Të Fundit
Kulmi i bamirësisë është ruajtja e miqësisë me miqtë e prindërve tonë

Kulmi i bamirësisë është ruajtja e miqësisë me miqtë e prindërve tonë

Abdullah ibn Omeri (r.a.), në një rast po udhëtonte me suiten e tij nga Medina në Mekë. Përveç devesë që po kalëronte, me vete e kishte marrë edhe një gomar. Në kokë kishte vendosur një çallmë, e cila e mbronte nga dielli, kurse në trup kishte veshur një mantel të bukur.

Gjatë udhëtimit, ata e takuan një beduin, të cilin Ibn Omeri e pyeti: “A nuk je ti djali i filan burrit?”

Beduini u përgjigj: “Po, unë jam djali i tij.”

Abdullah ibn Omeri (r.a.), i tha: “Merre këtë gomarin tim dhe hipi, këtë çallmën time vendose në kokëdhe vishe këtë mantelin tim.”

Kur beduini u larguame dhuratat që mori, shokët e Abdullah Ibn Omerit i thanë: “Allahu të mëshiroftë! Ky njeri është një beduin që jeton në shkretëtirë dhe ai do të ishte i lumtur nëse do t’ijepje pak para dhe ushqim, kurse gomarin, mantelin dhe çallmën t’i mbaje për vete!”

Atëherë, Abdullah ibn Omeri (r.a.), u tha atyre: “Babai i këtij beduini ishte mik i babait tim Omer bin Hattabit (r.a.), dhe unë e kam dëgjuar Pejgamberin (savs) kur ka thënë: “Kulmi i bamirësisë është ruajtja e miqësisë me miqtë e babait.”

Devotshmëri e mrekullueshme dhe moral i shkëlqyeshëm!

Pra, nuk është bamirësi vetëm mirësia ndaj prindërve tonë derisa janë gjallë, por edhe ruajtja-mbajtja e lidhjeve miqësore me miqtë e tyre pas vdekjes së tyre.

Prandaj, le të mendojmë mirë për bamirësinë e Abdullah ibn Omerit (r.a.), ndaj babait të tij, hz. Omerit. Djaloshi të cilin ai e takoi në shkretëtirë nuk ishte miku i babait të tij Omerit, por ishte biri i mikut të babait të tij, por edhe përkundër kësaj, ai i bëri një bamirësi të tillë. Le ta imagjinojmë se çfarë lloj bamirësie do t’i bënte dhe si do ta trajtonte vetë mikun e babait të tij?!

Ebu Usejd el-Ensari transmeton se një njeri erdhi te Pejgamberi (savs) dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, a ka ndonjë bamirësi që mund ta bëj për prindërit e mi edhe pas vdekjes së tyre?”

Pejgamberi (savs), i tha: “Po, leximi i lutjes dhe kërkimi i faljes për ta, plotësimi i premtimeve të tyre të cilat ata nuk arritën t’i përmbushin, respektimi i miqve të tyre dhe mbajtja e lidhjeve farefisnore, sepse ata janë shkak i ekzistimit të asaj lidhjeje.”(Ebu Davudi)

Prandaj, mos e privoni veten tuaj nga ky lloj i bamirësisë, por bëhuni nga ata që do të mbajnë lidhje miqësore me miqtë e baballarëve dhe nënave të tyre, të cilët do t’i vizitojnë herë pas here, veçanërisht nëse janë të sëmurë, dhe do tu dalin në ndihmë atyre kur të kenë nevojë për ndihmë, sepse ky është kulmi i bamirësisë.

Edhem Sherkavi;

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)