Të Fundit
Mos ta humbim përjetësinë për shkak të dynjasë kalimtare!

Mos ta humbim përjetësinë për shkak të dynjasë kalimtare!

Falënderimi i qoftë Allahut, të Urtit dhe të Gjithëdijshmit, i cili ka krijuar gjithçka me masë dhe njerëzve u ka dhuruar begati të panumërta. Salavat dhe selam i dërgojmë pejgamberit tonë të dashur, Muhamedin (savs), familjes së tij, shokëve të tij dhe mbi të gjithë atyre që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Xhemat i nderuar! Tema e hutbes së sotme është: Mos ta humbim përjetësinë për shkak të dynjasë kalimtare!

Në Islam nuk është e ndaluar që njeriu të jetë i pasur, vetëm se pasuria nuk duhet ta verbojë atë dhe ta largojë nga kujtesa e Allahut.

Transmetohet se një sahabij me emrin Thalebe i kërkoi Pajgamberit (savs), që ta bënte një lutje që ai të bëhej i pasur, kurse Pejgamberi (savs), e ktheu duke i thënë se kjo nuk ishte mirë për të. Mirëpo, ai nuk e dëgjoi atë dhe erdhi tre herë me të njëjtën dëshirë, vetëm që të pasurohej. Dhe më në fund, Pejgamberi (savs) i bëri lutje Zotit për të. Shumë shpejt pas kësaj, lutja e Pejgamberit për Thaleben u pranua, në mënyrën që, atypari kaloi një njeri me një tufë dele të lodhura dhe të sëmura. Ai njeriu ia fali Thalebes të gjitha delet, pasi që ato nuk po mund ta vazhdonin rrugën më tutje nga lodhja. Delet u shëruan shpejt dhe të gjitha linden nga dy ose tre qengja, kështu që Thalebe shumë shpejt u pasurua, por ajo pasuri nuk i solli lumturi.

Një kohë Thalebe shkonte rregullisht në xhami për tu falur me xhemat, por me kalimin e kohës, gjithnjë e më rrallë e vizitonte xhaminë, derisa e reduktoi vetëm në namaz të xhumasë, ndërsa më vonë e la edhe këtë. Kulmin e arriti, kur tek ai shkuan personat e autorizuar për mbledhjen e zekatit, duke kërkuar që edhe ai ta jepte pjesën e duhur. Thalebe këtë e refuzoi, duke thënë se pasurinë e kishte fituar vetë përmes punës së tij.

Ja pra, kështu Thalebe e humbi përjetësinë për shkak të dynjasë kalimtare.

Edhe pasuria nuk është për çdokend, Allahu e di më së miri se kujt ia jep atë. Më mirë është që të pajtohemi dhe të jemi të kënaqur me caktimin e Allahut, i cili është më hajr për neve. Mirëpo, edhe përkundër gjithë kësaj, njerëzit më shumë e duan jetën në këtë botë, edhe pse ahireti është më i mirë dhe i përjetshëm, a thua pse?!

Kjo, sepse njerëzit nuk e kanë parë ahiretin dhe bukuritë e xhenetit, kurse Pejgamberi (savs) thotë: „Po ta dinit ju atë që di unë, më shumë do të qanit, e më pak do të qeshnit.“

Ne nuk jemi të bindur sa duhet në jetën e përtejme, andaj dëshirojmë të kënaqemi pak më shumë, sepse sikur të ishim të vetëdijshëm për shkurtësinë e kësaj bote, do të silleshim ndryshe.

Shumë njerëz janë të fjetur ose të vdekur në këtë botë, dhe nuk e dinë se në çfarë lloj gafleti ata ndodhen. Shumë njerëzve do tu vjen shikimi në kohën e vdekjes, por atëherë do të jetë vonë. Prandaj, le të zgjohemi me kohë, le të vdesim para se të vdesim, siç e kishte zakon të thoshte hz. Omeri (r.a.). Por edhe Pejgamberi (savs), gjithashtu ka thënë: „Njerëzit janë në gjumë, dhe kur të vdesin ata zgjohen.“

Secili do ta ketë të qartë kur të vdes, por do të jetë vonë, sepse nuk ka riprovim, prandaj le të përmirësohemi derisa nuk është bërë vonë.

Allahu është trashëgimtari i qiejve dhe i Tokës dhe ata janë pronë e Tij. Askush nuk ka marrë me vete asgjë në varr përveç veprave të mira. Ne jemi këtu në këtë botë vetëm si musafirë. Në këtë kuptim, Muhamedi (savs) ka thënë: „Veproni në këtë botë si musafirë, le të jenë xhamitë si shtëpitë tuaja. Adaptoni zemrat tuaja me përjetësi, reflektoni dhe qani shumë. Dëshirat tuaja le të mos ju bëjnë që të humbni për shtëpitë ku nuk do të banoni, ose të grumbulloni thesare që nuk do t’i shfrytëzoni,  ose ta dëshironi atë që nuk mund ta arrini.“ [Transmeton Ebu Neim nga Hakim ibn Umejri]

Paratë do të shpenzohen në diçka, dhe, nëse nuk i shpenzojmë për qëllime të dobishme dhe për vepra që do të na sjellin dobi, atëherë do t’i shpenzojmë në luks dhe mëkate.

Nuk i jepet mundësia çdokujt në dynja për të bërë hajrate, sepse ju duket më e ëmbël të shpenzojnë në rrugën e shejtanit, sesa në rrugën e Allahut.

Njeriu duhet të jetojë mes njerëzve edhe pas vdekjes, dhe ai do të jetojë aq sa ka lënë hajrate pas vetes. Shumë xhahilë dhe mëkatarë janë të vdekur edhe para vdekjes së tyre, sepse nuk kanë asnjë të mirë.

Ata janë të vdekurit e gjallë të cilët ecin.

Feja njeriut i jep jetë dhe energji, prandaj njeriu është faktor i dobishëm edhe në këtë botë, kurse në botën tjetër përsëri do të shpërblehet për veprat e tij. Besimtari nuk humbet kurrë. Ai e ka edhe dynjanë edhe ahiretin, kurse jobesimtarët e kanë vetëm dynjanë.

Nganjëherë kam frikë të mendoj se disa nga muslimanët tanë, duke luftuar për dynjanë po i humbin të dyjat, edhe dynjanë edhe ahiretin.

Këta janë ata që vuajnë në dynja, jetojnë me vështirësi, bëjnë mëkate, dhe kështu i humbin të gjitha.

I lutemi Allahut që të mos jemi nga ata. Jeta jonë kalimtare në këtë botë, le të jetë shembull për të tjerët, dhe le të na sjellë neve dobi në të dy botët.

Jeta e Pejgamberit (savs), është shembulli më i mirë, se si duhet të sillemi në këtë botë.

Pejgamberi (savs), kaloi në botën tjetër pa u ngopur kurrë. Rrobat dhe shtrati i tij ishin tepër modeste. Një herë, sahabët i thanë se ai do të duhej të jetonte në mënyrë pak më të rehatshme, meqë rast, ai u përgjigj: „Në këtë botë, unë jam si një kalorës i zakonshëm, i cili, duke kaluar pranë një peme, ndalon për një moment nën hijen e saj, kurse më pas shkon dhe largohet.“ [ Tirmidhiu]

Sahabët, gjithashtu, në këtë e ndoqën Pejgamberin e tyre, ata vendosnin gurë në stomak nga uria. Transmetohet se Ibrahim ibn Edhemi, ka qenë aq modest sa që kurrë nuk kishte pirë ujë të ftohtë, nuk kishte fjetur i shtrirë dhe me ditë të tëra kishte agjëruar.

Një herë, një njeri i pasur i ofroi atij disa rroba, kurse ky e pyeti se sa kishte ai pasuri, kur ai i tha se ka rreth 20.000 dërhemë, ky përsëri e pyeti se a dëshiron të ketë edhe njëherë aq pasuri? Kur ai u përgjigj pozitivisht! Ibrahimi me qetësi i tha: “Faleminderit, unë nuk i marr robat nga ti, sepse ti je më i varfër se unë. Unë, me kaq sa kam, nuk dëshiroj më shumë dhe jam më i pasur se ti, nuk kam nevojë për rrobat tua.“

Do të thotë, i devotshmi i vërtetë është ai, i cili heq dorë nga dynjallëku që e ka në duar, e jo ai që nuk e ka. Kështu, Ibrahim ibn Edhemi kishte hequr dorë nga fotelja mbretërore për tu bërë asket i vërtetë, e po ashtu edhe halifi Omer ibn Abdulazizi, ishte dridhur nga frika pasiqë e kishte pranuar detyrën e sundimtarit.

O Allah, na forco në rrugën e Islamit!

Na ruaj nga e keqja e armiqve Tu dhe armiqve tanë! Intrigat e armiqve të umetit dhe atdheut tonë ktheji mbi vetë ata!

Ndihmoji vëllezërit dhe motrat tona në nevojë kudo që janë!

O Allah, mëshiroji prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur, të cilët na e sollën fenë tek ne!

Udhëzoji fëmijët dhe pasardhësit tanë, dhe bëri udhëheqës të umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne, të fesë dhe të atdheut!

O Allah, na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit dhe na ndero me xhenet në shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)