Të Fundit
“E PREMTJA E ZEZË” OSE “E PREMTJA E BARDHË” DHE KULTURA E KONSUMIT NË ISLAM

“E PREMTJA E ZEZË” OSE “E PREMTJA E BARDHË” DHE KULTURA E KONSUMIT NË ISLAM

Fenomeni i “të Premtes së zezë” (Black Friday) konsiderohet një nga ngjarjet më të spikatura ekonomike dhe shoqërore që pasqyron kulmin e kulturës moderne të konsumit. Me kalimin e këtij fenomeni në botën arabe dhe islame, ai u shndërrua në “të Premten e bardhë” (White Friday), duke ngritur pikëpyetje të thella rreth modeleve të blerjes, ndikimeve ekonomike e shoqërore që i shoqërojnë ato dhe mënyrës se si e sheh këtë dukuri perspektiva islame, e cila vendos rregulla të sakta për konsumin dhe shpenzimet.

Sapo hyn muaji nëntor, ekranet e telefonave dhe pankartat e dyqaneve ndriçohen nga ofertat e promovuara nën emrin “e Premtja e bardhë”, një ndryshim i dukshëm i një emri që – në pamje të jashtme – jep përshtypjen e pafajësisë, por që në thelb përbën importimin e një kulture perëndimore të konsumit, e cila konkurron – madje shtrembëron – shenjtërinë e ditës së xhuma në traditën islame. Ndërsa për muslimanët dita e xhuma është një ditë shpirtërore, në të cilën robi lidhet me Zotin e tij përmes namazit, përmendjes dhe meditimit, fushatat e marketingut e shtyjnë atë drejt vrapimit pas zbritjeve që ndoshta as nuk i nevojiten, madje mund të mos jetë as në gjendje t’i paguajë më vonë.

E Premtja e zezë… Pse? Dhe kush përfiton?

Rrënjët e “të premtes së zezë” kthehen te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht në qytetin Filadelfia, gjatë viteve ’50 dhe ’60 të shekullit të kaluar. Në fillim, ky emërtim lidhej me trafikun e dendur dhe kaosin që ndodhte ditën pas Ditës së Falënderimeve (Thanksgiving), kur policia e përdorte këtë term për ta përshkruar vështirësinë e lëvizjes atë ditë.

Me kalimin e kohës, kuptimi i saj mori një drejtim tjetër dhe u kthye në një shenjë pozitive për tregtarët, duke iu referuar ditës kur llogaritë e tyre fillojnë të kalojnë nga ngjyra e kuqe (humbje) në të zezë (fitim), shkaku i kërkesës së madhe për blerje dhe zbritjeve të mëdha që i shpallin dyqanet. Ky fenomen u zhvillua derisa u shndërrua në një traditë vjetore globale, që shënon fillimin e sezonit të blerjeve para Krishtlindjeve, ku kompanitë dhe dyqanet konkurrojnë me njëra-tjetrën për të ofruar oferta joshëse që i shtyjnë konsumatorët të blejnë në sasi më të mëdha se sa u nevojiten realisht.

 “E Premtja e bardhë”: A është emri i pafajshëm?

Le të mos na mashtrojë emri. “E premtja e bardhë” nuk është gjë tjetër veçse një përkthim i zhveshur dhe i zbehur i shprehjes “Black Friday”, e cila lindi në Amerikë si simbol i një dite kur dyqanet fillojnë të realizojnë fitime “të zeza” pas humbjeve “të bardha”! Me hyrjen e saj në botën arabe nën petkun e fjalës “e premte”, disa u përpoqën ta “zbardhnin” gjuhësisht, por thelbi i saj konsumist nuk ndryshoi. Emri islam “e premte” evokon qëndrimin në xhami, e jo grumbullimin në qendra tregtare. Ndërsa “bardhësia”, e cila pritet të simbolizojë pastërti, këtu përdoret për të veshur një etje të pashuar: etjen për të blerë pa kufi.

Megjithëse u ndryshua emri, thelbi ekonomik i fenomenit mbeti i njëjtë: një ditë e dedikuar për ulje të mëdha çmimesh me qëllim nxitjen e shpenzimit konsumues. “E Eremtja e bardhë” ka arritur t’i pushtojë tregjet arabe, duke u bërë një ngjarje vjetore që pritet nga konsumatorët, gjë që pasqyron shkallën e ndikimit të kulturës globale të konsumit mbi shoqëritë arabe.

Kultura e konsumit dhe ndikimet e saj ekonomike e shoqërore

“Kultura e konsumit” njihet si një grup vlerash, bindjesh dhe praktikash që nxisin marrjen e mallrave dhe shërbimeve në sasi që tejkalojnë nevojat themelore, duke e shndërruar konsumin në qëllim në vetvete dhe në një mjet për të shprehur veten dhe pozitën shoqërore. Kjo kulturë është forcuar nga mekanizmat bashkëkohorë të marketingut dhe reklamat, të cilat krijojnë te konsumatori një nevojë të rreme dhe e shndërrojnë dëshirën për të pasur diçka në një domosdoshmëri psikologjike e shoqërore. Ajo është një kulturë varësie e nënshtrimi, që e gllabëron pasurinë dhe i humbet njeriut ndjesinë e vlerës së gjërave.

Nga ndikimet ekonomike dhe shoqërore të kulturës së konsumit mund të përmendim:

Fokusimi te pamja dhe shtrembërimi i imazhit personal

Kjo kulturë i shtyn individët të merren me pamjen e jashtme dhe të shpenzojnë për gjëra dytësore, duke ua humbur ndjesinë e vlerës reale të gjërave dhe duke bërë që shpenzimet për imazh të dominojnë mbi thelbin. Madje ajo e fut njeriun në krizë me pamjen dhe vetëvlerësimin e tij, duke ofruar një model ideal të paarritshëm, gjë që çon në çrregullime psikologjike dhe sociale.

Barra financiare dhe shtimi i borxheve

Kultura e konsumit çon në rritjen e borxheve personale, pasi individët i drejtohen huamarrjes për të plotësuar dëshirat e tyre të pangopura konsumuese, sidomos gjatë ditëve të zbritjeve të mëdha. Ky model shpenzimi rrezikon qëndrueshmërinë financiare të familjeve dhe i kthen individët në skllevër të dëshirave dhe borxheve.

Shterimi mjedisor dhe sfidat e qëndrueshmërisë

Prodhimi dhe konsumi i tepruar sjellin shterimin e burimeve natyrore dhe përkeqësimin e problemeve mjedisore që burojnë nga rritja e mbetjeve dhe ndotjes. Ciklet e shpejta të prodhimit, të orientuara drejt konsumit afatshkurtër, bien drejtpërdrejt ndesh me parimet e qëndrueshmërisë dhe me ruajtjen e mjedisit për gjeneratat e ardhshme.

Ndryshimi i vlerave shoqërore

Vlerat shoqërore zhvendosen nga vlerat e prodhimit dhe kursimit drejt vlerave të konsumit dhe shpërdorimit, gjë që ndikon negativisht në zhvillimin e qëndrueshëm. Po kështu, kjo kulturë forcon individualizmin dhe dobëson solidaritetin shoqëror, pasi konkurrimi për dukje e pamje bëhet shtysa kryesore e sjelljes.

Konsumi në Islam: ndërmjet teprimit dhe ekuilibrit

Islami nuk e ka ndaluar shijimin e begative të Allahut. Madje Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?” (el-A‘raf: 32). Por Allahu ka vendosur kufi të qartë ndërmjet “përfitimit” dhe “shpërdorimit”, siç thotë: “Por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë.” (el-A‘raf: 31).

Në perspektivën islame, konsumi nuk është qëllim më vete, por është mjet për jetë të dinjitetshme brenda kufijve të nevojës dhe zgjedhjes së ndërgjegjshme. Kurse kultura e tipit “Bli se ra çmimi!” apo “Bli para se të mbarojë oferta!”, e ushqen instinktin e pronësimit pa menduar dhe i dobëson njerëzit të dallojnë mes “nevojës” dhe “dëshirës”.

Islami e sheh konsumimin si diçka natyrore dhe të domosdoshme për jetën e njeriut, dhe nuk e ndalon; përkundrazi, nxit që të përfitohet nga të mirat e lejuara që Allahu i ka dhënë. Megjithatë, Kurani tregon se konsumimi është funksion bazë i jetës, por i vendos atij rregulla të rrepta, me qëllim që konsumimi të jetë mjet dhe jo qëllim, dhe të realizohet në kuadër të moderimit dhe ekuilibrit.

Rregullat e konsumit në Islam

Ndalimi i teprimit (isrâf)

Teprimi është tejkalimi i kufirit në përdorimin e gjërave të lejuara, qoftë në sasi apo në mënyrën e shfrytëzimit. Kurani e ndalon qartë teprimin, ku Allahu thotë: “Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë.” (el-A‘raf: 31). Teprimi përfshin çdo gjë që shkon përtej nevojës së domosdoshme apo nevojës së matur shtesë, dhe sjellja e tillë rrezikon ekuilibrin ekonomik e shoqëror.

Ndalimi i shpërdorimit (tebdhîr)

Shpërdorimi është më i rëndë se teprimi. Ai nënkupton shpenzimin e pasurisë në vende të papërshtatshme, në gjëra të padobishme ose të dëmshme, apo humbjen dhe prishjen e saj. Allahu i Lartësuar i ka përmendur shpërdoruesit në një krahasim tronditës: “Dorëshpuarit me të vërtetë janë vëllezërit e shejtanit dhe shejtani është mosmirënjohës ndaj Zotit të tij.” (el-Isra: 27). Shpërdorimi përfshin shpenzimet për të ndaluarat, përdorimin e pasurisë pa dobi, ose në mënyrë të dëmshme – dhe kjo është një tejkalim i skajshëm i kufijve të arsyeshëm.

Moderimi dhe ekuilibri

Islami thërret në moderim gjatë shpenzimit, i njohur si “ekonomi” ose “qëndrim i matur”, një metodë që shmang si teprimin, ashtu edhe koprracinë. Allahu i Madhëruar, duke përshkruar robërit e Tij të devotshëm, thotë: “Ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes.” (el-Furkan: 67). Ky ekuilibër siguron përfitimin individual pa dëmtuar interesin e përgjithshëm dhe pa i shteruar burimet.

Funksionaliteti i konsumit

Programi islam synon funksionalitetin e konsumit – që konsumi të jetë mjet për t’i plotësuar nevojat njerëzore të vlefshme fetarisht, e jo thjesht përgjigje ndaj epsheve kalimtare apo imitimit të verbër. Çdo konsum që nuk sjell dobi të vërtetë ose që prodhon dëm, del jashtë kornizës së moderimit të kërkuar.

Programi islam, pra, vendos kornizë etike dhe ekonomike për konsumimin, e cila e mbron individin dhe shoqërinë nga rreziqet e teprimit dhe shpërdorimit, dhe siguron që burimet të përdoren në mënyrë që shpie drejt zhvillimit të vërtetë dhe të qëndrueshëm.

Drejt një konsumimi të vetëdijshëm: Si ta bëjmë vërtet një “të premte të bardhë”?

E premtja: Ditë vetëdijeje, jo ditë shpërqendrimi

Islami e ka zgjedhur ditën e xhuma­s si festë javore, jo për ta kremtuar tregtinë dhe ofertat, por për ta kujtuar botën tjetër, për ta ripërtërirë lidhjen me Krijuesin dhe për të medituar mbi jetën e të Dërguarit (savs). Ajo është ditë bashkimi, jo i mallrave, por i zemrave besimtare; ditë në të cilën kërkohet dituria, përmendet bota tjetër dhe falen mëkatet e atyre që e falin xhuman siç duhet.

E premtja e zezë, e premtja e bardhë dhe kultura e konsumit

Si mund të pranojmë që kjo ditë madhështore të shndërrohet në një “rast për blerje”? Si mund të lejojmë të shfrytëzohet emri i saj për t’i shtyrë njerëzit drejt ngarkesave financiare, apo drejt borxheve që nuk i përballojnë?

Përballë valëve të konsumizmit të tepruar që promovohen nga dukuri si “e premtja e zezë”, perspektiva islame paraqet një model të konsumit të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm, që mund të jetë alternativë qytetëruese ndaj kulturës së shpërdorimit.

Renditja e prioriteteve sipas objektivave të sheriatit

Muslimani duhet t’i rendisë prioritetet e tij sipas synimeve të sheriatit, duke vënë në radhë të parë domosdoshmëritë (ushqimi, pija, banimi), pastaj nevojat (përmirësimi i kushteve të jetesës), e më pas gjërat plotësuese (luksin e tepërt). Kjo radhitje siguron që pasuria të mos shpenzohet kot në gjëra të padobishme.

Planifikimi financiar dhe kursimi

Duhet të inkurajohet kursimi dhe planifikimi i drejtë financiar, si dhe shmangia e borxheve konsumuese të pajustifikuara. Kursimi nuk është vetëm veprim ekonomik, por është vlerë islame që garanton stabilitet financiar edhe për individin edhe për familjen.

Cilësia, qëndrueshmëria dhe lufta kundër shpërdorimit

Theksi duhet të vihet te blerja e produkteve me cilësi të lartë, të cilat zgjasin më shumë, në vend të mallrave të lira që konsumohen shpejt dhe shtojnë shpërdorimin. Luftimi i shpërdorimit të ushqimit, ujit dhe energjisë është pjesë thelbësore e mësimeve islame.

Shpenzimi social dhe solidariteti

Duhet orientuar një pjesë e shpenzimeve drejt sadakasë dhe zekatit, duke e kthyer konsumimin nga veprimi individual e egoist, në vlerë shoqërore që i shërben komunitetit dhe e forcon solidaritetin.

“E premtja e zezë” apo “e premtja e bardhë” janë mundësi për tregtarët që t’i rrisin fitimet e tyre; por për konsumatorin e vetëdijshëm janë gjithashtu sfidë për ta dëshmuar aftësinë e tij për t’i kontrolluar dëshirat dhe për t’iu përmbajtur kufijve të maturisë që ka vënë Islami, në mënyrë që konsumimi të mos jetë barrë, por mjet për dobi dhe ndërtim. Përvetësimi i kulturës së konsumit të vetëdijshëm është hap i rëndësishëm drejt rikthimit të ekuilibrit ekonomik dhe moral në shoqëritë muslimane.

Së fundi…

A mund ta krijojmë me të vërtetë një “Të premte të bardhë”? Po… Ne mund ta bëjmë xhumanë tonë të jetë vërtet e bardhë:

Xhumaja e vërtetë nuk shpallet nga dyqanet, por thirret nga minaret: “Eja në namaz, eja në shpëtim!”

Burimi:https://islamonline.net/144151

Përkthim nga gjuha arabe: Miftar Ajdini/islampress/