Të Fundit
Burimet e bereqetit

Burimet e bereqetit

Sikur të kërkonim një definicion Islamik rreth produktivitet, me siguri që do të mund ta përmbledhim në fjalën “bereqet” apo bekim. Të qenët në gjendje të arrish më tepër me disa resurse, të bërit shumë me pak kohë, dhe të gjenerosh shumë me pak mund me siguri që paraqet një bekim nga ana e Allahut të Madhëruar. Bereqeti në njëfarë mënyre këtyre ditëve është bërë një pasuri e humbur të cilën e kërkon çdokush, por si duket nuk e gjen njeri! Sa herë mund të dëgjoni njerëzit duke u ankuar se nuk e kanë kohën e bereqetshme, gjumin e bereqetshëm, pasurinë e bereqetshme etj.

Në këtë artikull, me lejen e Allahut do ta zgjedhim këtë mister; dhe do të zbulojmë çfarë është bereqeti dhe ku mund ta gjejmë atë!
Çfarë është Bereqeti?

Një dijetarë këtë e përshkruan si vijon:

“Bereqeti është pjesë e pandashme e mirësisë Hyjnore tek një gjë, pra nëse ndodh në diçka të vogël, rritet. Në rast se ndodh në diçka do të bëj shumë dobi. Ndërsa frytet më të mëdha të bereqetit nga gjitha gjërat është përdorimi i tij në adhurimin dhe nënshtrimin Allahut të Madhëruar.”

Burimet e bereqetit

Unë jam një besimtar i vendosur se bereqeti nuk është thesar i humbur, përkundrazi ai gjendet përpara syve tanë! Ai thesar është i disponueshëm dhe i gatshëm për përdorim për ata që angazhohen. Më poshtë, do t’i përmendim disa burime bereqeti.

1. Qëllimet e mira

Nëse dëshironi t’ia bashkëngjisni bereqetin diçkaje )të jetë i bereqetshëm), keni qëllime të mira. Më konkretisht, sigurohuni që ajo vepër të jetë për hir të Allahut të Madhëruar. Duke e rishikuar sërish definicionin e Bereqetit, mund të zbuloni se pa qëllimin e arritjes së kënaqësisë së Allahut, “Mirësia Hyjnore” nuk do të gjendet në veprat tona.

2. Devotshmëria dhe Besimi në Allahun

Allahu në Kur’an potencon: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” (Kaptina El A’raf, 96). Ai gjithashtu shton: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. “ (Kaptina Et-Talak, 2-3)

3. Vënia e besimit tuaj në All-llahun

Allahu në Kur’an thotë: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” (Kaptina Et-Talak, 3)

Muhammedi (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Nëse i mbështeteni Allahut të Madhëruar me mbështetje të plotë, do t’ju japë rrizkun (do t’ju furnizojë juve) ashtu sikurse ia jep rrizkun zogjve të cilët dalin të uritur dhe kthehen të ngopur.” (Hadith)

4. Leximi i Kur’anit

Ky është burim i Bereqetit! Por, SubhanAllah, ne shumë rrallë pimë nga ai burim! Allahu në Kur’an thekson: “Ky (Kuran) është një Libër i bekuar, të cilin ta kemi shpallur ty (o Muhamed), si vërtetues të atij (Teuratit) që gjendet para tij dhe që të paralajmërosh popullin e nënës së qyteteve (Mekës) dhe ata që banojnë rreth saj…” (Kaptina El En’am, 92) Prandaj, lexoje Kur’anin dhe vëzhgo bekimet e Allahut që vijnë në jetën tuaj. Sa më larg Librit Udhëzues, aq më pak bereqet do të kemi në jetët tona.

5. Thuaj Besmelen

Kur thua “Besmelen” para çdo veprimi, kur jeni duke thirrur Emrin e Allahut në atë aktivitet; jo vetëm që ai aktivitet do të jetë i bekuar, por edhe shejtani nuk mund të bëhet pjesë e tij! Prandaj thuaj “Besmelen” para çdo aktiviteti! SubhanAllah, ne shumë lehtë mund të harrojmë të themi “Besmelen”, apo nganjëherë nuk jemi të sigurt a e kemi thënë apo jo! Mundohuni të jeni të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm me thënien e “Besmeles” dhe kuptoni çfarë jeni duke thënë para se të ndërmerrni ndonjë veprim.

6. Ngrënia së bashku me njerëz

Me siguri që çdokush ka përvojën e thirrjes së mysafirëve në shtëpinë e vet. Nuk është me rëndësi sa ushqim i paktë ju duket ajo që ua nxirrni mysafirëve, ai gjithmonë do të jetë më tepër se e mjaftueshme! (Shënim: kjo nuk është arsye që të jemi dorështrënguar kur të ftoni mysafirë; në fakt ne duhet praktikuar Sunnetin e të Dërguarit Ibrahim (Paqja qoftë mbi të) i cili u përgatit racione të mëdha engjëjve të cilët e vizituan atë). Ajo që unë referojë është bekimi që paraqitet kur hahet në bashkësi, që konfirmohet nga hadithi i të Dërguarit Muhammed (paqja qoftë mbi të) i cili ka thënë: “Hani së bashku, meqë bereqeti është në ushqimin e përbashkët…” apo në një hadith tjetër ku qëndron: “Ushqimi i përgatitur për dy, është i mjaftueshëm edhe për tre, kurse ushqimi i përgatitur për tre, mjafton për katër.” – “Ushqimi i njërit, u mjafton dyve, ushqimi i dyve u mjafton katërve, kurse ushqimi i katërve mjafton për tetë.” (Hadith)

7. Sinqeriteti në Tregti

Këtu përfshihen të gjitha llojet e tregtisë (duke përfshirë edhe ato përmes internetit!). Duhet ta heqim nga koka se me gënjime dhe mashtrime do ta bëjmë fitimprurës biznesin tonë. Do të ndodh e kundërta, do ta largojmë bekimin e tregtisë sonë. Muhammedi (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Shitësi dhe blerësi kanë të drejtë t’i mbajnë ose t’i kthejnë mallrat sa pa u ndarë, ose derisa të ndahen. Në qoftë se të dy palët kanë thënë të vërtetën dhe kanë përshkruar të metat dhe cilësitë (e mallit), atëherë ata do të bekohen në shitblerjen e bërë mes tyre, ndërsa, në qoftë se kanë gënjyer ose kanë fshehur diçka, atëherë ata do të humbin bekimin e shitblerjes së bërë mes tyre.” (Hadith)

Po, është e vështirë kur diçka shet, mirëpo më besoni që ia vlen.

8. Duaja

Lute Allahun për bereqet! Nëse vëreni lutjet e të Dërguarit Muhammed (Paqja qoftë mbi të), do të shihni se ai lutej për bereqet. Ne gjithmonë themi: “Allahu të bekoftë!” Kuptoje që ky është burim bereqeti! Gjithashtu, nëse ftoheni në shtëpinë e dikujt, Muhammedi (Paqja qoftë mbi të) na këshillon që ta themi këtë dua: “O Allah, bekoje atë që ua ke dhënë atyre, fali dhe mëshiroji Ata.”
9. Të ardhurat hallall
I Dërguari Muhammed (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Allahu është i mirë dhe nuk pranon tjetër përveç të mirës.” (Dijetarët thonë që kjo i referohet fitimit hallall dhe rëndësisë së tij).
Koncepti i “bekimit” të gjymtyrëve tuaj dhe përfshirjes së tyre është krejtësisht i vërtetë dhe bekimi i tyre është domosdoshmërish i rëndësishëm.

10. Ndjekja e Sunnetit të Pejgamberit Muhammed në gjithçka

Kam thënë edhe më herët, por e përsëris, burrë më produktiv në historinë njerëzore ka qenë i dashuri ynë, Muhammedi (Paqja qoftë mbi të). Prandaj, me ndjekjen e mënyrës së jetës së tij dhe veprimet e tij, ne arrijmë një burim të shkëlqyer bereqeti!
Disa nga ato sunnete janë: ngrënia e syfyrit, ngrënia me dorë të djathtë, shkuarja në xhami për namaz, lëpirja e gishtave pas përfundimit të ushqimit, fjetja i shtrirë në anën e djathtë, përdorimi i misvakut etj.

Dije që ndjekja e këtyre sunneteve, dhe imitimi i jetës së tij është burim i madh bekimi.

11. Falja e namazit Istihare

Falja e namazit Istihare për të gjitha çështjet dhe pastaj mbështetja tek Allahu sa i përket pasojave, sikurse edhe pranimi i përcaktimit të Tij është burim bereqeti. Muhammedi (Paqja qoftë mbi të) na ka mësuar këtë dua të bukur e cila na ndihmon të marrim vendime dhe të mos pendohemi për zgjedhjet që i bëjmë:

“I Dërguari (Paqja qoftë mbi të) na mësonte që të lutemi për udhëzim në të gjitha çështjet tona. Ai (Paqja qoftë mbi të) thoshte: Nëse dikush prej jush dëshiron të merr një vendim të rëndësishëm, le të falë dy rekate vullnetare namaz dhe pastaj le të lutet:

“O Zoti im, kërkoj mbarësi me diturinë tënde dhe prej fuqisë Sate; kërkoj forcë dhe fuqi. Ti di çdo gjë kurse unë nuk di; Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zot! Nëse puna ime është e dobishme për fenë time dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, ma mundëso mua që të realizohet kjo, ma lehtëso mua këtë dhe më beko në të. E nëse kjo punë është e dëmshme për fenë dhe jetën time për kohën e tashme dhe të ardhmen, largoje këtë nga unë dhe më largo mua nga kjo, e më përcakto mbarësinë kudo që të jetë dhe më bëj të jem i kënaqur me të.”

E kush kërkon ndihmë nga Krijuesi dhe konsultohet me besimtarë dhe mbetet i vendosur, nuk do të pendohet. Allahu i Madhërishëm thotë: “…Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Kaptina, Ali Imran, 159)

12. Falënderimi i Allahut me bollëk

Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë: “Nëse jeni falënderues Do të shtoj më shumë (mirësi) për ju”. Një dijetar njëherë më tregoi se tek ky ajet, fjala arabe e cila është përdorur për të konfirmuar që Allahu Dëshiron të mira për personin i cili e falënderon Atë është faktikisht në formë të betimit. Pra, Allahu i premton atij që është falënderues ndaj Tij me shtim në mirësi dhe bekime, dhe Allahu nuk e thyen kurrë premtimin.

13. Sadakaja

Në një hadith Kudsi, Allahu i Madhërishëm thotë: “O biri i Ademit, harxho (jep sadaka), edhe Unë do të shpenzojë për Ty.” Sa herë që ndjehesh i thyer, me siguri je zhveshur nga bereqeti; dhe duhet kthyer sa më shpejtë në rrugën e drejtë, një nga rrugët më të shpejta është dhënia e sadakasë. Për shembull, nëse të hiqet bereqeti nga jeta jote për shkak të mëkateve që ke bërë; sadaka pastron mëkatet, shton bamirësitë dhe është burim i bereqetit.

14. Mbajtja e lidhjeve familjare

Profeti Muhammed (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Allahu krijoi krijimin e Tij, dhe kur Ai e përfundoi atë, lidhja farefisnore u ngrit dhe Allahu I tha: “Ç‟është puna me ty?” Ajo u përgjigj në këtë: “Kërkoj mbrojtje nga Ti që dikush të më shkëpusë mua”. Allahu u përgjigj në këtë: “A do të ishe e kënaqur që të derdhja begatitë e Mia mbi atë që të mban ty lidhur, dhe të ndaloj begatitë e Mia prej atij që rrezikon (shkëputë) lidhjet?” Në këtë ajo u përgjigj: “Po, O Zoti im!” Dhe Allahu tha: “Do të jetë kështu për ty.” Ebu Hurejre shtoi: “Nëse doni lexojeni: “Nëse ju i ktheni shpinën besimit, atëherë a do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore? (Hadith)

15. Zgjimi herët nga gjumi

Muhammedi (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Allahu, i bekoi orët e hershme për ummetin tim.” Këto perla janë burime të bekimeve të cilat jetën tonë do ta bëjnë më të dobishme. Zgjimi herët është një hap me rëndësi për të qenë i bereqetshëm dhe për t’u ndjerë mirë gjatë gjithë ditës.

16. Martesa

Allah në Kur’an thotë: “I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.” (Kaptina, En-Nūr: 32)

17. Namazi

Allah në Kur’an thotë: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut.”
Për ta përshkruar çështjen e namazit më tepër, paramendojeni jetën tuaj pa këtë vepër ibadeti! Prej nga do të vinte bereqeti? Për ata të cilët ende luhaten rreth namazit, ju lutem kthehuni në binarë; kjo është vija jetësore për destinacionin tuaj përfundimtar dhe ushqimi ditor për shpirtin tuaj.

18. Kërkimi i faljes

Muhammedi (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Nëse dikush vazhdimisht kërkon falje nga Allahu, Allahu do ti gjej rrugëdalje nga çfarëdo vuajtje, dhe do ta liroj nga çdo shqetësim, dhe do ta furnizoj atë nga nuk e pret fare.”

Burimi: productivemuslim

Përshtati: Lutfi Muaremi  (Islampress)