Të Fundit
Hutbe me rastin e keqësimit të situatës epidemiologjike në vend dhe në botë

Hutbe me rastin e keqësimit të situatës epidemiologjike në vend dhe në botë

Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve, Atij me përcaktimin e të Cilit ndodhin e mira dhe e keqja. Asgjë nuk është mbi Të dhe asgjë nuk është jashtë përcaktimit të Tij. Ai është i informuar për gjithçka dhe vendos për gjithçka.

Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Zotit Muhamed, mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët fisnikë, dhe mbi të gjithë ata që ndjekin udhëzimet e tij deri në Ditën e Gjykimit.

“Allahu, me të vërtetë, urdhëron që të veprohet me drejtësi, mirësi dhe t’u ndihmohet të afërmve, e ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon që të pranoni këshillat.” (en-Nahl, 90)

Vëllezër të dashur,

Me vullnetin dhe urtësinë e Allahut, jeta në këtë botë është e përbërë nga e mira dhe e keqja, nga momentet e lumturisë dhe pikëllimit, kënaqësisë dhe vuajtjes. Të jesh besimtar do të thotë, të mbetesh njeri, pasardhës i denjë dhe i përgjegjshëm i Ademit (a.s.), si në të mirë ashtu edhe në të keq, edhe në forcë edhe në dobësi, edhe në shëndet edhe në sëmundje, edhe kur fiton edhe kur pëson humbje …

Në këtë rrugë të jetës, Allahu i Fuqishëm dhe i Urtë na sprovon vazhdimisht, për të na provuar se kush nga ne do të veprojë më mirë. Edhe sfida e sëmundjes, me të cilën po përballemi këto ditë nuk është gjë tjetër, veçse një sprovë tjetër për njerëzimin. Secili prej nesh individualisht jemi përgjegjës para kësaj sfide. Askush nuk do ta bartë përgjegjësinë e tjetërkujt, dhe askush nuk do të jetë përgjegjës për vendimet e të tjerëve. Situata e përkeqësuar epidemiologjike na ka detyruar që tu kthehemi masave të vetë-mbrojtjes për t’i shmangur skenarët më të këqij dhe kthimin në masa restriktive me rezultat të pasigurt për ekonominë dhe vendet tona të punës, por edhe për shëndetin e njerëzve, i cili mund të rrënohet nga sëmundjet e tjera ose nga kolapsi i sistemit shëndetësor.

Vëllezër të respektuar,

Për një moment, të gjithëve na u duk se e kishim kapërcyer sëmundjen, se ajo po qetësohej dhe po tërhiqej. Të gjithë u relaksuam. Ne jemi të vetëdijshëm se jeta nuk mund të ndalet dhe nuk duhet të lejojmë që sëmundja të mbizotërojë mbi jetën tonë. Prandaj gradualisht filluam të kthehemi në jetën normale, por përkeqësimi i situatës në vend dhe në botë, na paralajmëron se duhet më seriozisht t’i respektojmë masat e vetë-mbrojtjes, për të cilat insistojnë autoritetet, por edhe normat e dakorduara nga Bashkësia Islame.

Ekspertët na thonë se mund të vazhdojmë me kthim gradual në jetën e përditshme, nëse mbajmë distancë fizikevendosim maska, i përmbahemi parimit të higjienës personale, dhe nëse i shmangim tubimet masive. Në këtë mënyrë, me vullnetin e Allahut, ne do ta mbrojmë veten dhe jetën e të dashurve tanë. Kjo nuk është diçka për të cilën nuk mund të angazhohemi, nëse jemi individë dhe bashkësi e përgjegjshme. Besimtarët, të cilët shëndetin dhe jetën e shohin si begati e Allahut, por edhe si amanet i dhuruar nga Krijuesi, duhet të jenë shembull për të tjerët në respektimin e zellshëm të rregullave. Ne as nuk duhet të mendojmë, që në publik të krijohet përshtypja se qëndrimi ynë nuk është i tillë, ose është i kundërt nga një përgjegjës. Liria dhe përgjegjësia janë themeli i konceptit të besimtarit për njeriun dhe rolin e tij në këtë botë.

Kurani i Shenjtë i paralajmëron besimtarët për natyrën njerëzore dhe prirjen e tyre, që punën të cilën gati e kanë përfunduar, ta anulojnë (shkatërrojnë) me pakujdesi, me padurim ose me papërgjegjësi.

Në suren en-Nahl lexojmë: “Allahu, me të vërtetë, urdhëron që të veprohet me drejtësi, mirësi dhe t’u ndihmohet të afërmve, e ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon që të pranoni këshillat. – Dhe, zbatoni obligimet e Allahut kur t’i merrni mbi vete dhe mos e thyeni betimin – pasi që e keni forcuar, meqë Allahun e keni bërë mbikëqyrës tuajin; Allahu, me të vërtetë di çka punoni ju. – Mos u bëni (në thyerjen e obligimeve) si ajo (gruaja) e cila e ka shprishur atë që e ka tjerrë, pasi është forcuar – e ka mbetur e shprishur, duke i marrë betimet tuaja dredhi-mashtrime mes jush, vetëm nga shkaku se një popull është më i madh në numër se tjetri. Allahu, me këtë, vetëm u vënë në provë, e me siguri, Ai do t’ju shpjegojë në Ditën e Kiametit, për atë që ju nuk jeni pajtuar.” (en-Nahl, 90-92)

Edhe ne sot, jemi në një pozitë, që nuk guxojmë të lejojmë, që me pakujdesi t’i rrezikojmë, të gjitha sakrificat dhe të gjitha dëmet që ia kemi bërë ekonomisë dhe jetës sonë private, kur kemi jetuar në izolim të plotë për javë të tëra.

Pushimet vjetore janë përpara nesh. Është e drejtë e njerëzve që të mendojnë se ku do t’i kalojnë pushimet e tyre të merituara me familjet e tyre. Jashtë të gjitha lojërave politike, për të cilat jemi dëshmitarë që po ndodhin rreth nesh, kjo është një mundësi e mirë që të planifikojmë për kalimin e pushimeve në vendin tonë, në atdheun tonë.

Dëmi që ka pësuar ekonomia jonë mund të zvogëlohet, jo vetëm nëse i lëmë paratë në vendin tonë, por edhe kur i blejmë produktet vendore. Jo se ne nuk i respektojmë dhe vlerësojmë të tjerët, por sepse më të rëndësishme e kemi veten tonë.

Të dashur vëllezër,

Duke i respektuar dhe zbatuar rregullat fetare dhe rekomandimet e autoriteteve kompetente përgjegjëse, ne do të arrijmë të ia dalim, jo vetëm ta mbrojmë veten dhe shoqërinë tonë, por do të jemi në gjendje edhe t’i ndihmojmë vëllezërit tonë (dhe njerëzit tjerë), të cilët janë në gjendje më të vështirë se ne dhe kanë nevojë për ndihmën tonë.

Pejgamberi (savs) na ka mësuar se: “Allahu i Lartësuar e ndihmon robin e Tij, derisa ai e ndihmon vëllanë e tij musliman.” Dhe se “Muslimanët janë si një trup, i cili vuan në tërësi, nëse sëmuret një pjesë e tij.”

Tani është mundësia që ta tregojmë konsistencën tonë në këto parime të cilave iu referohemi shpesh. Le ta tregojmë gatishmërinë tonë për të hequr dorë kur edhe për ne është vështirë. Le ta tregojmë solidaritetin tonë musliman dhe ta kalojmë testin e njerëzisë në periudha të vështira.

Por le të bëhemi të sinqertë me vetveten dhe të themi se, nëse nuk tregohemi të përgjegjshëm në respektimin e masave mbrojtëse, pra edhe këtu në xhami, për ndonjë javë, mos e bëftë Zoti, mund të presim përkeqësim edhe më të madh të gjendjes. Prandaj, le të marrim mësim dhe t’i mbështetemi Allahut i Cili: “Është më i mëshirshëm ndaj nesh sesa nëna ndaj fëmijës së saj.”

Në fund, le t’i lutemi Allahut të Mëshirshëm:

– që të na ruajë nga sprovat e mëdha në fe, në familje dhe në pasuri!

– që ta largojë nga zemrat tona urrejtjen dhe zilinë ndaj njerëzve të tjerë;

– që mos të na mposhtë neve frika dhe pashpresa;

– që të na japë forcën për të bërë mirë midis njerëzve;

– që të na i pranojë veprat tona të mira dhe të na i mbulojë turpet tona;

– që ta çlirojë njerëzimin nga sprovat e sëmundjeve të këqija dhe të na japë forcën për të vazhduar në luftën kundër tyre!

Le të pendohemi për mëkatet që i kemi bërë nga padituria.

Le të strehohemi tek mëshira e Allahut dhe, le të kërkojmë strehim tek Ai nga çdo e keqe.

Unë e them këtë dhe kërkoj falje nga Mëshiruesi për veten time, për ju dhe për të gjithë muslimanët e botës.

Përshtati: Miftar Ajdini

Referencë: Muhamed Jusić; Akos.ba; 12. dhul-kade,  1441. h.g. / 03. 07. 2020.