Të Fundit
“Unë e kam zemrën e pastër!”

“Unë e kam zemrën e pastër!”

“Unë e kam zemrën e pastër” këtë shprehje besoj se e dimë të gjithë. Shpesh herë dëgjojmë shprehje të tilla si “ Ndoshta nuk jam besimtar por kam zemrën e pastër, nuk i bëj askujt dëm, nuk i ha hakun njeriu, Zoti e di se kush jam unë”.

Njerëzit duke përdorur këto lloj shprehjesh tashmë të njohura nga të gjithë, mundohen të qetësojnë shpirtin e tyre për gjërat që bëjnë gjatë jetës së përditshme. Nuk u mjafton të qetësojnë shpirtin e tyre por mundohen tu mbushin mendjen edhe të tjerëve që jetojnë përreth tyre. Por nëse hedhim sytë nga Kur’ani dhe Syneti shohim që pastërtia e zemrës nuk është ashtu sikur mendojnë ata por është zbatimi i urdhërave të Allahut xh.sh. dhe Pejgamberit a.s.

Atëherë, që një njeri të kenë zemrën e pastër, duhet të jetojë sipas islamit, duhet t’i përmbahet me rigorizitet rregullave të fesë dhe duhet të lidhet me sinqeritet e dashuri pas rrugës së Allahut xh.sh. Njeriu duhet të jetojë me një ndjenjë të thellë dashurie, shprese e frike ndaj Allahut xh.sh. Nuk mjafton që njeriu të jetojë sipas kokës së tij e pastaj të thotë unë kam zemrën e pastër, nuk i bëj kujt dëm apo nuk i ha hakun kujt. Nëse njeriu jeton sipas dëshirave të tij dhe pastaj reklamon veten si zemër bardhë, kjo nuk ka asnjë vlerë tek Allahu xh.sh. Nuk mund të ekzistojë një zemër e pastër nëse ajo zemër nuk është e zbukuruar me dashurinë dhe e ruajtur me frikën e Allahut xh.sh dhe të Pejgamberit a.s. Njerëzit e tillë thjeshtë mashtrojnë veten e tyre.

Edhe ai njeri që edukohet me edukatën e Kur’anit dhe Synetit, kohë pas kohe u ndihmon njerëzit në nevojë dhe u gjendet atyre pranë, nuk dëmton njeri, nuk i han hakun njeriu, zbaton disa adhurime nga adhurimet, etj… dhe kujton se i mjafton vetëm kaq për të patur një zemër të pastër edhe ai mashtrohet sepse kjo nuk është e mjaftueshme. Nuk mjafton vetëm vepra që të posedosh një zemër të pastër ashtu siç e kërkon Allahu xh.sh. Për këtë Allahu xh.sh në Kur’anin Famëlartë thotë:

“A mos e konsideruat dhënien e ujit haxhinjve dhe kujdestarinë ndaj xhamisë së shenjtë, si besimin e atij që i besoi All-llahut dhe ditës së fundit dhe që luftoi në rrugën e All-llahut? Jo, ato nuk janë të barabarta te All-llahu. Popullin mizor All-llahu nuk e vë në rrugë të drejtë.” (Tevbe/19)

“Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t’i ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit.” (Bekare/177)

“(bën dobi) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë (pastër).” (Shu’ara/89)

“Ata që besuan dhe me të përmendur All-llahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen.” (Ra’d/28)

Siç e shohim dhe nga ajetet e lart përmendura nëse veprat bëhen me qëllim për tu dukur tek njerëzit përreth, atëherë veprat tuaja nuk kanë vlerë dhe ato vepra nuk janë aspak pastruese për zemrat tuaja. Pra njerëz me simptoma të tilla nuk bëjnë asgjë tjetër vetëm se mashtrojnë vetën e tyre.

Ardit Hoxhllaku