Të Fundit
Muaji Shaban dhe Nata e Beraetit

Muaji Shaban dhe Nata e Beraetit

Në fenë Islame disa periudha kohore janë më të veçanta sesa të tjerat. Këtë ne e konstatojmë në Kur’an dhe në Traditën Profetike ku shohim që agjërimi dhe leximi i Kur’anit në muajin e Ramazanit, adhurimi në një të tretën e fundit të natës, lutja që bëhet menjëherë pas faljes së namazeve farz dhe shumë raste të ngjashme na tregojnë për vlerën e veçantë të disa kohëve të caktuara. Përcaktimi i këtyre kohëve të veçanta është një vlerësim, të cilin mund ta bëjë vetëm Kur’ani ose Tradita Profetike. Në këtë aspekt, muaji Sha’ban, së bashku me natën e mirë beraet, janë konsideruar si kohë me vlera të veçanta që duhen shfrytëzuar me adhurim. Imam Ahmed b. Hanbelîu na transmeton se Usâme b. Zejdi r.a. i rrëfen Profetit a.s. një konstatim: “S’të kam parë të agjërosh në asnjë muaj, aq sa agjëron gjatë muajit shaban. I Dërguari i Allahut a.s. i tregon: “Ky është një muaj i cili nuk vlerësohet ashtu siç duhet nga njerëzit. Në muajin shaban veprat lartësohen për tek Allahu xh.xh. dhe mua më pëlqen të jem në agjërim ndërkohë që ato ngjiten atje”. Nëse do të lindte pyetja se cili agjërim është më me vlerë, ai në muajt haram apo në muajin shaban, përgjigjen e kësaj na e jep hadithi i Enes b. Mâlikut r.a. i transmetuar nga Tirmidhîu, ku thuhet: U pyet Profeti a.s. se cili agjërim është më me vlerë pas atij të ramazanit dhe ai u përgjigj: “Muaji shaban, duke lartësuar kështu ramazanin”. Tirmidhîu përsëri nga Aishja r.a. transmeton hadithin vijues:

“Nuk e kam parë Profetin a.s. të agjërojë aq shumë sa në muajin shaban. E agjëronte thuajse të gjithin pa pak ditë. Thuaj që e agjëronte të gjithin”. Në një hadith të dobët Aishja r.a. përcillet: Profeti a.s. agjëronte më tepër në muajin shaban prandaj e pyeta: “O i Dërguar i Allahut, shoh që agjëron më tepër në muajin shaban?” Dhe ai m’u përgjigj kështu: “Në këtë muaj përcaktohen emrat e njerëzve që engjëlli i vdekjes do të marrë dhe më pëlqen të jem agjërueshëm, ndërkohë që emri im regjistrohet te kjo listë”. Këtë informacion e mbështet një tjetër hadith që është mursel ku thuhet: “Exhelet përcaktohen çdo shaban. Madje ndoshta një person mund të martohet dhe të bëhet baba, ndërkohë që emri i tij është shkruar mes të vdekurve”. Dhe kur hyn muaji shaban, duke pasur parasysh që është si një parapritje për muajin e ardhshëm, lejohet çdo adhurim që bëhet në muajin ramazan, si agjërimi dhe leximi i Kur’anit, në mënyrë që besimtari të përgatitet për adhurimet farz. Seleme b. Kuhejl r.a. thoshte kështu kur hynte muaji shaban: “Ky është muaji i lexuesve të Kur’anit”. Shprehet kështu sepse gjatë këtij muaji njerëzit nisnin leximin e Kur’anit, përpara se të hynin në ramazan. Si shkak për të bërë më tepër adhurim në muajin shaban në fakt është i mjaftueshëm hadithi në të cilin Profeti a.s. na tregon se “ky është një muaj i cili nuk vlerësohet ashtu siç duhet nga njerëzit”, sepse adhurimi në një kohë që njerëzit merren me punë të tjera e bën më me vlerë atë.

Nata e Beraetit

Imam Ebû Tâlib el-Mekkîu kur radhit netët e mira, sipas të cilit gjithsej ato janë 15, tregon që është e pëlqyeshme (mustehab) që edhe nata e mesit në muajin shaban (nata e beraetit), të kalohet me adhurime të ndryshme. Në të njëjtën kohë ai thekson që njerëzit e kishin zakon që gjatë këtyre netëve të falnin 100 rekate namaz duke lexuar në secilin rekat 10 herë suren Ihlâs. Këto quheshin netët e hajrit (mirësisë). Madje grumbulloheshin edhe në xhamia për të përfituar nga begatia e tyre duke u falur me xhemat. Hasan Basrîu dëshmon që ka dëgjuar nga 30 sahabe, që kush fal këtë namaz në këtë natë, Allahu e sheh atë 70 herë. Në secilin shikim i plotëson atij 70 nevoja, ndër të cilat më e vogla është falja. Sipas një transmetimi, kjo është nata rreth së cilës Allahu ka thënë kështu në Kur’an: “Në të përcaktohen të gjitha punët me urtësi” (Duhân, 44:4). Por sipas mendimit të Ibn Rexhebit në këtë ajet bëhet fjalë për Natën e Kadrit. Ky namaz, i cili është transmetuar nga të parët tanë, ndër të cilët edhe imam Gazaliu, falet natën e 15 të këtij muaji. Falen 100 rekate me një selam në çdo dy rekate. Në çdo rekat lexon 11 herë suren Ihlâs pas sures Fâtiha. Ose mund të falen 10 rekate duke lexuar në çdo rekat 100 herë suren Ihlâs pas sures Fâtiha. Nga Ibn Abbâsi r.a. transmetohet që Allahu Teala përcakton kaderin natën e mesit të muajit shaban (nata e beraetit) dhe ia dorëzon atë përgjegjësve Natën e Kadrit. Kjo natë është quajtur nata e begatë, si në ajetin e katërt të sures Duhan, nata e beraetit, nata e marrëveshjes, nata e mëshirës, etj., sepse këtë natë Allahu përcakton falje për robërit e Tij. Gjithashtu transmetohet se Allahu i bën të ditur engjëjve të gjitha ndodhitë dhe dukuritë e vitit në vijim, dhe këto shkruhen në Leuhin Mahfudh. Nga një fletë i dorëzohet engjëjve. Mikâîlit, fleta e furnizimit vjetor, Xhibrîlit, fleta e luftërave, Azrâîlit, fleta e exhelit e kështu me radhë. Ibn Tejmijje thekson se nata e beraetit është e veçantë dhe ka vlera shpirtërore. Këtë na e dëshmojnë hadithet që janë transmetuar në lidhje me të. Ka prej selefëve që faleshin enkas këtë natë. Ky është një fakt që nuk duhet mohuar. Megjithëse namazi i posaçëm me 100 rekate dhe grumbullimi nëpër xhamia për këtë natë nuk është transmetuar në traditën profetike, nuk ka asgjë të keqe nëse njerëzit, si ne, që kanë nevojë të edukohen me adhurim, shkojnë në xhami për të falur disa rekate namaz suplementare duke besuar në vlerën e kësaj nate. Kurse agjërimi në përgjithësi muajin e shabanit është i transmetuar, dhe besimtari mund të agjërojë ditën që paraprin natën e beraetit dhe ditën në vijim, që në fakt është këshilluar edhe në hadith. Ndërkohë që agjërimin e ditës së beraetit e përforcon edhe transmetimi i Ali b. Ebî Tâlib r.a. në koleksionin sunen të Ibn Mâxhes, ku thuhet: “Kur të vijë mesi i muajit shaban, kalojeni natën me adhurim dhe ditën me agjërim. Sepse pas perëndimit të diellit Allahu xh.xh. zbret në qiellin më të afërt me tokën dhe deri në agimin e diellit Ai i drejtohet robërve të Tij duke u thënë: A ka ndonjë prej jush që kërkon falje e ta fal atë? A ka ndonjë që kërkon rizk (furnizim) e ta furnizoj atë? A ka ndonjë të sprovuar rëndë e ta shpëtoj atë? E kështu vazhdon “A ka ndonjë që kërkon këtë apo atë, etj., t’ia jap atij”. Ibn Mâxhe gjithashtu transmeton nga Ebû Mûsâ el-Esh’ari r.a. që Profeti a.s. ka thënë: “Allahu xh.xh. zbret natën e mesit të shabanit dhe i fal të gjitha krijesat e Tij përveç politeistëve dhe debatuesve”. Ahmed b. Hanbel transmeton nga Abdullah b. ’Amri r.a. që Profeti a.s. ka thënë: “Allahu xh.xh. i drejtohet krijesave të Tij natën e mesit të shabanit dhe i fal të gjitha ato përveç dy, debatuesve dhe vrasësve”. Hadith të cilin Ibn Hibban e transmeton në gradën merfû’ nga Mu’adhi r.a. Transmetohet se kalifi Abdullah b. Abdulazîz i ka dërguar një letër mëkëmbësit të tij në Basra ku i thotë: Përkujdesu për katër netë në vit, sepse Allahu në to shpërndan mëshirën e Tij: natën e parë të rexhebit, natën e mesit të shabanit, natën e fitrit dhe natën e kurbanit. Imam Shâfiu gjithashtu e mbështet mendimin për natën e beraetit. Atâ b. Jesâr r.a. ka thënë: “Nuk di natë më të mirë se ajo e beraetit pas natës së Kadrit…” Për këtë arsye, besimtari duhet që këtë natë ta ndajë për të përmendur Allahun, për të kërkuar falje për mëkatet dhe që Allahu t’ia mbulojë ato, që ta shpëtojë prej problemeve, etj. Në krye të të gjithave duhet të jetë teubeja, kërkesa e faljes me pendesë, sepse Allahu xh.xh. fal të gjithë ata që kërkojnë falje në këtë natë. Me sa shohim në burimet e haditheve, plot transmetime të sakta dëshmojnë mirësinë e kësaj nate. Kështu që, nuk mbetet gjë tjetër veçse me përulësi ndaj Krijuesit tonë të vazhdojmë adhurimet duke e paraprirë në formën më të përshtatshme Muajin e Madh të Ramazanit.

Elton Karaj

Revista Drita Islame – Maj 2015