Të Fundit
Islami e lidhi tokën me qiellin (Israja dhe Miraxhi)

Islami e lidhi tokën me qiellin (Israja dhe Miraxhi)

Israja dhe miraxhi është një nga mu’xhizet më të dalluara të Pejgamberit të Allahut Muhamedit, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e cila e ngacmon logjikën e njeriut normal të meditojë ma tepër rreth Krijuesit dhe fuqisë së Tij të pakufishme, ndërkaq për besimtarin paraqet stimuls për forcimin e besimit dhe ngritjen e shkallës së vetëdijes së tij fetare.

Ç’është Israja dhe Miraxhi?
Isra-quhet udhëtimi i të dërguarit të Allahut Muhamedit s.a.v.s. në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit-Qabes në Meke deri në Mesxhidi Aksa në Kudusi Sherif-Palestinë.
Miraxh-quhet ngjitja e të dërguarit të Allahut prej Mesxhidi Aksaje në sferat e larta qiellore.

Kur ndodhi Israja dhe Miraxhi?
Ekzistojnë shumë mendime për atë se kur ka ndodhur Israja dhe Miraxhi, por ajo që dihet mirë është se Israja dhe Miraxhi kanë ndodhur para shpërnguljes së të dërguarit të Allahut për në Medine.Sipas historianit të njohur Ibn Sa’d kjo ka qenë diku tetëmbëdhjetë muaj para shpërnguljes së Muhamedit s.a.v.s.në muajin Rexheb.

Si ndodhi Israja dhe Miraxhi?

Transmetimet kështu e përshkruajnë këtë ndodhi:Pasi iu pastrua zemra në Mekë, i dërguari i Allahut u nis me Burakun-mjet udhëtimi-në përcjellje të Xhibrilit për në Bejtu-l-Makdis-Palestinë. Pas arritjes në këtë vend, e lidh burakun për hallkën e derës së xhamisë dhe aty fal namaz bashkë me pejgamberët tjerë ku u bëhet edhe imam atyre. Sipas disa dijetarëve këtë namaz Muhamedi s.a.v.s. e ka falur bashkë me pejgamberët pasi ka zbritur prej miraxhi.
Pastaj bashkë me Xhibrilin niset për në sferat e larta qiellore, dhe në qiellra takohet me pejgamber të mëparshëm të cilët i përshëndet, edhe ata ia kthejnë përshëndetjen, i dëshirojnë mirëseardhje dhe e rikonfirmojnë besimin në pejgamberinë e tij. Ai u takua me: Ademin a.s.Jahjanë a.s, Isain a.s, Harunin a.s, Musain a.s, dhe në qiellin e shtatë takohet me Ibrahimin a.s. Pastaj ngrite në Sidretu-l-munteha, pikën më të lartë, e pastaj në horizontet tjera të Allahut.
Në Miraxh u bë farz namazi pesë kohë, aty Muhamedit s.a.v.s. iu treguan disa forma të dënimit të mëkatarëve, si psh.Ngrënësit e pasurive të bonjakëve i pa me buzë si turinjtë e deveve të cilët përtypnin kafshata të zjarrit të xhehenemit dhe gurë të skuqur që gulfonin nga shpinat e tyre. Poashtu, i pa shfrytëzuesit e kamatës me barqe tejet të mëdha që nuk mund të lëviznin prej vendi. Poashtu i ka parë laviret duke mbajtur në dorë mish të majmë dhe të pastër dhe mish të qelbët, ato kanë hëngër mish të qelbët dhe e kanë lënë të mirin, etj.
Këtë ndodhi e përshkruan Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë dhe thotë: ”Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtetë, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit).” (Kaptina El-Israë, 1).
Pas ardhjes së Muhamedit s.a.v.s. prej Israsë dhe Miraxhit, dhe pas tregimit së kësaj ngjarje para opinionit Mekas, jo besimtarët edhe ma tepër filluan të tallen dhe të qeshen e ta akuzojnë Muhamedin s.a.v.s.se gënjen, sepse sipas tyre ishte e pamundur brenda një pjese të natës të bëhet gjithë ky udhëtim i gjatë. Edhe pse Muhamedi s.a.v.s. ua përshkroi Mesxhidi Aksanë, poashtu u tregoi për karvanët që vinin prej atje për në Meke dhe për ata që e kishin humbur një deve, ata nuk i besuan. Ndërkaq në anën tjetër, besimtarët e vërtetë nuk u lëkundën, por sinqerisht besuan. Kështu, kur i thanë Ebu Bekrit r.a.se shoku yt tregon për këtë udhëtim, ai pa asnjë dyshim tha:Nëse këtë e ka thënë Muhamedi s.a.v.s. unë i besoj pa asnjë dyshim. Në këtë rast edhe e mori ofiqin Es-Sidik-i sinqerti i madh.
Këtu duhet theksuar se Israja dhe Miraxhi ndodhi edhe me trup edhe me shpirt. Ka është mendimi më i drejtë i shumicës së dijetarëve të cilin e mbështesin edhe argumentet valide racionale dhe tradicionale.

Mesazhe të Israsë dhe Miraxhit:

Israja dhe Miraxhi ngërthen një varg mësimesh e mesazhesh të rëndësishme, që ne këtu do të kishim përmendur si vijon:
-Nuk ka vend për dëshpërim dhe pesimizëm në zemrën e besimtarit, sepse ndihma e Allahut është e pa kontestueshme për besimtarët e vërtetë.
Kjo kuptohet nga fakti se Israja dhe Miraxhi erdhi në formë respekti dhe nderimi për Muhamedin s.a.v.s, poashtu konfirmim për qëndrueshmërinë dhe misionin e tij dhe dëshmi se Allahu nuk e ka lëshuar prej dore.
Kjo ndodhi erdhi pas disa ngjarjeve që i ndodhën dhe patën ndikim te Muhamedi s.a.v.s. Kështu, Muhamedi s.a.v.s. shkoi në Taif dhe atje u prit shumë brutalisht nga popullata e vendit, poashtu vdiq mixha i tij i cili e mbronte në çdo rast, vdiq edhe gruaja e tij fisnike e cila i besoi e para-Hadixheja. Dhe pas gjithë këtyre ngjarjeve, kur Muhamedi s.a.v.s. u prek, erdhi Israja dhe Miraxhi për të treguar se Allahu xh.sh. nuk e ka lëshuar atë prej dore, ai nuk ka pse të brengoset se me të është Allahu, për këtë e nderoi me ngritjen e tij në sferat e larta qiellore, bile atje ku nuk kishte shkuar as meleku më i dalluar-Xhibrili.
Për atë, çdo besimtar që ec gjurmëve të Muhamedit s.a.v.s dhe vepron për këtë fe me sinqeritet, nuk duhet t’i humb shpresat se Allahu është në anën e tyre.

-Në këtë rast u sfidua shkenca

Kjo, ngase me këtë rast u tregua se për Krijuesin nuk vlejnë rregullat dhe ligjet e kësaj bote, por Ai kur donë të bëjë diçka e bën pa mos iu nënshtruar ligjeve të natyrës që Ai i ka vënë për tjerët. E mori Muhamedin s.a.v.s. dhe e dërgoi në sferat më të larta pa anije kozmike, pa tuba oksigjeni, pa tesha kozmonautësh. Këtë me të vërtetë e bën vetëm Krijuesi i gjithëfuqishëm dhe i gjithëdijshëm, për atë njeriut i mbetet vetëm ti nënshtrohet plotësisht Allahut dhe ti zbatojë urdhrat e Tij.
Për këtë, Israja dhe Miraxhi duhet të shihet në dritë të fuqisë së Allahut, e jo si udhëtim i vetë njeriut, sepse Allahu xh.sh. nuk thotë se Muhamedi s.a.v.s. shkoi vetë në këtë udhëtim, por thotë se Ai e ka dërguar. Kjo nënkupton se e pa vend është pretendimi i disave se kjo ngjarje nuk është e vërtetë, apo se është e pa kapshme për mendjen e njeriut. Përgjigja është shumë e qartë:A kjo është e pa kapshme, apo më e pakapshme se kjo është të mendosh se ka diçka që s’mund ta bëjë Krijuesi dhe një gjë që e ka bërë Krijuesi të thuash se është e pa kapshme?!

- Islami e lidhi tokën me qiellin.
Islam nuk ka dallim në mes asaj që është e kësaj bote dhe e botës tjetër, asaj që i takon fesë dhe jetës së përditshme, por çdo gjë është në korniza të fesë.

- Vlera e namazit
Namazi është një prej shtyllave të Islamit, bile shtylla e tij më e rëndësishme. Vlera e namazit shihet edhe nga fakti se u bë farz në qiell, gjegjësisht natën e Miraxhit. Së këndejmi, besimtarët duhet ti kushtojnë kujdes maksimal namazit dhe nuk duhet ta lënë pas dore në asnjë mënyrë.

- Vlera e Mesxhidi Aksasë
Nga udhëtimi i Muhamedit s.a.v.s. prej Mekes në Kudus-Palestinë, shihet rëndësia e këtij vendi dhe xhamisë Aksa.Për fat të keq, vendi nga i cili u bë ngritja e Muhamedit s.a.v.s. për në qiellrat e larta, gjendet nën okupimin dhe pushtimin cionist. Muslimanët e kanë obligim të detyrueshëm ta çlirojnë këtë vend që përbën pjesë të pandashme të kulturës, civilizimit dhe fesë Islame në përgjithësi.

- Kultivimi i vlerave
Me atë që pa Muhamedi s.a.v.s. në Miraxh, gjegjësisht disa lloje njerëzish duke u dënuar për mëkate, shihet se Islami në përgjithësi po edhe kjo mu’xhize në veçanti synon kultivimin e vlerave, ngritjen e brezave të shëndoshë, formimin e karakterit të fortë Islam dhe largimin e muslimanit nga të këqijat e të gjitha llojeve. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të kemi shoqëri dhe individ të shëndoshë, e përndryshe do të vërshohemi nga dukuri negative që do të na dëmtojnë rëndë.
Prej kësaj kuptohet se muxhizet dhe ndodhitë Islame në përgjithësi, nuk janë thjesht një ndodhi historike, apo një fakt që duhet përmendur thjesht si diçka teknike, por këto rrëfime dhe muxhize e kanë për qëllim që ta kalitin shpirtin e besimtarit, të mbjellin te ai veti dhe vlera të larta dhe ta largojnë nga ai çdo gjë që është e pa hijshme, e dëmshme dhe që e ul personalitetin e tij.

Uniteti shpirtërorë i besimtarëve
Kjo, ngase gjatë ndodhisë së Israsë dhe Miraxhit, Pejgamberi i Allahut udhëtoi prej Meke në Kuds, i cili ka qenë djep i pejgamberëve. Poashtu, atje ai u fal imam i të dërguarve tjerë, e me këtë u tregua lidhja shpirtërore dhe ideore e besimtarëve të vërtetë, pa marrë parasysh se në cilën kohë jetojnë dhe cilit vend i takojnë. Poashtu, udhëtimi i Muhamedit s.a.v.s. deri në Mesxhidi Aksa, tregon se ne besimtarët, nuk mund të jemi të pa interesuar për atë që ndodhën në tokën e shenjtë, nuk guxojmë të mos prekemi për vrasjen e përditshme të vëllezërve tanë në tokën e Israsë dhe Miraxhit, sepse ata janë vëllezërit tanë musliman dhe ajo tokë përbën një kapitull kyç dhe të rëndësishëm të historisë, kulturës dhe civilizimit tonë madhështor Islam.

Besimi i vërtetë-nënshtrim i plotë
Nga rasti i shokut më të afërt të Muhamedit s.a.v.s. dhe kalifit të parë të muslimanëve-Ebu Bekër Es-Sidik r.a.(Allahu qoftë i kënaqur me të), e kuptojmë se si duhet të jetë besimtari i vërtetë, gjegjësisht mësojmë se besimtar i vërtetë është ai i cili plotësisht i nënshtrohet Allahut xh.sh. dhe e zbaton me përpikshmëri gjithë atë me të cilën e urdhëron Allahu dhe Pejgamberi s.a.v.s.
Besimtari i vërtetë nuk guxon të jetë i luhatshëm, nuk guxon të paraqiten dilema te ai përkitazi me të vërtetat Islame, por ai duhet të jetë i bindur plotësisht, ashtu si që ishte Ebu Bekri r.a. i cili kur morri vesh për Isranë dhe Miraxhin, aspak nuk dyshoi, por tha:Nëse këtë e ka thënë i dërguari i Allahut, atëherë unë plotësisht i besoj.

Uniteti i historisë dhe misionit.
Udhëtimi i Muhamedit s.a.v.s. prej Mekes në Kuds e pastaj ngjitja e tij në qiell dhe namazi bashkë me pejgamberët tjerë në Mesxhidi Aksa bile duke qenë Muhamedi s.a.v.s. imam i tyre, dëshmon se historia Islame është unike dhe e pa ndashme, qoftë se flitet për Ademin a.s., Ibrahimin a.s., Musain a.s., Isain a.s. apo Muhamedin s.a.v.s. Për atë, Kudsi është një pjesë e pa ndashme dhe kontinuitive e historisë Islame e cila duhet të mbrohet me të gjitha forcat.
Poashtu, ky udhëtim në këtë qytet dhe falja e namazit me pejgamberët tjerë, tregon se misioni i gjithë pejgamberëve të Allahut dhe ithtarëve të tyre të sinqertë dhe besnik është unik, ka të njëjtin objektiv dhe qëllim:Thirrjen në besimin e Allahut Një, të pa shoq, besimin në Muhamedin s.a.v.s. dhe në të vërtetat tjera qiellore. Ky mision, gjatë gjithë historisë ka synuar shpëtimin e njerëzimit nga idhujtaria dhe nënshtrimi dikujt tjetër pos Allahut dhe ndërtimin e personalitetit të shëndoshë dhe të fortë të besimtarit duke i luftuar të gjitha dukuritë negative.

Besimi në gajbin – të padukshmen.
Një nga elementet bazë të doktrinës Islame është edhe besimi në të padukshmen-gajbin, botë kjo e cila është e pa arritshme për njeriun e zakonshëm. Allahu xh.sh. gajbin-të pa dukshmen e ka ruajtur për Vete, vetëm diçka nga kjo botë ua ka treguar edhe të dërguarve të Vet.
Si ka ndodhur Miraxhi, cila është esenca e kalimit të gjithë asaj hapësire brenda atij intervali aq të shkurtër, për ne është gajb-e pa kapshme, edhe pse ne besojmë fuqishëm dhe pa asnjë dyshim në fuqinë e Allahut xh.sh., por çdo gjë tjetër është për ne e pa arritshme.
Israja dhe Miraxhi është një ndodhi e rëndësishme e cila flet për këtë të vërtetë Islame-gajbin, botën metafizike e cila është e pa arritshme për njeriun, por duke pasur parasysh faktin se ky dimension Islam dallon rrënjësisht nga metafizika e filozofëve dhe mistikëve. Ajo botë e pa dukshme në të cilën thirren ata është botë e imagjinatave dhe iluzioneve, botë e cila nuk e ka mbështetjen askund, ndërkaq bota e gajbit në besimin e të cilës thirr Islami, është krejtësisht diçka tjetër, botë e cila kthehet te dituria absolute e Allahut xh.sh. dhe nuk ka të bëjë me mite, legjenda, iluzione e imagjinata romantike. Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë: “Elif, Lamë, Mimë. Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej Allahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm.Të cilët besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen (namazin) dhe prej asaj që ne u kemi dhënë, ata japin (zeqat sadaka etj)”. (El-Bekare, 1-3.)

Mr. Bashkim Aliu