Të Fundit
“O Ibrahim, jam Xhibrili. A ke gjë nevojë?”

“O Ibrahim, jam Xhibrili. A ke gjë nevojë?”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të Vetëm, ta pashoq, i Cili na krijoi nga asgjëja, jo nga nevoja e Tij për ne, por si dëshmi e dashnisë së Tij ndaj nesh!

Shembullin e besimtarëve e prezantoi me dashurinë e Tij ndaj tyre dhe anasjelltas, kur tha: “O ju që besuat! Kush largohet prej jush nga feja e vet (i bën dëm vetes) s’ka dyshim se All-llahu do ta sjellë një popull që Ai e do atë (popull) dhe ata e duan Atë (Zotin), (një popull) që është modest e i butë ndaj besimtarëve, por i ashpër dhe i fortë ndaj mohuesve, që lufton në rrugën e All-llahut dhe që nuk i frikësohet kërcënimit të asnjë kërcënuesi. Kjo (cilësi e atij populli) është dhuratë e All-llahut që i jep atij që do. All-llahu është dhurues i madh, i dijshëm.”[1]

Atij i takon lavdia e plotë, që na udhëzoi në këtë fé të pastër islame nëpërmjet rrugëve të dashnisë dhe na edukoi të duam e të duhemi, në rrugën e mbjelljes së vlerave më të larta të besimit në jetë, për veten, për tjetrin (kushdo qoftë ai) dhe për ata që vijnë.

E bëri dashninë, modelin e marrëdhënies tonë me Madhninë e Tij, kur tha: “E nga njerëzit ka prej atyre që në vend të All-llahut besojnë idhujt, që i duan (i madhërojnë) ata, sikur (që besimtarët e vërtetë e duan) All-llahun, por ata që besuan dashurinë më të fortë e kanë për All-llahun.”[2]

Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në ço ditë të jetës tonë, zotërsisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili lutej: “All-llahumme ma bëj rizk dashninë Tënde, dhe dashninë e atij, dashnia e të cilit më bën dobi tek Ty!”[3]

Të nderuar dhe të dashur vëllezër,

Po lexoja mbi kuptimet e dashurisë dhe lidhjen që e mban besimtarin në një gjendje të vazhdueshme malli dhe kërkimi në hak të Krijuesit të tij. Në fakt, përkufizimet e saj janë të shumta. Mua më tërhoqën vëmendjen tri prej tyre, të regjistruara në një prej kryeveprave të dijetarit të madh Imam Ibn Kajjim El-Xheuzijje, “Reudatul-muhibbine”, ndryshe: “Kopështi i të dashuruarve”, ku dashuria përkufizohet si më poshtë:

  1. “Tërheqja jote drejt të dashurit me krejt qënien tënde dhe vetëmohimi yt ndaj tij në shpirt dhe pasuri, miratimi yt ndaj tij haptas dhe fshehurazi, si dhe bindja jote se je i mangët në dashurinë tënde ndaj tij”.
  2. “Shpenzimi i mundit tënd për të arritur atë që pëlqen i dashuri”.
  3. “Qetësi pa lëkundje dhe lëkundje pa qetësi! Kur zemra lëkundet dhe nuk gjen qetësi vetëm se tek i dashuri dhe kur zemra dridhet nga malli i tij dhe nuk qetësohet vetëm se në pragun e tij”[4]

Historia e besimit dhe njerëzve të tij, është e mbushur me shembuj sesi udhëzimi i njeriut drejt dashurisë për Zotin, ka dëshmuar shembujt më të shkëlqyer të asaj që mund ta quajmë mrekulli në marrëdhëniet e njeriut me ambientin, natyrën e gjërave, si rezultat i sinqeritetit dhe rrugëtimit të vendosur drejt pëlqimit të Zotit në jetë.

Vëllezërit e mi,

Shembujt, që dua të trajtoj sot me ju, vijnë kryesisht nga historia e të dërguarve të All-llahut, si pika referimi dhe shembuj të mrekullueshëm, që na shërbejnë secilit në jetën e sotme dhe marrëdhëniet tona me besimin përballë realiteteve të jetuara.

Transmetohet se Hz. Musai (a.s) iu lut All-llahut (xh.sh) duke thënë: “O Zot, kush janë të dashurit e Tu, të cilët do t’i strehosh nën hijen e Arshit Tënd? Tha: Janë ata që duart i kanë të pastra, zemrat të dlirta, ata që duhen për Madhninë Time, të cilët kur përmendem, përmenden nëpërmjet Meje! Ata, që kur përmenden, përmendem me përmendjen e tyre…”[5]

Nga këtu, më lejoni të pyes: A nuk është koha të reflektojmë rreth saktësisë së marrëdhënies tonë me Zotin dhe ngritjes drejt përmirësimit të kësaj lidhje, që në një farë mënyre është direku i jetës së secilit dhe barometri real i cilësisë së vetë fesë?

Fjala bie, a nuk është padrejtësia e të korruptuarit argument i largimit të tij nga udha e Zotit, përmendja dhe dashnia e Tij? A nuk është humbja e kohës së të riut të sotëm, tregues i një mungese ekuilibri në lidhjen e tij të sinqertë me Zotin e Madhëruar, që betohet për kohën? A nuk është vetëkënaqësia e cilitdo, shenjë e luhatjes së tij në marrëdhënie me Zotin, që urdhëron për modesti në jetë?

Dhe shembujt në këtë arsyetim janë të shumtë, për të ardhur te një dëshmi historike, që sjell rastin e Um Derdasë (r.a), sahabijes, që përkthen më së miri në realitet modelin e dashnisë së Zotit në jetën e besimtarit.

Aun ibn Abdull-llah tregon: Uleshim tek Um Derdaja dhe i bënim dhikër All-llahut të Madhëruar. Një ditë i thamë: Mos po të mërzisim? Ajo tha: “Pretendoni se po më mërzitni, ndërkohë që adhurimi është kërkuar nga ne në çdo gjë?! Dhe unë nuk gjej ndonjë gjë që ma shëron zemrën dhe më bën të arrij kulmin e fesë më shumë sesa mexhliset e dhikrit!”[6]

E nga këtu, them: A nuk është koha, që secili të angazhohet dhe të kërkojë për shërimin e nefsit të tij, duke kërkuar edukatorin shërues, udhëzuesin drejt dashnisë së munguar dhe përmendjes së vazhdueshme të Zotit në jetën e tij?

Të dashurit e mi,

Transmetohet se një ditë, havarijunët (shokët e afërt dhe nxënësit e përkushtuar) e pyetën Hz. Isai (a.s): Kush janë eulijatë e All-llahut, për të cilët nuk ka as frikë as dëshpërim? Ai tha: “Ata, që vështruan në brendësinë e tokës, kur njerëzit vështruan në sipërfaqen e saj! Ata, që vështruan me largpamësi tokën, kur njerëzit vrapuan pas momentit!…”[7]

A nuk është ky shembull dhe ky përkufizim, një ftesë, që të na shërbejë dashuria e All-llahut në jetë, si busull drejt suksesit, për arritjen e të cilit duhet mund, sakrificë, durim, tërheqje dhe vërshim, në momentin dhe kohën e duhur? A nuk është kjo urtësi e Hz. Isait (a.s), ftesë për secilin prej nesh, për të ndryshuar mënyrën e të menduarit, atë të vepruarit, të sjellurit me jetën dhe momentin? A nuk është ky përkufizim një thirrje e qartë dhe e prerë, se muslimani duhet të jetë njeriu i kohës së tij, jo i humbur në mes të humburish, as individ-masë, që tërhiqet drejt planeve dhe projekteve, që luhen në kurriz të dinjitetit të tij njerëzor e fetar?

`Transmeton një bashkëkohës i Hz. Aliut (r.a), i quajtur Ebu Erakeh, thotë: “Fala një ditë sabahun (në Kufe) me Aliun, të birin e Ebu Talibit. Kur dha selam, fryu nga e djathta e tij, pastaj qëndroi, si të kishte një dëshpërim. E, kur dielli u lartësua sa një shtizë, mbi mur, ai e ktheu dorën përmbys dhe tha: “Pasha All-llahun, i kam parë sahabët e Muhammedit (a.s), por sot nuk gjej më si sojin e tyre! Ata zgjoheshin të zbathur, të zverdhur e të pluhurosur, në mes balli kishin gjurmë, që dëshmonin se e kishin kaluar natën në sexhde dhe në këmbë, duke lexuar Librin e All-llahut të Madhëruar… E, në mëngjes i bënin dhikër All-llahut të Madhëruar, duke u anuar si pemët në një ditë me erë, lotët u rridhnin, sa lageshin rrobat e tyre. Pasha All-llahun, njerëzit sot më duken gafilë!”. Pastaj u ngrit dhe u largua. Dhe, nga ajo ditë nuk u pa më të qeshte, derisa Ibn Mulxhimi, armiku i All-llahut, e goditi pas shpine (për vdekje)”[8]

Edhe ky është model dashurie dhe shembull udhëzimi për secilin që dëshiron të ketë një model të pastër dhe një udhëzim në jetë. Muslimani nuk duhet t’i lejojë vetes humbjen e kohës pas kësaj bote të përkohëshme, të cilën duhet të lodhet e të sakrifikojë me të tërë forcat e tij që ta posedojë në duart e tij, asesi në zemrën e tij. Atë, duhet ta ruajë të paprekur vetëm për All-llahun, prej të Cilit vjen mbarësia dhe suksesi.

Pyete veten: Sa orë në ditë bën dhikër, që të gjesh sekretet e mbarësisë a të dështimit tënd në jetë?! Kushdo që përpiqet në jetë, arrin në një rezultat, ky është ligj natyre, që Zoti ka vendosë në këtë jetë. Por, ai që mbështetet në All-llahun dhe e ndërton jetën e tij me lutjet dhe kërkimin e suksesit nga Krijuesi, duke ndjekur rrugën e shkaqeve, natyrshëm që e arrin rezultatin, rrethuar me begati e prehje në shpirt!

Të dashur vëllezër,

Dua ta përfundoj hytben e sotme, me shembullin e Hz. Ibrahimit (a.s), për të cilin  transmetohet se kur e hodhën në zjarr, të gjitha krijesat iu lutën All-llahut të Madhëruar, duke i thënë: O Zot, mikun Tënd po e hedhin në zjarr, na lejo ta fikim atë! Zoti tha: “Ai është miku Im, nuk kam mik tjetër në tokë pos tij dhe Unë jam Zoti i tij, ai nuk ka zot tjetër pos Meje! Nëse ju kërkon ndihmë, ndihmojeni, përndryshe lëreni!” Pastaj, meleku i shiut tha: O Zot, mikun Tënd po e hedhin në zjarr, më lejo ta fik atë zjarr me anë të shiut! Zoti tha: “Ai është miku Im, nuk kam mik tjetër në tokë pos tij dhe Unë jam Zoti i tij, ai nuk ka zot tjetër pos Meje! Nëse të kërkon ndihmë, ndihmoje, përndryshe lëre!”

Kur e hodhën në zjarr, Ibrahimi (a.s) iu lut All-llahut me këto fjalë: “All-llahumme inneke Vahidun fis-semai ve ene fil-erdi vahidun a’buduke” (që do të thotë: “O Zoti im, Ti je i Vetëm në qiell, ndërsa unë jam i vetmi në tokë që Ty të adhuroj”)![9]

Atëherë All-llahu urdhëroi: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim (i paqtë) për Ibrahimin!”[10]

Të dashur vëllezër,

Në jetën tonë të përditshme, ne ballafaqohemi shpesh me vështirësi dhe pengesa, me pusi e pabesi, që në një mënyrë a një tjetër, ngjajnë me katapultat e sprovës. E, pikërisht në kulmin e tyre, duhet të na prijë dashuria për All-llahun dhe besimi plot bindje në faktin se Zoti nuk e lë kurrë jashtë mbrojtjes dhe përkrahjes së Tij, robin e Tij të dashur.

Në këto momente të vështira, duhet të na kujtohet Hz. Ibrahimi (a.s), i cili teksa hidhej në zjarr me katapultë, iu shfaq Hz. Xhibrili (a.s), që i tha: “Es-selamu alejke ja Ibrahim, jam Xhibrili. A ke gjë nevojë?” Ibrahimi (a.s) ia ktheu: “Nuk kam nevojë për ty, kam nevojë për Zotin tim!”[11]

Dhe All-llahu nuk e la në baltë mikun dhe të dashurin e Tij, Hz. Ibrahimin (a.s).

All-llahu nuk do të na lërë në baltën e sprovave të kësaj bote, sado që ne do ta kalojmë pragun e dëshpërimit të Hz. Aliut (r.a)…

 

 Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e fshatit Vilëz)

Shkodër, më 1 maj 2015

 ____________________

[1] Kur’ani, El-Maide: 54.

[2] Kur’ani, El-Bekare: 165. (me përshtatje, nga versioni i H. Sherif Ahmedit).

[3] Transmetuar nga Tirmidhiu, nga Abdull-llah ibn Jezid El-Khutami (r.a).

[4] Ibn Kajiim El-Xheuzijje, “Reudatul-muhibbine”, botimi i parë, Damask, 1997, f. 49.

[5] Ibn Kudame El-Makdisi, “Er-rikkatu vel-bukau”, botimi i tretë, Damask, 2014, f. 46.

[6] Nedhir Mektebi, “Safahatun nejjiratun min hajatis-sabikat”, botimi i dytë, Bejrut, 1996, f. 29.

[7] Ibn Kudame El-Makdisi, vep. e cit., f. 47.

[8] Ibn Kudame El-Makdisi, vep. e cit., f. 51.

[9] Ibn Kudame El-Makdisi, vep. e cit., f. 63.

[10] Kur’ani, El-Enbija: 69.

[11] Ibn Kudame El-Makdisi, vep. e cit., f. 64.