Të Fundit
Le t’i rrënojmë muret e vetizolimit

Le t’i rrënojmë muret e vetizolimit

Jeta jonë na është bërë krejtësisht e ndryshme, në shumë aspekte jemi të penguar. Ne nuk mund të udhëtojmë, nuk mund të shoqërohemi, nuk mund t’i varrosim normalisht vëllezërit dhe motrat, nuk mund të shkojmë në shkollë, në mekteb, jemi të mbyllur në shtëpi dhe oborre, dhe si asnjëherë frigohemi nga njëri-tjetri, madje i shmangemi takimit edhe me më të afërmit dhe më të dashurit.

A mund të jetë diçka pa dëshirën e Zotit?

Ne besojmë se nuk mundet, dhe vullneti i Tij është absolut.

Kush mund të ndikojë në të?

Askush. Ai, i Lartësuari, kur diçka dëshiron të bëhet vetëm thotë ‘bëhu’ dhe ajo ‘bëhet’. Dhe kjo situatë, në të cilën ndodhet njerëzimi sot, padyshim është vullneti i Zotit.

Ne do të donim ta dinim, pse?

Përgjigjen e kësaj pyetje ne nuk mund ta dimë me siguri. Pse Allahu na jep diçka dhe pse na mohon diçka, vetëm Ai e di. Neve na thotë, që kur të na godet diçka, ne mund të mendojmë se është keq për ne, kurse ajo është e kundërta, dhe kur kënaqemi me diçka, ne sigurisht mendojmë se ajo është e mirë për ne, kurse ajo mund të jetë e kundërta. Allahu e di, kurse ne nuk e dimë. Ne e dimë që Allahu i Plotfuqishëm paralajmëron se çdo mosbindje ndaj Tij dhe çdo sjellje në kundërshtim me dispozitat e Tij, në një mënyrë apo në një tjetër do të sanksionohet (dhe Ai i ka të gjitha mundësitë për këtë).

Ezani po thirrë, kurse ne nuk po mund të shkojmë në xhami.
Ezani ka thirrë, kurse ne nuk kemi dashur të shkojmë në xhami.

Sa prej vëllezërve dhe motrave tanë kanë qëndruar pa punë në shtëpi, duke mos ditur se çka të bënin, dhe ata mund të ishin në sabah (namaz), në drekë, në jaci në rreshtin e xhamisë. Nëse tani mund të dilnin, ata me kënaqësi do të dilnin nga shtëpia, por tani as në xhami, as në kafene, as në bastore, askund nuk mund të shkojnë.

Allahu i Plotfuqishëm na paralajmëron se, nesër kur kjo sprovë, kur kjo e keqe të kalojë, dhe kur ju të dilni nga shtëpia, a do ta kundërshtoni përsëri të Plotfuqishmin dhe të shkoni në vendet të cilat e shkaktojnë zemërimin e Tij, a do të ecni përsëri gjurmëve të shejtanit, a do ta dëgjoni ezanin përsëri dhe nuk do t’i përgjigjeni?

Edhe para kësaj pandemie, kur kam shkuar në sabah, rrugët ishin të shkreta, sikurse tash, kur policia nuk lejon të dilet në to.

Prindërit ju kanë pritur, kanë pritur që t’i vizitoni, që tu jepni një fjalë të bukur dhe një gjest të përulur. Edhe tani ata janë duke ju pritur, por tani edhe ata edhe ju keni frikë nga njëri-tjetri, keni frikë mos ta infektoni njëri-tjetrin.

Jemi justifikuar se nuk kemi kohë, se detyrimet tona po na pengojnë në përmbushjen e urdhrit të Zotit, që ndaj prindërve tanë, t’i shtrijmë krahët e mëshirës dhe të jemi të mirë, ashtu siç kanë qenë ata për ne, kur ne ishim të pafuqishëm. Tani, ja kemi kohë sa të duam.

Të gjitha janë të mbyllura, nuk ka kafene, nuk ka kinema, as teatër, as dyqan, as shkollë … asgjë nuk po ju pengon, por nuk po mund të shkoni. Është e sigurt se do të gëzoheshit, nëse kjo e keqe do të largohej nga mjedisi ynë dhe do të na çlironte nga izolimi. Tani ju i thoni vetvetes, shpresoj t’i thoni vetvetes, sepse keni kohë të mjaftueshme për të biseduar me veten tuaj, unë do të ndryshoj, prioritetet e jetës sime do t’i vendos ndryshe.

Kjo kohë e largimit nga njëri-tjetri nga frika për shëndetin, është kohë e mirë që të mendojmë për domosdoshmërinë e afrimit midis nesh, në familje, mes të afërmve, me fqinjët, në xhemat, midis vëllezërve dhe motrave midis besimtarëve dhe besimtarëve. Allahu me siguri është i zemëruar me ne, që i kemi lënë pas dore prindërit dhe të afërmit tanë. Nëse do të ishim ndryshe, nëse do të ishim ashtu siç e pëlqen Allahu, tash jeta jonë do të ishte më ndryshe, nuk do të ishim të penguar për të shkuar te babai dhe te nëna.

Allahu i Plotfuqishëm e ka bërë mesataren një nga porositë themelore të besimit. Që të gjendet mesatarja, që të ketë mesatare, ja pra, kjo është feja.

Një dijjetar duke e definuar fenë shkurtimisht, ka thanë: “Feja ësht mesatarja.“

Njeriu që është i përbërë edhe nga trupi edhe nga shpirti, ka edhe nevoja materiale edhe nevoja shpirtërore. Ai ka nevojë për dynjanë, por jo vetëm. Kufizimi vetëm në anën materiale, kthimi vetëm kah dynjaja, e prish edhe rendin në Tokë edhe ekuilibrin në natyrë.

Ja paralajmërimi.

O njerëz, tash kur jeni në izolim, çfarë dobie keni nga të gjitha ato që i keni grumbulluar në mënyrë të pangopur, gjithçka që keni grumbulluar në mënyrë të palejuar përmes korrupsionit, mashtrimit, vjedhjes, shtypjes së të tjerëve, duke shkaktuar luftëra? Ju nuk mund të shkoni askund, nuk keni ku të shpenzoni. Shikoni këtu, shikoni o njerëz, tani kuptojeni se mund të vijë një kohë kur të gjitha gjërat materiale nuk vlejnë asgjë, ose pothuajse janë pa vlerë.

Krijuesi ynë na paralajmëron – ah sikur vetëm të jemi të vetëdijshëm për këtë – që kur të jemi në varr, të izoluar nga kjo botë, gjithçka që do të vlejë është ajo tjetra, ajo që është shpirtërore. Do të ketë vlerë vepra e mirë, do të jetë me vlerë ajo që kemi fituar me ndershmëri, dhe që e kemi ndarë me gëzim me të tjerët. Kjo që ne po përjetojmë sot, po na pyet, sa ka gatishmëri njeriu i sotëm, që të jetë njeri për njeriun, që të jetë njeri për krijesat e Zotit ???

Ka shumë gjëra që mund t’i ndryshojmë tek vetja jonë. Këtë nga ne e pret Zoti ynë. Ai na inkurajon për këtë ndryshim, dhe është në interesin tonë, që ta bëjmë sa më shpejt, sepse Ai, i Lartësuari, na thotë qartë: Unë nuk do ta ndryshoj gjendjen tuaj, ju duhet ta ndryshoni gjendjen tuaj. Neve na është i njohur ajeti: „Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, për derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre..“ (err-Rra’d,11)

Pejgamberi (savs) na ka paralajmëruar, i brengosur ka pyetur: „Si do të jetë gjendja juaj, kur në mesin tuaj do të shfaqen mëkatet vijuese, kur një popull do të jepet pas imoralitetit dhe ta kryejë atë publikisht, Allahu do tu dërgojë atyre sëmundje, të cilat nuk kanë qenë të njohura për popujt e mëparshëm.“

Ne, këtë hadith të Pejgamberit (savs), e kemi dëgjuar shumë herë, por kemi vepruar sikur nuk ka të bëjë me ne.

Ne e dimë se imoralitet është edhe gënjeshtra, edhe përgojimi, edhe shpifja, edhe alkooli, edhe bixhozi, edhe prostitucioni, edhe vjedhja, edhe korrupsioni, edhe nepotizmi, edhe mosrespektimi i prindërve, edhe neglizhenca e të afërmve, edhe lakmia, edhe ekspoatimi i tepërt i pasurive natyrore, edhe ndotja e ujit dhe e ajrit, dhe …

Le t’i rrënojmë muret e izolimit nga prangat e imoralitetit dhe të nisemi rrugës, e cila çon drejt lumturisë, lumturisë për të gjithë, e ajo është rruga që na çon tek Allahu. Hz. Omeri (r.a.), ka thënë: „Kur një popull goditet nga ndonjë fatkeqësi, kjo është për shkak të mëkateve të tyre, kursa rrugëdalja nga fatkeqësia është në tevben e tyre.“

Ja pra, vëllezër dhe motra, ne duhet të bëjmë gjithçka për të shpëtuar nga kjo e keqe që na ka goditur, le ta ndryshojmë vetveten, le të bëjmë tevbe, tevbe, tevbe, le të pendohemi sinqerisht,  le ta ndryshojmë sjelljen tonë, këtu është rrugëdalja.

O Allahu i Madhërishëm, na ndihmo. Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić.;  (Preporod.info)

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)