Të Fundit
NATA E MADHE E REGAIBIT, e Enjte, me 07.03.2019

NATA E MADHE E REGAIBIT, e Enjte, me 07.03.2019

Ditën e Enjte, me datë 07.03.2019, është nata e madhe e Regaibit.

Për të gjithë ata që duan ta përcjellin këtë ditë me agjërim, Syfyri mbyllet në orën 04:30 ndërsa Iftari hapet në orën 17:47.

Falja e namazit të Akshamit do të bëhet në xhami, ku do të mbahet ligjëratë fetare për nder të kësaj nate. Programi fillon në ora 17:47 me faljen e namazit të Akshamit.

 

Nata e mirë Regaib, sipas kalendarit hënor, bie natën e xhumasë së parë (nata që lidh ditën e enjte dhe të premte) të muajit Rexhep, i cili është edhe muaji i parë i tre muajve të mirë.

Çdo natë e xhuma është e bekuar. Kur këto dy net puqen bashkë nata atëherë bëhet akoma më e bekuar dhe më e dobishme. Me vlerat e mëdha që përmban kjo natë, është njëkohësisht sihariqi dhe lajmëtari i parë i muajit të Ramazanit. Në aspektin psikologjik kjo është shumë e rëndësishme, sepse besimtari hyn në një parapërgatije shpirtërore dhe e drejton veten e tij drejt adhurimeve, përgjegjësive individuale dhe familjare duke urdhëruar të mirën e duke ndaluar të keqen.

Allahu në natën e Regaibit u jep muslimanëve mirësi dhe begati të panumërta. Kjo është nata kur pranohen lutjet dhe pendesat dhe kur shpërblimet e adhurimeve janë të mëdha e të shumta. Pejgamberi ynë i nderuar në një hadith të transmetuar nga Enesi, r.a., thotë: “Kujdes, përpiqu të rrish zgjuar në natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep, të mos e kalosh atë në shkujdesje, sepse melaqet e asaj nate i kanë vënë emrin Regaib!”

Ndërsa në disa thënie të tjera, për rëndësinë e kësaj nate, Pejgamberi Muhammed, s.a.v.s, thotë: “Ai që e vlerëson natën e Xhumasë së parë të muajit Rexhep (nata e Regaibit), Allahu i Madhëruar nuk e dënon në varr.” (Saadet-i Ebedije)

“Lutja që bëhet në këto pesë netë nuk kthehet mbrapsht: Në natën e Regaibit, në natën e pesëmbëdhjetë të muajit Shaban, të Xhumanë, natën e Bajramit të Ramazanit dhe të Kurbanit”. (Ibn Asakir)