Të Fundit
Haram janë bixhozi, basti dhe lojërat e fatit

Haram janë bixhozi, basti dhe lojërat e fatit

Vëllezër dhe motra në Islam!

Tema e predikimit të sotëm është:
Haram janë bixhozi, basti dhe ‎lojërat e fatit

Tema e lartpërmendur e trajton një problem të madh social, i cili si një epidemi e ka kapluar ‎shoqërinë tonë.‎

Allahu i Plotfuqishëm, bixhozin e ka ndaluar gradualisht dhe Ai e di më së miri, por dijetarët ‎mendojnë, se arsyeja e kësaj është që njerëzit e xhahilijetit (periudha para Islamit) ishin të ‎përfshirë në këtë haram dhe vështirë se do ta lënin atë nëse ndalimi do të vinte përnjëherësh.‎

Në ajetin 219 të sures el-Bekare, Allahu i Plotfuqishëm, tregon për efektet e dëmshme të ‎alkoolit dhe bixhozit:‎

‎“Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaju: “Ato u sjellin dëme të mëdha (mëkate), por ‎edhe dobi për njerëzit, mirëpo, dëmi është më i madh se dobia.” Dhe të pyesin ty sa duhet ‎dhënë lëmoshë. Thuaju: “Tepricën!” Qe, kështu ua shpjegon Allahu argumentet e Tija, që ‎të mendoni.”‎

Pastaj janë shpallur ajetet 90 dhe 91 të sures el-Maide, në të cilët vjen ndalimi i qartë e alkoolit, ‎bixhozit, statujave dhe shigjetave:‎

‎“O besimtarë! Me të vërtetë, vera (pijet alkoolike), bixhozi, statujat dhe shigjetat e fallit janë ‎vepra të ndyta nga punët e djallit. Pra, për të shpëtuar, largohuni nga këto!‎

Me të vërtetë, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz dëshiron që të fusë në mes jush ‎armiqësi dhe urrejtje dhe t’ju shmangë juve nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerjen e ‎namazit. Prandaj, a doni të shmangeni? (Shmanguni ju nga këto vepra të këqija)!”‎

Allahu i Plotfuqishëm, nga urtësia e Tij universale, e ka ndaluar bixhozin, sepse bixhozi është ‎vepër e shejtanit dhe një e keqe, e cila shkakton shumë pasoja negative, ndër të cilat – siç ‎thotë Kurani – armiqësi dhe urrejtje në mes të njerëzve dhe largim nga përmendja e Allahut të ‎Plotfuqishëm dhe nga namazi. Bixhozxhinjtë e përvetësojnë pasurinë e njerëzve të tjerë dhe ‎jetojnë në iluzionin, se me lehtësi dhe pa mundim mund të arrijnë deri te pasuria.‎

Pejgamberi (savs), e ka dënuar vetëm të menduarit për bixhoz, kështu në një hadith të ‎transmetuar nga Ebu Hurejre (r.a.) thotë:
“Dhe kush i thotë shokut të tij: ‘Eja të luajmë ‎bixhoz!’ le të ndajë sadakë!” (Muslimi)‎

Disa dijetarë konsiderojnë se ai që e thërret personin tjetër për bixhoz, është i detyruar të ndajë ‎sadakë në vlerë të asaj shume që ka planifikuar të investojë në bixhoz, në mënyrë që të ‎pastrohet nga ai mëkat. Atëherë, mund të imagjinojmë se sa është mëkati për vetë bixhozin?!‎

Në bixhoz numërohet çdo lojë, e cila luhet me para, me bast, ose me ndonjë vlerë tjetër ku ‎vetëm një pjesëmarrës fiton, kurse të gjithë të tjerët humbin. Pastaj, aty numërohen lojërat e ‎fatit, siç janë: lotaria, bingo, bileta të ndryshme fati dhe bastet. Këtu përfshihen edhe lojërat: si ‎shahu, tavlla, letrat e të ngjashme, nëse luhen me para dhe shkaktojnë sharje dhe fjalë ‎banale dhe nëse për shkak të tyre njerëzit e lënë pas dore namazin dhe obligimet tjera.‎

Në bixhoz nuk përfshihen kuizet, sepse ato bazohen në dituri dhe jo në fat, si dhe lojërat ‎shpërblyese në dyqane, në të cilat faturës së blerjes i bashkëngjitet kuponi shpërblyes, për ‎mallrat që klienti i blen për nevojat e tij të rregullta, dhe jo për shpërblim.‎

Psikologët kanë konstatuar se bixhozi tek njerëzit shkakton emocion, pastaj zhgënjim, dhe në ‎fund urrejtje dhe armiqësi. Bixhozi, lojtarit që luan, i bëhet kuptim i jetës dhe si një lloj i lëndëve ‎narkotike, me të cilën ai, si një frikacak i vërtetë përpiqet të shpëtojë nga realiteti dhe problemet.‎

Është e trishtueshme të shikohet sesi fëmijët, rinia, e për fat të keq edhe më të vjetrit gjithnjë e ‎më shumë shpenzojnë kohë në kazino ose më mirë të themi në “thertore”, sepse ato ju sjellin ‎fatkeqësi atyre dhe familjeve të tyre. ‎

Është e trishtueshme të shikohet sesi njerëzit me dëshirë të madhe e presin bingon para ‎ekranit të televizorit, dhe është e trishtueshme të shikohet sesi disa njerëz sa pak punojnë, ‎kurse nga lojërat e fatit presin shumë, duke harruar proverbin: “Budallai mbështetet në lojëra të ‎fatit, ndërsa i mençuri në mundin e vet dhe në ndihmën e Allahut!”‎

Pasioni për lojërat e fatit e shkatërron jetën e njeriut dhe martesën, ia shkatërron njeriut të ‎gjitha virtytet dhe vlerat njerëzore, ia shkatërron mendjen, krenarinë dhe dinjitetin, ashtu që një ‎lojtar i bixhozit është i gatshëm të mashtrojë, të gënjejë, të vjedhë, edhe të kryejë vrasje, vetëm ‎për të ardhur deri te mjetet për bixhoz.

Bixhozxhiu e shkatërron pasurinë e tij, e privon nga e drejta familjen e tij, të cilën është i ‎obliguar për ta mbajtur, preokupohet psikologjikisht, dalldiset dhe dehet, si dhe kot e harxhon ‎kohën e tij, të cilën gjë Islami shprehimisht e ndalon.‎
Islami ndalon çdo lloj të ndihmës dhe bashkëpunimit me kazinotë. Kompanive dhe individëve ‎nuk ju lejohet të marrin me qira lokale për të hapur kazino. Gjithashtu nuk lejohet të punohet ‎në kazino, as në sigurimin e as në pastrimin e saj. Nëse një shoqëri e bojkoton çdo lloj ‎bashkëpunimi me ta, kazinotë shumë shpejt do të zhdukeshin nga ajo shoqëri.‎

Statistikat tregojnë se bixhozi dhe kazinotë shkaktojnë më shumë se 30% të veprimeve ‎kriminale në shoqëri. ‎

Nga ana tjetër, sa shumë miliona merren në mënyrë të paligjshme nga ana e investitorëve në ‎bixhoz dhe kazino, pa përfituar asgjë, me çka dobësohet ekonomia e popullit dhe shoqërisë, ‎ndërsa forcohen pronarët e kazinove.‎

Kazinotë dhe bixhozi njerëzve ua vrasin frymën e garimit dhe investimit dhe i edukojnë ata në ‎një botë të ëndrrave dhe imagjinatës, duke shpresuar se edhe ata një ditë, në mënyrë të lehtë ‎dhe përnjëherë do të bëhen të pasur. (…)‎

Muslimanët besojnë se nafaka e çdo njeriu është e caktuar qysh nga çasti kur i jepet shpirti në ‎mitrën e nënës së tij, dhe ai është i obliguar të përpiqet ta arrijë fitimin hallall për ushqimin e ‎vetvetes dhe të familjes së tij, madje edhe t’i ndihmojë të tjerët. Prandaj, shkuarja në kazino dhe ‎përpjekja që në mënyrë haram njeriu ta ‘shtojë’ nafakën e tij, është krejtësisht e gabuar.‎

Vëllezër të dashur!‎

Le ta ruajmë vetveten dhe familjen nga bixhozi dhe lojërat e fatit, sepse ato janë një e keqe e ‎madhe për individin dhe shoqërinë! ‎

Le të ruhemi nga harami dhe mekruhi dhe të ruhemi nga shoqëria e keqe!‎

Le të garojmë në vepra të mira, le të jemi të dëgjueshëm ndaj prindërve tanë, le t’i edukojmë ‎fëmijët tanë në Islam, le t’i kryejmë rregullisht namazet e përcaktuara dhe le të përgatitemi për ‎vdekjen dhe për Ditën e llogaridhënies!‎

O Allah, na forco në rrugën e Islamit, na bëj neve prej atyre me të cilët Ti je i kënaqur dhe mos ‎na sprovo me atë që nuk mund ta përballojmë!‎

Ndihmoji vëllezërit dhe motrat tona në nevojë kudo që janë!‎

Na ruaj nga e keqja e armiqve të umetit dhe të atdheut, kurse intrigat e tyre ktheji mbi kokat e ‎tyre!‎

Na i mëshiro prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur, të cilët na e sollën dritën e fesë sonë!‎

Na i udhëzo fëmijët dhe pasardhësit tanë, dhe bëji udhëheqës të umetit dhe mbrojtës më të ‎mirë se ne të fesë dhe atdheut, dhe gëzim të syve dhe zemrave tona në këtë botë dhe në botën ‎tjetër! ‎

Na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit dhe na ndero në xhenet me shoqëri të pejgamberëve të ‎sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë!

Hatib Nezim Halilovic Muderis

Perktheu: Miftar Ajdini