Të Fundit
Lakmia është armiku i shpirtit të njeriut

Lakmia është armiku i shpirtit të njeriut

Falënderimi qoftë për Allahun, Zotin e botëve. Salavati dhe selami qoftë për të dërguarin dhe pejgamberin e fundit Muhamedin (a.s.), për familjen e tij të ndershme dhe sahabët e tij fisnikë!

Vëllezër të dashur;

Këtyre ditëve krahas informatave të ndryshme të çuditshme kemi mundur ta dëgjojmë edhe lajmin se 8 personat më të pasur të botës posedojnë pasuri sa gjysma e banorëve të globit, do të thotë, vetëm 8 njerëz janë të pasur sa 3.6 miliardë njerëz në botë, sa gjysma e banorëve të Tokës, me çka hendeku mes super të pasurve dhe pjesës tjetër të banorëve të botës është edhe më i madh, edhe më i thellë, edhe më i dukshëm. Është brengosëse edhe kjo se hendeku mes atyre posaçërisht të pasurve dhe posaçërisht të varfërve këtë vit, është shumë më i madh se sa një vit më parë. Analistët e gjendjes dhe rrethanave në botë parashohin se vazhdimi i gjendjes së tillë mund të shkaktojë revoltë për shkak të pabarazisë, dhe të bëhet shkak i ndryshimeve dhe trazirave të mëdha në botë me pasoja të paparashikueshme. Shkak i gjendjes së këtillë, shkak i mos proporcionit mes të pasurve dhe të varfërve, është dëshira e madhe për pasuri, ose lakmia për pasuri. Kjo është arsyeja pse ne sot do të flasim për lakminë, dhe do t’i theksojmë pasojat e këqija të cilat kjo cilësi mund t’i shkaktojë.

Lakmia është një cilësi e shëmtuar, e cila si epidemi i sulmon zemrat njerëzore, derisa t’i bëjë plotësisht të pandjeshme, ashtu që nuk shohin, nuk vërejnë dhe nuk dinë për fatkeqësitë e personave të tjerë përreth vetes.

Lakmia është armik i shpirtit të njeriut, është diçka prej të cilit njeriu vështirë lirohet. Këtë e vërtetojnë edhe fjalët e Pejgamberit (savs): “Tek njeriu çdo gjë vjetërsohet dhe shkatërrohet përveç dy gjërave, e ato janë lakmia dhe shpresa.”

Për këtë shkak Pejgamberi (savs) na udhëzon duke na thënë: “Ruajuni lakmisë, sepse ajo i ka shkatërruar ata para jush. I ka shtyrë të bëjnë koprraci – dhe ata kanë bërë koprraci; i ka shtyrë për shkëputje të lidhjeve familjare – dhe ata i kanë shkëputur; i ka shtyrë në shthurje dhe mëkatim – dhe ata edhe këtë e kanë bërë!”

Duke i pasur parasysh këto porosi të hadithit, besimtari duhet të ruhet nga kjo cilësi, i vetëdijshëm se nëse lakmia e kaplon shpirtin e tij – do të bëhet arrogant, do të bëjë mendjemadhësi, do t’i harrojë të tjerët, dhe në fund, do ta harrojë Allahun e Plotfuqishëm, Atë i Cili është Pronari i Përhershëm i çdo gjëje të krijuar, Atë, dënimit të të Cilit besimtari i frikësohet, madje edhe atëherë kur e shpreson mëshirën e Tij, nafakën dhe furnizimin.

Furnizimin, nafakën e shfrytëzojmë në këtë botë, kurse me veprimin tonë të drejtë ndaj pasurisë, duke u ndihmuar të tjerëve, ne ia përgatisim vetvetes vendin në xhenet. Allahu i Plotfuqishëm, në suren el-Kasas (77), thotë:

وَابْتَغِ فِيمَا آتَاكَ اللَّـهُ الدَّارَ الْآخِرَةَ ۖ وَلَا تَنسَ نَصِيبَكَ مِنَ الدُّنْيَا ۖ وَأَحْسِن كَمَا أَحْسَنَ اللَّـهُ إِلَيْكَ …

“Dhe, kërko ti jetën e botës së ardhshme me atë që të ka dhënë Allahu, e mos harro pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve ashtu si të ka bërë ty mirë Allahu…”

Megjithatë, nganjëherë lakmia e kaplon njeriun aq shumë, sa që edhepse i vetëdijshëm se pasurinë e vet nuk do të mund ta harxhojë edhe nëse jeton me qindra vjet, nëse jeton si Nuhu (a.s.), njeriu përsëri nuk është i kënaqur, përsëri dëshiron edhe më tepër! Këtë gjendje të njeriut, Pejgamberi (savs) e përshkruan në këtë mënyrë: “Në qoftë se biri i Ademit do të kishte një luginë me flori, do të dëshironte të kishte dy lugina. Mirëpo gojën e tij nuk e mbush asgjë tjetër përveç dheut. Allahu ia pranon pendesën atij njeriu që pendohet.”

Çfarë mund të jenë pasojat e lakmisë, dhe deri ku mund të shpijë në fund lakmia, mund të shohim edhe nga shembulli vijues:

Transmetohet se një njeri kishte udhëtuar me Isain (a.s.) dhe kur kishin arritur te një breg lumi ishin ulur për të ngrënë ushqim, me vete kishin pasur tri copa buke. I kishin ngrënë dy, kurse copën e tretë e kishin lënë. Isai (a.s.) kishte shkuar deri te lumi për të pirë ujë dhe kur ishte kthyer nuk e kishte gjetur atë copën e bukës që kishte mbetur, andaj e pyet bashkudhëtarin e tij: Kush e mori bukën? Ku humbi buka?

Kurse ai i përgjigjet se nuk e din!

Pastaj kishin vazhduar udhëtimin, ku gjatë rrugës e shohin një gazelë me dy të voglat e saj, ku Isai (a.s.) e thërret njërën nga të voglat, e cila erdhi tek ai dhe ai e theri. Pasiqë një pjesë të mishit e poqën dhe e hëngrën, Isai (a.s.) e urdhëroi të voglën e therur: Çohu, me lejen e Allahut! E vogla u ringjall, u ngrit dhe shkoi.

Pastaj Isai (a.s.) përsëri e pyeti bashkudhëtarin e tij: Pash Atë, me vullnetin e të Cilit e shikove këtë mrekulli (muxhize), më thuaj: Kush e mori atë copën e bukës?

Njeriu, përsëri u përgjigj: Nuk e di!

Pastaj, vazhduan udhëtimin, derisa arritën te një luginë e cila ishte e mbuluar me ujë. Isai (a.s.) e mori njeriun për dore dhe e kaloi përtej sipërfaqes së ujit. Kur kaluan në anën tjetër, e pyeti njeriun: Pash Atë, i Cili ta tregoi edhe këtë mrekulli (muxhize): Kush e mori atë copën e bukës?

Bashkudhëtari përsëri u përgjigj se nuk e di!

E vazhduan udhëtimin më tutje derisa erdhën në një shkretëtirë pa ujë. Kur u ulën për të pushuar, Isai (a.s.) filloi ta tubojë rërën në grumbull, pastaj tha: Me urdhrin e Allahut, me lejen e Allahut, shndërrohu në flori! Ashtu edhe ndodhi! Pastaj e ndau arin në tri pjesë duke thënë: Njëra pjesë është për mua, pjesa e dytë është për ty, kurse pjesa e tretë është për atë që e ka marrë copën e bukës!

Atëherë bashkudhëtari i tij e tha të vërtetën: Unë e kam marrë atë copën e bukës!

Isai (a.s.) i tha: Atëherë, ja pra krejt këtë flori, merre krejt, mua nuk më nevojitet, ai është i yti! Pastaj Isai (a.s.) u largua prej tij. Pra, aty edhe u ndanë.

Së shpejti tek ky njeriu erdhën dy njerëz dhe kur e panë floririn tek ai, atyre iu shfaq dëshira që ta mbysin dhe t’ia marrin floririn. Duke e hetuar qëllimin e tyre, njeriu iu tha: Do ta ndajmë floririn në tri pjesë, por njëri prej jush le të shkojë në fshat të na blejë diçka për ushqim, të na sjell diçka të hamë.

Ai që shkoi për ushqim mendoi: Pse unë ta ndaj floririn me ata të dy, në ushqim do të vendosi helm dhe kështu do t’i mbys të dy, pastaj krejt floriri do të më takojë mua. Ashtu edhe veproi.

Ata dy që mbetën, as ata nuk heshtën, por ngjashëm menduan: Pse atij t’ia lëmë 1/3 e floririt, do ta mbysim kur të kthehet dhe floririn do ta ndajmë mes vete.

Kur u kthye ai me ushqim, e mbytën e pastaj e hëngrën ushqimin e helmuar dhe pastaj edhe ata vdiqën, kurse floriri mbeti në shkretëtirë pranë trupave ë tyre të vdekur!

Pak më vonë, Isai (a.s.) me havarijunët e tij (me pasuesit e tij), kaloi pranë floririt dhe trupave të vdekur në shkretëtirë, meqë rast ua tërhoqi vërejtjen me këtë skenë dhe ju tha: Ruajuni mirë nga kjo që po shihni! Ruajuni mirë asaj deri ku i ka shpjerë lakmia!

Vëllezër të dashur,

Le të nxjerrim mësim nga ajetet e cituara, nga hadithet e Muhamedit (savs), si dhe nga shembulli i Isait (a.s.) dhe bashkudhëtarit të tij.

Le të ruhemi nga lakmia, e cila mund të na çojë në harresë dhe mëkat. Me ato që na ka furnizuar Allahu i Plotfuqishëm, le të përpiqemi ta fitojmë të mirën dhe shpëtimin në dy botët, në dynja dhe në ahiret!

O Allahu i dashur, na i fal mëkatet, na mëshiro, na forco në Rrugë të drejtë! Na dhuro të mira edhe në këtë botë edhe në botën tjetër! Amin ja Rabbel alemin!

Hatib: mr. Hz. Mensur ef. Malkiq

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)