Të Fundit
Biri im, mos u bëj i pakujdesshëm gjatë abdesit!

Biri im, mos u bëj i pakujdesshëm gjatë abdesit!

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Dërgojmë salavat dhe selam mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin (savs), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar dhe kanë vdekur me besim në zemër.

Vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së sotme është:Biri im, mos u bëj i pakujdesshëm gjatë abdesit!

Kjo është një këshillë e sinqertë për ata që qeshin, flasin dhe i përgojojnë njerëzit e tjerë gjatë marrjes së abdesit, dhe të cilët, përndryshe janë të pakujdesshëm ndaj abdesit të tyre.

Me një rast, babai e pyeti djalin e tij: “O biri, si merr ti abdes?”

Djali iu përgjigj ftohtë: “Ashtu siç marrin abdes edhe të gjithë muslimanët e tjerë.”

Babai filloi të qeshë, pastaj tha: “E si marrin abdes të gjithë muslimanët e tjerë?”

Djali i tha: “Baba, muslimanët marrin abdes ashtu siç merr edhe ti.”

Babai heshti për një kohë, pastaj me një ton serioz i tha: “O biri im, do të doja që të kesh të drejtë, por, për sa më përket mua, unë marr abdes në një gjendje të veçantë shpirtërore dhe ndiej kënaqësi gjatë abdesit. Në atë kënaqësi është ëmbëlsia, kurse në atë ëmbëlsi është bukuria, lartësia, hollësia dhe shumë kuptime të tjera që e mbushin shpirtin tim, dhe të cilat më bëjnë të përulur dhe të penduar gjatë namazit.”

Në atë moment, djalit iu shfaqën njëqind pikëpyetje mbi kokën e tij, por babai nuk i dha kohë të bënte pyetje, dhe vazhdoi me këshillën e tij, duke i thënë: “Tani do ta citoj hadithin e Pejgamberit (savs), në mënyrë që ta vështrosh me kujdes dhe të mendosh për kuptimet e tij të larta.

Transmeton Ebu Hurejre (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Kur një musliman vendos për të marrë abdes, pastaj e lanë fytyrën, nga fytyra e tij, së bashku me ujin, ose me pikën e fundit të ujit, bien të gjitha mëkatet që ka bërë me sy (duke shikuar haram). Kur i lanë duart, nga duart e tij, së bashku me ujin, ose me pikën e fundit të ujit, bien të gjitha mëkatet që ka bërë me duart e tij. Kur i lanë këmbët, nga këmbët e tij, së bashku me ujin, ose me pikën e fundit të ujit, bien të gjitha mëkatet që ka bërë duke shkuar drejt mëkatit, kështu që, pas abdesit ai del i pastër nga mëkatet.“(Transmeton Muslimi)

Nëse e studion me kujdes këtë hadith, atëherë do të gjesh ëmbëlsi dhe kënaqësi në abdes, dhe do ta ndjeshë se uji me të cilin i lanë pjesët e trupit tënd, nuk është gjë tjetër veçse drita me të cilën,në realitet ti e lanë zemrën tënde.”

Pas kësaj, djali tha: “Oh, si kam mundur t’i shpërfilli unë këto kuptime madhështore të abdesit?! Në vend të kësaj, për mua, abdesi ishte një larje rutinë e pjesëve të përshkruara të trupit, dhe unë kurrë pas abdesit nuk kam dalë me kuptime të këtilla.”

Për këtë babai, me plotë gëzim, tha: “O biri im, nëse abdesit i qasesh në këtë mënyrë, do të ndjesh se zemra jote është mbushur me shumë kuptime madhështore shpirtërore, me të cilat zemra jote do të bëhet e lëmuar dhe e pastër. Dhe e gjithë kjo, nuk është asgjë tjetër, veçse përgatitje për namaz dhe bisedë me Allahun e Gjithëmëshirshëm, me Krijuesin e Lartësuar. Prandaj, përpiqu që zemra jote të jetë e pranishme në këtë mënyrë gjatë çdo abdesi, dhe kjo, me dëshirën e Allahut, do të sjellë më shumë pendim në namaz.”

Djali i tha: “Kjo, pra, është arsyeja që ta përtërij abdesin për çdo namaz, madje edhe nëse kam abdes, sepse ai është dritë mbi dritë, kuptime të lavdishme të cilat lindin kuptime të reja të lavdishme.”

Babai i tha: “Jo vetëm kaq, por kjo është arsyeja që gjithmonë ta ruash abdesin, dhe të marresh abdes sa herë që del nga shtëpia jote, në mënyrë që me zemër të pastër përplot me këto kuptime të larta, të përballesh me jetën dhe sfidat e saj.”

Abdullah ibn Omeri (r.a.), transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë:Çdonjëri prej jush që merr abdes, pastaj e kompleton atë, dhe pastaj thotë: ‘Esh’hedu en la ilahe il-lallah ve enne Muhammeden abdullahi ve resuluhu!’ – (Unë dëshmoj se nuk ka zot përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij) – do t’i hapen atij të tetë dyert e xhenetit, për të hyrë nga cila dëshiron në xhenet.” (Transmeton Muslimi)

O Allahu i Mëshirshëm, na bëj neve prej atyre që shpesh pendohen dhe shumë pastrohen!

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë ose mposhtin pabesimtarët.

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)