërtuar të parat?

Vëllezër agjërues…!

Uluni pak me mua që të riprovohemi para se të pyetemi! A mos kemi harruar se kandari i veprave është i saktë dhe se i Drejti Absolut i sheh të gjithë?

Si do të përgjigjeshim sikur të na thuhej: “Keni llomotitur dhe paturpshëm keni folur gjatë agjërimit. Keni qenë të pa­kujdesshëm në namaz.”

E kush nga ne nuk ka llomotitur gjatë agjërimit dhe kush nuk ka qenë i pakujdesshëm në namaz?

Shfrytëzoni këto çaste dhe pastroni zem­rat tuaja me pendim, ngritni duart tuaja dhe përsëritni pas meje:

“O Zoti ynë, ne dëgjuam një të dërguar i cili na thërriste në besim ‘Besoni Zotit tuaj!’ – dhe ne besuam. – O Zoti ynë, na fal mëkatet tona, zbuti veprat tona të këqija dhe na mundëso të vdesim me ata të mirët. – O Zoti ynë, na jep atë që na e ke premtuar me anë të pejgamberëve të Tu, dhe mos na pikëllo në Ditën e Kiametit! Ti me siguri e përmbush premtimin tënd.” (Alu Im­ran, 193-194).

Ta përcjellim ramazanin, atë musafir fisnik ashtu si përcillet musafiri i vërtetë. Duhet ta dimë se musafiri i vërtetë nuk përcillet vetëm me se­lame, por me dhurata dhe gjëra të vlefshme.

Por, a e dimë se cilat janë dhuratat për këtë musafirin tonë?

Sadekatul fitri. Ai e pastron agjërimin tonë, ai i pastron shpirtrat tonë, ai i pas­tron punët tona…

Ta lusim Allahun e Madhëruar t’i pranojë veprat tona të mira dhe të na shpërblejë me xhenetet e Tij!  Amin.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)