Të Fundit
A shpërblehen prindërit nga veprimet e fëmijëve të tyre?

A shpërblehen prindërit nga veprimet e fëmijëve të tyre?

A kanë shpërblim prindërit në qoftë se fëmija i tyre bënë vepra të mira, siç është p.sh. namazi, haxhi dhe leximi i Kur’anit, apo se kjo i llogaritet vetëm fëmijës?

Përgjigjja:

Çdo vepër të mirë që e bënë fëmija, i cili akoma nuk ka arritur moshën e pubertetit, i llogaritet vetëm atij dhe jo prindërve të tij, madje askujt tjetër. Megjithëkëtë, prindërit do të shpërblehen për edukimin, arsimimin dhe udhëzimin e tyre kah punët e mbara.

Për këtë e kemi hadithin e Muhammedit a.s., që e shënon Imam Muslimi në “Sahihun” e tij, të përcejllë nga Ibn Abbasi, r.a., ku thuhet se një grua, në Haxhin e Lamtumirës, e kishte ngritur lartë fëmijën e saj, dhe kishte pyetur: “O Dërguari i Allahut, a i pranohet këtij haxhi? “Po, i pranohet, kurse për ty ka shpërblim” – u përgjigj Muhammedi a.s.

Sikur që e shohim, Pejgamberi a.s., na ka njoftuar se për haxhin e fëmijës, nëna ka shpërblim, ndërkohë që haxhi i takon vetëm fëmijës.

Përpos kësaj, përveç prindërve, shpërblim ka secili që e udhëzon dikë në rrugë të mbarë, qoftë ai jetim, familjar, shërbetor, apo ndonjë tjetër, ndërsa për këtë e kemi thënien e Muhammedit a.s., që thotë: “Ai i cili e udhëzon dikë për ndonjë punë të mirë, do të ketë shpërblimin e njëjtë sikur të atij që e vepron atë.” (Hadithin e shënon Imam Muslimi).

Po ashtu, kjo bie në kategorinë e ndihmesës në punë të mira dhe të devotshmërisë, e që, s’do mend se, Allahu xh.sh., për të gjitha këto ka caktuar shpërblime të mëdha.

 

Burimi: Libri “Fetva dhe dispozita në lidhje me fëmijët”, | Autor: Jusuf b. Muhammed b. Ibrahim el-Atik | Përkthue: Mehas Alija