Të Fundit
Xhematet tona si pasqyrat tona

Xhematet tona si pasqyrat tona

„Dhe të gjithë ju mbahuni fortë për litarin e Allahut (Kur’anin) dhe mos u shpartalloni. Dhe kujtonie dhuntinë e Allahut (që u është dhënë) juve; kur ishit në armiqësi, e u bashkoi zemrat tuaja e në saje të dhuntisë së Tij u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së xhehenemit, ndërsa Ai ju shpëtoi juve nga ajo. Kështu Allahu ua shpjegon argumentet e veta për t’u drjtuar ju në udhën e drejtë.“ (Alu Imran, 103)

I Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: „Allahu nuk do t’i bashkojë pasuesit e mi, ose ka thënë: pasuesit e Muhamedit në gabim, dora e Allahut është mbi xhematin. Kush është ndarë, është ndarë në xhehenem.“ (Tirmidhiu)

Pejgamberi (savs), ka thënë: „Falja e namazit të përbashkët (me xhemat) është më e vlefshme për 25 shkallë (derexhe) nga namazi i një individi në shtëpinë e tij ose në shesh (në vendin e punës). Kur dikush nga ju merr abdes mirë dhe shkon në xhami duke mos synuar asgjë tjetër pos kryerjes së namazit, ai për çdo hap që ecë Allahu do ta ngrejë nga një shkallë dhe do t’ia falë nga një mëkat derisa të hyjë në xhami. Pasi të hyjnë në xhami, konsiderohet se është në namaz derisa të qëndron në xhami dhe të falet, ndërsa engjëjt për atë kohë do të luten për të duke thënë: ‘O Allah, fale! O Allah, mëshiroje!’ derisa të ndodh diçka që ia prish abdesin.“ (Buhariu)

Muslimanët, për këtë arsye, janë të detyruar ta ruajnë xhematin në përgjithësi dhe namazin në xhemat në veçanti. Nga ana tjetër, qëllimi themelor i xhamisë është vendosur me tekste të qarta nga Kurani dhe Hadithi. Allahu i dashur thotë:

„Në xhamitë, që u ngritën me urdhërin e Allahut dhe në të cilat përmendet emri i Tij – Atë e lavdërojnë, në mëngjes dhe mbrëmje, njerëzit, të cilët shitblerja nuk i pengon në të përmendurit e Allahut dhe të cilët falin namazin dhe japin zeqatin, dhe të cilët druajnë nga Dita, në të cilën zemrat dhe shikimet janë të shqetësuara, (e lavdërojnë Allahun) që Allahu t’i shpërblejë ata me dhuratat më të mira për atë që kanë punuar, e që t’jua shtojë atyre dhuntinë e Tij. E, Allahu e furnizon kë të dojë, pa llogari.“ (en-Nur, 36-38)

Çdo besimtar duhet ta dijë se xhamitë shërbejnë vetëm për përmendjen e Allahut të Madhërishëm, për faljen e namazit, për lexim të Kuranit, për promovimin e së mirës dhe për ndalimin e së keqës. Për ta arritur këtë qëllim janë vendosur rregulla të caktuara të cilat vizitorët e xhamive janë detyruar t’i respektojnë.

Disa nga këto rregulla kanë të bëjnë me xhaminë, disa të tjera me pamjen fizike të namazliut, ndërsa të tretat kanë të bëjnë me sjelljen e namazliut në xhemat.

O bijt e Ademit, vishuni bukur kur të shkoni në xhami

Allahu i Madhërishëm i ka urdhëruar besimtarët që të veshin rroba të bukura kur të shkojnë në xhami (el-A’raf, 31). Është e kuptueshme se rrobat duhet të jenë të pastra. Allahu i Madhërishëm, por edhe engjëjt e Tij duan ta shohin besimtarin të pastër dhe të rregullt, dhe kjo gjithashtu është një shenjë respekti ndaj Allahut të Madhërishëm, të zotit të shtëpisë.

Para pak kohe, si zakonisht e falëm namazin e ikindisë në xhaminë e Sulltan Ahmedit në Bugojno. Kur pas namazit u ktheva kah xhemati, një i ri nga ata që nuk qëndrojnë në dhikër u ngrit dhe shkoi drejt daljes të xhamisë. Njëra këmbë e pantallonave të tij ishte e përvjelur deri në gju, ndërsa tjetra ishte e lëshuar. Mendova, o Zot i dashur, si mund të thotë dikush se po vepron sipas Sunnetit të Pejgamberit (savs), ndërsa në të njëjtën kohë demonstron mospërfillje të tillë për xhaminë dhe xhematin.

Pejgamberin tim (savs), në asnjë mënyrë nuk mund ta imagjinoj duke u falur me një këmbë të pantallonave të përvjelur deri në gju, ndërsa tjetrën të lëshuar. Kjo thjesht është e papajtueshme me karakterin dhe misionin e tij të nderuar, siç është e papajtueshme falja në xhami me pantallona të shkurtëra apo brekë të gjata. Të kuptohemi, të falurit në plazh ku të gjithë kanë brekë të tilla nuk është e njëjtë si të falurit në xhami, ku veshje të tillë nuk ka askush, përveç ndonjë individi. Më duket se ata që vijnë në xhami me veshje të tillë nuk e kanë kuptuar me kujdes porosinë e ajetit nga titulli i këtij kapitulli. Xhamia është shtëpia e Zotit, dhe Ai i Plotfuqishmi kërkon nga besimtarët që të vishen mirë dhe si ka hije kur të shkojnë për ta vizituar. Kush nuk e bën këtë, ka refuzuar të bindet, dmth. ka bërë mëkat.
Më tej, asnjë nga njerëzit nuk kanë dëshirë që në shtëpinë e tij të hyjmë me rroba të pa pastërta. Kjo i shqetëson dhe u shkakton siklet shtëpiakëve. Gjendja e xhamisë, në këtë çështje, është edhe më dramatike. Pasi që njerëzit në xhami vijnë për namaz, për dhikër dhe për lexim të Kuranit, është mëkat të pengohen me veshje e pahijshme, me çorape me erë të keqe dhe me erëra tjera të pakëndshme.
Gjatë praktikës shumëvjeçare si imam, njerëzit shpesh më janë ankuar se nuk po mund të përkushtohen për ibadet për shkak të personave të cilët nuk po kujdesen për higjienën personale. Për ta parandaluar këtë, Muhamedi (savs), ua ka ndaluar ardhjen në xhami atyre që sapo kanë ngrënë qepë, hudhër, apo presh, duke thënë se edhe engjëjt shqetësohen nga ato që i shqetësojnë bijtë e Ademit. (Muslimi)

Qepët dhe hudhrat në hadithin e mësipërm janë sinonime për çdo gjë që ka erë të fortë dhe shqetësuese, kështu që mund të thuhet se personi i cili shkon në xhami është i obliguar të largoj nga vetja çdo gjë që në çfarëdo mënyre mund t’i shqetësojë njerëzit e tjerë gjatë kryerjes së ibadeteve të përcaktuara.
Ekstremi tjetër në lidhje me qepën dhe hudhrën janë parfumet të cilat disa xhematlinjë i përdorin. Disa nga ato parfume janë aq të forta sa që njerëzit kanë filluar të ndjejnë neveri. Ky xhematlinj i parfumuar mendon se po vepron sipas Sunnetit, sepse Pejgamberi (savs) ka përdorur parfume, por i njëjti ky xhematlinj nuk e kupton se me parfumin e tij intensiv po i shqetëson njerëzit e tjerë në xhami.

Pastaj, çfarë të themi për njerëzit të cilët, derisa muezini e këndon ikametin, qëndojnë (në këmbë) në saffa dhe me misvak apo me kruese dhëmbësh i pastrojnë dhëmbët!? A mundët ndokush nga besimtarët ta imagjinojë Pejgamberin (savs) i cili qëndron në mihrab para farzit dhe i pastron dhëmbët!? Apo duke bërë këtë Ebu Bekri, Omeri, Osmani, Aliu dhe sahabët tjerë derisa qëndrojnë në saff!? Kjo është e paimagjinueshme, sepse ata mirë e kanë ditur se çka është e bukur, kulturore dhe njerëzore të bëhet në xhami. Vërtetë, Pejgamberi (savs) ka thënë: „Sikur të mos kisha frikë se po i ngarkoj pasuesit e mij do t’i kisha urdhëruar ata që para çdo namazi t’i pastrojnë dhëmbët.“ (Buhariu dhe Muslimi). Por, a kjo të bëhët në xhami!? Para çdo namazi besimtari është i obliguar të marrë abdes, por askush nuk mbart me vete ujë në xhami që diku në qoshe të merr abdest. Ne e dimë se ku merret abdes dhe lahen dhëmbët, ndërsa të bëhet kjo në xhami, në saff derisa këndohet ikameti është mungesë ekstreme e kulturës dhe shprehje e përbuzjes së pastër ndaj xhematlinjëve të tjerë. Falë Zotit këto ende janë incidente e jo rregulla të sjelljes në xhamitë tona.

Interesi i xhematit është para interesit të individit

I Dërguari i Allahut (savs) thotë: „Vërtetë xhamitë janë shtëpitë e Allahut në Tokë dhe është e drejtë e Allahut që t’i nderojë ata që e vizitojnë në to.“ (Bejhekiu)

Shkuarja në xhami, në fakt, është shkuarje i ftuar te Allahu i Dashur, andaj është e nevojshme që të respektohen rregullat e sjelljes dhe rendi shtëpiak i xhamisë ashtu që në këtë audiencë madhështore të mos bëjmë ndonjë gabim. Është e bukur dhe e sjellshme me rastin e hyrjes në shtëpinë e dikujt ta përshëndesim dhe t’i japim selam shtëpiakut. Është e njëjtë edhe me xhaminë, përveç se tehijje (përshëndetja) në xhami përbëhet nga falja e dy rekateve namaz. Pejgamberi (savs) ka thënë: „Kur ndonjëri prej jush hyn në xhami, le të falë dy rekate namaz (tehijjetu-l-mesxhid) para se të ulet.“ (Buhariu) Kjo sigurisht vlen për atë i cili vjen më herët në xhami, ndërsa ai që hyn në xhami me ezanin ose pas ezanit, duhet t’i falë sunnetet e përcaktuara, dhe kjo për të është zëvendësim i tehijjetu-l-mesxhidit.

Të theksojmë se, sipas medh’hebit tonë, bazuar në hadithin: „Në tri periudha kohore Pejgamberi (savs) na ka ndaluar që të falim namaz dhe t’i varrosm të vdekurit tonë, e ato janë: kur del dielli dhe deri të ngritët në horizont në gjatësi të një shtize, kur dielli është në mes të qiellit, dhe kur dielli është duke perënduar“ (Muslimi), në këto tri periudha nuk falet tehijjetu-l-mesxhidi.
Nëse besimtari ka ardhur më herët në xhami, duhet të gjejë një vend të lirë që nuk është menjëherë para derës apo në rrugë ku kalojnë njerëzit dhe t’i falë dy rekate namaz tehijjetu-l-mesxhid. (Ky namaz falet sikurse sunneti i sabahut, vetëm se nijetin e bëjmë tehijjetu-l-mesxhidi në vend të sunnetul-l-fexhri) Pastaj i përkushtohet përmendjes së Allahut apo leximit të Kuranit. Natyrisht se biseda në xhami para namazit është e lejuar, por ajo bisedë nuk guxon të jetë me zë të lartë sa që t’i pengojë personat tjerë në ibadet.

Në kohën e tashme, sidomos në xhematet e vogla ku xhematlinjët e njohin mirë njëri-tjetrin, burrat dhe gratë shpesh harrojmë se janë në xhami dhe fillojnë të flasin me zë të lartë sikur të ishin në kafene e jo në xhami. Kjo është e palejueshme.

Në kohën e hazreti Omerit (r.a.), dy burra duke folur kishin bërë zhurmë në xhaminë e Pejgamberit (savs) në Medinë. Omeri (r.a.) urdhëroi që të sillen tek ai ata dy burra, dhe pastaj i pyeti: „Prej nga jeni ju të dy? Ata thanë: „Nga Taifi.“ Ai atëherë u tha atyre: „Po të ishit nga këtu do tu rrahja me kamxhik. Si e ngrini zërin tuaj në xhaminë e Pejgamberit (savs)?“ (Buhariu)

Siç nuk është e rekomanduar të flitet me zë të lartë para namazit nuk lejohet gjithashtu as të lexohet Kuran me zë të lartë dhe të bëhen lutje gjatë namazit. Ibni Omeri (r.a.) ka transmetuar se Pejgamberi (savs) kishte dalë në mesin e njerëzve derisa ata duke falur nafile e ngritnin zërin e tyre duke kënduar Kuran. Atëherë ai u kishte thënë: „Namazliu bisedon me Zotin e tij, andaj ai le të ketë kujdes se si bisedon. Mos i ngritni zërat tuaj njëri mbi tjetrin duke lexuar Kuran.“ (Ahmedi) Në një hadith tjetër Pejgamberi (savs) thotë: „Secili prej jush flet me Zotin e tij. Mos e shqetësoni njëri-tjetrin as mos e ngritni zërin njëri mbi tjetrin gjatë leximit.“ (Ebu Davudi) Pra, nëse nuk lejohet të ngritet zëri duke lexuar Kuran dhe të prishet qetësia e njerëzve tjerë në xhami, atëherë kjo assesi nuk lejohet të bëhet duke folur ndërmjet veti.

Edhe pse në përgjithësi është e lejuar të sillen fëmijët e vegjël në xhami, kjo nuk është e rekomanduar nëse fëmija nuk mund të qetësohet pranë kujdestarit të tij. Paraardhësit tanë iu përmbanin hadithit: „Mësonju fëmijëve namazin kur t’i mbushin shtatë vite!“ (Tirmidhiu) dhe nuk e kanë praktikuar t’i sjellin në xhami fëmijët më të vegjël se kaq. Në kohën e sodit po ndodh që prindërit t’i sjellin fëmijët në xhami madje edhe në karroca të foshnjave, kështu që fëmijët e vegjël pa kujdes prindëror qajnë me zë të lartë në xhami dhe e thërrasin nënën apo babain. E gjithë kjo e pengon namazin me xhemat dhe xhemati haptazi dhe me të drejtë ankohen në lidhje me këtë, kështu që vetvetiu shtrohet pyetja: prindërit e tillë kanë më shumë sevabe për namazin në xhami, apo më shumë mëkate për shkak të vajit të fëmijëve të tyre të mitur të cilët e pengojnë gjithë xhematin!?

Para pak kohe, duke falur namaz një xhematliu i cingëroi celulari. Gjatë tërë dy rekateve dikush me këmbëngulje e thirrte këtë xhematlinj, ndërsa ky përpiqej me këmbëngulje për ta fikur telefonin. Shqetësimi u përhap në të gjithë xhematin. Pothuajse mund të ndjehej se si të pranishmit e gjykojnë këtë xhematlinj që nuk po e fik dot telefonin e tij, siç mund të ndjehej edhe dëshpërimi i xhematliut që nuk ishte në gjendje ta bënte atë.

Kur e përfunduam namazin i thashë këtij xhematliu se ndoshta është më mirë ta falë përsëri namazin, sepse gjatë namazit dukshëm është preokupuar me gjëra të tjera, dhe jo vetëm me namaz.
Në ditët e sotme zilja e celularit seriozisht mund ta prishë qetësinë në xhami. Sidomos kur në vend të ziles dëgjohet ndonjë muzikë e papërshtatshme dhe këngë. Për ta parandaluar këtë u sugjeroj imamëve që para faljes së farzit, nëse kanë xhemat të madh, t’i flasin xhematit për fikjen e telefonave të tyre celularë, ashtu siç u flasin për rrafshimin e safave.

Të gjithë e dimë se duke ecur nëpër xhami nuk është e rekomanduar që të kalohet nëpër safa, të kapërcehen njerëzit dhe kështu të shqetësohen ata. Njerëzit shpesh murmurisin kur dikush ua shkel këmbën, ose ndoshta duke kaluar përmes tyre i godit pak me gju në shpinë dhe shpatulla. Sigurisht kjo nuk është bukur. Abdullah ibn Busr (r.a.) thotë: „Derisa Pejgamberi (savs), një të premte e mbante hutben, një njeri erdhi dhe filloi të ecë mbi njerëz. Pejgamberi (savs) atëherë i thotë: ‘Ulu! Ti po i shqetëson njerëzit sepse je vonuar“’ (Ebu Davudi)

Megjithatë, në kohën e tashme disa xhematlinjë kur vijnë në xhami nuk duan t’i plotësojnë hapësirat boshe para vetes, por ulen menjëherë para derës në mënyrë që pas namazit sa më shpejt që të jetë e mundur të dalin nga xhamia. Duke vepruar kështu ata me trupat e tyre formojnë mur në mes të derës së xhamisë dhe hapësirës së lirë para tyre. Në një rast të tillë nuk është mëkat që të kalohet mbi supet e tyre, sepse ata nuk e kanë përmbushur atë që pritet prej tyre, dhe ajo është që të plotësohen hapësirat boshe para tyre. Lejohet, pra, nëse dikush nuk dëshiron ta plotësojë vendin bosh para vetes, të kapërcehet dhe të plotësohet boshllëku në xhami.

Së fundi, do të tërhiqja vëmendjen edhe për dy dukuri të pranishme në xhamitë tona kohët e fundit. E para është pretendimi se gjoja në xhami nuk ka vende të rezervuara. Formalisht është kështu. Mirëpo, në thelb nuk është ashtu. Saktësisht dihet se ku është vendi i kujt në xhami dhe cili duhet të falet në cilën saff. Pejgamberi (savs) ka thënë: „Pas meje në saff le të jenë më të vjetrit dhe më të dijshmit, pastaj pas tyre, ata që janë të afërt me ta. Mos u përçani, që të mos përçahen zemrat tuaja. Keni kujdes të mos përziheni në saffa ashtu siç përziheni në pazar.“ (Tirmidhiu)

Prandaj, fëmija edhe kur vjen në xhami para të moshuarit, siç ndodh shpesh për shembull gjatë ramazanit, nuk do të falet në saffin e parë nëse ka persona të moshuar, por në saffat e fundit. Në lidhje me saffat ekziston edhe një tjetër fenomen negativ, e ky është se disa njerëz, sidomos kur falet ikindia dhe jacia, ulen para xhamisë dhe nuk i falin sunnetet, por sapo dëgjojnë se po këndohet ikameti nxitojnë për tu vendosur në saffin e parë duke dalë para njerëzve, të cilët, të themi, i kanë falur sunnetet në saffin e dytë. Çfarë është edhe më keq, këta njerëz qëndrojnë direkt pas imamit duke pritur që imami të ngritët për farz, dhe ata ta zënë vendin e tij. Ata nuk kanë të drejtë për ta bërë këtë. Personat të cilët i kanë falur sunnetet në saffin e dytë, përveç fëmijëve, kanë më shumë të drejtë për ta falur farzin në saffin e parë, sepse më përpara kanë ardhur në xhami.

Gjatë kohës së shkollimit në medresenë e Gazi Husrevbeut shkonim në namaze në xhaminë e Beut. Imam atëherë ishte rahmetli hafiz Kjamil ef. Silajxhiqi. Shpesh e kam dëgjuar duke i folur xhematit që të ulen dhe mos ta presin ikametin në këmbë. Ne me bindje e dëgjonim.

Në kohën e tanishme, megjithatë, pothuajse është bërë rregull në mesin e xhematlinjëve për të qëndrojnë në këmbë para ose gjatë këndimit të ikametit. Kjo veçanërisht është e dukshme në namazin e akshamit. Duke folur nga përvoja personale, imami shpesh nuk mund të shkoje deri te mihrabi nga ata që janë vendosur në saffin e parë, ndërsa ikameti ende as që ka filluar të këndohet. Një praktikë e tillë nuk është sipas Sunnetit të Pejgamberit (savs), i cili nuk i ka lejuar sahabët e tij që ta presin në këmbë, madje edhe nëse është kënduar ikameti. Ai me një rast u pat thënë atyre: „Kur të këndohet ikameti për namaz, ju mos u ngritni deri sa të mos më shihni mua.“ (Buhariu) Ja, ky është Sunneti, dhe kështu kanë vepruar të vjetrit tanë.

E lusim Allahun e Madhërishëm të na bëjë të mundur që fenë ta kuptojmë si duhet, të na i pranojë ibadetet tona në ramazan dhe të na udhëzojë në Rrugën e drejtë.

Përktheu dhe përshtati [1]:

Miftar AJDINI

____________________________________________
[1] Burimi: Autor Elvir Duranović; http://www.preporod.com/index.php/vjera/islamske-teme/4383-nasi-dzemati-kao-nasa-ogledala.html

(Islampress)