Të Fundit
Një prijës fetar nuk bëhet argat i shejtanit!..

Një prijës fetar nuk bëhet argat i shejtanit!..

Një prijës fetar duhet të njohë kufijtë e tij dhe të komunitetit që përfaqëson, përpara se të tejkalojë kufijtë dhe të marrë mbi supe atë që s’i takon!?

Të bësh atë që nuk je dhe të flasësh aty, ku nuk duhet dhe nuk të vlen fjala asnjë grosh, (për shkak të përkëdheljeve të konjukturave banale të politikave pa dinjitet kombëtar), do të thotë të jesh zhveshur nga misioni, që pretendon! Ose, ose, të jesh pikërisht në rrobat e atij tipi misionarësh, që fenë e kanë trampolinë, jo thelb thirrjeje të brendshme, që ndërton ura, që afron zemra dhe kontribuon për paqen sociale!

Prijësi fetar, duhet të rrezatojë shembull, model, të jetë pikë referimi, sidomos për rininë, brezin më të keqpërdorur në këto dekada të fundit tek ne!

Pikërisht kjo rini, ka nevojë të shohë tek Prijësi fetar, modelin e edukatorit të urtë; heshtjes kur duhet, fjalës kur vlen, reagimit kur toleranca konsiderohet dobësi, veprimit në legjitimitet me logjikën e besimit dhe vlerat tradicionale kombëtare, atëherë kur veprimi vlen sa një mijë fjalë!

Prijësi fetar nuk është hileqar! Prijësi fetar nuk mund të jetë hipokrit. Dmth, të të shtrëngojë dorën me buzëqeshje dhe, me të njëjtën dorë të ndezë fitilat e përçarjes, urrejtjes dhe minosjes së urave të ndërtuara ndër shekuj me mundë e sakrificë burrash të sinqertë!

Prijësi fetar, fillimisht respekton veten, dhuron paqen e besimit që përfaqëson, respekton kufijtë e përmasave të tij, sakrifikon me përulje për mbjelljen e farës së mirësisë dhe bekimeve hyjnore në një tokë të pastër e legjitime! Sepse, të mbjellësh paqe në tokë të huaj, do të thotë të bësh punën e shejtanit dhe të kthehesh në argat të tij.

Prijësi fetar mban mbi supe Amanete të shenjta, që duhet të angazhohet fort për të ruajtur ujin e fytyrës në rrugëtimet e shërbimit, për kryerjen me përkushtim të Amaneteve!

‘Prijës fetar’, është togfjalësh që peshon sa malet! Mbi të gjitha, prijësi fetar duhet ta ketë frikë Zotin, fillimisht në veten e tij, për masat, për kufijtë e diversitetit, për vlerat e tabanit kombëtar, për amanetin e një toke, që është krijuar për të mbartur mbi vete mëkëmbës të Zotit, jo adhurues djajsh!?

“E ai që ka shok djallin, ai pra është shok i shëmtuar”, thuhet në ajetin 38 të sures “En-Nisa”…

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër