Të Fundit
Dhjetëshja e artë e Ramazanit

Dhjetëshja e artë e Ramazanit

Çdo çast dhe kohë e Ramazanit është me vlera të posaçme dhe me bekim. Mirëpo, fundi i tij është i artë, është plotë mirësi e begati. Kjo pjesa e fundit, kjo dhjetëshja e fundit, i ngjan atij metrazhi të fundit të garuesve, të cilët, në fund e japin maksimumin për ta fituar cakun, për ta arritur fitoren.

Pejgamberi a.s. në dhjetëshin e fundit përpiqej në ibadet deri në maksimum, e kërkonte natën Kadrit dhe mirësitë e saj. Hz. Ajsheja r.a., bashkëshortja e tij, na tregon: “Pejgamberi alejhis-selam në dhjetëshin e fundit përpiqej në ibadet më shumë se në çdo ditë tjetër.” (Muslimi)

“Pejgamberi alejhis-selam kur vinte dhjetëshi i fundit i Ramazanit, i ngjallte netët (me ibadete) dhe zgjonte familjen e tij prej gjumi…” (Muslimi)

Le të mendojmë pak në lidhje me frazën “i ngjallte netët – jahja el-lejl”, sikur netët të ishin të vdekura, e ai me përkushtim dhe ibadet i ngjallte. Sipas kësaj, kemi edhe kohë të vdekura, por ka edhe të gjalla, sikur që ka vende të vdekura, e ka edhe vende të gjalla. Po ashtu, ka zemra që janë të vdekura dhe ka të tilla që janë plotë gjallëri. Gjallëria vije në shprehje kur i nënshtrohemi dhe i përulemi Krijuesit, përmendim dhe lartësojmë emrin e Tij, ndërsa vdesim atëherë kur tregohemi të plogësht dhe të shkujdesur.

Në këtë mënyrë, në dhjetë ditshin e fundit të Ramazanit, Pejgamberi a.s. bëhej më i gjallë, si jo më parë, futej në i’tikaf dhe shkarkohej nga ngarkesat e kësaj bote, duke u veçuar e duke u përkushtuar te madhërimi i Krijuesit të vet, All-llahut fuqiplotë.

Prandaj në këto ditë dhe net muslimanin dhe muslimanen nuk e sheh përveçse duke u falur, duke lexuar Kuran, duke e përmendur Allahun, duke bërë lutje, i përulur dhe i nënshtruar, si dhe nuk dëshiron që t’ia tejkalojë askush për në vepra të mira që e afrojnë tek All-llahu.

O garues, mbajeni frymën dhe fuqizoni hapin, ta fitojmë dhjetëshen e artë të këtij Ramazani!

(02.05.2021, e diel)

Hfz. Mehas Alija

(Islampress)