Të Fundit
Shpërblimi i njerëzve të mirë – Rast emocionues

Shpërblimi i njerëzve të mirë – Rast emocionues

Gjatë sezonit të Haxhit, një i moshuar i bleu të bijës së tij një gjerdan floriri të shtrenjtë. Gjerdanin e kishte futur në një qese pëlhure me ngjyrë të kuqe dhe e mbante në dorë, teksa bënte tavafin rreth Qabes. Për shkak të njerëzve të shumtë që gjendeshin në tavaf, i moshuari e humb qesen me gjerdanin brenda. Me ta konstatuar, ai filloi të thërrasë:”Kush ka gjetur një qese të kuqe të ma kthejë se është e imja!” Nuk tregoi se çfarë ka brenda qesja, nga frika se mos ndoshta ai që e gjen nuk e mposht lakminë për ta përvetësuar.
Në një moment, i afrohet një burrë i besueshëm dhe i thotë:”Zotëri, urdhëroni qesen se e kam gjetur unë!”
I moshuari nuk u besonte syve. E hapi qesen dhe pa që gjerdani i floririt ishte aty brenda. U gëzua shumë. Menjëherë, e nxori gjerdanin dhe duke ia zgjatur burrit i tha:”Merre! Meqë u tregove besnik dhe me amanet, po ta dhuroj!”
Burri që e kishte gjetur, ia ktheu:”Jo pasha Zotin! Nuk e marr as gjerdanin dhe as ndonjë shpërblim tjetër! Si t’ia shtrij dorën dikujt tjetër, ndërkohë që ndodhem në shtëpinë e Zotit?!” Kjo, edhe pse këtij personi i kishin mbaruar të gjithë kursimet dhe ishte në kulmin e nevojës për para.
Pasi përfundoi sezoni i Haxhit dhe të gjithë morën rrugën e kthimit, burri që kishte gjetur gjerndanin hipi në anije që të kthehet në vendlindje. Gjatë lundrimit, për shkak të një stuhie, anija mbytet bashkë me udhëtarët. I vetmi që shpëtoi ishte personazhi ynë. Ai gjeti një dërrasë pas të cilës u kap fort, derisa dallgët e nxorën në breg. Pasi e mori veten, u ngrit dhe bëri disa hapa. Në një moment, dëgjon ezanin e sabahut nga një xhami aty pranë. D.m.th, vendi ku ndodhej ishte i banuar, madje nga myslimanë. Menjëherë u drejtua nga xhamia dhe hyri brenda. Njerëzit prisnin dikë që tu falë sabahun, pasi imami i xhamisë kishte ndërruar jetë një ditë më parë. Nga pamja, burri iu duk njeri i mirë dhe e pyetën nëse kishte mundësi të falej si imam dhe ai pranoi. Meqë nuk kishte vend ku të qëndrojë, ai qëndroi në xhami dhe falej si imam me xhematin. I gjithë fshati vendosi që ta mbajnë si imam, madje ti ndërtojnë dhe një shtëpi pranë xhamisë. Dikush propozoi që edhe ta martojnë nga ai fshat, për të mos e lënë vetëm. Kështu, vendosën ta martojnë me vajzën e imamit që kishte ndërruar jetë, aq më tepër që edhe ajo kishte mbetur fillikat. Ata e morën burrin dhe vajzën dhe u mundësuan një takim që ta shohin njëri-tjetrin. Me ta parë, burri dalloi në qafën e saj një gjerdan floriri, të cilit ia nguli sytë si i hutuar. Pasi përfundoi takimi, njëri nga burrat e fshatit i tha:”Të pashë që ia ngule sytë gjerdanit të floririt që vajza kishte në qafë! Mos vallë të erdhi oreksi për paratë dhe të mirat materiale të saj?!”
Burri iu përgjigj:”Jo pasha Zotin! Por atë gjerdan e njihja. Ai i kishte humbur një burri të moshuar gjatë sezonit të Haxhit në Qabe, unë e gjeta dhe ia ktheva. U habita kur e pashë në qafën e asaj vajze”
Fshatari e pyeti:”Ti e ke gjetur atë gjerdan dhe ia ke kthyer sërish?!”
“Po” u përgjigj burri.
Fshatarët i thanë:”O Zot sa i madh je! Imami që ka ndërruar jetë, është pikërisht ai i moshuar për të cilin flet. Pasi u kthye, ai na tregoi se i kishte humbur gjerdani dhe ia kishte kthyer një burrë i mirë. Kushedi sa herë e kemi dëgjuar të lutej:”O Zot! Martoje time bijë me një njeri si ai burrë!” Tani ne e shohim me sytë tanë se kjo lutje i është pranuar. Ky është shpërblimi i njerëzve të mirë, që mbështeten fuqishëm tek Zoti.”