Të Fundit
Rregullat (adabet) e ngrënies dhe pirjes

Rregullat (adabet) e ngrënies dhe pirjes

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin (a.s.) për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Të nderuar vëllezër besimtarë;

Kjo bora me bollëk, e cila shoferëve po ju sjell shumë probleme, ndërsa fëmijëve shumë gëzim, po na kujton se jemi në stinën e dimrit, e cila, ashtu si dhe çdo stinë tjetër, e ka magjinë e saj. Së pari, me të ftohtin e tij, dimri i mbyt viruset në ajër, të cilët, sipas zakonit, na shkaktojnë shumë probleme. Pastaj, me bardhësinë e borës së tij, dimri na kujton pastërtinë e shpirtrave tanë me të cilën kemi ardhur në këtë botë, dhe na këshillon që të tillë (të pastër) duhet edhe t’ia kthejmë Zotit tonë në fund të rrugës sonë të kësaj bote. Pastaj, siç na thotë Pejgamberi ynë (savs), dimri është begati e madhe për besimtarët – ditët e shkurtra për agjërim, kurse netët e gjata për ibadet. Dhe, së fundi, periudha e dimrit është ideale për vizita dhe ndeja të gjata, në të cilat i rifreskojmë miqësitë tona dhe e ndërtojmë dashurinë e ndërsjellë vëllazërore.

Në këto ndeja, përveç kafesë së zakonshme, shpesh shtrohen edhe darka, andaj për këtë arsye, sot dëshiroj t’i kujtojmë shkurtimisht rregullat (adabet) e ngrënies.

Para fillimit dhe pas mbarimit të ushqimit, sunnet është të lahen duart. Para ushqimit, për shkak të pastërtisë, të cilën shumica e njerëzve e bëjnë, kurse pas ushqimit për bereqet, të cilën shumica e njerëzve harrojnë ta bëjnë, përveç nëse duart i kanë me yndyrë ose të përlyera nga ushqimi.

Ushqimi fillohet me ‘bismillah’, respektivisht, duke kërkuar leje nga Zoti që të ushqehemi me begatitë e Tij, kurse përfundon me fjalët ‘elhamdu lil-lah!’, respektivisht, me falënderim Zotit për ushqimin e dhënë, pa të cilin ne nuk të mund të jetonim. Për këtë arsye, ushqimin kurrsesi nuk guxojmë ta shajmë, por nëse diçka nuk na pëlqen, apo është me shumë kripë, e të ngjashme, ushqimin duhet, siç thotë proverbi, ta puthim dhe ta lëmë.

Ushqimi hahet ekskluzivisht me dorë të djathtë, dhe jo, me të majtën, siç vepron shejtani i mallkuar. Pavarësisht nga fakti se është bërë zakon, që disa njerëz, edhe në shtëpi, por edhe në restorante, pirunin e servojnë në anën e majtë, kurse thikën në anën e djathtë, pirunin duhet vendosur në anën e djathtë. Madje edhe personat që janë majtak, pavarësisht që shkruajnë me dorën e majtë, ata duhet të mësohen të hanë me dorën e djathtë. Pejgamberi (savs), e sheh një njeri duke ngrënë me dorën e majtë, dhe i thotë:„Ha me dorën e djathtë!“, kurse ai i përgjigjet në mënyrë të vrazhdë: „Nuk mundem!“ Pejgamberi (savs), i thotë: „Atëherë, mos mundsh pra!“ Nuk kaloi shumë kohë, dhe atij njeriu dora e djathtë iu kishte tharë, andaj edhe po të donte, nuk mund të hante me dorën e djathtë.

Është sunet të hahet me tre gishta (gishti i madh, gishti tregues dhe gishti i mesëm). Në fakt, edhe shkenca ka provuar se këta tre gishta vetë pastrohen përmes aktiviteteve të përditshme njerëzore. Gjithashtu, është sunet që pas ushqimit, dhe para lamjes së duarve, ata tre gishta të lëpihen për bereqet. Sigurisht, nuk ka pengesa që të hahet me lugë ose me pirun, sidomos kur ka ushqimet të cilat nuk mund të hahen me dorë. Mirëpo, ajo që mund të hahet me dorë, është më mirë dhe më ëmbël, nëse hahet me dorë. Nëse ndonjëherë kafshata bie në tokë, sunet është të merret, të pastrohet dhe të hahet, për bereqet.

Pa marrë parasysh se sa është ushqimi i nxehtë, nuk duhet të fryhet, sepse kështu vepron shejtani i mallkuar, dhe me të ai ndotet me baktere nga fryma. Gjithashtu, pa marrë parasysh që dikujt kjo nuk i pengon, ushqimi nuk duhet të hahet i nxehtë, sepse ushqimi i nxehtë i shkakton ulçerat e stomakut. Ushqimi duhet të lihet që të ftohet mjaftueshëm.

Ngrënia duhet të jetë me maturi, pa e tepruar. Pejgamberi (savs), ka thënë se stomaku duhet të ndahet në tri pjesë: (1) një pjesë për ushqim, (2) një për ujë dhe (3) një për ajër, duke shtuar se njeriut i mjaftojnë vetëm disa kafshata për ta kthyer forcën. Kurse ne, për fat të keq, nuk e marrim parasysh këtë, dhe në vend se të hamë sipas nevojës, ne hamë sipas adetit. Përveç kësaj, neve me kalimin e shpejtë të kohës, na godet edhe stresi, kështu që ngutemi gjatë ngrënies dhe nuk e përtypim mirë ushqimin, me çka lukthit i shkaktojmë barrë shtesë, kurse vetvetes problem shtesë.

Nuk është mëkat që njeriu të hajë vetëm, por është shumë më mirë, më ëmbël dhe më me bereqet të hajë në shoqëri. Allahu i Plotfuqishëm, në suren en-Nur, ajeti 61, na këshillon që të hamë me të afërmit dhe me miqtë. Me fjalë të tjera, Ai na fton që të vizitohemi dhe t’i ruajmë lidhjet familjare dhe miqësore. Te ushqimi i përbashkët është adab që të hahet para vetes, që me ngrënie të fillojë personi më i vjetër në shoqëri, kurse të përfundohet me lutje të përbashkët dhe me falenderim ndaj Allahut të Plotfuqishëm dhe nikoqirit.

Gjatë ngrënies, është mirë të flitet, jo me gojën plotë, por me ndërprerje mes kafshatave. Në këtë mënyrë, bëhet dallimi me hebrenjtë, të cilët nuk flasin gjatë ngrënies. Natyrisht, nga respekti për nimetin e Allahut, duhet pasur kujdes se për çka flitet gjatë ngrënies dhe nuk duhet qeshur shumë gjatë ushqimit, sepse dikujt mund t’i mbesë në fyt, dhe kjo mund të jetë e rrezikshme.

Tek zgjedhja e ushqimit, sidomos kur është fjala për mishin, duhet të shikohet, aq sa është e mundur, që të jetë hallall. I lutemi Allahut të Plotfuqishëm, që të na jep shëndet, nafakë të mirë dhe bereket.

O Allah, na forco në rrugën e Islamit!

Na bëj nga ata që me përkushtim e mbrojnë fenë e tyre!

Ndihmoji vëllezërit dhe motrat tona në nevojë kudo që janë!

Na ruaj nga e keqja e armiqve Tu dhe armiqve tanë!

Intrigat e armiqve të umetit dhe atdheut tonë ktheji mbi vetë ata!

O Allah, mëshiroji prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur të cilët na e sollën dritën e fesë!

Udhëzoji fëmijët dhe pasardhësit tanë, dhe bëri udhëheqës të umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe të atdheut, si dhe gëzim të syve dhe zemrave tona në këtë botë dhe në botën tjetër!

O Allah, na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit dhe na ndero me xhenet në shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)