Të Fundit
Vlera e ditës së xhuma

Vlera e ditës së xhuma

Zoti ynë thotë në Kuranin famëlartë: “O ju që keni besuar, kur të thirret ezani i ditës së xhuma, nxitoni atje ku përmendet emri i Zotit, lëreni shitblerjen, është më mirë për ju nëse me të vërtetë e kuptoni diçka të tillë”. (El Xhumuah: 9) 

Zoti i gjithësisë dalloi njeriun nga të gjitha krijesat e Tij, dalloi pejgamberët e Tij prej njerëzve të tjerë dhe prej pejgamberëve dalloi Muhamedin (a.s). Dalloi tokën nga të gjithë planetet, dalloi vendet e shenjta nga të gjitha vendet e tokës, dalloi Qaben e ndritshme nga të gjithë vendet e shenjta, dalloi Ramazanin nga 11 muajt e tjerë, dalloi natën e Kadrit brenda Ramazanit dhe dalloi ditën e xhuma nga ditët e kësaj jete.

Do flasim dy – tre fjalë për vlerën e ditës së xhuma, vlerën e së cilës nuk e di pjesa më e madhe e njerëzve. Do flas për vlerën e kësaj dite që është e madhe tek Allahu (xh.sh), është e madhe tek melekët e Zotit, është e madhe në zemrën e profetit (a.s).

Profeti (a.s) ka thënë: “Dita më e mirë, në të cilën lind dielli, është dita e xhuma. Në atë ditë u krijua Ademi (a.s), në atë ditë hyri në xhennet, ditën e xhuma doli nga xheneti, në atë ditë vdiq, në atë ditë do të bëhet edhe Kijameti. Kur të vijë dita e xhuma, shtoni salavatet mbi mua”.

Dita e xhuma është dita, që Allahu (xh.sh) ua dha muslimanëve. Çifutëve u dha ditën e shtunë, ndërsa të krishterëve të dielën. Profeti (a.s) ka thënë: “Neve na drejtoi Allahu tek dita e xhuma. Kemi ardhur të fundit në këtë botë, por do të jemi të parët në botën tjetër”, sepse muslimanët do të merren të parët në llogari.

Dita e xhuma është ditë e madhe për melekët e Zotit. Profeti (a.s) ka thënë: “Kur vjen dita e xhuma, melekët vijnë në dyert e xhamive dhe regjistrojnë besimtarët në regjistrat e tyre njërin pas tjetrit. Kush hyn i pari në xhami ditën e xhuma, regjistrohet me emrin e tij dhe i shkruhet për sevap, sikur ka bërë kurban një deve. Kush vjen pak më vonë, shkruhet emri i tij sikur të ketë bërë kurban një lopë. Kush vjen pas tij, llogaritet sikur ka bërë kurban një dash. Atij që vjen më pas, i shkruhet sikur ka bërë kurban një pulë. Kush vjen pas tij i shkruhet sikur ka dhënë sadaka një vezë. Pastaj në momentet që hatibi ngjit shkallët e minberit, ata i mbyllin regjistrat e tyre, ulen dhe dëgjojnë hutben bashkë me besimtarët e tjerë, që janë në xhami”.

Dita e xhuma është dita më e bukur në Ditën e Kijametit, pasi Muhamedi (a.s) ka thënë: “Ditën e Kijametit do të vijnë ditët e javës me pamje. Më e bukura ndër to është dita e xhuma. Do të jetë e bukur dhe e ndritshme, si nusja kur shkon te dhëndrri i saj. Pas saj shkojnë ata, që kanë falur xhumatë. Ata ecin pas dritës së ditës së xhuma. Fytyrat e këtyre njerëzve janë më të bardha se bora dhe nga trupi i tyre del aromë parfumi misk. Të gjithë çuditen nga bukuria e këtyre njerëzve, të cilët hyjnë së bashku në xhenet dhe atyre ua kalojnë vetëm myezinët, që kanë qenë të rregullt në ezanet e tyre”.

Ajo që vlen të theksohet është, se edhe në xhenet dita më e mirë është dita e xhuma. Allahu (xh.sh) thotë: “Aty do të kenë çfarë të duan, ndërsa tek Ne ka edhe më shumë”. (Kaf: 35) E pyetën profetin (a.s): “O profet i Zotit, çfarë është ajo, që është më tepër”? Profeti (a.s) tha: “Është dita e xhuma, sepse në atë ditë del Madhështia dhe Bukuria e Allahut (xh.sh) dhe banorët e xhenetit shohin Zotin”.

 

Prandaj ju këshilloj që të kemi kujdes, kur falim xhumanë e ndoshta kurrë nuk ia kemi ditur vlerën kësaj dite. Ndërsa ata që humbin xhumatë, ta dinë se po humbin thesarin më të madh të kësaj bote dhe të botës tjetër. Prandaj Allahu (xh.sh) e bëri detyrë faljen e xhumasë për të gjithë ata që kanë mundësi. Profeti (a.s) paralajmëroi dhe tha: “Ata që lenë namazin e xhumasë, Allahu do t`ua vulosë zemrat”. Ata që I kanë zemrat e vulosura, ata bëhen të shkujdesur dhe xhehenemi është I mbushur plot me njerëz të shkujdesur.

Profeti (a.s) tha gjithashtu: “Kush nuk i fal tre xhuma rresht pa arsye, atij personi ia vulos Zoti zemrën”.

Mes nesh ka besimtarë, që po t`i numërosh xhumatë e tyre ndoshta janë me mijëra. Ka të tjerë që i kanë me qindra, e të tjerë i kanë me dhjetëra. Kjo është sipas kohës që e kemi njohur këtë fe dhe e kemi praktikuar atë.

Por jam i sigurt, se shumica prej nesh nuk e kanë vlerësuar siç duhet ditën e xhuma. Kjo ditë meriton respekt dhe edukatë të veçantë ndryshe nga të gjithë ditët e tjera. Le të njihet myslimani ditën e xhuma. Muhamedi (a.s) na mësoi si të sillemi ndaj kësaj dite. Ai ka thënë: “Kush lahet ditën e xhuma, vesh rrobat më të mira që ka në shtëpi, parfumoset, vjen në xhami me qetësi, futet brenda dhe nuk i prish rreshtat e besimtarëve, falet sa të ketë mundësi, ulet dhe dëgjon hatibin me vëmendje, betohem në Allah se Ai do t`ia falë gjynahet e javës së kaluar dhe tre ditë më tepër”.

 

Dijeni se nëse na pranohet një xhuma, fshihen gjynahet e dhjetë ditëve. Na bëftë Zoti nga ata njerëz që u fshihen gjynahet.

Fjala më e mirë që thuhet në këtë ditë, nuk janë muhabetet “Si je ti e si jam unë”, por është salavati mbi më të mirin e njerëzve, salavati mbi profetin (a.s). Kush e shton salavatin mbi të, e meriton ndërmjetësimin e profetit (a.s).

Gjëja më e mirë që mund të këndojnë gjuhët tona është Kurani fisnik. Nëse nuk di arabisht lexoje shqip. Leximi i sures Kehf është specifik për ditën e xhuma. Profeti (a.s) ka thënë: “Kush lexon suren Kehf ditën e xhuma, ajo do t`i bëhet dritë deri në xhumanë tjetër”. Gjithashtu profeti (a.s) ka thënë: “Në ditën e xhuma është një orë. Kush lutet në atë orë, Allahu ia pranon lutjen”. Kur foli për këtë gjë, i afroi gishtat me njëri – tjetrin për të treguar se ajo kohë është shumë e shkurtër, koha kur pranohet lutja. Dijetarët thonë në lidhje me këtë kohë: “Ajo kohë mund të jetë nga koha kur thirret ezani i xhumasë deri në kohën kur flet hatibi, ose koha që nga namazi i ikindisë deri në namazin e akshamit”. Prandaj mos harroni të bëni dua` (lutje) në këto kohë.

 

Në këtë ditë shtohet sadakaja. Vlera e sadakasë që jepet për xhuma, ndaj sadakasë që jepet në ditët e tjera, është si sadakaja që japim në Ramazan, krahasuar me sadakanë që jepet në muajt e tjerë.

Kjo është dita më e bukur, me të cilën mund të jetohet jeta, por mund të jetë edhe dita më e bukur, me të cilën mund të mbyllet jeta, pasi Muhamedi (a.s) ka thënë: “Kush vdes ditën e xhuma, ose natën e xhuma, Allahu do ta ruajë nga sprovat e varrit”.

E lus Zotin e gjithësisë ta bëjë ditën e xhuma, ditën më të bukur të jetës tonë dhe ditën më të bukur me të cilën mbyllim jetën tonë.

O Allah pranoji xhumatë tona, hapat tanë, lodhjet dhe sakrificat tona. Pranoje prej atyre që nuk kanë punë dhe vijnë më herët dhe pranoje prej atyre që me gjithë hallet dhe problemet që kanë, nuk e lenë xhumanë pa e falur. O Zot jepi të gjithë njerëzve nga mirësitë e tua.

O Zot bëji këto xhuma, këto namaze, këtë Kuran, këto salavate dhe çdo adhurim tjetër dëshmitar për ne në këtë botë dhe në botën tjetër.

A M I N

Mr. Ferid Piku