Të Fundit
SINQERITETI DHE GËNJESHTRA NË SHITBLERJE

SINQERITETI DHE GËNJESHTRA NË SHITBLERJE

Ebu Halid Hakim ibn Hizami (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) thotë:

“Dy shitësit (Shitësi dhe blerësi) kanë të drejtë t’i mbajnë ose t’i kthejnë mallrat pa u ndarë. Nëqoftëse të dy palët kanë thënë të vërtetën dhe kanë përshkruar të metat dhe cilësitë (e mallit), atëherë ata do të bekohen në shitblerjen e bërë mes tyre. Ndërsa, në qoftë se kanë fshehur diçka ose kanë gënjyer, atëherë ata do ta humbnin bekimin e shitblerjes së bërë mes tyre.” [1]

Shpjegimi i hadithit
Ky hadith vjen i fundit në kapitullin e sinqeritetit (Sidkut). Fundi i këtij kapitulli përfundon me aromë të mirë, sepse sinqeriteti nuk është vetëm me fjalë, por edhe në vepra që vjen si fryt i sinqeritetit në fjalë. Çdo sjellje që muslimani ndërmerr duhet të jetë e shoqëruar me sinqeritet në zemër, fjalë dhe vepër.

Ky hadith rregullon marrdhëniet shoqërore midis individëve të shoqërisë. Ky hadith rregullon marrdhëniet e shitblerjes. Kur Profeti (alejhi selam) flet për shitblerjen na tregon se që një marrdhënie e tillë të jetë në shinat e duhura duhet që të ndërtohet në parime të shëndosha, tek të cilat feja islame na fton.

Kështu pra ky hadith fillon me këtë parim universal “Dy shitësit kanë të drejtë t’i mbajnë ose t’i kthejnë mallrat sa pa u ndarë.” Me fjalët “dy shitësit” Profeti (alejhi selam) ka për qëllim shitësin dhe blerësin. Përdorimi i fjalës “dy shitësit” tregon se përgjegjësia është e përbashkët dhe e barabartë si për shitësin ashtu edhe për blerësin. Që të dy duhet të tregohen të sinqertë në nijetin, fjalët dhe veprimet e tyre. Po ashtu kjo do të thotë se ata duhet të shmangen nga nijeti i keq, gënjeshtra dhe veprimet që bien në kundërshtim me fjalët. E drejta për të mbajtur apo për të kthyer mallin sa nuk janë ndarë është kriteri bazë në këtë mardhënie dhe jo interesi vetiak në dëm të palës tjetër. Ndoshta urtësia e të drejtës për të mbajtur apo për ta kthyer mallin sa nuk janë ndarë ka të bëjë me faktin se njeriu duhet të bindet plotësisht në duhet t’i shkojë deri në fund apo jo kësaj marrdhënie.

Ky hadith flet për marrdhëniet e dobishme dhe mardhëniet e dëmshme. Dallimi midis dy mardhënieve është sinqeriteti dhe përshkrimi i mallit. Ai i cili tregohet i sinqertë në mardhënien e tij dhe përshkruan gjithçka që ka të bëjë me këtë mardhënie, madje duke përshkruar edhe të metat e mallit, kjo marrdhënie konsiderohet e dobishme në këtë botë sepse njeriu i është bindur urdhrit të Allahut e të Dërguarit të Tij, ka shpëtuar nga mëkati dhe bereqeti e ka përfshirë në atë shitblerje. Kjo mardhënie konsiderohet e dobishme për botën tjetër, sepse njeriu ka fituar shpërblime dhe ka shpëtuar nga ndëshkimi.
Kurse ai i cili gënjen dhe fsheh të metat gjatë kësaj marrdhënie përveç mëkatit, nuk ka as bereqet në të. Në momentin që bereqeti është larguar, personi në fjalë është i humbur në këtë botë dhe në botën tjetër.

“Në qoftë se të dy palët kanë thënë të vërtetën dhe kanë përshkruar të metat dhe cilësitë (e mallit)” Tregtari duhet të tregohet i sinqertë në mallin që shet. Ai duhet të thotë të vërtetën në lidhje me mallin duke thënë të mirat dhe të metat e tij. Tregtari duhet të thotë të vërtetën edhe në lidhje me çmimin e mallit, si në rastin kur i njëjti mall në treg është lirë, mirëpo ai e shet atë më shtrenjtë duke shfrytëzuar rastin që blerësi nuk di gjë në lidhje me çmimin. Nëse çmimi i mallit ka qenë më i shtrenjtë dhe tashmë ai është ulur, atëherë tregtari duhet t’ia thotë këtë gjë blerësit. Ka raste kur të huajt hyjnë në dyqan për të blerë një mall, tregtari e ngre çmin duke shfrytëzuar rastin se ata janë të huaj. Edhe në këtë rast, tregtari duhet të jetë i sinqertë dhe duhet ta shesë mallin me çmimin real. Jo çdo mall që tregtari shet është i mirë. Përveç mallrave të mirë ka edhe mallra me cilësi të dobët dhe me të meta në të. Në shumicën e rasteve, tregtari e fsheh të metën e mallit, sepse përndryshe ai nuk mund ta shesë mallin ose ai shitet me çmim më të ulët. Pavarësisht të metës së mallit, tregtari e ka për detyrë që t’i tregojë blerësit të metat e mallit të tij.

Mirëpo të vërtetën nuk duhet ta thotë vetëm tregtari, por edhe blerësi. Jo rrallherë ndodh që blerësi thotë që këtë mall e kam parë në një vend tjetër më lirë, ndërkohë që kjo nuk është e vërtetë. Ose ai (blerësi) duhet të thotë qëllimin kryesor se përse e blen mallin, si psh nëse dëshiron të blejë një tokë dhe thotë që e dëshiron për të ndërtuar xhami. Atëherë shitësi ia jep me një vleftë më të ulët, mirëpo pasi ai blen tokën ndërton një qëndër tregtare. Ngandonjëherë ndodh që blerësi vleftën monetare nuk e ka të rregullt, si psh lekët që përdor mund të jenë fallco, ai është në dijeni të kësaj, por me vete thotë po ia hedh shitësit, ose anasjelltas. Ndonjëherë ndodh që gabimisht kur shitësi i kthen kusurin blerësit ia kthen më tepër seç duhet. Në këtë rast blerësi nuk duhet të shfrytëzojë rastin por duhet të tregohet i sinqertë dhe tepricën duhet t’ia kthejë mbrapsht shitësit. Mund të ndodhë që blerësi lë peng tapinë e shtëpisë në bankë, për shkak të një kontrate shitblerjej, ndërkohë që ai e di shumë mirë se letrat e tapisë nuk janë në rregull.

Shembuj të tillë të ngjashëm ka shumë. Në të gjitha rastet si shitësi ashtu edhe blerësi duhet të jenë të sinqertë dhe nuk duhet të fshehin asgjë.

“Ndërsa, në qoftë se kanë fshehur diçka ose kanë gënjyer, atëherë ata do ta humbnin bekimin e shitblerjes së bërë mes tyre.”

Kushdo prej shitësit apo blerësit nëse fshehin apo gënjejnë njëri-tjetrit, marrdhënia e tyre është e destinuar që mos të ketë bereqet.Jo rrallherë ndodh që njeriu megjithëse fiton shumë nga shitblerja, nuk e di se si gjithë ajo shumë lekësh harxhohet pa e ndjerë. Në këtë rast, çështja ka të bëjë me bereqetin. Në atë pasuri nuk ka bereqet, për shkak se ai ka gënjyer apo ka fshehur diçka që ka të bëjë me shitblerjen e tyre.

 

Rregulla dhe dispozita fetare
Ky hadith flet për të drejtën në shitblerje. Më poshtë po përmendim disa lloje të drejtës së kthimit apo jo të mallit gjatë shitblerjes:

E drejta e kuvendit: Kjo ndodh atëherë kur shitësi dhe blerësi bien dakord për mallin ose ta shesin e ta blejnë ose ta prishin këtë akt përderisa ata janë në të njëjtin vend ku e kryejnë këtë akt dhe akoma nuk janë ndarë fizikisht nga njëri-tjetri. Nëse e prishin këtë akt përpara se të ndahen, asnjërës prej palëve nuk duhet t’i ngelet hatri sepse Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Dy shitësit (Shitësi dhe blerësi) kanë të drejtë t’i mbajnë ose t’i kthejnë mallrat sa pa u ndarë.”

E drejta e përmbajtjes së kushtit: Kjo ndodh atëherë kur të dyja palët ose njëra palë vendos si kusht që mallin do ta blejë pas njëfarë kohe edhe nëse zgjat shumë. Kur kjo kohë vjen, atëherë ata kanë të drejtë që ta përfundojnë këtë akt, por kanë të drejtë që edhe ta prishin këtë akt. Argument për këtë është fjala e Profetit (alejhi selam) i cili thotë: “Muslimanët i përmbahen kushteve të tyre.”[5]

E drejta kur gënjen: Kjo ndodh atëherë kur vlera e mallit është më e lirë dhe tregtari e shet më shtrenjtë, ose kur vlera e mallit është e lartë dhe blerësi e blen më lirë. Ajo gënjeshtër të cilën sheriati e merr parasysh është kur flitet për shifra të larta. Ibn Omeri transmeton: “Profeti (alejhi selam) ka ndaluar që të jepet një çmim më i lartë për ta nxitur dikënd që ta blejë atë.”[6]

E drejta e rritjes së çmimit duke mashtruar: Kjo ndodh në ato raste kur tregtari e rrit çmimin e mallit duke mashtruar dhe bërë hile. Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Mos i lini pa mjelë devetë dhe dhentë (me qëllim që ta rrisni çmimin e tyre.) Kush i blen ato pasi t’i ketë mjelur, ka dy alternativa; nëse i pëlqen e mban atë dhe nëse nuk i pëlqen e kthen mbrapsht. Kurse për qumështin e mjelur, ai (blerësi) duhet të japë një Sa (sasi që përdorej në atë kohë) me hurma arabe.”[7]

E drejta e mallit me të meta: Kur blerësi shikon një të metë në mallin që ka blerë, ai ka të drejtë ta kthejë mallin mbapsht dhe merr lekët, ose ka të drejtë që mallin ta blejë më lirë për shkak të kësaj të mete. Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Muslimani është vëllai i muslimanit. Nuk i lejohet muslimanit që t’i shesë vëllait të tij një mall që ka të meta. Nëse malli ka të meta, ai duhet t’ia tregojë atë.”[8]

E drejta e mallit të porositur: Kjo ndodh në rastin kur blerësi porosit një mall me cilësi të caktuar dhe shitësi i shet të njëjtin mall, por jo me të njëjëtën cilësi, si psh: blerësi porosit mollë korçe kurse shitësi i shet mollë dibre. Në këtë rast blerësi ka të drejtë që ta prishë aktin e shitblerjes, për shkak se nuk është ky malli që ai ka porositur.

Mësimet e nxjerra nga hadithi

1. Inkurajimi dhe paralajmërimi.
2. Lehtësia e sheriatit.
3. Edukata e shitblerjes.
4. Cilësitë e tregtarit musliman.
5. Vlera e sinqeritetit dhe dëmi i gënjeshtrës.
6. Thirrësi duhet t’i ftojë njerëzit tek gjërat e dobishme.
7. Zbritja e bereqetit.

1. Inkurajimi dhe paralajmërimi

Në këtë hadith, Profeti (alejhi selam) i ka nxitur shitësin dhe blerësin që të jenë të sinqertë në shitblerjen e tyre. Duke qenë të tillë, atëherë shitblerja e tyre bekohet. Me këto fjalë, Profeti (alejhi selam) i inkurajon që të dyja palët duke u treguar për atë gjë nga e cila përfitojnë të dyja palët.

Duke qenë se njeriu dëshiron që të fitojë sa më shumë para në mënyrë të pandershme duke gënjyer, mashtruar apo fshehur të metën e mallit, Profeti (alejhi selam) na tregon se një veprim i tillë e largon bereqetin midis dy palëve. Nuk ka dyshim se fshehja apo mashtrimi në këtë kontratë shitblerje është një paralajmërim serioz për çdokënd që nuk e vlerëson këtë kontratë ashtu sikurse duhet.

2. Lehtësia e sheriatit

Lehtësimi është një prej karakteristkave të kësaj feje, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.”[9] Kurse Profeti (alejhi selam) thotë: “Me të vërtetë, e mira e fesë tuaj është tek lehtësimi, me të vërtetë e mira e fesë tuaj është tek lehtësimi.”[10]

Lehtësimi është përmendur edhe në këtë hadith, në fjalët e Profetit (alejhi selam) “Dy shitësit (Shitësi dhe blerësi) kanë të drejtë t’i mbajnë ose t’i kthejnë mallrat” Si shitësi po ashtu edhe blerësi kanë të drejtë që ta kryejnë shitblerjen apo ta prishin atë përderisa nuk janë ndarë nga vendi ku kryehet ajo. Kjo marrdhënie duhet të kryhet duke qenë të kënaqura të dyja palët, ose përndryshe njëra nga palët apo të dyja mund të dëmtohen. Mirëpo dëmtimi i njërës apo të dyja palëve është një veprim të cilin Sheriati e ndalon. Mund të ndodhë që në të njëjtin mexhlis (kuvend) si shitësi dhe blerësi mund të bien dakord për shitblerjen e një malli të caktuar, mirëpo akoma sa pa u ndarë nga ky mexhlis, njëra apo të dyja palët bëhen pishmanë për këtë shitblerje, për shkaqe nga më të ndryshmet si në rastin kur blerësi kujtohet se ka nevojë për paratë dhe nëse ai do ta blejë mallin dëmtohet. Kështu që ai i thotë blerësit për të anulluar shitblerjen dhe shitësi e pranon këtë përderisa ata janë në të njëjtin mexhlis. Nuk ka dyshim se kjo mardhënie e anulluar në të njëjtin mexhlis konsiderohet si lehtësimi për të cilin feja na ka nxitur.

Profeti (alejhi selam) thotë: “Kush fal një musliman, Allahu ka për t’ia falë gabimin atij.”[11]

Feja Islame është feja e tolerancës, e lehtësimit dhe jo e vështirësisë. Argument për këtë është ajeti kuranor: “Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj.”[12] Ky ajet kuranor merret si argument për shumë dispozita dhe rregulla të fesë. Po ashtu ky ajet është prej specifikave që Allahu i Lartësuar i ka dhënë këtij umeti. Thirrësi në rrugë të Allahut duhet t’u sqarojë njerëzve tolerancën dhe lehtësinë e fesë islame, sepse ajo konsiderohet prej shkaqeve të përqafimit të tyre të kësaj feje madhështore.

3. Edukata e shitblerjes

Allahu i Lartësuar është Ai i Cili ka vendosur për robërit e Tij rregulla dhe norma të caktuara. Nëse njerëzit i respektojnë dhe i binden këtyre rregullave fitojnë nga të mirat materiale të kësaj bote dhe në Ditën e Gjykimit ata do të fitojnë Xhenetin, i cili i është premtuar atyre që i respektojnë rregullat dhe normat e vendosura nga Ai. Vendosja e këtyre rregullave dhe normave kanë si qëllim forcimin e besimit, edukimin dhe përsosjen e moralit të muslimanit. Ashtu sikurse Allahu ka vendosur rregulla dhe norma në çështjet e adhurimit, ashtu Ai ka vendosur rregulla dhe norma në aktet e shitblerjeve të ndryshme. Muslimani e ka për detyrë që t’i respektojë dhe t’u bindet këtyre rregullave.

Secili prej shitësit dhe blerësit duhet të jenë të sinqertë në nijetin e tyre, sepse Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Me të vërtetë veprat janë sipas qëllimit.”[13] Si shitësi ashtu edhe blerësi duhet të kenë si qëllim që ajo ç’ka përfitojnë nga shitblerja të jetë hallall e fituar me djersë dhe jo me haram. Kur e kanë pyetur Profetin (alejhi selam) se cili është fitmi më i mirë, ai është përgjigjur: “Ajo që njeriu fiton nga djersa e vet dhe çdo shitblerje e bekuar.” E në një hadith tjetër Profeti (alejhi selam) thotë: “Askush nuk ka ngrënë ushqim më të mirë se ajo që ka punuar me dorën e tij. Me të vërtetë, Profeti i Allahut, Daudi ushqehej nga puna e dorës së tij.”

Shitësi dhe blerësi nuk duhet që të gënjejnë apo të mashtrojnë gjatë aktit të shitblerjes. Asnjëri prej tyre nuk duhet që t’ia ketë me të hedhur palës tjetër. Një veprim i tillë me çfarëdo lloj forme që të përdoret e largon bereqetin midis tyre. Përshkrimi i mallit ashtu sikurse është me të mirat dhe të këqijat e tij, bën që ajo shitblerje të bekohet. Ky është një parim bazë për të cilën feja na urdhëron që sinqeriteti në shitblerje të jetë pjesë e edukatës dhe moralit të muslimanit përgjatë gjithë jetës.

4. Cilësitë e tregtarit musliman

Tregohet se Islami në Indonezi është përhapur nëpërmjet tregtarëve muslimanë, të cilët me moralin e tyre bënë që Indonezia të kthehet në vendin më të madh me popullsi muslimane. Padyshim që këta tregtarë ishin të pajisur me moralet e Islamit, cilësitë dhe vlerat e tyre mbështeteshin tek fjalët e Allahut në Kuran dhe në hadithet e Profetit (alejhi selam).

Cilësia e parë e tyre ishte se kur shisnin mallin thonin të vërtetën, sepse e kishin dëgjuar fjalën e Profetit (alejhi selam): “Tregtari i sinqertë dhe besnik është bashkë me Profetët, të sinqertët dhe dëshmorët.”[14] Po ashtu e kishin dëgjuar fjalën e Profetit (alejhi selam) . “Në qoftë se të dy palët kanë thënë të vërtetën dhe kanë përshkruar të metat dhe cilësitë (e mallit), atëherë ata do të bekohen në shitblerjen e bërë mes tyre.”

- Ata e dinin se tregtari i cili e shet një mall nuk duhet të betohet rrjeshëm, sepse e kanë dëgjuar fjalën e Profetit (alejhi selam) i cili thotë: “Në Ditën e Gjykimit, Allahu nuk ka për t’ju folur, nuk ka për t’i parë dhe as ka për t’i pastruar tre (lloje) njerëzve. Ata do të kenë dënim të dhembshëm. Ata janë: ai që i ka rrobat e gjata (poshtë nyjës së këmbës), ai që betohet rrejshëm kur e shet mallin dhe ai që jep lëmoshë krenohet ndaj atij që ja ka dhënë atë.”[15]

- Ata e dinin se tregtari i cili e shet mallin nuk duhet të mashtrojë. Ata kishin dëgjuar se kur Profeti (alejhi selam) kishte parë një tregtar që shiste ushqim të lagur që të ishte më i rëndë në peshë. Ai (alejhi selam) tha: “Ai i cili mashtron nuk është prej nesh”[16]

- Ata e dinin se monopolizimi i mallit është i dëmshëm dhe nuk i lë hapësirë tregtarëve të tjerë që të fitojnë nga tregtia. Ata e kishin dëgjuar fjalën e Profetit (alejhi selam): “Nuk e monopolizon mallin vetëm se ai që është gabimtar (mëkatar).”[17]

- Ata e kishin dëgjuar fjalën e Allahut në Kuran: “Mjerë për ata që hanë në peshë (dhe matje), që kur masin për veten, e marrin masën të plotë, ndërsa, kur u masin të tjerëve me litër ose me kandar, ua pakësojnë. A nuk mendojnë se ata do të ringjallen në një Ditë të madhe, Ditën, kur të gjithë njerëzit do të dalin para Zotit të botëve?!”[18]

- Ata e dinin shumë mirë se Allahu e ka lejuar tregtinë dhe e ka ndaluar kamatën duke u bazuar tek ajeti kuranor: “Ata që marrin fajde do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet, sepse ata thonë se tregtia është njëlloj si kamata. Por Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatën e ka ndaluar. Ai të cilit i vjen këshilla nga Zoti i tij dhe i shmanget kamatës, le të mbajë atë që tashmë e ka fituar dhe fati i tij është në duart e Allahut. Ndërsa ata që i kthehen kamtës sërish, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.”[19]

Përveç këtyre cilësive ata ishin të pajisur me një moral tepër të vyer. Ata ishin tepër tolerant dhe të butë me njerëzit duke u mbështetur tek fjala e Profetit (alejhi selam): “Allahu e mëshiroftë atë njeri që është i butë e bujar kur shet, kur blen dhe kur kërkon paratë e veta.”[20] Po ashtu patën dëgjuar nga Profeti (alejhi selam) se kur engjëjt i morën shpirtin dikujt e pyetën: A e ke bërë ndonjë punë të mirë në jetën tënde? Ai u përgjigj: I urdhëroja shërbyesit e mi që t’ua lehtësonin sa më shumë punën atyre që ishin në gjendje për të paguar dhe t’i linin kohë sa më shumë atyre që e kishin të vështirë me paguar borxhet.

Për këtë veprim të mirë Allahu e fali atë. Kështu pra, për një moral të tillë, sot ne kemi shumë nevojë që të pajisemi për të qenë shkak dhe sebep që njerëzit të udhëzohen në rrugën e drejtë.

 

5. Vlera e sinqeritetit dhe dëmi i gënjeshtrës

Sinqeriteti është rruga më e mirë të cilën besimtari e ka për detyrë që ta ndjekë. Nëpërmjet sinqeritetit njihen besimtarët nga hipokritëtët. Sinqeriteti është shpirti i një vepre, prandaj edhe Profeti (alejhi selam) thotë: “Në qoftë se të dy palët kanë thënë të vërtetën dhe kanë përshkruar të metat dhe cilësitë (e mallit), atëherë ata do të bekohen në shitblerjen e bërë mes tyre.” Në qoftë se tregtari tregohet i sinqertë duke e përshkruar mallin dhe treguar të metat e tij dhe po ashtu edhe blerësi në sasinë e vleftës monetare që ka me vete, atëherë sinqeriteti i tyre është shkak i bekimit të marrdhënies së tyre.

Përshkrimi i një diçkaje, në rastin konkret i mallit, ashtu sikurse ai është në të vërtetë është një obligim fetar për të cilin besimtari është i detyruar ta respektojë. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni si ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe vepra)”[21] Kurse Profeti (alejhi selam) na ka motivuar që të pajisemi me këtë moral të bukur duke thënë: “Me të vërtetë, sinqeriteti të shpie tek mirësia, e mirësia të shpie në Xhenet. Vërtet, njeriu vazhdon të jetë i sinqertë (në fjalë e vepra) derisa shkruhet tek Allahu i Sinqertë.”[22] Vetë jeta e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam) ishte shembulli dhe modeli më i mirë. Ai (alejhi selam) ishte i sinqertë në fjalët dhe veprat e tij. Përpara se t’i shpallej profetësia njihes si një njeri i sinqertë e besnik dhe kështu ishte deri në fund të jetës së tij.

Duke qenë se ai njihej si një njeri i sinqertë në mesin e popullit të tij, ai e shfrytëzoi këtë karakteristikë të mirë për përhapjen e mesazhit hyjnor kur Allahu i Lartësuar e urdhëroi: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm!”[23] Ai u ngjit në kodrën Safa dhe filloi të thërriste me emër të gjithë fiset e farefisit të tij, derisa pjesa më e madhe e Kurejshitëve erdhi. Ai u tha: Nëse do t’ju thoja se pas kësaj kodre është një ushtri që po vjen për t’ju sulmuar, a do të më besonit? Ata njëzëri thanë: Po, sepse ti gjithmonë ke thënë të vërtetën. Atëherë ai u tha: Unë jam dërguar si Profet për t’ju paralajmëruar për ndëshkimin e rreptë që ju pret nëse nuk braktisni adhurimin e idhujve. Kështu pra sinqeriteti i tij ishte një portë nga ku ai (alejhi selam) depërtoi për t’i thirrur njerëzit që të braktsinin adhurimin e idhujve dhe në vend të tyre të adhuronin vetëm Allahun e Lartësuar.

Paralel me sinqeritetin por në kahun e kundërt qëndron gënjeshtra e cila është nëna e të gjithë këqijave. Gënjeshtra në shitblerje e largon bereqetin ashtu sikurse thotë Profeti (alejhi selam) në këtë hadith: “Ndërsa, në qoftë se kanë fshehur diçka ose kanë gënjyer, atëherë ata do ta humbnin bekimin e shitblerjes së bërë mes tyre.”

Gënjeshtra nuk është e dëmshme vetëm në këtë botë, por ajo është shkak që e shpie njeriun në zjarr, ashtu sikurse na lajmëron për këtë Profeti (alejhi selam) i cili thotë:

“Me të vërtetë, gënjeshtra të shpie drejt shthurrjes, e shthurrja të shpie në Zjarr. Vërtet, njeriu vazhdon të gënjejë derisa shkruhet tek Allahu Gënjeshtar.” [24]

Gënjeshtra është një moral tepër i shëmtuar.

Ajo është cilësi e hipokritëve, sepse Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tre: kur flet gënjen, kur premton e thyen atë dhe kur i besohet diçka tradhton.” [25]

6. Thirrësi duhet t’i ftojë njerëzit tek gjërat e dobishme

Thirrësi në rrugë të Allahut e ka për detyrë që t’i këshillojë njerëzit. Ai i këshillon ata që të bëjnë vepra të mira dhe i paralajmëron që të largohen nga veprat e këqija. Ai i këshillon ata që të veprojnë ato vepra që u vlejnë atyre në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Këtë gjë kanë vepruar edhe Profetët e Allahut me popujt e tyre. Ky është Nuhu (alejhi selam) i cili e thirri popullin e tij për 950 – të vjet. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e dërguam Nuhun tek populli i tij. (Ai u tha): Unë jam dërguar tek ju si paralajmërues i qartë. Mos adhuroni vetëm se Allahun. Unë kam frikë për ju se do t’ju goadasë një ndëshkim i dhembshëm.”[26]

Allahu i Lartësuar e dërgoi Hudin (alejhi selam) tek një popull shumë të fuqishëm që posedonin të gjitha mjetet e duhura të kohës kur kanë jetuar. Hudi (alejhi selam) iu drejtua popullit të tij me këto fjalë: “Andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua! Frikësojuni Atij, i Cili ju ka dhuruar ato që i dini; ju dhuroi juve bagëti dhe fëmijë, edhe kopshte dhe burime. Unë, me të vërtetë, i trembem për ju dënimit të një Dite të madhe.”[27] Në popullin e Medjenit, Allahu i Lartësuaruar dërgoi Shuajbin (alejhi selam) “Ai tha: O populli im, adhuroni Allahun! Ju s’keni zot tjetër përveç Tij. Mos bëni hile as gjatë matjes, as në kandar. Unë po shoh se ju gjendeni në begati dhe kam frikë se do t’ju godasë dënimi i një dite, që ju përfshin të gjithëve.”[28]

Ky është misioni i thirrësit në rrugë të Allahut. Ai vazhdimisht duhet t’i këshillojë e t’i thërrasë njerëzit tek ato gjëra që janë të dobishme dhe t’i paralajmërojë ata nga e keqja. Një thirrje të tillë ne e vëmë re edhe tek ky hadith, në fjalët e Profetit (alejhi selam) i cili thotë: “Në qoftë se të dy palët kanë thënë të vërtetën dhe kanë përshkruar të metat dhe cilësitë (e mallit), atëherë ata do të bekohen në shitblerjen e bërë mes tyre. Ndërsa, në qoftë se kanë fshehur diçka ose kanë gënjyer, atëherë ata do ta humbnin bekimin e shitblerjes së bërë mes tyre.” Sinqeriteti i përdorur nga shitësi dhe blerësi është në dobi të të dy palëve, sepse ata bekohen. Kurse gënjeshtra e mashtrimi i palëve me njëra-tjetrën në këtë akt u sjell atyre një dëm shumë të madh që është heqja e bereqetit. Pikërisht për këtë gjë Profeti (alejhi selam) i këshillon dhe i porosit njerëzit duke u treguar se kush është më e mira dhe kush është më e keqja në aktin e shitblerjes.

 

7. Zbritja e bereqetit

Sa e sa njerëz ankohen se nuk kanë fare bereqet. Nuk kanë bereqet në pasuri, nuk kanë bereqet në risk, nuk kanë bereqet në shtëpi; tek gruaja dhe fëmijët, nuk kanë bereqet në kohë..etj. Mirëpo ka njerëz të tjerë të cilët kanë bereqet në të gjitha aspektet e jetës; kanë bereqet në kohë, pasuri, fëmijë e gjithçka tjetër.

- Ka njerëz të cilët kanë pasuri, e japin zekatin, japin lëmoshë dhe i ndihmojnë të varfërit dhe nevojtarët. Pasuria e tyre shtohet dhe nuk pakësohet, sepse Allahu i Lartësuar i ka dhënë bereqet në pasuri.

- Ka njerëz të cilët sa herë që shesin apo blejnë fitojnë sepse janë të sinqertë në shitblerjen e tyre.

- Ka njerëz të cilët kanë bereqet në kohë, sepse ai të gjithë kohën e jep në dobi të njerëzve dhe shoqërisë.

- Ka njerëz të cilët kanë bereqet në familje, sepse ata gjatë gjithë kohës që janë në familje ia kanë kushtuar të gjithë vëmendjen maksimale asaj. Në të kundërt të kësaj, shikojmë njerëz të cilët kanë shumë para, por janë kopracë dhe nuk e shpenzojnë atë për gjëra të mira e të dobishme. Të tillë njerëz janë në stres të vazhdueshëm sepse jetojnë me frikën se ajo mund t’i humbasë.

- Ka njerëz që sado që shesin apo blejnë mallra, tregtia e tyre nuk ka bereqet sepse tregtia e tyre është bazuar mbi gënjeshtrën e mashtrimin.

- Ka njerëz të cilët posedojnë dije të madhe, por nga dija e tij nuk përfiton askush. Në këtë kontekst lind një pyetje: Cila është mënyra që njeriu të ketë bereqet?

Më poshtë po paraqesim disa gjëra që sjellin bereqet:

Devotshmëria: Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.”[29] Kështu pra, devotshmëria është shkak i zbritjes së bereqetit nga qielli dhe toka.

Leximi i Kuranit: Allahu i Lartësuar thotë: “Ky (Kuran) është një Libër i bekuar, të cilën ta kemi shpallur ty, si vërtetues të atij që gjendet para tij dhe që të paralajmërosh poullin e nënës së qyteteve (Mekës) dhe ata që banojnë rreth saj. Ata që besojnë në jetën e ardhshme, besojnë edhe në të (Kuran) dhe kujdesen për kryerjen e namazit të tyre.”[30] E në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “Ky (Kuran) është një Libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty që ata të meditojnë rreth argumentave të tij dhe për t’u këshilluar me të mendimtarët.”[31] Leximi i Kuranit është një prej atyre punëve të mira e të dobishme që sjell bereqetin me lejen e Allahut të Lartësuar. Në ditët e sotme, njerëzit janë dhënë shumë pas teknologjisë, internetit, facebook..etj duke e lënë pas dore leximin dhe meditimin e Kuranit, duke harruar që Kurani vjen si ndërmjetsues në Ditën e Gjykimit për atë që e ka lexuar.

Sinqeriteti në shitblerje: Sa e sa tregtarë ka që thonë madje edhe duke u betuar se e kanë blerë mallin me kaq lekë dhe se nuk fitojnë asgjë nga shitblerja e tyre duke gënjyer. Sa e sa tregtarë thonë se malli është origjinal, ndërkohë që malli është imitim. Sa e sa tregtarë thonë se malli i përket filan firme, ndërkohë që thjesht ka vënë një etiketetë sa për të mashtruar klientët. Madje shumë të tjerë bëjnë hile nga më të ndryshmet që të fitojnë sa më shumë. Tregtia e tyre është e destinuar që mos të ketë bereqet. Hadithi të cilin po e komentojmë flet shumë qartë për këtë: “Në qoftë se të dy palët kanë thënë të vërtetën dhe kanë përshkruar të metat dhe cilësitë (e mallit), atëherë ata do të bekohen në shitblerjen e bërë mes tyre. Ndërsa, në qoftë se kanë fshehur diçka ose kanë gënjyer, atëherë ata do ta humbnin bekimin e shitblerjes së bërë mes tyre.”

Veprimtaria e ditës herët: Profeti (alejhi selam) i është lutur Allahut me këto fjalë: “O Zot! Jepi bereqet umetit tim në atë veprimtari që fillon herët.”[32] Nuk ka dyshim se veprimtaria e njeriut duhet të fillojë qysh herët në mëngjes duke filluar me faljen e namazit të Sabahut në xhami. Ai që është nxënës duhet ta fillojë herët mësimin. Ai që është tregtar, doktor, inxhiner, zanatli duhet ta fillojë herët punën. Ai i cili dëshiron të udhëtojë duhet të dalë herët nga shtëpia e kështu me rradhë, sepse në mëngjes herët ka shumë bereqet. E thënë ndryshe nëse i fillon punët herët në mëngjes, atëherë e gjithë dita të shkon mbarë. Dhe kjo gjë është mëse e provuar.

Ruajtja e lidhjeve farefisnore: Një shkak i zbritjes së bereqetit është edhe ruajtja e lidhjeve farefisnore, për të cilën Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kush dëshiron që t’i shtohet pasuria ose jeta, atëherë le të ruajë lidhjet farefisnore.”[33]

Lutja: Një ditë, Profeti (alejhi selam) hyri në xhami dhe pa njërin prej shokëve të tij që ishte vetëm në xhami. Ai vuri re shenjat e hidhërimit dhe trishtimit në fytyrën e tij, e gjeti atë në xhami në një orë në të cilën nuk falej namazi. Ai u afrua pranë tij dhe e pyeti: O Ebu Umame! Përse ke ardhur në xhami këtë orë? Ai tha: O i Dërguar i Allahut! Trishtimi më ka kapluar dhe borxhet më kanë mbytur. Profeti (alejhi selam) e pyeti: A dëshiron që të të mësoj disa fjalë që nëse i thua Allahu do të ta heqë trishtimin dhe do të ta shlyejë borxhin?! Po – tha ai.

Profeti (alejhi selam) i tha: Në të gdhirë dhe në mbrëmje thuaj: O Zot! Unë kërkoj mbrojtje prej Teje nga trishtimi dhe hidhërimi, kërkoj mbrojtje prej paaftësisë dhe dembelizmit, kërkoj mbrojtje prej frikës dhe kopracisë dhe kërkoj mbrojtje prej borxhit që më ka mbytur dhe nënshtrimit të burrave karshi meje.

 

Argumentet dhe dobitë e hadithit

1. Shitësi dhe blerësi kanë të drejtë ta mbajnë apo ta kthejnë mallin përderisa nuk janë ndarë.
2. Dispozitat e sheriatit janë lehta.
3. Tregtari duhet të thotë të vërtetën në lidhje me të metat që mund të ketë malli që ai shet.
4. Mos-thënia e të metave të mallit, gënjeshtra dhe mashtrimi janë veprime të ndaluara (haram).
5. Vlera e sinqeritetit dhe denigrimi i gënjeshtrës.
6. Sinqeriteti në shitblerje sjell bereqetin.
7. Gënjeshtra në shitblerje e largon bereqetin.
8. Ai i cili mëkaton ka humbur nga të mirat e kësaj bote dhe botës tjetër.

Epilog:

Ibni Is’haku tregon: [Hatixhja, vajza e Huvejlidit ka qenë tregtare e njohur dhe e ndershme. Ajo i punësonte tregtarët të cilët punonin me pasu*rinë e saj dhe ishte e rregullt me pagesat.

Kur Hatixhja dëgjoi për Profetin (alejhi selam) se është i sinqertë, i besueshëm dhe me sjellje fisnike, dërgoi që ta thërrasin. Kur Profeti (alejhi selam.) erdhir tek ajo, ajo i ofroi që të kujdeset për tregtinë e saj në Sham, se për këtë do ta shpërblente më mirë se të tjerët që kanë qenë përpara tij. Gjithashtu me të, ajo dërgoi shërbyesin e saj Mejserin. Profeti (alejhi selam) e pranoi këtë ofertë dhe menjëherë niset me Mejserin dhe karvanin për në Sham.

Kur u Profeti (alejhi selam) u kthye në Mekë, Hatixhja u befasohet shumë me suksesin e arritur në tregti. Mejseri i tregon për bujarinë dhe besnikërinë e Resulull-llahut alejhi selam. dhe i thotë se kjo ka qenë një nga shkaqet e fitimit të madh. Për çdo mall që Profeti (alejhi selam) tregohej i sinqertë duke e përshkruar mallin me detaje dhe po ashtu edhe të metat e tij (nëse malli kishte të meta). Duke parë sinqeritetin, besnikërinë dhe aftësinë e Profetit (alejhi selam) për tregti, Hatixhja i propozoi atij për martesë dhe ata u martuan.[34]

Nga ArdhmeriaOnline

[1] Transmetojnë Buhariu (2709) dhe Muslimi (1532)
[5] Transmeton Ebu Daudi ( ) Hadithi është Hasen.
[6] Transmetojnë Buhariu (2139) dhe Muslimi (1413)
[7] Transmetojnë Buhariu (2148) dhe Muslimi (1524)
[8] Transmeton Ibn Maxheh ( ) Hadithi është Sahih.
[9] Sure El Bekare: 185.
[10] Transemton Ahmedi (15936). Hadithi është Hasen.
[11] Transmeton Ebu Daudi (3460). Hadithi është Sahih.
[12] Sure El Haxh: 78.
[13] Transmetojnë Buhariu (54) dhe Muslimi (1907).
[14] Transmeton Et Tirmidhi (1209). Hadithi është Sahih.
[15] Transmeton Ahmedi (21408). Hadithi është Sahih sipas kushteve të Muslimit.
[16] Transmeton Ebu Daud (3452). Hadithi është Sahih.
[17] Transmeton Ahmedi (15579). Hadithi është Sahih.
[18] Sure El Mutaffin: 1-6.
[19] Sure El Bekare: 275.
[20] Transmeton Buhariu (2076)
[21] Sure Et Teube: 119
[22] Transmetojnë Buhariu (6094) dhe Muslimi (2607)
[23] Sure Esh Shuara: 214.
[24] Transmetojnë Buhariu (6094) dhe Muslimi (2607)
[25] Transmeton Muslimi (1809)
[26] Sure Hud: 25-26.
[27] Sure Esh Shuara: 131-135.
[28] Sure Hud: 84.
[29] Sure El A’raf: 96.
[30] Sure El En’am: 92.
[31] Sure Sad: 29.
[32] Transmeton Et Tirmidhi (1212). Hadithi është Sahih.
[33] Transmeton Buhariu (2067) dhe Muslimi (2559).
[34] Siretu ibn Hisham (1/119).