Të Fundit
Pak ka mbetur nga feja e vërtetë!

Pak ka mbetur nga feja e vërtetë!

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Dërgojmë salavat dhe selam mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin (savs), mbi shokët e tij, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar dhe kanë vdekur me besim në zemër.

Vëllezër të respektuar!

Pejgamberi ynë i dashur Muhamedit (a.s.), me një rast shumë rrëmbyeshëm pat vajtuar. Në pyetjen e sahabiut të nderuar Hudhejfe bin Jeman se: “Pse po qanë o më i miri?

Ai u pat përgjigjur kështu: “Si të mos qajë, kur do të vijë koha (një ditë) kur te ummeti im nuk do të mbetët asgjë prej Islamit!”

Po, vëllezër, nëse shkojmë nëpër vendet e banuara me muslimanë, do të shohim një pasqyrë të mjerueshme. Nëse hyjmë nëpër shtëpitë muslimane, do të vërejmë shumë risi që janë të huaja për muslimanët, por që ata i kanë pranuar si të domosdoshme!

Veshmbathja e muslimanëve është gjithnjë e më e keqe! Na shtrohet pyetja, pse? Të gjithë pyesim, por nuk dëshirojmë të shikojmë në vetvete, sepse shumica jemi prej atij grupi!

Shumë muslimanëve të sotëm, shumë gjëra u janë bërë më parësore se Islami e Allahu i Plotfuqishëm!

Pejgamberi a.s. duke qajtur iu përgjigj Hudhejfes, tha: “Do të braktiset namazi!”

Dmth. namazi do të jetë një çështje e dorës së dytë, ose edhe më keq, e pa rëndësi. Kurani famëlartë flet se namazi na ndalon nga kryerja e punëve të këqija, por sot ka ardhur koha, që pikërisht këto vepra po i largojnë muslimanët nga namazi!

Ndejet, argëtimet e alkooli janë bërë gjë normale, ndërsa shkuarja rregullisht në xhami shumicës i është bërë humbje e kohës kot.

Sikur ta dinin njerëzit se sa është dënimi dhe përgjegjësia e lënies së namazit, një pjesë të madhe të natës do ta kalonin në ibadet duke i falur namazet e kaluara.

Vlen ta përkujtojmë thirrjen e një komandanti të ushtrisë muslimane, i cili duke e sulmuar armikun pat bërtitur: “Shpejtoni vëllezër (ta shkatërrojmë armikun), e të mos na kalojë ikindia, sepse e kam dëgjuar Pejgamberin (savs) duke thënë: ‘Kujt i kalon namazi i ikindisë, puna të cilën e bën (gjat asaj kohe) i shkatërrohet dhe është i mallkuar.”

Xhemat të nderuar!

Mendoni, lufta për jetë a vdekje, kurse namazi brengë më e madhe se gjaku dhe koka!!

Në vazhdim Muhamedi (a.s.), ka thënë: “Nuk do të jepet zekati.”

Sikur ta dinin muslimanët se sa janë në humbje nëse nuk e japin zekatin, do të jepnin edhe më tepër se sa është urdhëruar. Në Ditën e gjykimit do të caktohet dënim special për ata që nuk e japin zekatin, sepse në hadith thuhet se do të hekurosen me hekur të skuqur, ata që nuk e kanë dhënë atë pjesë nga pasuria e tyre. Vërtet në pasurinë tonë gjendet një pjesë e cila nuk është e jona, e që duhet t’ua japim të varfërve.

Pastaj Muhamedi (a.s.), ka thënë: “Do të matet shtrembër.”

Shitësi do ta mashtrojë blerësin. Ka ardhur koha ku është me rëndësi të kesh, e prej nga? Nuk është me rëndësi!

Në Ditën e gjykimit do të mblidhen të drejtat-borxhet (“haket e huaja”) si dardhat e pjekura, e melekët do t’i thërrasin ata të cilëve u është bërë e padrejtë të vijnë e t’u paguhen padrejtësitë e dynjasë.

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Mjerë ata që gjatë matjes me qëllim mashtrojnë!”

Ata të cilët në dynja janë pasuruar në mënyrë të pandershme, në Ahiret do të varfërohen në mënyrë të ndershme! Kurani thekson se Allahu i Plotfuqishëm askujt nuk i bën padrejtësi, por çdokush do të gjykohet dhe shpërblehet sipas veprave dhe qëllimeve.

Pastaj Muhamedi (a.s.), vazhdoi: “Do të gjykohet keq!”

Dmth. nuk do të shikohet në veprën e personit, por në pozitën dhe në xhepin e tij.

Pastaj Alejhiselami tha: “Do të dëshmohet rrejshëm-shtrembër.”

Dmth. nuk do të shikohet në shpirt, por në pagesë e lavdatë të së shtrembrës. Është e mjerueshme të theksohet, por shumë muslimanë janë shkatërruar me betim e dëshmi të rrejshme.

Mendoni në babain i cili në pyetjen: “A është djali i tij fajtor?” tregon hollësisht, duke mos fsheh aspak dhe asgjë çka ka punuar djali i tij. Djalin e pritte litari!! Gjykatësi është befasuar me prindin i cili ka konsideruar se duhet të ruhet interesi i shpirtit, e jo interesi i djalit të tij i cili ishte bandit-vjedhës.

Në vazhdim Muhamedi (a.s.), tha: “Do të pihet alkooli.”

Dmth. në këtë botë do të përhapet mëkati, të cilin do ta dashurojnë muslimanët. Muslimanët, fatkeqësisht, sot e përdorin dhe dëfrehen me alkool dhe fare nuk çajnë kokën dhe nuk mërzitën se ky është një prej mëkateve dhe harameve të mëdha të Allahut të Plotfuqishëm.

Pastaj Pejgamberi (savs), tha: “Do të merret kamata dhe do të dashurohet pasuria.”

Dmth. në këtë botë do të sundojë shprehia e Faraonit, ndërsa Pejgamberi (savs) e kishte lutur Zotin: “O Allah, më bën që një ditë të jem i ngopur, e të dytën i uritur.”

Edhe pse sikur të kërkonte, Allahu gjithë botën do t’ia shtronte me flori.

Në fund po e përmbyllim me këto falë të Pejgamberit (savs): “Do të ketë pak karakter, nuk do të ketë dinjitet as te të rinjtë e as te pleqtë. Pleqtë nuk do të jenë të mëshirshëm ndaj të rinjve, nëse e vërejnë të vërtetën e urrejnë, e nëse vërejnë prapësi e ndjekin!”

Mund të konkludojmë me keqardhje, se jemi afër ose brenda këtij paralajmërimi të Muhamedit (a.s.)!

Vëllezër të dashur!

Në fund, le t’i lutemi Allahut të Mëshirshëm:

– që të na ruajë nga sprovat e mëdha në fe, në familje dhe në pasuri!

– që ta largojë nga zemrat tona urrejtjen dhe zilinë ndaj njerëzve të tjerë;

– që mos të na mposhtë neve frika dhe pashpresa;

– që të na japë forcën për tu bërë mirë njerëzve;

– që të na i pranojë veprat tona të mira dhe të na i mbulojë turpet tona;

– që ta çlirojë njerëzimin nga sprovat e sëmundjeve të këqija dhe të na japë forcën për të vazhduar në luftën kundër tyre!

Le të strehohemi tek mëshira e Allahut dhe, le të kërkojmë strehim tek Ai nga çdo e keqe.

Unë e them këtë dhe kërkoj falje nga Allahu i Gjithmësirshëm për veten time, për ju dhe për të gjithë muslimanët e botës. (Amin!)

Përshtati: Miftar Ajdini