Të Fundit
Në Islam thirr me shembull personal

Në Islam thirr me shembull personal

Ebu Hurejre (r.a.) tregon: “Te Pejgamberi (savs) erdhi një burrë i cili jetonte jashtë Medinës dhe sapo e kishte pranuar Islamin. Ai i tha Pejgamberit (savs): ‘Unë jam shumë i nevojshëm, andaj më ndihmo!’ Pejgamberi (savs) i dha diçka dhe pastaj e pyeti: ‘A të bëra mjaft bamirësi?’

‘Jo, nuk më ke bërë mjaft bamirësi’, u përgjigj burri.

Kur e dëgjuan këtë, disa sahabë u zemëruan dhe deshën të reagojnë, mirëpo Pejgamberi (savs) ju dha shenjë që të heshtin dhe të qëndrojnë të qetë. Më pas, e ftoi atë burrin në shtëpi dhe i dha edhe diçka tjetër dhe i tha:

‘Ti prej nesh kërkove ndihmë, dhe ne të dhamë diçka, pastaj the se nuk je i kënaqur. Tash, a je i kënaqur? A të kam bërë tash mjaftë bamirësi?’

Ai tha: ‘Po’, më pas shtoi: ‘Allahu ju shpërbleftë juve, familjen tuaj dhe fisin.’

Pejgamberi (savs) tha: ‘Tani dil dhe këtë të njëjtën thuaje para shokëve të mi, në mënyrë që nga gjoksi i tyre të zhduket armiqësia e tyre ndaj teje.’

Burri doli dhe tha se ishte i kënaqur dhe e përsëriti atë që e tha para Pejgamberit (savs). Pas kësaj, Pejgamberi (savs) ka thënë: ‘Shembulli im dhe i këtij burri është si shembull i një njeriu i cili kishte një deve e cila u frikësua dhe iku. Një grup i njerëzve u nisën për ta kapur, por kur i pa deveja edhe më shumë u frikësua dhe filloi të ikë edhe më shpejt. Pronari i devesë ju tha: ‘Më lini mua vetëm me devenë. Unë e njoh, ia di tabiatin e saj.’ Ai e mori një tufë bar dhe ia shtriu devesë. Deveja kur e pa barin iu afrua pronarit dhe iu përul. ‘Nëse do të vija unë me ju nëse nuk do ta ndaloja kritikën tuaj të ashpër, ky burrë për shkak të reagimit tuaj do të shkonte në zjarr.” /Bezar – Hejthemi/.

Në një transmetim për Ibrahimin (a.s.) thuhet: “Erdhi një njeri te Ibrahimi (a.s.) dhe ky nuk e dinte se ai ishte jobesimtar. Ibrahimi (a.s.) i tha: ‘Hyr në shtëpi, bëju musafiri im!’ Njeriu u ul, Ibrahimi (a.s.) e ndezi zjarrin dhe shkoi për të sjellë ushqim. Kur u kthye, e pa atë njeriun duke i bërë sexhde zjarrit.

Ibrahimi (a.s.) u zemërua dhe i tha: ‘Pasha Allahun, nuk do të jesh musafiri im as nuk do të hash ushqim tek unë.’ Ai njeri shkoi, kurse te Ibrahimi (a.s.) erdhi Xhibrili dhe i tha: ‘O Ibrahim, i Plotfuqishmi të porosit: ‘A u lodhe për një orë duke e kaluar me të, ndërsa Zoti yt po e duron tash 60 vjet?’ Atëherë Ibrahimi (a.s.), nxitoi pas atij njeriut duke i thënë: ‘Kthehu, Zoti im më qortoi për shkakun tënd.’ Njeriu pyeti: ‘Si ashtu?’

Ibrahimi tha: ‘Më tha mua, se unë nuk munda të qëndrojë me ty një orë, kurse Ai të ushqen 60 vjet.‘

Atëherë njeriu tha: ‘Zoti, i Cili vepron ashtu e meriton adhurimin. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut.”

Pejgamberët e kanë pasur detyrë, për këtë shkak dhe janë dërguar, që t’i largojnë njerëzit nga rruga e shtrembër dhe t’i shpëtojnë nga dënimi. Nëse ndonjëherë pa dashje, dhe vetëm ashtu kanë mundur, që në punën e tyre të bëjnë ndonjë shkelje, kanë qenë të qortuar nga Ai i Cili i ka dërguar. Kështu, ne çuditemi sesi është qortuar Ibrahimi (a.s.), dhe e dimë gjithashtu, në Kuran gjejmë, që Allahu i Plotfuqishëm i ka drejtuar fjalë qortuese edhe Muhamedit (savs), kur ia ka kthyer shpinën një personi të verbër i cili e kërkonte të Vërtetën.

Pejgamberët kanë qenë model për popujt e tyre. Muhamedi (savs), është dërguar për të gjithë, andaj është model për të gjithë dhe përgjithmonë. Ne që e ndjekim edhe Ibrahimin edhe Muhamedin (savs), nuk kemi të drejtë askënd ta refuzojmë, ta gjykojmë as t’ia kthejmë shpinën. Nuk kemi të drejtë askënd ta lëmë pa mundësinë për ta gjetur rrugën e drejtë.

Tirmidhiu regjistron një hadith, mesazhi i të cilit duhet të na brengosë të gjithë neve, dhe sidomos ata që marrin mbi vete të drejtën për t’i gjykuar mëkatarët. Thotë Pejgamberi (savs): “Kush e nënçmon vëllanë e tij për shkak të mëkatit, së shpejti do të vijë një kohë kur vëllai i tij do ta lë atë mëkat, kurse ai do ta veprojë.”

Mos të kuptohemi gabimisht! Ne nuk jemi të liruar nga detyrimi për t’ia treguar mëkatin tjetrit. Nuk jemi të liruar nga detyra që vëllain tonë ta këshillojmë dhe t’ia tregojmë pasojat dhe rrezikun e mëkatit të cilin e bën. Në asnjë mënyrë, nuk kemi të drejtë askënd, as mëkatarin, pa marrë parasysh se sa është zhytur në ndonjë mëkat që ta gjykojmë, poshtërojmë… Nuk është e rrallë që ne për njerëzit, për vëllezërit dhe motrat, ta shfaqim gjykimin tonë. Shpesh dëgjojmë, ja ka ardhur në xhami, po a e dini se çka ka bërë deri dje! Një qasje e tillë është e papranueshme. Kjo është ajo të cilën na e ndalojnë të dy shembujt e theksuar më lart; ai i pejgamberit Muhamed (savs) me njeriun që kërkoi sadakë, dhe shembulli i pejgamberi Ibrahim (a.s.) me njeriun të cilin ai e largoi nga sofra.

Në një transmetim thuhet: “Kur Ademi (a.s.) i shijoi frytet e ndaluara në xhenet, filloi të qajë dhe të pendohet. Allahu i Plotfuqishëm e ftoi: “O Adem, po të sprovoj me mëkat, sepse Unë dua t’i tregoj begatitë e Mia, faljen, fisnikërinë dhe bujarinë. O Adem, mos ki frikë nga fjalët e Mia. Dil nga xheneti. Unë atë e kam krijuar për ty, por zbrit në Tokë. Lufto me veten tënde për hir të dashurisë Sime, dhe kur të Më dëshiron eja dhe do të fus në xhenet. O Adem, një mëkat për të cilin përulesh para Meje, është më i dashur për Mua sesa tesbihu që e bëjnë njerëzit. O Adem, nëse ty dhe pasardhësit e tu do t’i mbroja nga mëkatet, atëherë ndaj kujt Unë do ta shprehja bujarinë Time, mëshirën dhe faljen? Unë e pranoj pendimin dhe Jam Mëshirues.”

Ndërsa në një hadith kudsijj thuhet: “O biri i Ademit, derisa të më lutesh Mua dhe të kërkosh nga Unë (falje), Unë do të fal! O biri i Ademit, qofshin mëkatet e tua deri në qiell, nëse kërkon falje nga Unë, Unë do të fal! O biri i Ademit, nëse vjen tek Unë me mëkate të mëdha sa Toka, pastaj më drejtohesh duke mos më bërë shok (në adhurim) Unë do të dhuroj falje po aq të madhe!”

Kush është ai për të cilin nuk ka vend në ombrellën e mëshirës së Allahut dhe faljes së Tij? Kush nga ne ka të drejtë që me fjalë, me gjeste, me tallje apo me ndonjë veprim, para dikujt ta mbyllë derën e shpresës për shpëtim të përjetshëm? Neve na është dhuruar begatia e pashtershme dhe e përjetshme. Ajo begati quhet Islam, dhe ne e kemi për detyrë që këtë begati t’ua ofrojmë edhe të tjerëve. Sikur të bërtitnin sahabët ndaj atij njeriu që sapo e kishte pranuar Islamin, ai do të mendonte se Islami është mizori dhe arrogancë. Pejgamberi (savs) e dinte se çka është Islami. Islami është dhuratë. Islami është lehtësim. Islami është të ndihmosh dhe të inkurajosh për të mirë. Islami është të ngushëllosh. Islami është të japësh shpresë. Islami është të bësh të lumtur. Musliman është ai i cili përfiton me vepra dhe me fjalë, dhe i cili e di se nëse bëhesh sebep që dikush nga njerëzit të shpëtojë nga rruga e shejtanit, është më e vlefshme se krejt dynjaja. Muslimani e di se nëse ai me shembullin e tij, në zemrën e dikujt e nxit dashurinë për Krijuesin dhe të Dërguarin e Tij, është më e vlefshme se krejt dynjaja.

Thotë Pejgamberi (savs): “Davudi (a.s.) është lutur: ‘O Allah, të lutem për dashuri ndaj Teje, për dashuri ndaj atij që të do Ty, dhe për dashuri ndaj veprave, të cilat më afrojnë te dashuria Jote. O Zot, më bëj që dashuria ndaj Teje të jetë më e dashur për mua sesa vetja ime, familja ime dhe uji i ftohtë.” /Tirmidhiu/

Vepra të cilën Allahu me siguri e do është që me shembull personal ta tregojmë bukurinë e fesë së Allahut dhe të bëhemi shkak që njerëzit të nxitojnë për ta gjetur lumturinë dhe shpëtimin nën ombrellën e mëshirës së Allahut.

O Allah i Plotfuqishëm, na jep gjerësinë e besimit dhe na aftëso që të jemi prej atyre, të cilët i udhëzojnë në rrugën e së Vërtetës ata që kanë devijuar. Amin!

Izet ef. Čamdžić

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)