Të Fundit
Premtimi është borxh

Premtimi është borxh

I riu i karaktershëm, në rrugën e tij të madhe drejt qëllimeve të larta të jetës, me vete duhet ta bartë virtytin e fjalës së dhënë. Ajo bëhet pjesë e tij. Vetëm në këtë mënyrë hapet rruga drejt përsosmërisë së shpirtit.

Muhammedi salAllahu ‘alejhi ue sel-lem ka thënë: “Premtimi është borxh”.

Ai që nuk e kryen këtë borxh numërohet në radhën e atyre që nuk i bartin cilësitë njerëzve të aftë dhe të respektuar. Sikur të rinjtë ta dinin se sa vlerë të çmueshme bartë në vete premtimi i dhënë dhe fjala e mbajtur! Sikur ta dinin si shndrit fytyra e të riut që e mban në vetvete këtë virtyt! Në jetë takojmë njerëz të ndryshëm. Kalojnë si lumi pranë nesh dhe përreth nesh. Jemi në kontakt me ta. Dhe ja, dallohen ata, të cilët, si shkëmbinj të lartë e të parrënueshëm, qëndrojnë mbi një det resh.

Këta janë njerëz në virtytet e të cilëve jemi bindur. Të këtillët, nëse e kanë dhënë fjalën, do ta mbajnë.

Njerëzit e fjalës do t’i respektojnë edhe ata që i duan edhe ata që nuk i duan. Do t’i admirojnë!

Diapazoni i fjalës njerëzore shtrihet nga detajet më të vogla deri tek gjërat thelbësore në jetë.

Nëse premtoj që do ta kthej librin e huazuar në kohë dhe kështu veproj – kjo është fjalë e mbajtur. Nëse i premtoj mikut se do ta ndihmoj në ndonjë punë dhe e përmbush atë premtim – edhe kjo është fjalë e mbajtur. Nga një seri fjalësh të mbajtura, lind njeriu i vërtetë. Kjo është arsyeja pse që në fëmijëri, që nga fjalët e para të thëna, fëmija duhet të edukohet me frymën e fjalës së mbajtur, fjalën e forta dhe frymën e premtimit të mbajtur.

Fjala e dhënë i hap dyert e xhennetit!

Muslimanët e parë e bartën këtë vendim në vete si një gjë normale. Assesi nuk mund ta merrnin me mend se mumini mund të jetë njeri që nuk e mban fjalën. Në të vërtetë, të mos e mbash fjalën do të thotë të mos e mbash vëllain tënd, të mos e respektosh.

Nëse nuk e nderon tjetrin, nuk e nderon as veten, sepse e prish dhe hedh në baltë autoritetin dhe dinjitetin e vet njerëzor. Këtë besimtari i vërtetë nuk guxon ta bëjë!

Një ngjarje nga  ditët e para të Islamit:

Para hazreti Umerit radijAllahu anhu, halifit të dytë, pas një lufte, e sollën të robëruar persianin e shquar Hurmuzanin, por muslimanët e kishin dënuar me vdekje. Ai i tha Umerit radijAllahu anhu: ‐ O sundimtar i besimtarëve të vërtetë, unë jam i etshëm, dhe besoj se nuk do të më mbytni të etshëm! Hazreti Umeri urdhëroi të mos ekzekutohet dënimi me vdekje derisa ai të mos e shuante etjen. Hurmuzani e mori gotën e ujit në dorë dhe iu drejtuar h. Umerit:  ‐ A jam i sigurt, o sundimtar i besimtarëve të vërtetë, ta pi këtë gotë? Umeri ia premtoi sigurinë. Atëherë Hurmuzani e derdhi gotën e ujit në tokë dhe uji u derdh. Mandej i tha Umerit: ‐ “Premtimi i mbajtur, o sundimtar i besimtarëve të vërtetë, është dritë që shkëlqen!”

Umeri nuk e theu fjalën e vet dhe e liroi Hurmuzanin. Ndërsa ky, duke e parë forcën e karakterit të Umerit që e kishte ndërtuar Islami, vendosi të bëhet musliman!

Nëpërmjet sjelljes së h. Umerit e mësoi fuqinë dhe madhështinë e fesë Islame. E mësoi të Vërtetën. Meqenëse Hurmuzani ishte njeri i urtë, Umeri e vendosi në radhën e këshilltarëve të vet.

Historia Islame ka shembuj të pakufishëm. Një plejadë e mrekullueshme e besimtarëve të parë, me karakterin e tyre e kanë shkruar historinë e madhe të vlerave njerëzore.

Këshilla e të urtëve thotë: “Duhet të jesh njeri i fjalës, nga premtimi më i vogël deri te premtimi më i madh”.

Kjo është rruga e drejtë, apo jo? –Në të vërtetë besimtari i vërtetë, dëshiron të ec kësaj rruge, sepse kjo është rruga e tij!

Autor: Munir Gavrankapetanović
Përktheu: Lutfi Muaremi

[Islampress]